Në ajetin 193 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:
}رَّبَّنَا إِنَّنَا سَمِعْنَا مُنَادِيًا يُنَادِي لِلْإِيمَانِ أَنْ آمِنُوا بِرَبِّكُمْ فَآمَنَّا ۚ رَبَّنَا فَاغْفِرْ لَنَا ذُنُوبَنَا وَكَفِّرْ عَنَّا سَيِّئَاتِنَا وَتَوَفَّا مَعَ الْأَبْرَارِ{
“O Zoti Ynë! Ne dëgjuam një thirrës që na ftonte në besim: “Besoni Zotin tuaj!” Dhe kështu besuam. O Zoti Ynë! Na i fal gjynahet tona, na i shlyej gabimet dhe bëna që të vdesim me të mirët”
Mesazhi i këtij ajeti është i qartë dhe i drejtpërdrejtë: Kur njeriu dëgjon thirrjen drejt besimit, i përgjigjet asaj me vetëdije, pastaj i drejtohet Zotit me përulësi duke kërkuar falje, pastrim nga gjynahet, një përfundim të mirë e të ndershëm të jetës dhe dëshiron të jetë në mesin punëmirëve e të punëdrejtëve. Besimi nuk mjafton vetëm të pranohet, por kërkon përulësi, kërkim faljeje dhe aspiratë për drejtësi deri në fund.
Besimi është themeli mbi të cilin ndërtohet personaliteti moral i njeriut. Ai nuk është thjesht një bindje e brendshme apo një pohim me fjalë, por ai është një forcë shpirtërore që ndikon drejtpërdrejt në mendimet, sjelljet dhe veprimet e njeriut. Kur besimi është i gjallë dhe i sinqertë, ai shndërrohet në burim të virtyteve morale, duke e orientuar njeriun drejt së mirës, drejtësisë dhe përgjegjësisë.
Në thelb, besimi e lidh njeriun me Zotin dhe i jep kuptim ekzistencës së tij. Një njeri që beson e sheh jetën si amanet dhe veprimet e tij si përgjegjësi për të cilat do të japë llogari. Pikërisht kjo vetëdije e brendshme e bën atë të ndershëm, të sinqertë dhe të drejtë, edhe atëherë kur nuk ka asnjë mbikëqyrje njerëzore. Kështu, morali nuk mbështetet vetëm në ligje apo rregulla shoqërore, por në ndërgjegjen e gjallë që ushqehet nga besimi.
Besimi ka nevojë për disa shtylla që të jetë i gjallë, i qëndrueshëm dhe frytdhënës, jo thjesht një pohim me fjalë. Prej shtyllave që kërkon besimi janë:
Besimi kërkon dije
Pa dije, besimi kthehet në verbëri ose traditë boshe. Dija i jep besimit thellësi, argument dhe siguri. Në ajetin 9 të sures “Zumer” Allahu i Madhëruar thotë:
}قُلْ هَلْ يَسْتَوِى ٱلَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَٱلَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ ۗ{
“Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?”
Besimi kërkon drejtësi:
Në ajetin 8 të sures “Maide” Allahu i Madhëruar thotë:
{يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُونُواْ قَوَّٰمِينَ لِلَّهِ شُهَدَآءَ بِٱلۡقِسۡطِۖ وَلَا يَجۡرِمَنَّكُمۡ شَنَـَٔانُ قَوۡمٍ عَلَىٰٓ أَلَّا تَعۡدِلُواْۚ ٱعۡدِلُواْ هُوَ أَقۡرَبُ لِلتَّقۡوَىٰۖ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَۚ إِنَّ ٱللَّهَ خَبِيرُۢ بِمَا تَعۡمَلُونَ}
“O ju që keni besuar! Bëhuni të vendosur për hir të Allahut, dëshmitarë në drejtësi, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj ndonjë populli që të mos jeni të drejtë. Jini të drejtë, sepse drejtësia është më afër devotshmërisë. Dhe frikësojuni Allahut! Vërtet Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që bëni.”
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Tri cilësi, nëse gjenden tek një njeri, ai e ka përkryer besimin e tij: kur është i kënaqur, kënaqësia e tij nuk e shtyn drejt mëkatit apo të pavërtetës; kur zemërohet, zemërimi nuk e nxjerr nga e vërteta; dhe kur ka fuqi, nuk shtrin dorën mbi atë që nuk i takon.”
Besimi kërkon respekt ndaj të tjerëve:
Në ajetin 27 të sures “Nur” Allahu i Madhëruar thotë:
{يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ لَا تَدۡخُلُواْ بُيُوتًا غَيۡرَ بُيُوتِكُمۡ حَتَّىٰ تَسۡتَأۡنِسُواْ وَتُسَلِّمُواْ عَلَىٰٓ أَهۡلِهَاۚ ذَٰلِكُمۡ خَيۡرٞ لَّكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَذَكَّرُونَ}
“O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpitë që nuk janë tuajat, derisa të kërkoni leje dhe t’i përshëndetni banorët e tyre. Kjo është më e mirë për ju, që të përkujtoni.”
Besimi kërkon sinqeritet:
Në ajetin 119 të sures “Teube” Allahu i Lartësuar thotë:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَ وَكُونُواْ مَعَ ٱلصَّٰدِقِينَ
“O ju që keni besuar! Kini drojë Allahun dhe jini me ata që janë të sinqertë.”
Besimi kërkon ndjenjën e turpit:
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Besimi ka më shumë se gjashtëdhjetë degë, dhe turpi është një degë e besimit.”
Në një hadith tjetër ka thënë: “Turpi dhe besimi janë të lidhur bashkë; kur largohet njëri, largohet edhe tjetri.”
Besimi kërkon bujari:
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij.”
Besimi kërkon dashuri:
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, e nuk do të besoni derisa të doni njëri-tjetrin. A t’ju tregoj diçka që, nëse e bëni, do të doni njëri-tjetrin? Përhapni selamin (përshëndetjen) mes jush.”
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Feja është dashuri.”
Besimi kërkon durim dhe mirënjohje:
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Sa e çuditshme është gjendja e besimtarit! Vërtet çdo gjë për të është e mirë, dhe kjo nuk i takon askujt tjetër përveç besimtarit. Nëse e godet ndonjë e mirë, ai falënderon, dhe kjo është e mirë për të; dhe nëse e godet ndonjë e keqe, ai duron, dhe kjo është gjithashtu e mirë për të.”
Të dashur vëllezër dhe motra:
Virtytet morale si ndershmëria, drejtësia, durimi, mëshira dhe respekti ndaj të tjerëve janë fryte të besimit të vërtetë. Besimi e mëson njeriun të kontrollojë egoizmin, lakminë dhe pasionet e shfrenuara, duke e orientuar drejt ekuilibrit dhe maturisë. Një njeri besimtar nuk i shmanget së keqes vetëm nga frika e ndëshkimit, por sepse e konsideron të keqen si shkatërruese për shpirtin dhe për shoqërinë.
Nga ana tjetër, historia tregon se kur besimi dobësohet ose shkëputet nga jeta praktike, edhe morali fillon të zbehet. Pa një bazë të fortë shpirtërore, virtytet morale rrezikojnë të kthehen në slogane boshe, që ndryshojnë sipas interesit dhe rrethanave. Besimi i jep moralit qëndrueshmëri dhe e mbron atë nga lëkundshëmria dhe zhdukja.
Besimi dhe virtytet morale janë të pandashme. Besimi pa moral është i mangët, ndërsa morali pa besim është i brishtë dhe i paqëndrueshëm. Vetëm kur besimi shndërrohet në vepër dhe reflektim moral, njeriu arrin përsosmërinë shpirtërore dhe kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe humane. Prandaj, forcimi i besimit është njëkohësisht forcim i moralit dhe i vlerave njerëzore.
Besimi i vërtetë është ai që ta adhurosh vetëm Allahun dhe t’i nënshtrohesh vetëm Atij me të gjithë qenien tënde, me të gjitha ndjenjat e tua, mendimet e tua dhe qëllimet e tua.
Besimi i vërtetë është ai kur ti ndjen se vetëm Allahu është Administruesi dhe Rregulluesi i vërtetë i jetës tënde. Ai është i Gjithëditur dhe i Mirëinformuar për gjithçka në jetën tënde. Ai është Furnizuesi dhe Dhënësi i miësive. Pra, Ai të jetë qëllimi kryesor në jetën tënde.
Besimi i vërtetë është besimi praktikues në mendime, në thënie dhe në veprime. Të zbatosh ato të të ka urdhëruar Allahu dhe të largohesh prej atyre që ka urdhëruar Allahu. Gjithmonë të jetosh me ndjenjën e pranisë së Allahut dhe të mbikqyrjes së Tij në çdo gjë që flet, që mendon dhe që vepron.
Besimi i vërtetë është kur i don, i respekton, i nderon, i ndihmon të tjerët dhe nuk i lëndon ata me fjalë apo me vepra.
Besimi i vërtetë ka kuptimin që nënshtrimi, dorëzimi absolut dhe bindja absolute i takojnë vetëm Allahut, Krijuesit Fuqiplot. Nëse urdhëron për diçka, askush nuk e ka të drejtën e zgjedhjes në urdhërin e Tij. Në ajetin 36 të sures “Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë:
{وَمَا كَانَ لِمُؤۡمِنٖ وَلَا مُؤۡمِنَةٍ إِذَا قَضَى ٱللَّهُ وَرَسُولُهُۥٓ أَمۡرًا أَن يَكُونَ لَهُمُ ٱلۡخِيَرَةُ مِنۡ أَمۡرِهِمۡۗ وَمَن يَعۡصِ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ فَقَدۡ ضَلَّ ضَلَٰلٗا مُّبِينٗا }
“Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.”
Në ajetin 15 të sures “Huxhurat Allahu I Madhëruar thotë:
{إِنَّمَا ٱلۡمُؤۡمِنُونَ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ بِٱللَّهِ وَرَسُولِهِۦ ثُمَّ لَمۡ يَرۡتَابُواْ وَجَٰهَدُواْ بِأَمۡوَٰلِهِمۡ وَأَنفُسِهِمۡ فِي سَبِيلِ ٱللَّهِۚ أُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلصَّٰدِقُونَ}
“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë, por luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Këta janë besimtarë të sinqertë.” (Sure “Huxhurat”, ajeti 15).

