Islami e ndalon ndërprerjen e marrëdhënieve

Në ajetet 70 dhe 71 Allahu i Madhëruar thotë:

﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلًا سَدِيدًا * يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَمَنْ يُطِعِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزًا عَظِيمًا﴾

“O ju që keni besuar! Druajuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”

Në këtë ajet Allahu u bën thirrje besimtarëve që të jetojnë me devotshmëri dhe sinqeritet në fjalë, sepse e vërteta dhe bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij janë çelësi i përmirësimit të veprave, faljes së gjynaheve dhe fitores së vërtetë në këtë botë dhe në botën tjetër. Ajeti na mëson se fjalët e drejta, bindja dhe droja e ndërgjegjshme ndaj Allahut ndërtojnë suksesin moral, shpirtëror të njeriut. Gjithashtu, ajeti na mëson se devotshmëria, e vërteta në fjalë dhe bindja ndaj Allahut janë çelësi i suksesit të vërtetë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Kushdo që u referohet burimeve të Islamit, përmes Kur’anit të Shenjtë dhe haditheve fisnike të Profetit Muhamed dhe të familjes së tij të pastër, e sheh qartë se shumë nga porositë, detyrimet dhe dispozitat e Islamit thërrasin për heqjen e perdeve dhe pengesave që ekzistojnë ndërmjet individëve, ndërmjet njeriut dhe vëllait të tij njeri.

Islami nuk ka ardhur për ta shkatërruar njerëzimin, përkundrazi ka ardhur me qëllim të rrëzimit të barrierave që mund ta ndajnë njeriun nga vëllai i tij në krijim, ose nga vëllai i tij në besim; siç janë fanatizmat në të gjitha format dhe emërtimet e tyre, mendjemadhësia dhe arroganca, urrejtja dhe zilia, paragjykimi, dyshimi i keq…, etj. Islami ka ardhur për ta zhdukur dhe për ta shkulur nga rrënjët këtë listë të gjatë dhe të zezë të cilësive të këqija që janë shkatërruese për individin dhe për shoqërinë.

Islami thërret për një shoqëri të dashurisë, të lidhjes dhe komunikimit, të bashkëpunimit, të vëllazërisë dhe të solidaritetit. Islami thërret për një shoqëri ku nuk ka barriera psikologjike dhe shoqërore ndërmjet bijve të saj. Islami thërret për një shoqëri të ndërlidhur dhe të bashkuar nga brenda.

Islami nuk e sheh besimtarin si individ të izoluar, por si pjesë të një trupi të vetëm. Prandaj, ndërprerja e marrëdhënieve vëllazërore konsiderohet një sëmundje morale dhe shpirtërore që dëmton individin, familjen dhe bashkësinë në tërësi.

Kur’ani i Shenjtë thotë se besimtarët janë vëllezër.  Në ajetin 10 të sures “Huxhurat” Kur’ani e ka vendosur vëllazërinë si parim hyjnor, jo si zgjedhje personale. Ai thotë:

{ إِنَّمَا ٱلْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ فَأَصْلِحُواْ بَيْنَ أَخَوَيْكُمْ ۚ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَ لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ}

“Me të vërtetë, besimtarët janë vëllezër; prandaj pajtoni vëllezërit tuaj dhe kijeni drojë Allahun që të mëshiroheni.”

Ky ajet tregon qartë se: Vëllazëria është urdhër hyjnor; Përçarja bie ndesh me besimin; Pajtimi është rrugë drejt mëshirës së Allahut.

Gjithashtu në ajetin 46 të sures “El Enfal” Allahu thotë:

﴿ وَأَطِيعُوا اللَّهَ وَرَسُولَهُ وَلَا تَنَازَعُوا فَتَفْشَلُوا وَتَذْهَبَ رِيحُكُمْ ۖ وَاصْبِرُوا ۚ إِنَّ اللَّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ﴾

“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se All’llahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.”
Përçarja nuk është vetëm problem moral, por shkak dobësimi shpirtëror dhe shoqëror.

Kur’ani i Shenjtë e ndalon ndërprerjen e marrëdhënieve. Kur’ani e dënon ashpër ndërprerjen e lidhjeve. Në ajetet 22-23 të sures “Muhamed” Allahu i Madhëruar thotë:

{فَهَلۡ عَسَيۡتُمۡ إِن تَوَلَّيۡتُمۡ أَن تُفۡسِدُواْ فِي ٱلۡأَرۡضِ وَتُقَطِّعُوٓاْ أَرۡحَامَكُمۡ (22) أُوْلَٰٓئِكَ ٱلَّذِينَ لَعَنَهُمُ ٱللَّهُ فَأَصَمَّهُمۡ وَأَعۡمَىٰٓ أَبۡصَٰرَهُمۡ}

“A mos vallë, nëse merrni pushtetin, do të bëni shkatërrime në tokë dhe do t’i ndërprisni lidhjet farefisnore? Të tillët janë ata që Allahu i ka mallkuar.”

Edhe pse ajeti përmend farefisninë, dijetarët theksojnë se marrëdhëniet mes besimtarëve kanë peshë edhe më të madhe, sepse bazohen në besim.

Ata që shkëpusin marrëdhëniet Kur’ani i konsideron gjynahqarë të mëdhenj. Në ajetin 27 të sures “Bekare” Allahu i vendos ata që shkëpusin marrëdheniet në një rresht me ata që shkelin besën. Ai thotë:

}ٱلَّذِينَ يَنقُضُونَ عَهْدَ ٱللَّهِ مِنۢ بَعْدِ مِيثَٰقِهِۦ وَيَقْطَعُونَ مَآ أَمَرَ ٱللَّهُ بِهِۦٓ أَن يُوصَلَ وَيُفْسِدُونَ فِى ٱلْأَرْضِ ۚ أُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلْخَٰسِرُونَ{

“të cilët shkelin besën e Allahut, pasi e patën dhënë, ndërprejnë atë që ka urdhëruar Allahu për ta mbajtur lidhur dhe bëjnë ngatërresa në Tokë; ata janë njëmend të shkatërruar.”

Edhe hadithet e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të Ehli Bejtit që flasin për ndalimin e ndërprerjes së marrëdhënievejanë të shumta. Prej atyre haditheve përmendim:

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të mbi të dhe familjen e tij!) ka thënë: “Mos i ndërprisni marrëdhëniet mes jush, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos e urreni njëri-tjetrin, mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër mes jush. Nuk i lejohet një myslimani ta braktisë vëllain e tij më shumë se tre ditë.” “Tergijbu ue Terhijb”, vëll. 3, 454, hadithi nr. 1

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Braktisja e një myslimani nga vëllai i tij është si ta derdhësh gjakun e tij.” (“Kenzul Ummal”, hadithi nr. 24789

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mbajini lidhjet dhe pajtueshmërinë mes jush, dhe ruhuni nga ndërprerja e marrëdhënieve dhe largimi (nga njëri-tjetri).” (“Gurarul Ḥikem”, hadithi 6152.)

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofdhin mbi të fhe mbi familjen e tuj!) ka thënë: “O Ebu Dherr! Ruhu nga largimi prej vëllait tënd (besimtar), sepse veprat nuk i pranohen atij që i ndërpret marrëdhëniet.” “Biharul Enuar”, vëll. 77, f. 89, hadithi 3. 

Zemërimi dhe hatërmbetja janë njerëzore, por vazhdimi i tyre është e ndaluar. Islami nxit pajtim të shpejtë dhe falje të tjetrit.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruaje lidhjen me vëllain tënd edhe nëse ai e ndërpret, sillehu me mirësi edhe nëse ai sillet keq.”

Imam Xhafer Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dy besimtarë që braktisin njëri-tjetrin, largohen nga mëshira e Allahut derisa të pajtohen.”

Besimtari i vërtetë është ai që nis pajtimin, jo konfliktin.

Pasojat e ndërprerjes së marrëdhënieve

Hadithet tregojnë pasoja serioze tëndërprerjes së marrëdhënieve. Ato pasoja janë:Veprat nuk ngrihen te Allahu; Lutjet mbeten pa përgjigje; Zemra mbushet me errësirë dhe urrejtje.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofdhin mbi të dhe mbi familjen e tuj!) ka thënë: “Veprat e njerëzve paraqiten çdo të hënë dhe të enjte, por nuk falen ata që janë në armiqësi derisa të pajtohen.”

Si t’i ruajmë marrëdhënijet sot?

Islami na udhëzon me hapa praktikë që janë: Të falim për hir të Allahut; Të shmangim thashethemet dhe dyshimet; Të kujtojmë se uniteti është adhurim; Të kërkojmë shpërblim nga Allahu nëpërmjet faljes, jo të kërkojmë hakmarrje.

Ndërprerja e marrëdhënieve vëllazërore nuk është çështje e vogël, por mëkat serioz që cenon themelet e besimit. Kur’ani, Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!) na mësojnë se forca e umetit qëndron në vëllazëri, falje dhe pajtim.  Besimtari i fortë nuk është ai që fiton konfliktin, por ai që e shuan atë për hir të Allahut.

Në ajetin 21 të sures “Rra’ad”:

}وَٱلَّذِينَ يَصِلُونَ مَآ أَمَرَ ٱللَّهُ بِهِۦٓ أَن يُوصَلَ وَيَخْشَوْنَ رَبَّهُمْ وَيَخَافُونَ سُوٓءَ ٱلْحِسَابِ{

“dhe ata që mbajnë lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të mbahen, që kanë frikë Zotin e tyre e i frikësohen llogarisë së rëndë.”

Besimtari i vërtetë është ai që ruan dhe forcon lidhjet që Allahu ka urdhëruar të mbahen, sidomos lidhjet familjare duke vepruar me përgjegjësi, me frikë ndaj Allahut dhe me vetëdije për llogarinë e rëndë në Ditën e Gjykimit.

Ky ajet thekson se ruajtja e marrëdhënieve, devotshmëria dhe ndjenja e përgjegjësisë para Allahut janë shenja themelore të besimit të sinqertë.

Qofshim prej zbatuesve të këtij ajeti të bekuar!