Cilat janë arsyet e largimi të njeriut nga Allahu?

Në ajetin 152 të sures Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ وَاشْكُرُوا لِي وَلَا تَكْفُرُونِ﴾

“Më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj juve, dhe më falënderoni Mua e mos i mohoni mirësitë e Mia.”

Ky ajet na mëson se marrëdhënia me Allahun ndërtohet mbi përmendje dhe mirënjohje. Kur njeriu e përmend Allahun me zemër, me gjuhë dhe me vepra, Allahu e përmend atë me mëshirë, udhëzim dhe ndihmë. Është nderimi më i madh për njeriun që të jetë i përkujtuar nga Krijuesi i tij.

Po ashtu, ajeti thekson se falënderimi është çelësi i shtimit të mirësive, ndërsa mohimi i tyre çon në humbje shpirtërore. Mirënjohja nuk është vetëm me fjalë, por me bindje, me durim dhe përdorim të drejtë të mirësive të Allahut. Kujtimi i Allahut na afron me Të, falënderimi i ruan dhe i shton mirësitë, ndërsa harresa dhe mohimi na largojnë nga mëshira e Allahut. Sa më shumë ta përmendim Allahun, aq më shumë jemi nën kujdesin dhe përkujtimin e Tij.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Allahu nuk largohet nga njeriu. Njeriu është ai që largohet nga Allahu.

Në ajetin 186 të sures “Bekare” Allahu i Madhëruar thotë: 

﴿ وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ ۖ …﴾

“Kur robtë e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër…”

Ndërsa në ajetin 4 të sures “Hadij” Allahu i Madhëruar thotë:

{وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ ۚ وَٱللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ}

“…Ai është me ju kudo që të gjendeni. Ai sheh gjithçka që bëni.”

Në ajetin 16 të sures “Kaf” Allahu i Madhëruar thotë:

{…وَنَحْنُ أَقْرَبُ إِلَيْهِ مِنْ حَبْلِ الْوَرِيدِ}

“…Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.”

Pra, sipas këtyre ajeteve të bekuara Allahu është afër nesh. Ai është me ne kudo që të jemi. Ai shikon gjithçka që ne veprojmë, haptasi apo fshehtasi. 

Atëherë pse ndodh që zemra jonë ftohet? Pse lutja nuk ka më shije? Pse ndjejmë zbrazëti edhe kur çdo gjë materiale është në rregull? Pse njeriu larghet nga Allahu?

Arsyet më të dukshme të largimit të njeriut nga Allahu janë:

Arsyeja e parë: Pakujdesia (gafleti)

Angazhimi me jetën e kësaj bote dhe me kënaqësitë e saj e largon njeriun nga Allahu, duke sjellë ngurtësi të zemrës. Kur’ani na paralajmëron që të mos jemi të dhënë pas kësaj jete, sepse ajo është kënaqësi mashtruese, siç thotë ajeti 185 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:

وَمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا إِلَّا مَتَاعُ الْغُرُورِ

 “Jeta e kësaj bote nuk është tjetër, veçse kënaqësi mashtruese.”

Islami na thotë se dynjaja nuk është problem në vetvete. Problemi është kur ajo hyn në zemër dhe bëhet më e dashur se gjithçka tjetër në jetë. Ajo që është më e rrezikshë është kur dynjaja të sundon.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dynjaja është si gjarpri: prekja e saj është e butë, por helmi i saj është vdekjeprurës.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

Çdo njeri e dëshiron kënaqësinë, rehatinë, pasurinë, famën në këtë jetë. Njeriu shpesh thotë: Sikur të kem pak më shumë para, pak më shumë famë, pak më shumë rehati. Por çdo dëshirë “pak më shumë” bëhet një hap më larg Allahut. Kur zemra mbushet me dynjanë, në të nuk mbetet vend për Allahun.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Dashuria për dynjanë është burimi i çdo të keqeje.”

Kur njeriu është i lidhur pas dynjasë dhe bukurive të saj, ai fillon të justifikojë ato që ka ndaluar Allahu (haramin). Fillon të thotë: “Nuk ka gjë se Allahu fal.” Dhe dalëngadalë, lidhja me Allahun dobësohet ose shkëputet.

Arsyeja e dytë:  Padituria Allahun dhe fenë  

Ndër sprovat më të rrezikshme që mund të godasin njeriun në këtë kohë është padituria për çështjet e fesë së tij. E sheh atë të ketë marrë diploma të larta, të jetë në poste të rëndësishme, dhe të zotërojë disa gjuhë të huaja, por nuk ka njohuri për Krijuesin e tij, për cilësitë e Tij, për rregulla dhe ligjet e Tij, nuk ka njohuri për Profetin, për Kur’anin, nuk di të marrë abdesin siç duhet, nuk di të falë namazin, nuk bën dallimin mes kamatës dhe tregtisë, dhe nuk di çfarë e prish agjërimin, haxhin apo zekatin e tij! Është një padituri e frikshme në një kohë kur mjetet e dijes janë të shumta dhe e rrethojnë njeriun nga çdo anë, saqë dija fetare është bërë e disponueshme në çdo ekran, telefon dhe libër.

Njohuria e dobët rreth Allahut dhe madhështisë e Tij bën që në zemër të mungojë dashuria për Atë dhe e bën njeriun të largohet prej Tij.

Arsyeja e tretë: Ndjekja e epsheve dhe dëshirave të pakontrolluara

Në ajetin 23 të sures “Xhathijeh” Allahu i Madhëruar thotë:

}أَفَرَأَيْتَ مَنِ اتَّخَذَ إِلَهَهُ هَوَاهُ وَأَضَلَّهُ اللَّهُ عَلَى عِلْمٍ وَخَتَمَ عَلَى سَمْعِهِ وَقَلْبِهِ وَجَعَلَ عَلَى بَصَرِهِ غِشَاوَةً فَمَن يَهْدِيهِ مِن بَعْدِ اللَّهِ أَفَلَا تَذَكَّرُونَ}

 “A e ke parë atë që ka bërë dëshirën e vet zot të tijin, e Allahu e ka humbur, duke pasur ai dije, dhe ka vulosur dëgjimin dhe zemrën e tij, dhe mbi sytë e tij ka vënë mbulesë? Kush do ta udhëzojë atë pas Allahut? A nuk merrni këshillë?”

Ky ajet I bekuar na flet për atë njeri, i cili braktis Rrugën e Allahut dhe ndjek dëshirat dhe epshet e tij. Ky lloj njeriu i përkushtohet dëshirës së vet dhe i nënshtrohet asaj, duke e bërë atë burimin e perceptimeve, gjykimeve, ndjenjave dhe veprimeve të tij. duke qenë i tillë ai largohet nga Allahu.

Arsyeja e katërt: Vesveset e shejtanit

 Shejtani është armiku i përbetuar I njeriut. Ai përpiqet ta shkatërrojë njeriun dhe ta largojë nga rruga e drejtë përmes mashtrimeve. Ndikimi i vesveseve të shejtanit në largimin nga Allahu është një nga shkaqet e mëdhaja dhe të rrezikshme që e largojnë zemrën dhe shpirtin e njeriut nga rruga e drejtë. Shejtani mbjell dyshime në zemër. Shejtani përpiqet të fusë dyshime në lidhje me fenë, besimin, madje edhe në lidhje me vetë ekzistencën e Allahut ose drejtësinë e urdhrave të Tij. Kjo dobëson lidhjen shpirtërore dhe e shtyn njeriun të largohet nga besimi dhe adhurimi. Shejtani mund ta bëjë njeriun të besojë se disa gjynahet nuk janë të këqija.

Arsyeja e pestë: Ndjenja e rreme e pavarësisë

            Njeriu mburret me shëndetin, apo me pasurinë e tij dhe harron se çdo mirësi është nga Allahu. Kjo ndjenjë pavarësie dhe vetmjaftueshmërie e largon njeriun nga Allahu dhe bëhet i njëjtë me Karunin, i cili tha se çdo gjë që kishte e kishte nga vetja e tij dhe jo nga Allahu. Kjo ndjenjë çon edhe në shkeljen e caqeve, siç thotë ajeti 6 dhe ajeti 7 në suren “Alak”: “Por vërtet që njeriu shkel çdo cak, kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.”

Arsyeja e gjashtë: Bërja e mëkateve

Kur njeriu fillon të bëjë mëkate, ato mëkate grumbullohen në zemrën e tij. Nëse nuk pendohetato ia errësojnë zemrën dhe e pengojnë shpirtin nga ndriçimi i afërsisë me Allahun.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ruahuni nga mëkatet e vogla, sepse ato grumbullohen te njeriu derisa e shkatërrojnë.”

Mëkatet e vogla janë si pluhuri. Një grimcë nuk shihet. Por nëse nuk pastrohet për muaj, gjithçka mbulohet. Prandaj imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Mëkati më i madh është ai që ti e konsideron të vogël.”


Aryeja e shtatë: Shoqëria e keqe

Njeriu është pasqyrë e shoqërisë së tij. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj shikoni kë merrni për shok.”

Shoqëria e keqe e normalizon mëkatin, e tall fenë, e dobëson turpin dhe e largon ndjeshmërinë shpirtërore. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Mos u shoqëro me atë që të largon nga Allahu.” Njeriu mund të mos e kuptojë menjëherë ndikimin, por zemra ndikohet pa zhurmë.

Në ajetin 28 të sures “Furkan” Allahu iMadhëruar thotë:

يَٰوَيْلَتَىٰ لَيْتَنِى لَمْ أَتَّخِذْ فُلَانًا خَلِيلًا

“Ah, sikur të mos e kisha marrë filanin për mik…” 

Një shok apo mik mund të jetë arsyeja e Xhennetit. Një mik apo një shok mund të jetë arsyeja e Xhehennemit.


Arsyeja e tetë: Harresa e vdekjes

Kjo, ndoshta, është arsyeja më e madhe. Kur njeriu harron se do të vdesë, ai fillon të jetojë sikur do të qëndrojë përgjithmonë.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kujtimi i vdekjes shkatërron dëshirat.”

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Përmendeni shpesh shkatërruesin e kënaqësive (vdekjen).”

Kur njeriu kujton vdekjen zemra zbutet, prioritetet ndryshojnë, ai qëndron larg mëkateve dhe arrin të shijojë ëmbëlsinë e besimit dhe të adhurimit. Harresa e vdekjes e bën njeriun të guximshëm në mëkat. Kujtimi i vdekjes e bën njeriun të përulur.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Pas këtyre arsyeve që përmendëm, lind pyetja: Si të kthehemi te Allahu?

Kthimi te Allahu ka rrugët e tij që janë:

1- Të luftojmë nepsin me agjërim dhe disiplinë.

2- Të pastrojmë mëkatet me kërkimfalje (istigfar) të vazhdueshëm.

3- Të zgjedhim shoqëri që na përkujton Allahun.

4- Të vizitojmë varrezat dhe meditojmë mbi fundin tonë.

5- Të pendohemi me pendim të sinqertë. Në ajetin 8 të sures “Tahrim” Allahu i Madhëruar  thotë:

}يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا تُوبُوا إِلَى اللَّهِ تَوْبَةً نَصُوحًا{

 “O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me pendim të sinqertë.”

Allahu nuk mërzitet nga kthimi ynë. Ai gëzohet me pendimin tonë.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thotë: “Allahu gëzohet më shumë me pendimin e robit të Tij sesa një njeri që gjen devenë e tij të humbur në shkretëtirë.”

I dashur vëlla, e dashur motër!

Mos mendo se je shumë larg nga Allahu. Dera e pendimit është e hapur. Mëshira e Allahut është gjithpërfshirëse. Një sexhde e sinqertë mund të ndryshojë gjithçka. Një pikë loti në mesnatë mund të hapë dyert e qiellit.

Allahu është afër. Çështja është: A duam ne të afrohemi apo nuk duam?

Në ajetin 31 të sures “Nur”, Allahu i Madhëruar thotë:

}‏‏وَتُوبُوا إِلَى اللَّهِ جَمِيعًا أَيُّهَ الْمُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ{

“…Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!”

Sa thirrje e mrekullueshme nga Krijuesi ynë i Dashur, Falës dhe Mëshirues!