Në ajetin 31 të sures “Rrum” Allahu i Madhëruar thotë:
}مُنِيبِينَ إِلَيْهِ وَاتَّقُوهُ وَأَقِيمُوا الصَّلاةَ وَلا تَكُونُوا مِنْ الْمُشْرِكِينَ{
“Drejtojuni Atij me pendesë, frikësojuni Atij dhe falni namazin e mos u bëni si ata, që i shoqërojnë Atij diçka tjetër (në adhurim)”
Ky ajet bën thirrje për pendim të sinqertë, devotshmëri dhe adhurim të pastër vetëm për Allahun. Ajeti thekson se besimtari duhet t’i drejtohet Zotit me pendim të sinqertë. Të jetë i devotshëm. Të falë namazin që detyrë themelore e besimit dhe të mos i shoqërojë Allahut askënd në adhurim. Mesazhi kryesor i këtij ajeti është: Kthehuni tek Zoti me përkushtim të plotë, adhuroni vetëm Atë dhe ruahuni nga çdo formë e shoqërimit në adhurim.
Të dashur vëllezër besimtarë dhe dhe motra besimtare!
Jetojmë në një botë ku çdo gjë shtyhet për nesër.
Pendimi – nesër.
Namazi i rregullt – nesër. Agjërimi – nesër
Ndryshimi – kur të plakem.
Sa herë kemi thënë: “Do pendohem… por jo sot.” “Do të ndryshoj… por kur të qetësohen punët.” “Do të afrohem tek Allahu… kur të plakem.”
Por, kush na garanton se do të arrijmë pleqërinë? Ku janë të parët tanë? Është ligj i Krijuesit Fuqiplot që kjo jetë e ka fundin e saj dhe çdo njeri do të vdesë. Në ajetin 30 të sures “Zumer” Allahu i drejtohet krijesës më të lartë, Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), dhe i thotë:
}اِنَّكَ مَیِّتٌ وَّ اِنَّهُمْ مَّیِّتُوْنَ٘{
“Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.”
Meqenëse të gjithë do të vdesim, përse të mos e jetojmë këtë jetë ashtu siç na urdhëron Krijuesi ynë duke qëndruar larg të këqijave, larg gjërave që dëmtojnë, që lendojnë dhe që shkatërrojnë? Përse të mos rrimë larg gjërave që janë shkak i vuajtjes dhe i dënimit tonë në të dy jetët?
Të dashur vëllezër dhe motra!
Në ajetin 54 të sures “Ez Zumer” Allahu i Dashur, Falës dhe Mëshirues na thërret e na thotë:
}وَأَنِيبُوٓاْ إِلَىٰ رَبِّكُمۡ وَأَسۡلِمُواْ لَهُۥ مِن قَبۡلِ أَن يَأۡتِيَكُمُ ٱلۡعَذَابُ ثُمَّ لَا تُنصَرُونَ{
“Kthehuni te Zoti juaj dhe nënshtrohuni Atij para se t’ju vijë dënimi e pastaj të mos ndihmoheni.”
Ajeti bën thirrje për pendim të sinqertë dhe për kthim tek Zoti para se të jetë vonë. Ajeti thekson se njeriu duhet të kthehet tek Zoti me pendim dhe vetëdije. T’i nënshtrohet Atij duke zbatuar urdhrat dhe duke shmangur ndalesat. Të mos e shtyjë pendimin, sepse kur të vijë dënimi, nuk do të ketë më mundësi ndihme apo shpëtimi. Pra, ajeti është një paralajmërim dhe një ftesë për reflektim, përmirësim dhe afrimitet me Zotin para se të vijë momenti kur pendimi nuk pranohet më.
Në ajetin 99 të sures “Mu’minun” Allahu përshkruan momentin më të dhembshëm që është ai i vdekjes dhe thotë:
}حَتَّىٰٓ إِذَا جَآءَ أَحَدَهُمُ ٱلۡمَوۡتُ قَالَ رَبِّ ٱرۡجِعُونِ{
“Derisa kur t’i vijë vdekja ndonjërit prej tyre, ai thotë: ‘O Zoti im, më kthe.”
Nga ky ajet kuptojmë se pendimi i vonuar nuk ka dobi. Ajeti tregon se kur njeriut i vjen vdekja, ai kërkon të kthehet në jetë për të bërë vepra të mira, por atëherë është tepër vonë. Kjo na mëson se duhet të pendohemi, të përmirësohemi dhe të kthehemi te Allahu sa jemi gjallë. Nuk duhet ta shtyjmë pendimin për më vonë. Mundësia për të vepruar e për të punuar është vetëm në këtë jetë. Mesazhi i këtij ajeti të begatë është: vepro dhe pendohu para se të vijë momenti kur nuk ka më kthim.
Nuk duhet që të kthehemi te Allahu vetëm kur na godet ndonjë e keqe, apo fatkeqësi, apo vëështirësi, siç thotë ajeti 33 në suren “Rrum:
﴿ وَإِذَا مَسَّ النَّاسَ ضُرٌّ دَعَوْا رَبَّهُمْ مُنِيبِينَ إِلَيْهِ ﴾
“Kur njerëzit i godet ndonjë e keqe, ata i luten Zotit të vet, duke iu kthyer me pendesë…”
I dashur vëlla besimatr, e dashur motër besimtare!
Imagjinoje atë çast kur njeriu sheh realitetin në momentin e vdekjes. Kur kupton se çdo gjë që e shpërqendroi ishte e përkohshme. Kur dëshiron të bëjë vetëm një sexhde, kur dëshiron të thotë vetëm një herë thënien “Estaghfirullah”, të kërkoj falje o Allah. Por koha ka mbaruar. Dhe këtë e dëshmon ajeti 100 në suren “Mu’minun”, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:
}كَلَّآۚ إِنَّهَا كَلِمَةٌ هُوَ قَآئِلُهَاۖ وَمِن وَرَآئِهِم بَرۡزَخٌ إِلَىٰ يَوۡمِ يُبۡعَثُونَ{
“Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.” Pra, nuk ka kthim pas.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Zoti ynë është i Dashur, i Butë, Falës, Mëshirues, Pranues i pendimit. Në një hadith Kudsij Allahu thotë: “Vërtet, mëshira Ime paraprin zemërimin Tim.” Dera e kthimit te Allahu është prej dyerve të mëshirës së Tij për robtë e vet. Për këtë Ai e ka lënë derën e kthimit tek Ai të hapur për çdo njeri, për çdo gjynahqar, sado qofshin të shumta gjynahet e tij.
Në ajetin 53 të sures “Zumer” Allahu i Madhëruar thotë:
}قُلۡ يَٰعِبَادِيَ ٱلَّذِينَ أَسۡرَفُواْ عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمۡ لَا تَقۡنَطُواْ مِن رَّحۡمَةِ ٱللَّهِۚ إِنَّ ٱللَّهَ يَغۡفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِيعًاۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلۡغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ {
“O robtë e Mi që e keni tepruar ndaj vetes suaj, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut.”
Çfarë ajeti! Sa i mrekullueshëm! Sa shpresëdhënës! Allahu nuk thotë: “O të devotshëm…”, apo “o ju që keni besuar” por thotë: “O ju që e keni tepruar…”. E keni tepruar duke bërë gjynahe e të këqija. Kurrë mos e humb shpresën në mëshirën dhe faljen e Allahut. Nëse ke gabuar; nëse ke rënë në mëkat; nëse je larguar nga rruga e drejtë, ky ajet të bën thirrje për moshumbje shprese dhe për kthimi te Krijuesi.
I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Allahu e shtrin dorën e Tij natën që të pendohet ai që ka gabuar ditën, dhe e shtrin dorën e Tij ditën që të pendohet ai që ka gabuar natën.”
Sa mëshirë! Sa butësi ka Zoti ynë për ne! Ne ikim e largohemi prej Tij, Ai na thërret. Ne e harrojmë, Ai na pret që të na falë e të na mbulojë me mëshirën e Tij.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sot është dita e punës pa llogari, ndërsa nesër është dita e llogarisë pa punë.”
Sot mund të qash. Sot mund të ndryshosh. Sot mund të thuash: “O Allah, unë kthehem tek Ti.”. Por, nesër ndoshta nuk do të jesh që të qash, të ndryshosh e të pendohesh. Mos prit ndonjë shenjë të madhe për t’u kthyer te Zoti yt. Vendos dhe vepro.
Disa thonë: “Kur të më ndodhë diçka e rëndë, do të ndryshoj.” Po nëse ajo “diçka e rëndë” është vdekja?
Profeti ynë i dashur (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shfrytëzo pesë para pesë: jetën para vdekjes, shëndetin para sëmundjes, kohën e lirë para angazhimit, rininë para pleqërisë, pasurinë para varfërisës.”
Jeta nuk është e garantuar. Vetëm kjo frymëmarrje që po bën tani është e sigurt. Në një hadith nga imam Aliu thuhet se çdo frymëmarrje që marrim është një hap drejt vdekjes.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Pendimi nuk është vetëm fjalë. Ai është lot që buron nga zemra. Është vendim që nuk lëkundet. Është largim nga mëkati, kthim i të drejtave te njerëzit dhe është porta e kthimit te Krijuesi.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë “Pendimi i vërtetë është: pendimi me zemër, kërkimfalje me gjuhë, braktisje me gjymtyrë dhe vendim për të mos u kthyer.”
I dashur vëlla, e dashur motër
Mbylli sytë për një çast dhe mendo… Po sikur kjo të ishte nata jonë e fundit? Po sikur ky të ishte Ramazani i fundit? Po sikur kjo të ishte mundësia e fundit për të thënë: “O Allah, më fal.”
Dijeni se Allahu gëzohet me pendimin e robit të Tij dhe Ai i do ata që pendohen, siç thotë në ajetin 22 të sures “Bekare”:
…}إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَيُحِبُّ الْمُتَطَهِّرِينَ{
“…Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.”
Zoti yt nuk do të të turpërojë nëse kthehesh. Ai nuk do të të refuzojë nëse i kërkon falje. Ai nuk do të ta mbyllë derën e pranimit, sepse Ai është pranues i pendimit siç thotë në ajeti 3 të sures “Nasr”:
﴿ فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ ۚ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا﴾
“Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se vërtet, Ai është Pranues i madh i pendimeve.”
Prandaj, mos e shty pendimin. Mos thuaj “nesër”. Por thuaj “O Allah, unë sot po kthehem tek Ti, edhe nëse jam i dobët, edhe nëse kam bërë shumë gjynahe. Unë po kthehem me bindje se Ti je Falës dhe Mëshirues.
Në këto ditë të fundit të muajit Sha’ban të themi sa më shpesh: O Allah! Nëse nuk na ke falur në atë që ka kaluar nga Sha‘bani, atëherë na fal në atë që ka mbetur prej tij!’”
Prandaj le të nxitojmë për t’u kthyer te Zoti ynë sepse: Nuk e dimë kur do të vdesim. Zemra jonë mund të ndalojë në çdo çast dhe rasti për kthim mund të mos vijë më.
Në ajetet 31-33 të sures “Kaf” Allahu i Madhëruar na flet për shpërblimin e atyre që kthehen te Ai. Dhe ai shpërbli është Xhenneti. Allahu thotë:
}وَأُزْلِفَتْ الْجَنَّةُ لِلْمُتَّقِينَ غَيْرَ بَعِيدٍ هَذَا مَا تُوعَدُونَ لِكُلِّ أَوَّابٍ حَفِيظٍ مَنْ خَشِيَ الرَّحْمَنَ بِالْغَيْبِ وَجَاءَ بِقَلْبٍ مُنِيبٍ{
“Dhe jo larg prej aty, Xhenneti do t’u afrohet besimtarëve të devotshëm,(që do t’u thuhet:) “Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe është ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin në fshehtësi dhe që ka ardhur me zemër të kthyer (te Allahu).”
Allahu na bëftë prej atyre që kthehen para se të jetë vonë!

