Muaji i Ramazanit mes sjelljeve të mira dhe atyre të këqija

Muaji i Ramazanit është një stinë e dritës shpirtërore, ku zemra e besimtarit vendoset përballë vetes së saj me sinqeritet dhe përgjegjësi. Ai nuk është vetëm muaj agjërimi nga ushqimi dhe pija, por një periudhë disipline të brendshme, pastrimi të qëllimeve dhe rishikimi të sjelljeve. Në këtë muaj, njeriu ftohet të peshojë veprat e tij, të dallojë të mirën nga e keqja dhe të zgjedhë rrugën që e afron me kënaqësinë e Allahut.

Ramazani është një fushë prove ku sjelljet e mira lulëzojnë dhe veset dalin në pah. Durimi, mëshira, falja dhe bujaria bëhen shenja të dukshme të atyre që e jetojnë me vetëdije këtë muaj. Ndërkohë, zemërimi, përgojimi, padrejtësia dhe neglizhenca ndaj adhurimit shfaqen si pengesa që e zbehin shpërblimin e agjërimit. Prandaj, Ramazani është një pasqyrë ku secili sheh reflektimin e karakterit të tij.

Mes sjelljeve të mira dhe atyre të këqija, Muaji i Ramazanit qëndron si një udhëkryq moral. Ai na mëson se agjërimi i vërtetë nuk është vetëm ndalim nga ajo që prishet trupin, por largim nga ajo që e dëmton shpirtin. Nëse e shfrytëzojmë këtë muaj si një mundësi për përmirësim, ai bëhet shkollë edukimi dhe ringjalljeje; nëse jo, ai kalon si çdo kohë tjetër, pa lënë gjurmë në jetën tonë.

——————————————————————–

Muaji i bekuar i Ramazanit është muaji më i mirë, siç e ka shprehur Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe  mbifamiljen e tij) me fjalët: “Është një muaj që tek Allahu është më i miri i muajve, ditët e tij janë ditët më të mira, netët e tij janë netët më të mira dhe orët e tij janë orët më të mira.” Prandaj, ai është një mundësi e çmuar për këdo që dëshiron ta shfrytëzojë këtë muaj të bekuar, i cili nuk përsëritet në vit veçse një herë, dhe askush nuk e ka të sigurt se do t’i jepet mundësia ta arrijë vitin e ardhshëm, sepse mund të kalojë në botën tjetër para kësaj.

Muaji i bekuar i Ramazanit duhet të gjallërohet me vepra të mira dhe me shmangien e çdo gjëje që cenon pozitën dhe vlerën e tij, gjëra që dëmtojnë konceptin e agjërimit të plotë, i cili nënkupton shmangien e të gjitha gjërave që e prishin agjërimin, qoftë materiale, shpirtërore apo sjellore.

Në shoqërinë tonw, si edhe në shumë shoqëri të tjera islame, ekzistojnë disa zakone dhe sjellje të mira që duhet të zhvillohen e të forcohen, si dhe nga ana tjetër disa zakone dhe sjellje të gabuara që duhet të largohen dhe të zëvendësohen me sjellje të mira.

Sjelljet e mira:

Në shoqërinë tonë ka shumë zakone dhe sjellje të mira që duhet të përpiqemi t’i zhvillojmë, t’i shtojmë dhe t’i shfrytëzojmë për të krijuar një atmosferë besimi dhe shpirtërore që ndihmon në forcimin e devotshmërisë në shoqëri. Mund të përmendim disa prej këtyre sjelljeve dhe zakoneve të mira në pikat e mëposhtme:

1 – Leximi i Kur’anit tw Shenjtw

Nw hadithe wshtë theksuar mirwsia e leximit të Kuranit tw Shenjtw në çdo kohë dhe vend, por në muajin e Ramazanit ky theksim është edhe më i madh, dhe shpërblimi edhe më i madh. Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe fmbi amiljen e tij!) se ka thënë: “Kush lexon në të (në Ramazan) një ajet nga Kur’ani, do të ketë shpërblimin sikur ta ketë përfunduar tërë Kuranin në muajt e tjerë.”

Ndërsa imam Bakiri (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo gjë ka pranverën e vet, dhe pranvera e Kur’anit është muaji i Ramazanit.”

Në shoqërinë tonë shohim se në çdo shtëpi dhe vend ka njerëz që lexojnë Kur’anin, pasi zakonisht të gjithë angazhohen të lexojnë të paktën një pjesë (xhuz) të Kur’anit çdo natë. Kjo është një zakon i mirë që duhet inkurajuar. Njëkohësisht, duhet theksuar rëndësia e kuptimit të Kur’anit, kujdesi për leximin e saktë (texhvidin), studimi i komentimit (tefsirit) dhe i shkencave të Kur’anit, në mënyrë që lexuesi i Kur’anit të njohë ajetet e bekuara dhe të kuptojë dimensionet, qëllimet dhe interpretimin e tyre.

2 – Kujdesi për të varfrit dhe nevojtarët

Ndër zakonet dhe sjelljet e mira në shoqërinë tonë gjatë muajit të bekuar të Ramazanit është kujdesi për të varfrit dhe nevojtarët. Zakonisht, njerëzit në Ramazan kujdesen më shumë se në muajt e tjerë për të varfrit dhe nevojtarët përreth tyre, qofshin të afërm, banorë të të njëjtit lagje apo qyteti a fshati, duke krijuar kështu një atmosferë solidariteti shoqëror të përgjithshëm.

Profeti ynë (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) i ka nxitur të pasurit në këtë muaj të bekuar që të shpenzojnë për nevojtarët, duke thënë: “Jepni lëmoshë për të varfrit dhe nevojtarët tuaj, nderoni të moshuarit tuaj, mëshironi të vegjlit tuaj, mbani lidhjet farefisnore dhe tregoni dhembshuri ndaj jetimëve të njerëzve, që të tregohet dhembshuri ndaj jetimëve tuaj.”

Ky zakon i mirë duhet të shfrytëzohet për të nxitur punën bamirëse dhe vullnetare në shoqërinë tonë, në mënyrë që të kontribuojë në përmirësimin e nivelit të shërbimeve që ofrojnë shoqatat bamirëse dhe të gjitha aktivitetet vullnetare.

3 – Gjallërimi i vizitave

Ndër zakonet dhe sjelljet e mira në muajin e Ramazanit është ajo që vërejmë në shoqërinë tonë nga kujdesi për vizitën e të afërmve, ruajtjen e lidhjeve me miqtë, shkëmbimin e vizitave në tubime për përkujtim dhe lutje, si dhe mbledhjen e njerëzve në mexhlise, gjë që krijon një atmosferë gjallërie dhe ndërveprimi mes shtresave të ndryshme shoqërore.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka nxitur vizitën e të afërmve në këtë muaj të bekuar, duke thënë: “Kush mban lidhjet farefisnore në të (në Ramazan), Allahu do ta përfshijë me mëshirën e Tij Ditën kur ta takojë; e kush i ndërpret lidhjet farefisnore në të, Allahu do t’ia ndërpresë mëshirën e Tij Ditën kur ta takojë.”

Po ashtu është nxitur edhe vizita e besimtarëve dhe miqve. Është transmetuar nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij): “Kush viziton vëllain e tij besimtar në shtëpinë e tij pa ndonjë interes prej tij, regjistrohet si vizitor i Allahut, dhe Allahu e ka për detyrë ta nderojë vizitorin e Tij.”

 Gjithashtu, ka thënë: “Vizita shton dashurinë.”

Ndërsa Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sa herë që një musliman viziton vëllain e tij musliman për hir të Allahut, Allahu i Madhëruar e thërret: O vizitor, qofsh i bekuar dhe xheneti qoftë i bekuar për ty.”

Vizita e besimtarëve, miqve dhe të afërmve ka dobi të mëdha, ndër më të rëndësishmet: forcimi i marrëdhënieve shoqërore, përhapja e vëllazërisë mes besimtarëve, largimi i mërisë dhe tensioneve nga zemrat, si dhe përforcimi i dashurisë dhe afërsisë mes anëtarëve të shoqërisë. Për të gjitha këto arsye, duhet të zhvillohet zakoni i vizitave mes njerëzve, sidomos në muajin e Allahut (muajin e Ramazanit), kur shpirtrat janë të gatshëm për vizita dhe për të harruar keqkuptimet apo tensionet që mund të kenë lindur gjatë vitit për çfarëdo arsye.

4 – Pjesëmarrja në namazin me xhemat

Ndër zakonet dhe sjelljet e mira në muajin e bekuar të Ramazanit është edhe interesimi i madh për pjesëmarrjen në namazin me xhemat, veçanërisht në namazin e akshamit dhe të jacisë, ku xhamitë mbushen me besimtarë që falen së bashku. Kjo është një zakon i mirë; madje namazi me xhemat është shumë i rekomanduar në çdo kohë, por në muajin e Ramazanit shpërblimi për të shumëfishohet.

Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Ju ka ardhur muaji i Ramazanit, muaj në të cilin gjendet një natë më e mirë se një mijë muaj. Allahu e ka bërë agjërimin e tij detyrë, ndërsa faljen e natës në të adhurim vullnetar. Kush afrohet në të me një vepër të mirë, është sikur të ketë kryer një obligim në muajt e tjerë; e kush kryen në të një obligim, është sikur të ketë kryer shtatëdhjetë obligime në muajt e tjerë.”

Ky përkushtim ndaj namazit me xhemat në Ramazan është një sjellje e mirë, dhe njeriu duhet t’i premtojë vetes që ta ruajë këtë përkushtim gjatë gjithë vitit, sepse kjo forcon gjendjen fetare në shoqëri, zhvillon lidhjet e vëllazërisë mes besimtarëve dhe krijon një atmosferë besimi dhe shpirtërore në jetën shoqërore.

5 – Shkëmbimi i pjatave me ushqim:

Edhe kjo është një sjellje e mirë, pasi njerëzit në muajin e bekuar të Ramazanit, veçanërisht mes të afërmve, fqinjëve dhe miqve, shkëmbejnë pjata me ushqim. Kjo forcon dashurinë mes anëtarëve të shoqërisë dhe kontribuon në krijimin e një atmosfere pastërtie shpirtërore që shkrin ndjenjat e urrejtjes që mund të ekzistojnë mes disa njerëzve për arsye të ndryshme.

Ky zakon i mirë jep përshtypjen e një shoqërie të bashkuar dhe të lidhur fort, si dhe kontribuon në forcimin e strukturës shoqërore, gjë që reflektohet në marrëdhënie më pozitive mes njerëzve.

Nëse njeriu e shkëmben ushqimin me qëllimin e “iftarit për një agjërues”, ai ka një shpërblim të madh, siç është transmetuar nga Profeti i Madh (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij), i cili ka thënë: “O njerëz! Kush prej jush i jep iftar një agjëruesi besimtar në këtë muaj, do të ketë tek Allahu shpërblimin sikur të ketë liruar një rob dhe do t’i falen mëkatet e kaluara.”

U tha: O i Dërguari i Allahut! Jo të gjithë kemi mundësi për këtë.

Ai tha: “Ruajuni zjarrit qoftë edhe me gjysmën e një hurme; ruajuni zjarrit qoftë edhe me një gllënjkë ujë.”

Prandaj, le ta bëjmë shkëmbimin e pjatave me ushqim edhe me synimin për të fituar shpërblim të madh përmes qëllimit të dhënies së iftarit për agjëruesit. Kështu njeriu fiton shpërblim të madh, përveç dobive të shumta që kjo sjell në forcimin e afrimit dhe komunikimit mes anëtarëve të shoqërisë.

Sjelljet e gabuara:

Megjithëse në shoqërinë tonë gjatë ditëve të muajit të bekuar të Ramazanit ekzistojnë shumë sjellje të mira, megjithatë nga ana tjetër ka edhe disa sjellje të këqija dhe zakone të gabuara që disa njerëz i praktikojnë në këtë muaj fisnik. Këto ndikojnë negativisht në atmosferën shpirtërore dhe të besimit që krijon ky muaj i bekuar, si dhe çojnë në humbjen e përfitimeve të synuara nga qëllimet dhe filozofia e agjërimit.

Mund të përmendim disa nga këto sjellje të gabuara në pikat e mëposhtme:

1 – Mungesa e aktivitetit

Shumë njerëz në shoqërinë tonë janë mësuar me mungesë aktiviteti, mungesë energjie dhe mungesë arritjesh gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Vërejmë se shumëfishohet gjumi i tyre krahasuar me muajt e tjerë, dhe shumë njerëz përfshihen nga një gjendje dembelizmi, plogështie dhe mërzie, gjë që çon në rënie të produktivitetit të punonjësit, nëpunësit apo studentit në krahasim me muajt e tjerë.

Nëse i hedhim një vështrim të shpejtë mësimeve fetare, vërejmë theksim të fortë mbi rëndësinë e gjallërimit të ditëve dhe netëve të Ramazanit me adhurim, përkujtim dhe lutje, si dhe shtimin e veprave të mira. Në Ramazan veprat pranohen, siç është transmetuar nga Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij), i cili ka thënë: “Veprat tuaja në të janë të pranuara dhe lutjet tuaja janë të dëgjuara.” Meqenëse është kështu, secili prej nesh duhet të shtojë veprat e mira në këtë muaj dhe ta gjallërojë Ramazanin me adhurim, lutje, kërkim faljeje dhe pendim të sinqertë.

2 – Teprimi në ushqim

Nga sjelljet e gabuara gjatë muajit të bekuar të Ramazanit është edhe teprimi dhe ekzagjerimi në ngrënie, sikur njeriu të dëshironte të kompensonte atë që i ka munguar gjatë ditës, duke humbur kështu përfitimet shëndetësore të agjërimit.

Kur’ani i Shenjtë thekson një të vërtetë të rëndësishme, që është rëndësia e moderimit në ngrënie dhe pirje. Allahu i Lartësuar thotë: “… Hani dhe pini, por mos e teproni, sepse Ai nuk i do ata që e teprojnë.”

Ndërsa Profeti i Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ruhuni nga teprimi në ushqim, sepse ai e rëndon zemrën, i bën gjymtyrët të plogështa për adhurim dhe e shurdhon vendosmërinë për të dëgjuar këshillën.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush ha shumë, i pakësohet shëndeti dhe i shtohen barrët.”

Gjithashtu, Imam Aliu ka thënë: “Shumë ngrënie dhe shumë gjumë e prishin shpirtin dhe sjellin dëm.”

Ndërsa Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ka gjë më të dëmshme për zemrën e besimtarit se ngrënia e tepërt; ajo sjell dy gjëra: ngurtësinë e zemrës dhe ndezjen e epshit.”

Shumë njerëz sot shpenzojnë për ushqim dhe pije në muajin e Ramazanit disa herë më shumë se në muajt e tjerë. Kjo është pasojë e teprimit, i cili ndonjëherë arrin deri në nivel të ndaluar. Ironikisht, disa njerëz në Ramazan hanë disa herë më shumë se në muajt e tjerë! E vetmja gjë që ndryshon janë oraret e ushqimit: në vend që të hanë ditën dhe të flenë natën si zakonisht, në Ramazan flenë ditën dhe hanë natën me oreks edhe më të madh.

Ky lloj sjelljeje e gabuar mund të çojë në humbjen e përfitimeve shëndetësore të agjërimit dhe në rënien prê e sëmundjeve të ndryshme që vijnë nga mungesa e ndërgjegjësimit ushqimor, ngrënia dhe pirja e tepërt, si dhe mungesa e moderimit dhe kursimit në ushqim e pije.

Përhapja e sëmundjeve serioze në shoqërinë tonë si diabeti, tensioni i lartë i gjakut, ngurtësimi i arterieve dhe sëmundjet e zemrës, ndër të tjera, është, ndër shkaqet e saj, edhe rezultat i teprimit në ushqim dhe mungesës së kulturës ushqimore për atë që duhet konsumuar çdo ditë.

Prandaj, muaji i Ramazanit duhet të jetë një ndalesë për reflektim mbi mënyrën se si ushqehemi, një stërvitje për disiplinë në ngrënie dhe pirje, dhe për moderim të vazhdueshëm në konsumimin e ushqimeve. Kështu arrihen përfitimet shëndetësore nga zbatimi i obligimit të agjërimit, ashtu siç ka thënë Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij): “Agjëroni që të jeni të shëndetshëm.”

3 – Varësia nga shikimi i televizorit

Varësia nga shikimi i televizorit gjatë muajit të bekuar të Ramazanit konsiderohet një nga sjelljet e gabuara, pasi shumë njerëz e kalojnë kohën duke ndjekur programe televizive, sidomos kur secili prej nesh ka mundësi të shikojë qindra kanale të ndryshme. Këto kanale satelitore garojnë në ofrimin e filmave, spektakleve dhe programeve që shpesh janë pa dobi, madje disa prej tyre hyjnë në kategorinë e atyre që është e ndaluar të shikohen.

Është vërtet për të ardhur keq që agjëruesi ta kalojë pjesën më të madhe të kohës duke kaluar nga një film në tjetrin, nga një program në tjetrin dhe nga një kanal në tjetrin. Kështu, disa përpiqen ta “vrasin” kohën me varësinë ndaj televizorit, në vend që t’i gjallërojnë ditët dhe netët e Ramazanit me adhurim, përkujtim dhe lutje.

Natyrisht, nuk nënkuptojmë se agjëruesit i ndalohet shikimi i televizorit, por që të mos e teprojë në të, si dhe të zgjedhë programe të dobishme. Gjithashtu, agjëruesi duhet ta kalojë pjesën më të madhe të kohës me vepra të rekomanduara, me leximin e përmendjeve (dhikrit) dhe lutjeve që janë të transmetuara për t’u lexuar në muajin e bekuar të Ramazanit.

Duhet t’i drejtohemi Allahut të Lartësuar në muajin e Tij, muajin e Ramazanit, i cili “është muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i tij falje, dhe fundi i tij çlirim nga zjarri.”

Ndërsa i mjerë i vërtetë është ai që kryen mëkate njëri pas tjetrit, veçanërisht në muajin e Ramazanit. Siç ka thënë Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Me të vërtetë i mjerë është ai që del nga ky muaj pa iu falur mëkatet.” Po ashtu ka thënë: “Kush nuk falet në Ramazan, atëherë në cilin muaj do t’i falen mëkatet?!”

Prandaj, le t’i shtojmë veprat tona të mira në këtë muaj të bekuar, me shpresë që të fitojmë kënaqësinë, faljen dhe mëshirën e Allahut, që është synimi më i lartë i besimtarëve.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Pasi përmendëm disa shembuj të sjelljeve dhe zakoneve të mira në shoqërinë tonë, si dhe disa shembuj të sjelljeve dhe zakoneve të gabuara, është e dobishme që secili prej nesh të pyesë veten: A i praktikoj sjelljet e mira apo ato të këqija? Apo i përziej të dyja?

Le të jetë Ramazani një ndalesë për përpjekjen kundër vetes, për ushtrimin shpirtëror dhe për ngritjen drejt përsosmërisë morale, si dhe për t’u çliruar nga lidhja e tepruar me materializmin në këtë jetë kalimtare.

Ne kemi nevojë të shfrytëzojmë atmosferën e besimit të Ramazanit për të përforcuar sjelljet dhe zakonet e mira, për t’u çliruar nga sjelljet dhe zakonet e gabuara, për të rrënjosur vlerat morale në strukturën shoqërore dhe për të përhapur sjelljet e mira në jetën publike. Kështu realizohen qëllimet fisnike të filozofisë së agjërimit.

Shejkh Abdullah El Jusuf

Marrë nga: https://www.almaaref.org