Kur’ani të ndryshon jetën në muajin e Allahut

Në ajetin 185 të sures “Bekare”, Allahu i Madhëruar thotë:

شَهۡرُ رَمَضَانَ ٱلَّذِيٓ أُنزِلَ فِيهِ ٱلۡقُرۡءَانُ هُدࣰى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَٰتࣲ مِّنَ ٱلۡهُدَىٰ وَٱلۡفُرۡقَانِ

Muaji i Allahut është një periudhë e veçantë reflektimi, përkushtimi dhe afrimi me Krijuesin. Është koha kur zemrat zbuten, shpirtrat pastrohen dhe besimtari kërkon më shumë dritë për jetën e tij. Në këtë muaj të bekuar, Kur’ani zë vendin qendror si udhërrëfyes, shërues dhe burim paqeje. Ai nuk është thjesht një libër që lexohet, por një mesazh hyjnor që prek thellë zemrën dhe e orienton njeriun drejt së mirës.

Kur’ani ka fuqinë të ndryshojë jetën e atij që e lexon me sinqeritet dhe e zbaton me përkushtim. Ai e forcon besimin, e ndriçon mendjen dhe e qetëson shpirtin. Në Muajin e Allahut, lidhja me Kur’anin bëhet më e fortë, sepse është koha kur besimtari përpiqet të largohet nga gabimet, të përmirësojë moralin dhe të ndërtojë një jetë më të drejtë dhe më të pastër.

Prandaj, reflektimi mbi rolin e Kur’anit në jetën tonë gjatë këtij muaji na ndihmon të kuptojmë se ndryshimi i vërtetë fillon nga brenda, nga zemra që e pranon fjalën e Allahut dhe e bën atë udhërrëfyes në çdo hap të jetës.

Kur’ani është i mjaftueshëm për ta ndryshuar jetën tënde në muajin e Allahut, nëse ti mban një lidhje të qëndrueshme, të fortë dhe të thellë me të. Përveç kësaj, ai të siguron furnizimin më të dobishëm për Botën e Përjetshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, ata që e lexojnë Librin e Allahut, e falin namazin dhe japin nga ajo me të cilën i kemi furnizuar, fshehtas dhe haptas, shpresojnë në një tregti që nuk do të dështojë.” (Sure “Fatir”, ajeti 29).

Lidhja e vërtetë me Kur’anin e Shenjtë është e mjaftueshme për të të ndryshuar jetën, sepse lidhja me Kur’anin të dhuron këto gjëra:

E para: Bisedë me Allahun

I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:
“Nëse dikush prej jush dëshiron të flasë me Zotin e tij, le ta lexojë Kur’anin.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 3, f. 2524.)

E dyta: Aftësinë për udhëheqje

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dërgoi një delegacion në Jemen dhe caktoi si prijës më të riun prej tyre. Pas disa ditësh ai nuk u nis, dhe njëri tha: O i Dërguari i Allahut, a e bën prijës mbi ne ndërkohë që është më i riu? Profeti përmendi dijen dhe leximin e tij të Kur’anit. (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 3, f. 2524.)

E treta: Pastrimin e zemrës

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Këto zemra ndryshken ashtu siç ndryshket hekuri.” I thanë: O i Dërguari i Allahut, cili është pastrimi i tyre? Ai tha: “Leximi i Kur’anit.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 3, f. 2524.)

E katërta: Pasurinë më të madhe

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush e lexon Kur’anin është i pasur, dhe pas kësaj nuk ka varfëri.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 605.).

E pesta: Ngushëllimin më të madh

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush gjen shoqëri në leximin e Kur’anit, nuk do ta ndiejë vetminë nga ndarja me vëllezërit.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 3, f. 2524.)

Ndërsa imam Zejnul Abidini (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sikur të vdisnin të gjithë ata që janë mes lindjes dhe perëndimit, nuk do të ndihesha i vetmuar përderisa Kur’ani është me mua.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 602.).

E gjashta: Shlyerjen e mëkateve

I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mbahu pas leximit të Kur’anit, sepse leximi i tij është shlyerje për mëkatet, mburojë nga zjarri dhe siguri nga dënimi.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 3, f. 2524.)

Ai, gjithashtu, ka thënë: “… mos e neglizho leximin e Kur’anit, sepse Kur’ani e gjallëron zemrën dhe ndalon nga imoraliteti, e keqja dhe padrejtësia.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 3, f. 2525.)

E shtata: Qëndrimi nën hijen e shpalljes

I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: thënë: “Kush e lexon Kur’anin, është sikur profetësia është vendosur mes anëve të tij, përveçse atij nuk i shpallet.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 3, f. 2525.)

E teta: Më të dashurit për të Dërguarin e Allahut

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të), kur dëgjoi zërat e shokëve të tij në xhami duke lexuar Kur’an, tha: “Lum për këta! Ata ishin njerëzit më të dashur për të Dërguarin e Allahut (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 3, f. 2521.)

Të gjitha këto mjaftojnë për të ndryshuar jetën në atë që është më e mira.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Muaji i Allahut është një mundësi e artë për t’u rikthyer me zemër të pastër tek Kur’ani dhe për ta bërë atë pjesë të përditshmërisë sonë. Ndryshimi që sjell Kur’ani nuk është i përkohshëm, por është një transformim i thellë që ndikon në mendimet tona, në sjelljen tonë dhe në mënyrën si e shohim jetën. Ai na mëson durimin, faljen, mirësinë dhe sinqeritetin, duke na udhëzuar drejt një rruge të drejtë dhe të bekuar.

Le ta shfrytëzojmë këtë muaj për ta forcuar lidhjen me Librin e Allahut, jo vetëm duke e lexuar, por duke e kuptuar dhe zbatuar atë në jetën tonë. Sepse kur zemra lidhet me Kur’anin, jeta ndriçohet me dritën e udhëzimit dhe shpresa ripërtërihet.

Mos e lër Kur’anin vetëm në raft, por vendose në zemrën tënde. Le të jetë Muaji i Allahut fillimi i një ndryshimi të vërtetë që vazhdon gjatë gjithë jetës.

Marrë nga libri: “Furnizimi i devotshmërisë në muajin e Allahut”, me përshtatje, Shoqata Kulturore Islame El Ma’arif

Përktheu: Haxhi Shejkh Vullnet Merja