Në ajetin 197 të sures “Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
…}وَتَزَوَّدُوا فَإِنَّ خَيْرَ الزَّادِ التَّقْوَىٰ ۚ وَاتَّقُونِ يَا أُولِي الْأَلْبَابِ{
“…Furnizohuni se, me të vërtetë, furnizimi më i mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!”
Ky ajet na mëson se furnizimi më i rëndësishme nuk është ai material, por është devotshmëria, që nënkupton frikë-respekt ndaj Allahut, vetëdije të vazhdueshme për Të dhe përmbajtje nga mëkatet. Njeriu duhet të përgatitet për çdo udhëtim në jetë, por mbi të gjitha për “udhëtimin” drejt Allahut dhe Botës Tjetër. Furnizimi më i mirë është zemra e pastër dhe devotshmëria.
Ky ajet na bën thrrje që të jemi të përgjegjshëm dhe të planifikojmë. Të mos mbështetemi vetëm tek aspektet materiale. Të kultivojmë devotshmërinë si kapitalin më të madh të jetës.
Devotshmëriaështë furnizimi më i vlefshëm për këtë botë dhe për Ahiretin. Edhe ajeti që flet për obligimin e agjërimit mbyllet me thënien: që të jeni të devotshëm.”. Pra, qëllimi i agjërimit është arritja e devotshmërisë.
Çfarë është devotshmëria”
Devotshmëria është ruajtja e vetes nga mëkati dhe zemërimi i Allahut, duke jetuar me frikë-respekt, bindje dhe sinqeritet. Sipas mësimeve të Kur’anit, devotshmëria nuk është vetëm ritual, si namazi apo agjërimi, por një gjendje zemre që reflektohet në sjellje, moral dhe vendimmarrje. Devotshmëria është të jetosh çdo ditë sikur je para Allahut, me ndërgjegje të pastër, përmbajtje nga e keqja dhe përkushtim ndaj së mirës.
Mund të thuhet se devotshmëria që do të thotë një gjendje apo cilësi e brendshme shpirtërore që e ruan njeriun nga rënia në gjëra të dyshimta dhe në të ndaluara, madje e shtyn edhe të largohet nga disa gjëra të lejuara, natyrshëm përbën shtyllën kurrizore të këtij pastrimi moral.
Muaji i Ramazanit është muaji i devotshmërisë. Ndër mbikëqyrjet më të rëndësishme që duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë në muajin e Ramazanit është çështja e devotshmërisë dhe përmbajtjes nga të ndaluarat, për shkak të rëndësisë së saj të veçantë.
Për këtë arsye, në transmetimet e nderuara (hadithet) devotshmëria është konsideruar si themeli i fesë, tipar i të sinqertëve, përmirësuese e shpirtrave dhe e feve, si dhe ndërtuese e dijes. Madje, është transmetuar nga imam Ali ibn Abi Talibi (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Devotshmëria e njeriut është në përpjesëtim me fenë e tij.” (“Ujunul Hikemi uel Meua‘idhi”, f. 503)
Hadithe të shumta flasin për devotshmërinë ndaj të ndaluarave të Allahut.
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe familjen e tij!) se ka thënë: “Lënia e një kafshate haram është më e dashur tek Allahu sesa falja e dy mijë rekateve namaz vullnetar (nafile)…” “Mizanul Hikmeti”, vëll. 1, f. 597)
Është transmetuar nga imam Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Ulja e shikimit nga të ndaluarat e Allahut është adhurimi më i mirë.” (“Mizanul Hikmeti”, vëll. 3, f. 1802
Është transmetuar nga imam Ali ibn Husejn Zejnul Abidin (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kush largohet nga ajo që Allahu e ka ndaluar, ai është ndër njerëzit më adhurues.” (“Uesa’ilu Esh Shi‘ati”, vëll. 15, f. 258).
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe familjen e tij!) se ka thënë: “Namazi pas një njeriu të devotshëm është i pranuar; dhurata për një njeri të devotshëm është e pranuar; ulja me një njeri të devotshëm është prej adhurimit; dhe biseda (kujtesa e ndërsjellë) me të është sadaka.” (“Mizanul Hikmeti”, vëll. 4, f. 3512).
Të deotëshmit në këtë jetë do të hyjnë në Xhennet pa llogari
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe familjen e tij!) se ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: O Musa! Në Ditën e Kiametit nuk do të më dalë përpara asnjë rob pa e marrë në llogari për atë që ka në duart e tij, përveç atyre që janë prej të devotshmëve (që ruhen nga të ndaluarat); sepse Unë turpërohem prej tyre, i nderoj dhe i madhëroj, dhe i fus në Xhenet pa llogari.” (“Mizanul Hikmeti”, vëll. 4, f. 3512)
Mirësitë e devotshmërisë
Devotshmëria ndaj të ndaluarave të Allahut të Madhëruar nuk është më e ulët në gradë sesa afrimi tek Allahu përmes obligimeve (farzeve).
Është transmetuar nga imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Në atë që Allahu i Madhëruar ia shpalli fshehtas Musait (paqja qoftë mbi të): ‘O Musa! Ata që kërkojnë të afrohen tek Unë, nuk janë afruar me asgjë më të dashur për Mua sesa me devotshmërinë ndaj të ndaluarave të Mia. Unë do t’i vendos ata në Xhenetet e Adnit dhe nuk do të ndaj me ta askënd (në atë nderim).’” (“Mizanul Hikmeti”, vëll. 4, f. 3512).
Devotshmëria është tipar i atyre që e duan Ehli Bejtin:
Është transmetuar nga imam Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kush na do neve (Ehli Bejtin), le të veprojë me veprat tona dhe le të ndihmohet me devotshmëri, sepse ajo është ndihma më e mirë për çështjet e dynjasë dhe të Ahiretit.” (“El Kafîj”, vëll. 2, f. 80).
Është transmetuar nga imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kapuni pas devotshmërisë, sepse ajo është feja me të cilën ne jetojmë, me të cilën e adhurojmë Allahun dhe që e kërkojmë nga ata që na duan.” (“Mizanul Hikmeti”, vëll. 4, f. 3509).
Është transmetuar nga imam Muhammad El Bakir (Paqja qoftë mbi të!) se kur Hujtheme hyri për ta përshëndetur para largimit, tha: “Përcillu ithtarëve tanë selamin prej nesh dhe porositi me devotshmëri ndaj Allahut të Madhëruar. Dije, o Hujtheme, se ne nuk mund t’u bëjmë dobi atyre para Allahut pa vepra, dhe ata nuk do ta arrijnë miqësinë (ëilajetin) tonë përveçse me devotshmëri.” “Mizanul Hikmeti”, vëll. 4, f. 3509).
Të devotëshmit janë afër Allahut
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Shoqëruesit e Allahut nesër (në Ditën e Kiametit) do të jenë njerëzit e devotshmërisë dhe të asketizmit në dynja.” (“Mizanul Hikmeti”, vëll. 4, f. 3509).
Devotshëmria shumëfishon shpërblimin
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Dy rekate nga një njeri i devotshëm janë më të mira se një mijë rekate nga ai që i përzien (hallallin me haramin).” (“Mizanul Hikmti”, vëll. 4, f. 3512).
Pasojat e mungesës së devotshmërisë
Mungesa e devotshmërisë ka pasoja të rënda, për të cilat nuk mund të ndihmojë asnjë vepër tjetër. Ajo është një kërcënim i vazhdueshëm nga shejtani.
Një person që vepron pa devotshmëri është si ai që ecën nën shi, duke shpresuar që të mos laget.
Fatkeqësitë e mungesës së devotshmërisë janë:
1– Mospranimi i veprave
Veprat pranohen ose refuzohen me anë të devotshmërisë. Në ajetin 27 të sures “Maide” thuhet se Allahu pranon vetëm veprat e të devotshmëve:
}… إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ اللَّهُ مِنَ الْمُتَّقِينَ{
“…Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.”
Po ashtu siç devotshmëria kontribuon në pranimin e veprave, mungesa e saj çon në refuzimin dhe humbjen e tyre.
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Edhe sikur të falnit namaz deri sa të bëheshit si shtylla dhe të agjëronit deri sa të bëheshit si këndi, Allahu nuk do të pranonte prej jush veçse me devotshmëri.” (“‘Uddet Ed Da‘i”, f. 140.)
Gjithashtu, është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Do të vijë një ditë Kiameti kur disa njerëz do të kenë vepra të mira sa malet e Tehames, por do t’u urdhërohet të shkojnë në Zjarr. Pyetën: ‘O i Dërguari i Allahut, a falnin ata namaz?’ Ai tha: ‘Po, falnin namaz, agjëronin dhe merrnin pjesë nga natët, por sa herë që diçka e dynjasë u shfaq, vraponin drejt saj.’” (“‘Uddetu Ed Da‘i”, f. 295).
2– Mungesa e devotshmërisë është shkatërrimi i fesë
Kjo, sepse bukuria e besimtarit është në devotshmërinë e tij dhe shmangien nga mëkatet, para se të jetë në kryerjen e detyrimeve dhe farzeve. Prandaj, ai që nuk ka devotshmëri e shkatërron fenë e tij dhe e paraqet atë tek të tjerët në një formë të shtrembër.
Është transmetuar nga imam Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Shkatërron fenë e tij ai që largohet nga devotshmëria.” (“Mizanul Hikmeti”, vëll. 4, f. 3510).
3– Allahu nuk e sheh atë që nuk ka devotshmëri:
Kjo do të thotë se Allahu nuk e merr parasysh veprën e tij dhe nuk i hedh sy në të, dhe ai është humbës i qartë.
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Kush nuk ka devotshmëri që ta pengojë nga mëkati ndaj Allahut, kur mbetet vetëm me të, Allahu nuk e merr parasysh asnjë nga veprat e tij të tjera. Kjo është frika nga Allahu në fshehtësi dhe në publik, ekonomia në varfëri dhe pasuri, dhe drejtësia në kënaqësi dhe zemërim.” (“El Kafij”, vëll. 3, f. 454).
Burimi: Libri “Të furnizohemi në muajin e Allahut” – Seriali “Zadul Mubel’lig” – Shoqata e Kulturës Islame “Al Ma‘arif”

