Në ajetet 40 dhe 41 të sures “En Naziat” Allahu i Madhëruar thotë:
وَأَمَّا مَنۡ خَافَ مَقَامَ رَبِّهِۦ وَنَهَى ٱلنَّفۡسَ عَنِ ٱلۡهَوَىٰ (40) فَإِنَّ ٱلۡجَنَّةَ هِيَ ٱلۡمَأۡوَىٰ (41)
“Ndërsa ai që i frikësohet qëndrimit para Zotit të tij dhe e ka ndaluar veten nga dëshirat (e kota), atëherë me të vërtetë Xheneti do të jetë vendstrehimi i tij.”
Këto dy ajete na mësojnë se ai që ka frikë ndaj Zotit dhe kontrollon dëshirat e këqija të vetes, do të shpërblehet me Xhennet. Pra, thelbi i ajetit është të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë para Zotit; Të frenojmë pasionet dhe dëshirat që të çojnë në mëkat dhe shpërblimi për këtë vetëpërmbajtje është Xhenneti. Thënë ndryshe: Vetëkontrolli dhe frikërespekti ndaj Zotit e çojnë njeriun në Xhennet.
Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) i tha Is’hak ibn Ammarit: “O Is’hak! Frikësoju Allahut sikur e sheh Atë. Nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty. Nëse ti mendon se Ai nuk të sheh, atëherë ke mohuar. Ndërsa nëse e di se Ai të sheh dhe pastaj i shfaqesh me mëkat, atëherë e ke bërë Atë më të parëndësishmin nga ata që të shikojnë ty.” (“El Kafij”, i Shejkh Kulejnit, vëll. 2, f. 68.)
Fjala “shikim” (ru’jetun) përdoret si për shikimin me sy, ashtu edhe për shikimin e zemrës; dhe është një shprehje që tregon shkallën më të lartë të qartësisë dhe të zbulimit.
Njeriu duhet të kujdeset gjithmonë për zemrës ta mbajë përherëtë lidhur me Allahun. Njeriu duhet të kujtojë se Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur dhe i Mirëinformuar për çdo njeri dhe për çdo gjë që ai vepron, dhe se Ai i di sekretet dhe mendimet më të fshehta të zemrave, siç thotë ajeti 33 në suren “Err Rra’d”: “Vallë, Ai që është mbikëqyrës për çdokënd se çfarë punon, a është njësoj si idhujt që s’dëgjojnë e s’shohin gjë?!”
Thënia e imam Sadikut (Paqja qoftë mbi të!): “Nëse ti e di se Ai të sheh dhe pastaj i shfaqesh me mëkat, atëherë e ke bërë Atë më të parëndësishmin nga ata që të shikojnë ty”, do të thotë se ti e lë mëkatin kur të shohin njerëzit e tjerë, nga frika e qortimit dhe nga turpi, por nuk e lë kur të sheh Allahu, edhe pse e di se Ai është dëshmitar dhe i pranishëm. Kur e braktis mëkatin për njerëzit dhe jo për Allahun, do të thotë se Allahu është më pak i rëndësishëm për ty se njerëzit, dhe kjo është një pasojë që bie mbi ty.
Edukimi i vetes me frikën ndaj Allahut
Besimtari duhet ta edukojë veten me frikën ndaj Allahut të Madhëruar, që ajo të bëhet një shtysë për bindje dhe një pengesë nga mëkati dhe mosbindja.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) në porosinë drejtuar djalit të tij imam Hasanit (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Të porosis që ta kesh frikë Allahun në fshehtësi dhe haptasi në punët e tua.” (Muhamed ibn El Hasan Et Tusij, “El Amalij”, f. 7.)
Ndërsa Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimtari duhet ta ketë frikë Allahun sikur të ishte duke qëndruar buzë Zjarrit (të Xhehenemit).” (Abd Ali El Huejzi, Tefsir “Nur Eth Thekalejn”, korrigjuar dhe komentuar nga Sejjid Hashim Er Resulij El Mahallati, Fondacioni Ismailijan për botim dhe shpërndarje, Kum, Iran, 1412 hixhri / 1370 (kalendari iranian), botimi i 4-t, vëll. 4, f. 45.)
Besimtari duhet të karakterizohet me qëllim dhe ekuilibër, pa tepruar dhe pa lënë mënjanë frikën; sepse teprimi dëmton shpirtin dhe e bën atë të bjerë në gjendje dëshpërimi dhe humbjeje shprese, ndërsa lënia mënjanë frikës çon në pakujdesi, përshkallëzim të veprave të gabuara dhe rebelim ndaj bindjes ndaj Allahut të Madhëruar.
Imam Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vepra më e mirë është ekuilibri i shpresës dhe frikës.” (El Lejthij El Uasitij, Ali ibn Muhamed El Kafijjidijn, “Ujunul Hikemi uel Meua’idhi”, verifikuar nga Husejn El Husseinij El Birxhendij, Darul Hadith, Kum, Iran, 1418 hixhri, botimi i parë, f. 240.
Frika sipas shkallës së njohjes së Allahut
Sa më shumë që njeriu të njohë Zotin e tij, aq më shumë rritet dashuria dhe frika ndaj Tij. Edhe njohja minimale është e mjaftueshme. Njeriu duhet të dijë se Allahu është Krijuesi i tij dhe tek Ai kthehet gjithçka në fund, se Ai vëzhgon veprat e tij në këtë botë, e cila është bërë vend veprimesh, dhe se Allahu do ta tubojë për gjykim në Ditën e Kijametit, duke e pyetur për çdo gjë të madhe apo të vogël, duke e shpërblyer për veprat e mira dhe duke e ndëshkuar për mëkatet. Pra, ai që ka njohuri më të madhe për Allahun, ka edhe frikë më të madhe ndaj Tij.
Profeti Muhammad (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Ai që ka njohuri më të madhe për Allahun, ka frikë më të madhe ndaj Tij.” (Al’lametu Muhamed Bakir El Mexhlisij, “Biharul Enuar”, vëll. 67, f. 394.)
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i dituri për Allahun e Madhëruar është më i frikësuari ndaj Tij.” (Abdul Uahid ibn Muhamed Et Temimi El Amadi, “Gurerul Hikemi ue Durerul Kelimi” (grumbull i fjalëve dhe urtësive të Imam Ali ibn Abi Talib, paqja qoftë mbi të!), Darul Kitabil Islami, Kum, Iran, 1410 hixhri, botimi i dytë faqja 200.) Kjo tregon se frika e vërtetë ndaj Allahut rritet proporcionalisht me njohurinë dhe vetëdijen për Tij.
Besimtari është mes dy frikërave
Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) transmeton nga Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Me të vërtetë, besimtari vepron ndërmjet dy frikërave: një frikë nga një kohë që ka kaluar, për të cilën nuk dihet çfarë ka bërë Allahu, dhe një frikë nga koha që ka mbetur, për të cilën nuk dihet çfarë ka caktuar Allahu. Prandaj, besimtari të marrë nga vetja për veten e tij, dhe nga bota për Ahiretin e tij, në rininë përpara plakjes dhe në jetën përpara vdekjes. Me të vërtetë, pas kësaj bote nuk ka tjetër strehim, veç Xhenetit ose Zjarrit.” (“El Kafij”, i Shejkh El Kulejnij, vëll. 2, f. 70.)
Thënia: “Besimtari vepron ndërmjet dy frikërave: një frikë nga koha që ka kaluar… dhe një frikë nga koha që ka mbetur…” tregon se frika nuk është vetëm për atë që vjen, por edhe për atë që ka kaluar. Këto dy frika janë thelbësore për përmbushjen e përkryerjes së njeriut.
Frika nga e kaluara nxit vendosmërinë për pendim, kërkim faljeje, përpjekje për të korrigjuar të metat, dhe përqendrim të zemrës në përmendjen e Zotit.
Frika nga e ardhmja, e bën njerun të kujdesshëm nga mundësia e rënies në mëkat, nga mashtrimi, nga shpërqendrimi i zemrës dhe lënia e adhurimeve. Ajo nxit përkushtimin për të fituar të mirat, për të arritur përsosmërinë, dhe për të ruajtur kohën e adhurimeve.
Thënia e Profetit: “Prandaj, besimtari të marrë nga vetja për veten e tij” do të thotë: në këtë botë, ai të punojë veprat e adhurimit dhe afërsisë ndaj Allahut, të heq dorë nga gjërat e ndaluara dhe rrugët e shkatërrimit, dhe të refuzojë dashurinë e tepruar për këtë botë, njerëzit e saj dhe zakonet e kota, duke bërë të gjitha këto për shpëtimin e vet në Ahiret.
Kush nuk ka frikë është zemërtharë dhe mendërisht i shkatërruar, siç thotë Allahu në ajetin 22 të sures “Zumer”: “Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu!”
Ndërsa thënia e Profetit Muhamed:“Dhe nga bota për Ahiretin e tij” do të thotë të shpenzojë pasurinë e tij për të varfrit, nevojtarët dhe muslimanët në nevojë, pa harruar pjesën e tij të ligjshme nga kjo botë, sepse ajo është fushëmbjellja e Ahiretit.
Qëllimi i këtij hadithi është të kultivojë përgjegjësinë dhe shfrytëzimin e kohës së jetës me pendim, kërkim faljeje, vetëdijesim dhe përgatitje për jetën pas vdekjes, në mënyrë që njeriu të mos përfundojë më pas me pendesë dhe hidhërim, ku arsyet e tij nuk pranohen.
Ata që janë besimtarë të sinqertë nuk i frikësohen askujt përveç Tij. Në ajetin 62 të sures “Junus”Allahu i Madhëruar thotë:
}أَلَآ إِنَّ أَوْلِيَآءَ ٱللَّهِ لَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ{
“Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar.”
Kurse ata që ndjekin djallin, I frikësohen gjithçkaje dhe vetë djalli I frikëson ata, siç thotë ajeti 175 në suren “Ali Imran”: “Vetëm djalli i frikëson ithtarët e vet. Ju mos iu frikësoni atyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë!
Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Asgjë nuk është pa kufi.” Kjo do të thotë: Gjithçka ka një kufi të caktuar.
E pyetën: ‘Cili është kufiri i besimit dhe mbështetjes tek Allahu?’ Ai tha: “Bindja e plotë (el jekijnu).”
E pyetën: ‘Po kufiri i bindjes së plotë cili është?’ Ai tha: “Mos të frikësohesh nga asgjë tjetër përveç Allahut.” (“El Kafij”, i Shejkh Kulejnit, vëll. 2, f. 57.
Ky mesazh tregon se frika e vërtetë dhe mbështetja e sinqertë duhet të jenë vetëm ndaj Allahut, dhe asgjë tjetër nuk duhet të ndikojë shpirtin e besimtarit.
Në përfundim, besimtari i vërtetë përpiqet të jetojë me vetëdijen se Allahu e sheh gjithmonë. Kjo ndjenjë e bën njeriun më të kujdesshëm në veprat, fjalët dhe qëllimet e tij. Kur njeriu i frikësohet Allahut sikur e sheh Atë, ai largohet nga mëkatet, përpiqet për vepra të mira dhe e pastron zemrën e tij. Kjo është gjendja e ihsanit, për të cilën flet hadithi i njohur i Muhamed në Hadithi i Xhibrilit: “Ta adhurosh Allahun sikur e sheh Atë; edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.”
Prandaj, sa më shumë që njeriu e forcon këtë vetëdije në jetën e tij, aq më shumë afrohet me Allahun dhe shpreson në shpërblimin e Tij në Xhenet.
Le ta shrytëzojmë këtë muaj të bekuar për ta kultivuar sa më shumë frikën ndaj Allahut në vetat tona!

