Prijësi i besimtarëve, Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!) – Strehë e të dobëtve dhe ndihmës i të shtypurve

Autori: Imami dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu qoftë i kënaqur me të!)

Imami dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu qoftë i kënaqur me të!)

Sot përkon me përvjetorin e përgjakshëm të goditjes në kokën e bekuar të Prijësit të besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!); kjo është një natë e trishtuar dhe e errët në Kufa. Ju nuk mund ta përfytyroni se si ishte kjo qytet atë natë. Të gjithë njerëzit ishin në zi, sepse ishte larguar ngushëlluesi dhe shoqëruesi i tyre.

Ishte Aliu (Paqja qoftë mbi të!), ai që një ditë i shkroi njërit prej guvernatorëve të tij: “…A të kënaqem me veten që të më quajnë Prijës i besimtarëve, ndërsa unë të mos ndaj me ta vështirësitë e kohës?” (“Nehxhul Belaga”, vëll. 3, f. 72, shpjegimi i Muhamed Abduh, Darul Ma‘rifah.)

Imami ishte pjesëmarrës me njerëzit në të gjitha dhimbjet dhe shqetësimet e tyre, duke i kujtuar në porosinë e tij: “Allah, Allah kujdeseni për jetimët!” (“Mustedrek Sefijnetul Bihar”, vëll. 10, f. 583. )

Atë natë, në natën e njëzetë të muajit Ramadan, e pritën fëmijët të cilët ai i ulte në gjunjët e tij, ua përkëdhelte kokat me butësi dhe i ushqente me dorën e tij. Ata e pritën atë burrë, por ai nuk erdhi.

Atë natë ata e kuptuan se kush ishte ai.

Ndoshta keni dëgjuar për atë që ndodhi kur mjeku që po e kuronte Prijësin e besimtarëve kërkoi që t’i sillnin qumësht, me shpresë se mund të zbutte efektin e helmit. Dhjetëra fëmijë jetimë erdhën nga të gjitha anët e Kufës, secili duke mbajtur në dorë një gotë me qumësht, dhe u drejtuan me nxitim drejt shtëpisë së Imamit, duke dashur t’ia kthenin mirësinë dhe ta falënderonin për dashurinë, kujdesin dhe butësinë e tij.

Ndoshta keni dëgjuar edhe për atë plakun e verbër, i cili atë natë rënkonte nga dhimbja e vetmisë dhe urisë. Disa njerëz e pyetën: “Si veproje në ditët e mëparshme?”

Ai u tha se një burrë vinte tek ai, e ngushëllonte dhe e ushqente me dorën e tij. Pastaj ua përshkroi atyre tiparet e atij njeriu… dhe ai njeri nuk ishte askush tjetër përveç Aliut (Paqja qoftë mbi të!).

Kështu, ai ishte strehë dhe mbrojtës për çdo njeri që ndjente dobësi, nevojë apo vetmi.

Ky njeri, i cili binte pa ndjenja në mihrabin e adhurimit nga frika ndaj Allahut, ishte po ai sundimtar që nuk e duroi praninë e një guvernatori tiran si Muavije ibn Ebi Sufjan. Ai është po ai që qortoi një nga guvernatorët e tij, i cili ishte edhe nga shokët e tij, sepse kishte nxituar t’i përgjigjej ftesës së një prej fisnikëve për gostira dhe bankete.

Ai ishte, gjithashtu, ruajtësi i pasurisë publike (Bejtul Mal), aq sa që në natën e parë të marrjes së kalifatit, e fikte llambën që të mos shpenzohej nga pasuria e muslimanëve. Me këtë ai donte të tërhiqte vëmendjen e disa sahabëve pretendues dhe t’i paralajmëronte për veprat e tyre të këqija.

Ky Imam ishte shfaqje e mbrojtjes së njeriut, të drejtave të tij dhe respektit për të. Ky është Islami që shfaqet përmes teuhidit në të gjitha dimensionet e tij të gjalla: në nderimin dhe dinjitetin e njeriut dhe në shpirtin e vëllazërisë midis të gjithë njerëzve.

Kushdo që del nga kjo rrugë, nuk konsiderohet më në të vërtetë musliman. Edhe nëse nuk del haptazi prej saj, zemra e tij ende nuk ka besuar plotësisht në Allahun dhe në Kur’an.

Kushdo që bëhet rob i dëshirave dhe pasioneve, që tërhiqet pas jetës së luksit dhe të prestigjit të rremë, të mbushur me stoli dhe zbukurime, dhe që kërkon vetëm përgjegjësi, pushtet dhe pasuri, duke dëshiruar vetëm pamje të jashtme boshe dhe shfaqje force e fuqie, një njeri i tillë nuk mund të pretendojë se është pasues apo mëkëmbës i Ali ibn Abi Talib (Paqja qoftë mbi të!).Ne të gjithë duhet ta ruajmë gjithmonë këtë standard dhe këtë masë, pasi ne e thërrasim emrin e Aliut dhe kërkojmë të ndjekim rrugën dhe metodën e tij.