Në ajetin 2 të sures “El Maide” Allahu i Madhëruar thotë:
}…وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَى وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ…}
“…Dhe bashkëpunoni në mirësi dhe devotshmëri, e mos bashkëpunoni në mëkat dhe armiqësi…”
Islami nuk është vetëm një metodë besimi, bindjeje dhe ndjenje në zemër, por është një mënyrë e plotë e jetës reale njerëzore, ku besimi dhe bindja shndërrohen në praktikë dhe sjellje në të gjitha aspektet e jetës.
Sipas Kur’anit marrëdhëniet duhet të ndërtohen mbi sinqeritetin, dashurinë, mëshirën, solidaritetin dhe këshillimin e ndërsjellë. Besnikëria, butësia, dashuria, mirësia, drejtësia dhe fisnikëria duhet të jenë bazat themelore të marrëdhëniet shoqërore.
Islami, kushtetuta e të cilit është Kur’ani i Shnenjtë, e ka bërë çdo mysliman përgjegjës në mjedisin e tij shoqëror, që të ushtrojë rolin e tij shoqëror dhe ndërtues në çdo pozitë që ndodhet.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili prej jush është përgjegjës për tufën e tij.” (Ahmed ibn Hanbel, “Musned Ahmed”, Daru Sadir, Liban – Bejrut, pa vit botimi, pa botim të specifikuar, vëll. 2, f. 54.)
Kur’ani i Shenjtë është kushtetuta e përjetshme e njerëzimit. Ai dallohet për përfshirjen dhe trajtimin e plotë të të gjitha çështjeve të jetës. Ai ka vendosur parime të përgjithshme për marrëdhënien individ-shoqëri, duke i përcaktuar secilës palë të drejtat dhe detyrat që i takon, me qëllim ruajtjen dhe ngritjen e shoqërisë drejt përsosjes shpirtërore. Me rregullat e tij Kur’ani i Shenjtë synon përhapjen e dashurisë, mirësisë dhe harmonisë në mesine shoqërisë njerëzore dhe jo vetëm asaj islame. Për ruajtjen e shoqërisë Kur’ani i Shenjtë urdhëron këto vepra.
a) Kur’ani i Shenjtë urdhëron bashkëpunim me mirësi dhe devotshmëri, dhe mosbashkëpunimi në mëkat dhe armiqësi. Allahu i Madhëruar thotë: “Bashkëpunoni me mirësi dhe devotshmëri dhe mos bashkëpunoni me mëkat dhe armiqësi.” (Sure “Maide”, ajeti 2)
b) Kur’ani i Shenjtë urdhëron për mirësjellje ndaj anëtarëve të shoqërisë: Allahu i Madhëruar thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë. Silluni mirë me prindërit, me të afërmit, me jetimët, me të varfrit, me fqinjin e afërt dhe fqinjin e largët, me shokun pranë jush, me udhëtarin dhe me ata që janë në zotërimin tuaj.” (Sure “En Nisa”, ajeti 36.).
c) Urdhri për të pajtuar mes besimtarëve: Allahu i Madhëruar thotë: “Besimtarët janë vetëm vëllezër, prandaj pajtoni mes dy vëllezërve tuaj dhe kini frikë Allahun që të mëshiroheni.” (Sure “El Huxhurat”, ajeti 10.)
d) Urdhri për falje dhe tolerancë: Allahu i Madhëruar thotë: “Prano faljen, urdhëro për të mirën dhe largohu nga të paditurit.” (Sure “El Araf”, ajeti 199.).
e) Urdhri për këshillim dhe durim: Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe këshillojnë njëri-tjetrin për durim.” (Sure “El Asr”, ajeti 3.).
f) Reformimi dhe ndryshimi:
Për të ruajtur shoqërinë nga devijimi moral, nga të këqijat dhe ndytësitë, Kur’ani urdhëron bërjen e të mirave dhe ndalimin e bërjes se të këqijave. Këtë e përmend në këshillën e Lukmanit për djalin e tij të cilit i thotë: “O biri im! Fal namazin, urdhëro për të mirën, ndalo nga e keqja dhe duro për atë që të godet; me të vërtetë kjo është nga çështjet që kërkojnë vendosmëri.” (Sure “Lukman”, ajeti 17.).
Për ruajtjen e shoqërisë Kur’ani i Shnenjtë ka ndaluar bërjen e këtyre veprave:
a) Kur’ani ndalon agresionin dhe padrejtësinë ndaj të tjerëve, vrasje, grabitjen e pasurisë dhe cenimin e nderit: Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “Mos bëni padrejtësi, sepse Allahu nuk i do ata që bëjnë padrejtësi.” (Sure “El Bekare”, ajeti 190.).
b) Kur’ani ndalon hyrjen në shtëpitë e të tjerëve pa lejen e tyre: Për këtë Kur’ani thotë: “O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpi që nuk janë tuajat pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur banorët e tyre.” (Sure “En Nur”, ajeti 27.).
c) Kur’ani ndalon mohimin ose pakësimin e të drejtave të njerëzve: Allahu i Madhëruar thotë: “Mos ua pakësoni njerëzve të drejtat e tyre.” (Sure “El Araf”, ajeti 85.)
d) Kur’ani ndalon dyshimin për keq, spiunimin dhe përgojimin i njerëzve: Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat! Shmangni shumë nga dyshimet, sepse disa dyshime janë mëkat. Mos spiunoni dhe mos përgojoni njëri-tjetrin.” (Sure “El Huxhurat, ajeti 12.)
e) Kur’ani ndalon përhapjen e imoralitetit në shoqërinë islame: Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë, ata që dëshirojnë që imoraliteti të përhapet ndër besimtarët, për ta ka dënim të dhembshëm…” (Sure “En Nur”, ajeti 19.).
“El Fahishetu” përfshin çdo gjë që njeriut i vjen turp të zbulohet ose t’i bëhet publike, qoftë nga trupi i tij, nga sekretet e jetës së tij private, nga marrëdhënia me bashkëshorten, apo nga pasuria dhe ajo që zotëron.
Është transmetuar ga Abdullah ibn Sinani ka thënë: I thashë imam Sadikut (Paqja qoftë mbi të!): ‘A është e ndaluar që besimtari t’ia zbulojë pjesët e turpshme besimtarit tjetër?’ Ai tha: “Po.”
I thashë: “E ke fjalën për pjesët e turpshme të trupit?”
Ai tha: “Jo vetëm ashtu siç mendon ti; ajo është përhapja e sekretit të tij.” (Muhamed ibn Ja’kub El Kulejni, “El Kafij”, burim i përmendur më parë, vëll. 2, f. 359.).
Prandaj, Kur’ani i Shenjtë në ajetet e tij siguron atë që garanton mbrojtjen dhe imunitetin e shoqërisë njerëzore. Ai vendos një sistem të saktë dhe gjithëpërfshirës, me rregulla dhe vlera morale, në mënyrë që siguria, harmonia, bashkëjetesa dhe solidariteti të jenë tipare thelbësore të jetës shoqërore.
Islami ka paralajmëruar përhapjen e të metave të njerëzve në shoqëri dhe ka theksuar pasojat dhe rrezikun e këtij veprimi, që janë:
a) Dënimi i dhembshëm në Ditën e Kiametit: Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ata që dëshirojnë që imoraliteti të përhapet ndër besimtarët, për ta ka dënim të dhembshëm në këtë botë dhe në Botën Tjetër.”
b) Braktisja nga ndihma e Allahut:
Ai që përhap të metat e njerëzve nuk ndihmohet nga Allahu. Është transmetuar nga Abbasi, shërbëtori i imam Rizait, se e ka dëgjuar imamin duke thënë: “Ai që e fsheh një vepër të mirë, ajo vlen sa shtatëdhjetë vepra të mira; ai që përhap një të keqe është i braktisur, ndërsa ai që e fsheh një të keqe është i falur.” (Muhamed ibn Ja’kub El Kulajni, “El Kafij”, vëll. 2, f. 428.).
c) Ai që përhap imoralitetin është si ai që e fillon atë:
I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush përhap një imoralitet, është sikur ai që e ka filluar atë.” (Muhamed ibn Ja’kub El Kulajni, “El Kafij”, vëll. 2, f. 356.).
Transmetohet nga imam Musa El Kadhimi (Paqja qoftë mbi të!) se një person i tha: ‘U bëfsha kurban për ty! Më ka arritur një lajm për një nga vëllezërit e mi që nuk më pëlqen, por kur e pyes ai e mohon, ndërsa disa njerëz të besueshëm më kanë treguar për të.’
Imami i tha: “O Muhamed! Përgënjeshtroje dëgjimin dhe shikimin tënd për hir të vëllait tënd. Edhe sikur pesëdhjetë dëshmitarë të dëshmojnë kundër tij, ndërsa ai vetë të thotë diçka tjetër, besoje atë dhe përgënjeshtroji ata. Mos përhap për të diçka që e turpëron dhe i shkatërron nderin, sepse atëherë do të jesh nga ata për të cilët Allahu i Madhëruar ka thënë: “Vërtet, ata që dëshirojnë që imoraliteti të përhapet ndër besimtarët, për ta ka dënim të dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër.”
Në përfundim, Kur’ani paraqet një sistem të plotë vlerash dhe rregullash që synojnë ruajtjen e harmonisë dhe të drejtësisë në shoqëri. Ai thekson rëndësinë e respektit të ndërsjellë, ndihmës ndaj të tjerëve, drejtësisë, solidaritetit dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.
Përmes këtyre parimeve, Kur’ani udhëzon besimtarët që të ndërtojnë një shoqëri të drejtë dhe të qëndrueshme, ku secili individ respekton të drejtat e tjetrit dhe kontribuon në të mirën e përbashkët. Zbatimi i këtyre mësimeve ndihmon në krijimin e një komuniteti të bazuar në paqe, bashkëpunim dhe përgjegjësi morale.

