Erdhi dita e Fitër Bajramit. Dita e gëzimit për ummetin islam. Kjo ditë përçon në shpirtrat dhe zemrat e muslimanëve dritën e besimit, të devotshmërisë, të vëllazërisë, të unitetit dhe të lumturisë. Në këtë ditë të begatë muslimanët anembanë botës urojnë njëri-tjetrin me fjalët më të mira, më të ëmbla dhe më kuptiplote.
Në Kur’anin e Shenjtë ka ajete që flasin për gëzimin e besimtarëve.
Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Sure “Junus”, ajeti 58)
Dhe: “…Dhe, atë ditë, do të gëzohen besimtarët.” (Sure “Rrum”, ajeti 4)
Dhe: “Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohen
edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas). (Sure “Ali Imran”, ajeti 170)
Kjo ditë kënaq shpirtërat dhe shëron zemrat që janë në kraharore.
—————————————————
- Vallë, çfarë është festa e vërtetë?
Festa e vërtetë është kur njeriu kthehet te Krijuesi i tij, Allahu i Madhëruar dhe është afër Tij. Festa e vërtetë është kur njeriu ecën në rrugën e profetit Muhamed dhe të familjes së tij të pastër e të dëlirë. Festë e vërtetë është kur njeriu zbaton Kur’anin e Shenjtë në jetën e tij. Festë e vërtetë është njeriu e ndriçon shtëpinë e tij me përmendjen e Allahut Fuqiplotë.
Festë e vërtetë është kur njeriu përçon në zemrat e të tjerëve dashurinë dhe qetësinë. Festë e ëvrtetë është kur hiqet dorë nga mosmarëveshjet dhe nga mospajtimet.
Festë e vërtetë është kur i jep atij që nuk të jep.
Fesë e vërtetë është që të falësh atë që të ka bërë padrejtësi.
Festë e vërtetë është kur ta shkulësh urrejtjen dhe armiqësinë nga zemra.
Festë e vërtetë është kur njeriu kthehet në kthjelltësinë dhe në natyrën e tij të pastër.
Muaji i begatë i Ramazanit mbaron me kurorëzimin e Fitër Bajramit, i cili është i ngjashëm me festën e diplomimit të të sukseshmëve në universitetin e muajit të Ramazanit. Të sukseshmit e këtij universiteti janë ata që Allahu ua ka pranuar agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira në këtë muaj të begatë. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sigurisht, kjo ditë është festë për atë që Allahu ia ka pranuar atij agjërimin dhe ia lavdëron namazin. Çdo ditë që në të nuk i bëhet mëkat Allahut, ajo është festë.” (Nehxhul Belaga)
Fitër Bajrami është festa që e festojnë muslimanët pas mbarimit agjërimit të muajit të begatë të Ramazanit. Fitër Bajrami është në ditën e parë të muajit Sheval. Quhet “Ijdul Fitr”, sepse muslimanët në këtë ditë e çelin dhe nuk e agjërojnë. Nuk lejohet agjërimi në ditën e parë të Fitër Bajramit.
Në aspektin fetar Bajrami ka kuptimin e falenderimit të Allahut për çdo gjë që Ai na ka mirësuar dhe na begatuar në këtë jetë, veçanërisht me mirësinë e Islamit.
Në aspektin human Bajrami ka kuptimin e bashkimit të fuqisë së të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri e mëshirë. Kjo simbolizohet me dhënien e zeqatit, bamirësinë dhe përkrahjes ekonomike.
Në aspektin shpirtëror Bajrami ka kuptimin mposhtjes së egos dhe të qënit i pastër shpirtërisht dhe larg të këqijave e të shëmtuara. Duhet që të gjitha ditët e jetës tonë të jenë Bajram.
Në aspektin social festa Bajramit është dita e bashkimit e unitetit dhe e vëllazërimit. Është dita e fëmijëve, të cilët gëzohen pamasë në këtë ditë feste. Është dita e miqësisë,sepse në këtë ditë ripërtërihen lidhjet miqësore dhe forcohen akoma më shumë. Është dita e pastërtisë së zemrës prej urrejtjes, zemërimit, smirës e mllefit.
Është dita e të larguarit nga të menduarit për keq,nga shpifja, përgojimi, sharja e fyerja. Allahu i Madhëruar na mëson në Kur’an dhe na thotë: “Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Sure “Hashr”, 10).
Ashtu siç zbukurohemi me rroba të pastra në Bajram, po ashtu duhet të zbukurohemi me morale të mira gjatë gjithë jetës tonë.
Festa e Bajrami është në një kohë të caktuar. Kjo do të thotë që në këtë kohë t’i harrojmë problemet e vështirësitë dhe të mbledhim forcat për t’u përballur me sfidat e jetës në vazhdim.
Në bajram shfaqen virtytet e larta nga natyra e pastër e krijuar nga Allahu. Duhet që këto virtyte të jenë të shfaqur edhe pas Bajramit. Pra, të jenë të pranishme gjatë gjithë jetës tonë. Bajrami është mejdani i garimit në të mira e në bujari.
Festa në Islam ka kuptimin e respektit, dashurisë, nderimit, madhështisë, pajtimit mes njerëzve. Ka kuptimin e madhështimit e të lartësimit të Krijuesit të Gjithpushtetshëm. Në Kur’anin e shenjtë thuhet: “Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (Sure “Bekare”, ajeti 185)
Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen!” (Sure “Junus”, ajeti 58)
Dhe: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Allahut; kjo është fitorja madhështore.” (Sure “Junus”, ajetet 62-64)
Transmetohet nga imam Bakir (Paqja qoftë mbi të!) se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kur vjen dita e parë e muajit Sheval një thirrës thërret: “O besimtarë. Merrini dhuratat tuaja.” Pastaj tha: “O Xhabir. Dhuratat e Allahut nuk janë si dhurat e mbretërve.” Më pas tha: “Kjo ditë është dita e dhuratave.”
Imam Rida (a) ka thënë: “Dita e Fitërit është caktuar si Bajram, që muslimanët të tubohen dhe të dalin për hir të Zotit dhe ta lavdërojnë Atë për begatitë që u janë dhënë; dhe dita e Bajramit është dita e tubimit, dita e prishjes së agjërimit, dita e dhënies së zekatit, dita e lumturisë dhe e adhurimit; dhe është dita e parë në të cilën lejohet ngrënia dhe pirja, pas agjërimit të muajit të Ramazanit, muaji për njerëzit e së vërtetës. Pra, Zoti deshi që ata të kenë një tubim për të lavdëruar Zotin dhe në këtë ditë, të thuash tekbir në namaz është më shumë se ditët e tjera, sepse tekbiri është madhërimi i Zotit dhe lavdërimi i Tij për bekimet e Tij ashtu si Ai. ka thënë: “Dhe madhërojeni Allahun që ju udhëzoi dhe që të falënderoni”.

