Ajeti dhe kuptimi i tij, ajeti 177 i sures “El Bekare”


Në këtë ajet Allahu i Madhëruar thotë: 

﴿  لَّيْسَ الْبِرَّ أَن تُوَلُّوا وُجُوهَكُمْ قِبَلَ الْمَشْرِقِ وَالْمَغْرِبِ وَلَٰكِنَّ الْبِرَّ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ وَالْمَلَائِكَةِ وَالْكِتَابِ وَالنَّبِيِّينَ وَآتَى الْمَالَ عَلَىٰ حُبِّهِ ذَوِي الْقُرْبَىٰ وَالْيَتَامَىٰ وَالْمَسَاكِينَ وَابْنَ السَّبِيلِ وَالسَّائِلِينَ وَفِي الرِّقَابِ وَأَقَامَ الصَّلَاةَ وَآتَى الزَّكَاةَ وَالْمُوفُونَ بِعَهْدِهِمْ إِذَا عَاهَدُوا ۖ وَالصَّابِرِينَ فِي الْبَأْسَاءِ وَالضَّرَّاءِ وَحِينَ الْبَأْسِ ۗ أُولَٰئِكَ الَّذِينَ صَدَقُوا ۖ وَأُولَٰئِكَ هُمُ الْمُتَّقُونَ﴾

“Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.”

Ky ajet madhështor konsiderohet si një përmbledhje e plotë e kuptimit të vërtetë të fesë dhe moralit në Islam.

Ajeti sqaron se mirësia, apo të qënit njeri i mirë, nuk është forma e jashtme apo ritualet, si drejtimi nga lindja apo perëndimi në namaz, por mirësia dhe të qënit njeri i mirë është kur besimi  drejtë bashkohet me vepra të mira e të sinqerta. Kjo do të thotë se feja nuk është vetëm dukje, por zemër, besim, vepra të mira dhe moral.

Si të gjithë ajetet e tjera të Kur’anit edhe ky ajet përmban mësime mjaft të vlefshme të cilat janë në përputhje me çdo kohë dhe vend si dhe janë në përshtatje me natyrën e çdo njeriu. Ndër ato mësime të këtij ajeti janë:

Mësimi i parë Besimi i vërtetë 

Ajeti fillon me themelet e besimit që janë: Besimi në Allahun; Besimi në Ditën e Botën Tjetër; Besimi në Engjëjt; Besimi në Librat hyjnorë dhe besimi në Profetët. Kjo tregon se çdo vepër pa besim të drejtë është e paplotë. Një besimtar i vërtetë ka bindje të plotë në të gjitha shtyllat e besimit, jo pjesërisht.

Mësimi i dytë: Bamirësia dhe solidariteti shoqëror

Nga ajeti mësojmë që jo vetëm të japësh, por të japësh nga ajo që e do dhe për kategori konkrete, si të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët, nevojtarët dhe lirimi i të robëruarve. Kjo tregon se feja është aktive në shoqëri, dhe nuk është vetëm personale. Gjithashtu, kjo tregon se feja mëson mëshirë, dashuri, dhembshuri dhe solidaritet. Pra, nga ky ajet mësojmë se mirësia lidhet me ndihmën konkrete ndaj të tjerëve, jo vetëm me fjalë.

Mësimi i tretë: Adhurimi 

Ajeti përmend faljen e namazit dhe dhënien e zekatit. Ajeti na mëson se lidhja me Allahun duhet të jetë e vazhdueshme dhe e disiplinuar. Kjo lidhje arrihet me faljen e namazit që besimtari e kryen pesë herë në ditë dhe gjatë natës. Po ashtu, ajeti na mëson që të mbajmë lidhjet edhe me njerëzit nëpërmjet dhënies së zekatit.

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Njeriu më i mirë është ai që e do adhurimin, e përqafon atë, e do me zemrën e tij, angazhohet me të me trupin e tij dhe i përkushtohet atij plotësisht. Ai njeri nuk shqetësohet se si e gjen veten në këtë botë, qoftë në vështirësi apo në lehtësi.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 83, hadithi nr. 3).

Mësimi i katërt: Morali dhe përgjegjësia

Këtu përfshihen mbajtja e premtimeve dhe sinqeriteti në përgjegjësi. Besimtari nuk është vetëm adhurues, por besimtari i vërtetë është i besueshëm dhe i përgjegjshëm në marrëdhënie me të tjerët. Ai kurrë nuk e tradhëton amanitin.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famiiljen e tij!) ka thënë: “Nuk ka besim ai që nuk ka amanet.” (“Biharul Envar”, vëll. 72, f. 198, hadithi 26; “Gurarul Hikam”, f. 10767)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më e mira e besimit është amaneti, dhe më i shëmtuari i moralit është tradhtia.” (“Gurarul Hikam”: 2905–2906).

Mësimi i pestë: Durimi 

Durimi është prova reale e besimit. Besimtari është I durueshëm në varfëri, në sëmundje, në vështirësi. Allahu i quan këta të sinqertë (të vërtetë në besim) të devotshëm. Pra, ky është standardi i besimtarit të plotë.

Ka thënë Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij): “Me të vërtetë, fitorja është me durimin, lehtësimi vjen pas vështirësisë, dhe me çdo vështirësi ka lehtësi.” (“Biharul Anëar”, vëll. 77, f. 88 dhe vëll. 78, f. 79.)

Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Durimi në besim është si koka në trupit; kur largohet koka, largohet edhe trupi. Po kështu, kur largohet durimi, largohet edhe besimi.” “El Kafij”, vëll. 2, f. 87 dhe 90.)

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në mbyllje të temës themi se ky ajet na thotë se:

Feja nuk është vetëm ritual, por është jetesë e plotë bazuar në ligjet dhe udhëzimet e Krijuesit Fuqiplotë.

Besimi duhet të shfaqet në vepra konkrete.

Nuk mjafton të dukesh i mirë, por duhet të jesh i mirë.

Mirësia është balancë mes zemrës, mendjes dhe veprës.

Ky ajet është jashtëzakonisht aktual dhe është kundër formalizmit të fesë.

Sot shumë njerëz fokusohen te pamja e jashtme (veshja, rituali) dhe te debati për gjëra dytësore. Kurse ajeti na kujton se thelbi është besimi dhe morali, jo vetëm forma.

Ajeti fton për ndihmë ndaj të tjerëve.

Në një botë me varfëri, emigracion, padrejtësi sociale, ky ajet na thërret të jemi aktivë në ndihmë dhe të ndjeshëm ndaj vuajtjes së të tjerëve.

Në kohën tonë shohim mosmbajtje të premtimeve, shohim mashtrime dhe mungesë besimi mes njerëzve. Ajeti vendos standard se besimtari është i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i drejtë.

Ajeti fton në përballimin me durim të vështirësive, si: stresi, sëmundjet, krizat ekonomike etj. Ajeti na meson se durimi është pjesë e besimit, jo dobësi.

Ky ajet na mëson se mirësia e vërtetë është një kombinim i besimit të pastër, veprave të mira, moralit të lartë dhe durimit në sprova.