Ajeti dhe kuptimi i tij, ajeti 112 në suren “Nisa”

Në ajetin 40 të sures “Kamer” Allahu i Madhërur thotë:

﴿ وَلَقَدْ يَسَّرْنَا الْقُرْآنَ لِلذِّكْرِ فَهَلْ مِن مُّدَّكِرٍ﴾

“Vërtet, Ne e kemi bërë Kur’anin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!”

Ky ajet na thotë se Kur’ani është i qartë, i kuptueshëm dhe i lehtë për t’u përvetësuar nga çdo njeri që e kërkon sinqerisht të vërtetën. Allahu ua ka lehtësuar njerëzve rrugën drejt udhëzimit, por sfida qëndron tek gatishmëria e tyre për ta dëgjuar, reflektuar dhe për të marrë mësim prej tij. Ajeti nxit përgjegjësinë personale: udhëzimi është i afërt dhe i arritshëm, por nëse njeriu nuk përfiton, problemi nuk është vështirësia e mesazhit, por mungesa e vëmendjes dhe e vullnetit për ta pranuar atë.

Ajetet e Kur’anit përfaqësojnë një mesazh hyjnor që i drejtohet mendjes dhe zemrës së njeriut, duke e udhëzuar atë drejt së vërtetës dhe rrugës së drejtë. Çdo ajet mbart në vetvete kuptime të thella, urtësi të shumta dhe mësime që i tejkalojnë kufijtë e kohës dhe vendit. Kuptimi i ajetit nuk qëndron vetëm në fjalët e tij, por në reflektimin, meditimimin dhe zbatimin e tij në jetën e përditshme. Prandaj, studimi dhe kuptimi i ajeteve është një hap i domosdoshëm për të kuptuar mesazhin e plotë të Kur’anit dhe për ta jetësuar atë në praktikë.

Për sot do të flasim për kuptimn e ajetit 112 të sures “Nisa”. Në këtë ajet Allahu i Madhëruar thotë: 

﴿ وَمَن يَكْسِبْ خَطِيئَةً أَوْ إِثْمًا ثُمَّ يَرْمِ بِهِ بَرِيئًا فَقَدِ احْتَمَلَ بُهْتَانًا وَإِثْمًا مُّبِينًا﴾

“Kush bën ndonjë gjynah ose të keqe, pastaj ia vesh atë një të pafajshmi, atëherë ai e ka ngarkuar veten me fajin e shpifjes dhe me një gjynah të qartë.”

Ajeti përmban një paralajmërim shumë të fortë moral dhe shoqëror. Ai trajton një nga padrejtësitë më të rënda, e cila është: Veshja e fajit një të pafajshmi. Kjo vepër është një formë e shtrembërimit të së vërtetës dhe e gënjeshtrës. Cënon drejtësinë dhe dëmton rëndë një person të pafajshëm, si në reputacion ashtu edhe në jetën e tij. Tregon mungesë ndërgjegjeje dhe përgjegjësie nga ai që e bën këtë veprim.

Ajeti thotë se kush kryen një mëkat apo gabim dhe pastaj përpiqet ta shpëtojë veten duke ia hedhur fajin dikujt tjetër të pafajshëm, ai bën dy mëkate të mëdha:

Vetë mëkatin që ka kryer dhe shpifjen (akuzën e rreme) ndaj tjetrit. Kjo e dyta e rëndon edhe më shumë, sepse përveç padrejtësisë ndaj vetes, i bën padrejtësi edhe një tjetri.

Edhe ky ajet si të gjithë ajetet e Kur’anit të Shenjtë përmban mësime të ndryshme për njerëzit. Dhe, prej mësimeve kryesore të këtij ajeti janë: 

Mësimi i parë: Padrejtësia ndaj të pafajshmit është shumë e rëndë

Islami e konsideron të shenjtë nderin dhe dinjitetin e njeriut. Të akuzosh dikë pa faj është një krim moral shumë i madh dhe një padrejtësi e madhe.

Mësimi i dytë: Shpifja është mëkat i dyfishtë

Njeriu jo vetëm që nuk shpëton nga gjynahu i tij, por shton mbi vete edhe një gjynah tjetër, shpifjen. Islami e kundërshton ashpër shpifjen dhe paralajmëron për dëmet e saj në shoqëri. Ai që shpif do të ndëshkohet rëndë në Jetën Tjetër.

Mësimi i tretë: Përgjegjësia personale

Ajeti na mëson se çdo njeri duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta dhe të mos përpiqet të shpëtojë duke dëmtuar apo duke lënduar të tjerët.

Mësimi i katërt: Zbulimi i së vërtetës nga Allahu

Edhe nëse njerëzit mund të mashtrohen përkohësisht, Allahu e di të vërtetën dhe drejtësia e Tij është absolute.

Mësimi i pestë: Rreziku i manipulimit dhe i intrigës

Ajeti dënon sjelljet manipuluese në shoqëri, ku njerëzit për interes personal sakrifikojnë të pafajshmit. Rreziku i manipulimit dhe i intrigës qëndron në faktin se këto sjellje prishin besimin mes njerëzve, krijojnë konflikte dhe padrejtësi, fshehin të vërtetën dhe dëmtojnë marrëdhëniet shoqërore.  Pra, duhet të jemi të kujdesshëm ndaj mashtrimit dhe lojërave të fshehta, si dhe të qëndrojmë të drejtë, të sinqertë dhe të vetëdijshëm në marrëdhëniet tona.

Ky ajet na përcjell mesazhe dhe na thotë: Mos e justifiko gabimin duke dëmtuar të tjerët.  Ruaje gjuhën nga akuzat e rreme. Pranoje fajin dhe pendohu, sepse kjo është rruga e shpëtimit. Mbro dinjitetin e njerëzve dhe mos u bë shkak padrejtësie. 

Edhe hadithet e nderuara flasin për rrezikun e shpifjes dhe akuzës së rreme. Në hadithet e Profetit dhe të Ehli Bejtit (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) thuhet:

Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allshut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Kush akuzon një besimtar për diçka që nuk e ka bërë, Allahu do ta vendosë mbi një kodrinë të Xhehenemit derisa të dalë nga ajo që ka thënë.”

Ky hadith tregon se shpifja nuk është një gjë e lehtë, por një mëkat që ka pasoja shumë të rënda në Botën Tjetër.

Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kur besimtari e akuzon vëllanë e tij (pa të drejtë), imani shkrihet në zemrën e tij, ashtu siç shkrihet kripa në ujë.” (El Kafij”, vëll. 2, f. 170.)

Dhe: “Shpifja ndaj një të pafajshmi është më e rëndë se malet e palëvizshme.” (Biharul Enuar”, vëll. 72, f. 194.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allshut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë “Nderi, pasuria dhe gjaku i muslimanit janë të shenjta.”

Të akuzosh dikë padrejtësisht është cenim i nderit të tij, dhe kjo është shumë e rëndë tek Allahu.

Është transmetuar se imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i padrejti ndër njerëzit është ai që ia vesh fajin dikujt që nuk ka faj.” Kjo thënie e imam Aliut përputhet drejtpërdrejt me mesazhin e ajetit.

Ka shumë shembuj praktikë nga jeta e përditshme ku akuzohet i pafajshmi.

Kjo ndodh në familje. Një fëmijë thyen diçka dhe për të shpëtuar nga dënimi thotë: “E bëri vëllai im.”.

Me këtë veprim ai bëri gabimin e thyerjes si dhe shpifjen ndaj një të pafajshmit, vëllait të tij. Është detyrë që fëmijëve t’u mësohet që të thonë gjithmonë të vërtetën dhe të shmangin gënjeshtrën dhe shpifjen.

Kjo ndodh edhe në punë. Një punonjës bën një gabim në projekt apo në detyrën që i është ngarkuar dhe ia hedh fajin kolegut të tij padrejtësisht. Kjo sjell padrejtësi ndaj kolegut, humbje besimi, dëmtim të miqësisë dhe mëkat para Allahut.

Gjithashtu, fenomeni i shpifjes, apo i akuzimit të një të pafajshmi është i përhapur në rrjetet sociale, në të cilët dikush përhap një lajm të pavërtetë për një person, mashkull apo femër, pa e verifikuar lajmin. Kjo është shpifje kolektive dhe shumë më e rrezikshme, sepse dëmton reputacionin e një njeriu para shumë njerëzve.

Cilat janë pasojat e shpifjes?

Humbja e besimit tek njerëzit.

Prishja e marrëdhënieve.

Dënim në Botën Tjetër. 

Ngarkim me dy mëkate (siç e përmend ajeti).

Si ta zbatojmë këtë ajet në jetën tonë?

Prano gabimet e tua me guxim.

Mos fol pa prova.

Verifiko çdo informacion para se ta përhapësh.

Mbro të pafajshmit dhe mos i akuzo ata.

Kërko falje kur gabon.

Ky ajet na edukon që të jemi të drejtë, të sinqertë dhe të përgjegjshëm.

Shpëtimi nuk është te fshehja e së vërtetës, por te pranimi i saj dhe te pendimi.

Në ajetin 119 të sures “Teube” Allahu na bën thirrje dhe na thotë:

 يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَكُونُوا مَعَ الصَّادِقِينَ 

“O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të vërtetë (në fjalë dhe në vepra)!”

Allahu na bëftë prej të vërtetëve me gjuhë dhe me vepra!