Në këtë ajet Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَجِيبُوا لِلَّهِ وَلِلرَّسُولِ إِذَا دَعَاكُمْ لِمَا يُحْيِيكُمْ ۖ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ يَحُولُ بَيْنَ الْمَرْءِ وَقَلْبِهِ وَأَنَّهُ إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ﴾
“O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij dhe se tek Ai do të mblidheni të gjithë!
Ky ajet e thotë shumë qartë se thirrja islame është thirrje për jetë, për një jetë morale dhe materiale, kulturore dhe ekonomike, politike dhe shoqërore. Ky është përkufizimi më i përmbledhur i Islamit dhe i mesazhit të tij të përjetshëm. Nëse dikush pyet për qëllimet e Islamit dhe atë çka paraqet kjo fe, i përgjigjemi me një fjali të shkurtër: Qëllimi i Islamit është jeta në të gjitha fushat.
Ajeti fillon me thënien: “O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë…” Kjo do të thotë që besimtari nuk duhet vetëm të dëgjojë urdhrat e Allahut, por t’u përgjigjet aktivisht, t’i zbatojë dhe t’i përjetojë ato.
Lind pyetja: Mos vallë njerëzit ishin të vdekur para ardhjes së Islamit dhe para zbritjes së Kur’anit, i cili thërret për jetë? Sipas kuptimit kur’anor përgjigjja është, po, njerëzit ishin të vdekur dhe të pajetë para ardhjes së Islamit. Ishin trupa pa shpirt.
Cilat gjëra japin jetë, sipas këtij ajeti?
Dijetarët islam kanë dhënë disa kuptime reeth kësaj pyetje. Ata kanë thënë se ajo që jep është:
1- Besimi i vërtetë
Zemra pa besim është si trup pa shpirt. Besimi i gjallë e i vërtetë e bën njeriun të vetëdijshëm, të qetë dhe të lidhur me Krijuesin, Allahun e Madhëruar. Besimi në Allahun i dhuron njeriut ndjenjën e lirisë. Besimi e nxit njeriun në njohjen e përgjegjësive ndaj Allahut, ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve që e rrethojnë. Besimi e nxit njeriun që të llogarisë veten e tij dhe e bën që ai të gjykojë veten e vet se në ç’rrugë është. Besimi forcon ndërgjegjjen, e cila e qorton njeriun kur gabon, mëkaton apo devijon.Besimi e ndalon njeriun në bërjen e gjynaheve dhe mëkateve, qoftë në gjendje gëzimi apo hidhërimi.
Besimi sjell siguri, siguri dhe stabilitet për individin dhe shoqërinë. Besimi e bën njeriun të palëkundur nga Rruga e Drejtë dhe nga rruga e mirësisë. Një shoqëri pa besim në Allahun e Madhëruar i ngjan një xhungle, në të cilën sundon i forti dhe jo më i miri dhe më i dituri, më i devotshmi dhe më besimtari.
2- Kur’ani
Ai është udhëzim dhe dritë për zemrat. Allahu thotë se Kur’ani është “shërim për atë që është në zemra”. S’ka dyshim se fjala më e mirë, më e dobishme dhe më e përkryer është fjala e Allahut të Madhëruar, Kur’ani i shenjtë, i cili është dritë, udhëzim dhe shërim për njerëzit. Kur’ani përmban bazat për jetën dhe për jetesën. Ato janë të shumta e të panumërta. Nuk ndryshojnë me ndryshimin e kohës dhe me evolimin e dijes e të shkencës. Përkundrazi, sa më shumë të përparojë dija dhe shkenca në çështjet e jetës, aq më të qarta janë ato baza. Në Kur’an sqarohet se kjo jetë është fusha e të mbjellave për Jetën Tjetër. Çfarë të mbjellim do të korrim. Në Kur’an sqarohet se çfarë pëlqen dhe çfarë nuk pëlqen Allahu.
3- Kryerja e adhurimeve dhe morali
Adhurimet janë ushqini i zemrës dhe i shpirtit. Namazi, agjërimi, drejtësia, sinqeriteti, këto e gjallërojnë shpirtin. Pa vepra, besimi dobësohet dhe “zbehet”. Adhurimi nuk është thjesht një seri veprash formale që kryhen me trup, por është një lidhje e thellë shpirtërore mes njeriut dhe Krijuesit të tij. Nëpërmjet adhurimit, zemra e njeriut gjen qetësi, pastrohet nga papastërtitë shpirtërore dhe ringjallet me dritën e besimit. Në një botë ku shpesh mbizotëron shpërqendrimi dhe largimi nga vlerat shpirtërore, adhurimi bëhet burim force, udhëzimi dhe gjallërimi të brendshëm. Ai e forcon lidhjen me Allahun, e shton vetëdijen dhe e bën zemrën më të ndjeshme ndaj së mirës dhe më të qëndrueshme përballë sprovave. Prandaj, të kuptuarit e ndikimit të adhurimit në gjallërimin e zemrës është thelbësor për çdo besimtar që synon një jetë të mbushur me paqe dhe kuptim.
4- Përpjekja në rrugën e Allahut. Kjo përfshin luftën kundër vetes (epshit), padrejtësisë dhe të keqes.Në ajetin 69 të sures “El Ankebut”, Allahu i Madhëruar thotë:
“Ata që përpiqen (luftojnë dhe sakrifikojnë) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët.”
Në këtë ajet flitet për njerëzit që përpiqen dhe që sakrifikojnë në këtë jetë.
Ata që sakrifkojnë me veta e tyre në rrugën e bindjes dhe të adhurimit të Allahut. Ata që sakrifikojnë në largimin prej mëkateve. Ata që sakrifikojnë në shtypjen dhe frenimin e epsheve të shfrenuara. Ata që sakrifikojnë në thirrjen e njerëzve në rrugën e Allahut. Ata që sakrifikojnë në kryerjen e urdhërit në të mirë dhe të ndalimit nga e keqja duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme si ato elektronike, gazetat, revistat, radio, televizioni e të tjera. Ata që sakrifikojnë në rrugën e paisjes me vlera dhe moral islam. Ata që sakrifikojnë në edukimin e të tjerëve me edukatën e profetëve dhe të të dashurve të Allahut. Ata që sakrifikojnë në përhapjen e vlerave humane dhe njerëzore. Ata që sakrifikojnë në ndjekjen e Profetit dhe të mësimeve të tij të larta. Ata që sakrifikojnë në përhapjen e fjalës së Allahut.
Të gjitha këto përpjekje e mbajnë “të gjallë” njeriun shpirtërisht. Të gjithë këta, Allahu do t’ia tregojë rrugët e Tij që të çojnë në Xhennet.
Pra, fjala “Jetë” e përmendur në këtë ajet nuk është vetëm jetë biologjike e materiale, por jetë e zemrës, e shpirtit dhe e ndërgjegjes.
Më pas ajeti thotë: “Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij”. Ky është një paralajmërim shumë i forte dhe ka kuptimin se Allahu ka pushtet mbi zemrat tona. Ai mund ta udhëzojë ose ta devijojë zemrën sipas veprave tona. Njeriu nuk duhet të vonojë pendimin apo bindjen ndaj Allahut. Mos thuaj “do ta bëj më vonë”, sepse zemra mund të ndryshojë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur’ani i Shenjtë është libri i të gjitha kohërave, sepse ai është në përputhje të plotë me natyrën e njeriut të çdo kohe dhe vendi. Në kohën tonë, ku ka shumë shpërqendrim dhe ndikime negative nevoja për Kur’anin dhe për mësimet e tij është shumë e madhe.
Është detyrë që t’i përgjigjemi thirrjes së Allahut në praktikë. Jo vetëm ta dimë të vërtetën, por ta zbatojmë. P.sh.: kur dëgjon ezanin, çohu për namaz. Kur dëgjon për nevojtarin, shko ndihmoje. Kur sheh të keqen, ngrihu dhe ndaloje. Në këtë kohë shpërqëndrimi të ushqejmë zemrën, jo vetëm trupin. Ta ushqejmë zemrën me leximin çdo ditë të Kur’anit, me përmendje e Allahut (dhikrin), të reflektojmë mbi jetën, të luftojmë “vdekjen shpirtërore moderne”. Të kthehemi tek Allahu dhe tek udhëzimi i Tij.
Të jemi të kujdesshëm me zemrën. Të mos e mbushim me urrejtje, zili, mëkate. Të lutemi gjithmonë e të themi: “O Allah, ma forco zemrën në fenë Tënde!”
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ky ajet i begatë na përcjell këto mesazhe kryesore:
Mesazhi i parë: Besimi i vërtetë kërkon përgjigje dhe veprim
Mesazhi i dytë: Jeta e vërtetë është ajo e zemrës, jo vetëm e trupit
Mesazhi i tretë: Udhëzimi është dhuratë nga Allahu, prandaj mos e vono bindjen ndaj Tij.
Mesazhi i katërt: Zemra është në dorën e Allahut, prandaj kujdesu për të çdo ditë me qëllim që ta mbash të pastër në këtë jetë dhe ta takosh Allahun me zemër të pastër në Jetën Tjetër.
Në përfundim, ajeti 24 i sures “El Enfal” na fton të reflektojmë thellë mbi thirrjen e Allahut dhe mbi përgjegjësinë tonë për t’iu përgjigjur asaj thirrjeje me përkushtim dhe sinqeritet. Ky ajet thekson rëndësinë e gjallërimit shpirtëror përmes besimit dhe bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, duke na kujtuar se vetëm përmes kësaj rruge njeriu gjen kuptimin e vërtetë të jetës. Ajeti, gjithashtu, na ndërgjegjëson për faktin se Allahu është më afër nesh se sa mendojmë dhe Ai është i Ditur për çdo veprim, mendim apo qëllim. Prandaj, është detyrë e secilit besimtar të jetojë me vetëdije të lartë shpirtërore, duke e bërë këtë ajet udhërrëfyes në jetën e përditshme.
Të lutem siç na mëson Kur’ani i Shenjtë në ajetin 8 të sures “Ali Imran” ku thotë:
﴿ رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِن لَّدُنكَ رَحْمَةً ۚ إِنَّكَ أَنتَ الْوَهَّابُ﴾
“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”

