Në këtë ajet Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيرًا مِّنَ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ ۖ وَلَا تَجَسَّسُوا وَلَا يَغْتَب بَّعْضُكُم بَعْضًا ۚ أَيُحِبُّ أَحَدُكُمْ أَن يَأْكُلَ لَحْمَ أَخِيهِ مَيْتًا فَكَرِهْتُمُوهُ ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۚ إِنَّ اللَّهَ تَوَّابٌ رَّحِيمٌ﴾
“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.”
Ky ajet madhështor është një udhërrëfyes i thellë për pastërtinë e zemrës dhe marrëdhëniet shoqërore. Ai nuk merret vetëm me veprime të jashtme, por depërton në brendësinë e njeriut: në mendime, qëndrime dhe etikë.
Në fillim të ajetit Allahu u drejtohet besimtarëve duke i urdhëruar të largohen nga dyshimet e shumta ndaj të tjerëve, mos të spiunojnë, pra, mos kërkojnë të metat e fshehta të njerëzve dhe më pas t’i përhapin ato, dhe mos të përgojojnë njëri-tjetrin. Pastaj, ajeti jep një shembull shumë të fortë duke e krahasuar përgojimin me ngrënien e mishit të vëllait të vdekur, një pamje që natyra njerëzore e refuzon me neveri.
Edhe ky ajet i bekuar përmban mësime të vyera etiko- morale që vlejnë për mbarë njerëzit dhe jo vetëm për myslimanët. Prej mësimeve të këtij ajeti janë:
Mësimi i parë: Largimi nga dyshimet, paragjykinet dhe hamendësimet
Jo çdo mendim apo dyshim është i pafajshëm. Shumë prej tyre janë gjynah, sepse dëmtojnë marrëdhëniet, lindin armiqësi pa arsye dhe prishin pastërtinë e zemrës. Besimtari duhet të mundohet gjithmonë të interpretojë veprimet e të tjerëve në mënyrën më të mirë.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vendose çështjen e vëllait tënd në kuptimin më të mirë, derisa të të vijë prej tij diçka që të detyron ndryshe. Dhe mos mendo keq për një fjalë që ka dalë nga vëllai yt, përderisa mund t’i gjesh asaj një kuptim të mirë.” (“Amali Es Saduk”, f.250, hadithi 8.)
Kjo thënie e imam Aliut na mëson një parim shumë të rëndësishëm moral që është: Gjithmonë të kemi mendim të mirë për të tjerët. Besimtari duhet të përpiqet gjithmonë ta interpretojë sjelljen dhe fjalët e tjetrit në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk lejohet të nxitohet në gjykime negative pa prova të qarta.
Ky qëndrim ruan zemrën nga urrejtja dhe dyshimi, forcon vëllazërinë mes njerëzve, dhe mbron shoqërinë nga përçarja dhe përgojimi. Kërko gjithmonë justifikim të mirë për tjetrin dhe mos e gjykosh për keq.
Mësimi i dytë: Ndalimi i spiunimit
Islami e mbron privatësinë e individit dhe urdhëron e thotë: Mos kërko të zbulosh gabimet e fshehta të njerëzve. Mos ndiq të tjerët për t’i kapur në gabim. Sepse kjo sjell përçarje dhe humbje të besimit në shoqëri.
Islami na thotë se një prej emrave të Allahut është emri “Es Settar”, Mbulues. Allahu na sheh çdo gjë që veprojmë. Ai i sheh të këqijat dhe gjynahet tona, por me mëshirën dhe mirësinë e Tij i mbulon ato.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Lum ai që e pengojnë të metat e veta nga marrja me të metat e besimtarëve, vëllezërve të tij.” (“Biharul Enuar”, vëll. 77, f. 126, hadithi 32).
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë “Më i mençuri nga njerëzit është ai që i sheh të metat e veta dhe bëhet i verbër ndaj të metave të të tjerëve.” (“Gurerul Hikami”, hadithi 3233).
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush mëson (informohet) për një të keqe të vëllait të tij dhe e mbulon atë, Allahu do ta mbulojë atë në Ditën e Kiametit.” (“Et Tergijbu ue Et Terhijbu”, vëll. 3, f. 239, hadithi 7.)
Këto thënie na mësojnë të merremi me përmirësimin e vetes dhe jo me zbulimin e të metave të të tjerëve. Islami nxit vetëkritikën, mbulimin e gabimeve të njerëzve dhe ruajtjen e nderit të besimtarëve. Kjo sjell mëshirë, unitet dhe pastërti shpirtërore në shoqëri.
Mësimi i tretë: Rreziku i përgojimit
Përgojimi nuk është vetëm një gabim i vogël, por është një krim moral shumë i rëndë. Shembulli që jep ajeti për përgojimin është tronditës. Ashtu siç është e neveritshme të hash mishin e një të vdekuri, po aq e shëmtuar është të flasësh keq për dikë në mungesë të tij.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Në natën kur u ngrita në udhëtimin e Israsë, pashë disa njerëz që gërvishtnin fytyrat e tyre me thonjtë e tyre. Thashë: ‘O Xhibril, kush janë këta?’ Ai tha: ‘Këta janë ata që përgojonin njerëzit dhe cenonin nderin e tyre.’” (“Tenbijhul Khahauatir”, vëll. 1, f. 115.)
Ky hadith tregon se përgojimi dhe cenimi i nderit të të tjerëve janë mëkate shumë të rënda. Në Botën Tjetër, ata që përgojojnë, do të kenë dënim të dhembshëm dhe poshtërues. Kjo thënie e Profetit na mëson të ruajmë gjuhën, të mos flasim keq për të tjerët dhe të respektojmë dinjitetin e çdo njeriu.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruhu që të mos e bësh gjuhën tënde mjet udhëtues për përgojimin e vëllezërve të tu, dhe mos thuaj atë që mund të bëhet argument kundër teje, apo shkak që të tjerët të të bëjnë padrejtësi.” (“Gurerul Hikemi”, hadithi 2724.)
Fjalët mund të na dëmtojnë. Prandaj, duhet të ruajmë gjuhën nga përgojimi dhe nga fjalët që kthehen kundër nesh, duke hapur rrugë për pasoja të këqija.
Mësimi i katërt: Thirrja për frikë nga Allahu
Pas përmendjes së ndalimeve, ajeti thotë: “Kijeni frikë Allahun”. Kjo do të thotë: Kujdesu për çdo fjalë dhe mendim. Ji i vetëdijshëm se Allahu i di të fshehtat.
Në ajetin 102 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ﴾
“O që keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!”
Ky ajeti i thërret besimtarët që të kenë frikë të plotë ndaj Allahut, duke e respektuar, adhuruar dhe bindur Atë ashtu siç i takon Madhërisë së Tij. Kjo përfshin qëndrueshmëri në besim, largim nga mëkatet dhe sinqeritet në vepra. Po ashtu ajeti na bën thirrje e na thotë: Qëndro i devotshëm dhe i palëkundur në besim gjatë gjithë jetës, në mënyrë që të përfundosh jetën si besimtar i sinqertë.
Frika nga Allahut, në fshehtësi dhe haptazi, është prej cilësive të besimtarëve të vërtetë. Për këtë Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “…Ju mos iu frikësoni atyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 175.)
Frika e vërtetë duhet të jetë vetëm nga Allahu, siç thotë ajeti 40 i sures “Bekare”: “…Vetëm prej Meje duhet të frikësoheni.”
Frika nga Allahu është një pemë e begatë, e cila nëse forcohet në zemër, degët e saj do të përhapen në të gjitha gjymtyrët dhe për çdo kohë do ta japë frutet e saj, me lejen e Zotit të saj dhe ato frute është vepra e mirë, fjala e mirë dhe sjellja e mirë.
Frika nga Allahu nuk të lë të bësh gjynahe dhe gabime. Ajo të zgjon ndërgjegjen, të zbut zemrën dhe të mbron nga egoja. Pra, Frika është shkak i lumturisë së njeriut në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Frika nga Allahut është ajo që i nxit njerëzit për çiltërsi në veprat e tyre.
Frika nga Allahu është dashuri për Allahun. Frika nga Allahu është njohje e Allahut. Sa më shumë të shtohet njohja e Allahut te njeriu, aq më shumë afrohet ai tek Allahu dhe aq më shumë njihet ai me atributet e Allahut.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Kreu i urtësisë është frika ndaj Allahut.” (“Biharul Enuar”, vëll. 77, f. 133, hadithi 431.(.
Urtësia e vërtetë fillon kur njeriu ka devotshmëri dhe vetëdije ndaj Allahut. Kur ka frikë të shoqëruar me respekt dhe dashuri, sepse kjo e udhëzon atë drejt veprave të mira dhe largimit nga mëkatet.
Mësimi i pestë: Shpresa për pendim
Ajeti përfundon me thënien: “Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” Kjo tregon mëshirë, butësi dhe thirrje për pendim. Ajeti na thotë se Allahu është Pranues i pendimit dhe se dera e pendinit është gjithmonë e hapur. Kjo krijon balancë midis frikës dhe shpresës.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Nga kuptimi dhe mësimet e këtij ajeti na bëhet e qartë se Islami ndërton një shoqëri të pastër nga brenda, jo vetëm nga jashtë.
Fjalët dhe mendimet kanë peshë të madhe, prandaj të mendojmë para të flasim dhe ta pastrojmë veten nga mendimet e këqija. Sipas Islamit, dinjiteti i njeriut është i shenjtë, edhe kur ai nuk është i pranishëm. Kështu që nuk lejohet nëpëkëmbja e as poshtërimi qoftë përmes spiunllëkut, apo paragjykimit apo përgojimit.
Islami na thotë se një zemër e pastër është baza e një shoqërie të shëndoshë.
Si ta zbatojmë këtë ajet në jetën tonë?
Mos nxito të gjykosh. Kërko justifikim për të tjerët.
Mos përhap fjalë negative për askënd.
Nëse dëgjon përgojim, ndërprite ose largoju.
Kujto gjithmonë shembullin e ajetit, sepse ai mjafton për ta frenuar gjuhën.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ajeti 12 i sures “El Huxhurat” është një udhërrëfyes i plotë për pastrimin e zemrës dhe ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë. Ai është një shkollë e madhe që na mëson të largohemi nga dyshimet e këqija, të mos përgjojmë njëri-tjetrin dhe të mos përgojojmë, duke e krahasuar këtë të fundit me një pamje të rëndë që e neverit çdo njeri me zemër të gjallë.
Ky ajet nuk synon vetëm të ndalojë sjellje të jashtme, por të edukojë brendësinë tonë, mendimet, qëllimet dhe ndjenjat tona ndaj të tjerëve. Sepse, çdo përçarje fillon nga një mendim i keq dhe çdo unitet ndërtohet mbi një zemër të pastër.
Nëse secili prej nesh merret me përmirësimin e vetes, mendon mirë për të tjerët dhe ruan nderin e vëllait të tij, atëherë shoqëria bëhet vend besimi, dashurie dhe sigurie.
Mesazhi i këtij ajeti është i qartë dhe na thotë: Mos e shkatërro lidhjen me tjetrin për shkak të një dyshimi, një fjale apo një keqkuptimi, por ndërtoje atë me mirëkuptim, falje dhe respekt.

