Në vazhdim të rubrikës: Ti pyet Kur’ani përgjigjet, sot do flasim për një temë shumë të rëndësishme në shoqëri e cila është: Vjedhja.
Pa dyshim që kjo vepër është mëkat i rëndë dhe i dënueshëm përshkak të dëmeve të mëdha që shkakton në shoqëri. Ajo shkatërron besimin mes njerëzve, prish sigurinë dhe sjell padrejtësi.
Kur’ani i Shenjtë e shikon vjedhjen si një krim të madh dhe një shkelje të hapur të shenjtërisë së pasurisë dhe pronës së njerëzve. Për këtë arsye, ai ka përcaktuar për të një gjykim të rreptë në këtë botë, dhe vjedhësin apo vjedhësen.
Për vjedhjenKur’ani na flet qartë në ajetet 38-39 në suren “El Maide”, në të cilët Allahu i Madhëruar thotë:
}وَالسَّارِقُ وَالسَّارِقَةُ فَاقْطَعُوا أَيْدِيَهُمَا جَزَاءً بِمَا كَسَبَا نَكَالًا مِّنَ اللَّـهۗ وَاللَّـهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ . فَمَن تَابَ مِن بَعْدِ ظُلْمِهِ وَأَصْلَحَ فَإِنَّ اللَّـهَ يَتُوبُ عَلَيهِ إِنَّ اللَّـهَ غَفُورٌ رَّحِيم{
“Vjedhësit dhe vjedhëses ua pritni duart, si ndëshkim për atë që kanë bërë dhe si dënim nga ana e Allahut. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Ndërsa atij që pendohet pas të padrejtësisë së tij dhe përmirësohet, Allahu ia pranon pendimin, sepse Ai është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.”
Ajeti 38 tregon qartë se vjedhja është krim i rëndë. Ajo ka dënim të përcaktuar në Legjislacionin islam, qëllimi i të cilit është mbrojtja e shoqërisë. Kur’ani gjithmonë e lidh dënimin me drejtësinë dhe kushtet e saj, jo me nxitimin apo padrejtësinë.
Siç shihet në fillim të ajetit 38 Kur’ani ka vendosur një dënim të fortë për këtë krim, që është prerja e dorës së vjedhësit apo vjedhëses dhe thotë: “Vjedhësi dhe vjedhësja, prituni duart e tyre si shpërblim për atë që kanë fituar, si ndëshkim nga Allahu. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”
Prerja e dorës është “ndëshkim i frikshëm” dhe paralajmërues nga Allahu. Qëllimi i këtij ndëshkimi është mbrojtja e shoqërisë dhe e pasurisë së individëve të saj, si dhe kufizimi i përhapjes së këtij krimi. Po ashtu, nxjerr në pah urtësinë e ligjeve të Allahut për ruajtjen e të drejtave. Ligjet e Allahut për ndëshkimet kanë qëllim ruajtjen e sistemit shoqëror, jo hakmarrjen. Edhe “prerja e dorës” nuk është akt hakmarrjeje, por është masa më e fundit juridike për mbrojtjen e pasurisë publike. Islami nuk e zbaton këtë dënim në mënyrë të menjëhershme apo të lehtë.
Prerja e dorës, nuk është një ligj pa kushte. Kushtet e zbatimit janë shumë strikte dhe kërkojnë drejtësi maksimale gjyqësore.
Për prerjen e dorës së vjedhësit apo vjedhëses, Juristët islamë shpjegojnë se duhet të plotësohen disa kushte, si: Vlera e mallit të vjedhur të jetë e konsiderueshme; Të jetë marrë nga vend i sigurt; Të mos jetë bërë nga uria apo nga detyrim ekstrem dhe të ketë prova të qarta ligjore Pra, Islami nuk është i ashpër në mënyrë të verbër, por i drejtë dhe i balancuar. Në librat e Jurisprudencës islame gjenden detajet e kësaj çështjeje.
Vjedhja si padrejtësi:
Kur’ani e ka cilësuar vjedhjen si “padrejtësi”, ku thotë: “kush pendohet pas padrejtësisë së tij”, gjë që tregon se ajo është shkelje e të drejtave të të tjerëve dhe një akt zullumi që meriton ndëshkim.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Megjithë ashpërsinë e dënimit për vjedhjen, Kur’ani hap derën e pendimit dhe faljes për atë që vjedh e më pas pendohet dhe përmirëson gjendjen e tij. Pas ajetit 38, në të cilin përmendet dënimi i vjedhësit dhe i vjedhëses, Allahu thotë menjëherë: “Kush pendohet pas padrejtësisë së tij dhe përmirësohet, Allahu e pranon pendimin e tij. Me të vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirues.” Kjo do të thotë se kush vjedh dhe pastaj pendohet sinqerisht, i kthen të drejtat te njerëzit dhe përmirëson sjelljen e tij Allahu ia pranon pendimin.
Mirëpo, Juristët islamë thonë se pendimi nuk e shfuqizon gjithmonë pasojën juridike, sidomos nëse krimi është provuar dhe ka dëmtuar të tjerët. Kjo tregon ndarje e qartë mes pendimit shpirtëror dhe ligjit shoqëror.
Sa llojeve vjedhjes janë sipas Kur’anit?
Në ajetin 188 të sures “Bekare” Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit padrejtësisht dhe mos e çoni atë te gjykatësit për ta marrë me mashtrim.” Kjo do të thotë se vjedhja nuk është vetëm marrja me dorë, por edhe mashtrimi në biznes, ryshfeti dhe përvetësimi i padrejtë i pasurisë
Si e zgjidh Kur’ani problemin e vjedhjes?
Kur’ani nuk e trajton vjedhjen vetëm me dënim, por me një sistem të plotë që përmban:
1- Besimin në Allahun: Kur njeriu ka frikë nga Zoti, nuk i afrohet haramit.
2- Drejtësinë shoqërore; Islami kërkon që të mos ketë varfëri ekstreme që shtyn njerëzit në vjedhje.
3- Sigurinë e pronës: Pasuria e njerëzve është e shenjtë në Islam.
4- Edukimin moral: Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë se: “Nuk është besimtar ai që vjedh.”
Të dashur vëllezër dhe motra!
Vjedhja në Islam nuk është një çështje e thjeshtë, por një krim që prek drejtësinë, sigurinë dhe besimin mes njerëzve. Por, në të njëjtën kohë, Islami është fe e drejtësisë, mëshirës dhe përmirësimit. Prandaj, Kur’ani na mëson jo vetëm të ndëshkojmë krimin, por ta parandalojmë atë që në rrënjë.
Allahu na ruajtë nga harami, na pastroftë zemrat dhe na bëftë prej atyre që jetojnë me hallall dhe drejtësi!

