Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Sigurisht, ky Kur’an është tryeza e Allahut, prandaj, studiojeni sa të mundeni tryezën e Tij.” (“Mustedrekul Uesail”, vëll. 4, f. 232.)
Në këtë hadith Profeti Muhamed e krahason Kur’anin me tryezën e Allahut. Kur thuhet se Kur’ani është tryeza e Allahut, nënkuptohet se: Ashtu si tryeza është vend ushqimi për trupin, Kur’ani është ushqim për shpirtin dhe mendjen. Në këtë “tryezë” gjenden udhëzimi, dija, urtësia, mëshira dhe drita e Allahut. Allahu i ka vendosur këto mirësi në këtë tryezë për njerëzit, që ata të përfitojnë prej tyre sipas mundësisë së tyre.
Thënia e Profetit “studiojeni sa të mundeni” tregon: Nxitje për lexim të vazhdueshëm të Kur’anit, thellim në kuptim, jo vetëm lexim sipërfaqësor dhe zbatim në praktikë të mësimeve të tij
Në përmjet këtij hadithi i dashuri i zemrave tona na thotë: Mos e lini Kur’anin të jetë i braktisur në jetën tuaj. Merrni prej tij aq sa mundeni: dije, moral, udhëzim. Sa më shumë të afroheni me Kur’anin, aq më shumë ushqehet dhe gjallërohet zemra. Kur’ani është furnizim hyjnor për shpirtin, dhe secili duhet të marrë prej tij sipas përpjekjes dhe gatishmërisë së vet.
Në vazhdim të rubrikës: “Ajeti dhe kuptimi i tij”, sot do të flasim për kuptimin dhe mësimet e ajetit 72 në suren “En Nahl”.
Në këtë ajet Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَاللَّهُ جَعَلَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا وَجَعَلَ لَكُم مِّنْ أَزْوَاجِكُم بَنِينَ وَحَفَدَةً وَرَزَقَكُم مِّنَ الطَّيِّبَاتِ ۚ أَفَبِالْبَاطِلِ يُؤْمِنُونَ وَبِنِعْمَتِ اللَّهِ هُمْ يَكْفُرُونَ﴾
“Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira. A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë mirësitë e Allahut.”
Ky ajet fisnik u përcjell njerëzve një mesazh të thellë që ata t’i kujtojnë mirësitë dhe begatitë që Allahu u ka dhuruar. Ky ajet përmend tri mirësi prej mirësive të Allahut:
E para: Krijimi i bashkëshortëve nga i njëjti lloj njerëzor, është bërë për të pasur shoqëri, dashuri dhe vazhdimësi të jetës.
E dyta: Dhënia e pasardhësve. Ajeti përmend djemtë dhe nipat që janë një dhuratë nga Allahu dhe që tregojnë vazhdimësinë e familjes dhe jetës.
E treta: Furnizimi me të mira. Kjo tregon kujdesin e vazhdueshëm të Allahut për nevojat e njeriut.
Edhe ky ajet fisnik, si gjithë ajetet e tjera të Kur’anit është i mbushr me mësime, udhëzime dhe edukim për të gjithë njerëzit.
Mesimet kryesore të këtij ajeti janë:
Mësimi i parë: Familja është një mirësi nga Allahu Fuqiplot
Martesa nuk është thjesht marrëdhënie sociale, por dhuratë nga Allahu. Harmonia vjen sepse bashkëshortët janë “nga lloji juaj”, pra gjendet përputhje natyrore dhe shpirtërore mes bashkëshortëve.
Në ajetin 21 të sures “Err Rum” thuhet:
﴿ وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ﴾
“Dhe nga shenjat e Tij është që krijoi për ju bashkëshorte nga vetja juaj, që të gjeni qetësi tek ato, dhe vendosi ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë.”
Sigurisht që ky ajet në suren “Err Rrum” ka lidhje me ajetin 72 të sures “En Nahl. Të dy ajetet theksojnë se martesa është krijim hyjnor. Martesa nuk është vetëm bashkëjetesë, por, është qetësi shpirtërore, dashuri mes bashkëshortëve, është mëshirë mes tyre si dhe është vatra e vazhdimësisë së njerëzimit. Familja është argument i ekzistencës së Allahut dhe i mëshirës së Tij dhe jo thjesht strukturë shoqërore
Mësimi i dytë: Fëmijët janë begati, jo barrë
Ajeti 72 në sure “En Nahl” përmend djemtë dhe nipërit për të treguar vazhdimësinë e jetës, dhe forcimin e lidhjeve familjare. Në Islam, pasardhësit janë amanet dhe bekim. Në ajetin 46 të sures “El Kehf” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ الْمَالُ وَالْبَنُونَ زِينَةُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۖ… ﴾
“Pasuria dhe fëmijët janë zbukurim i jetës së kësaj bote…”
Ndërsa në ajetin 28 të sures “El Enfal” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَاعْلَمُوا أَنَّمَا أَمْوَالُكُمْ وَأَوْلَادُكُمْ فِتْنَةٌ …﴾
“Dijeni se pasuria dhe fëmijët tuaj janë sprovë…”
Edhe ky ajet fisnik ka lidhje me ajetin 72 të sures “En Nahl”, për të cilin po flasim. Ajeti 72 në suren “En Nahl” i paraqet fëmijët si mirësi ndërsa ajeti 28 në suren “El Enfal” i paraqet fëmijët si sprovë. Të dy ajetet na mësojnë se fëmijët janë edhe përgjegjësi dhe prove. Fëmijët nuk janë vetëm bekim për t’u gëzuar, por edhe amanet për t’u edukuar drejt.
Mësimi i tretë: Furnizimi (rizku) vjen nga Allahu
Ushqimet e mira nuk janë rastësi apo vetëm rezultat i punës sonë. Ato janë dhuratë nga Allahu, edhe pse njeriu përpiqet.
Në ajetin 58 të sures “Edh Dharijat” Allahu i Madhëruar thotë:
{وَ ٱلرَّزَّاقُ ذُو ٱلۡقُوَّةِ ٱلۡمَتِينُ}
“Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.”
Ndërsa në ajetin 15 të sures “El Mulk” thuhet:
{…وَكُلُواْ مِن رِّزۡقِهِ…}
“…hani nga furnizimi i Tij…”
Sigurisht që ajeti 72 në suren “En Nahl” ka lidhje me ajetin58 të sures “Edh Dharijat dhe me në ajetin 15 të sures “El Mulk”, sepse, ajeti në suren “En Nahl” përmend “ushqime të mira”, kurse këto dy ajete sqarojnë se burimi real i ushqimeve të mira është Allahu dhe senjeriu vetëm përpiqet, por nuk është zotërues i rizkut. Besimi në Allahun për furnizimin sjell qetësi dhe largon ankthin.
Mësimi i kartët: Rreziku i mosmirënjohjes
Pjesa e fundit e ajetit 72 në suren “En Nahl” është kritike. Ajeti thotë: “…A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë dhuntitë e Allahut.”
Kjo tregon që njeriu shpesh i merr të mirat si të mirëqena dhe ia atribuon ato faktorëve të tjerë dhe harron Krijuesin.
Në ajetin 7 të sures “Ibrahim” Allahu i Madhëruar thotë:
{وَ اِذْ تَاَذَّنَ رَبُّكُمْ لَىٕنْ شَكَرْتُمْ لَاَزِیْدَنَّكُمْ وَ لَىٕنْ كَفَرْتُمْ اِنَّ عَذَابِیْ لَشَدِیْدٌ}
“(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”.
Lidhja e këtij ajeti me ajetin 72 në suren “En Nahl” është se ajeti në suren “En Nahl” kritikon mosmirënjohjen ndërsaajetin 7 në suren “Ibrahim” jep zgjidhjen duke na thënë se mirënjohja shton begatitë dhe mosmirënjohja sjellhumbje dhe dënim.
Mësimi i pestë: Refuzimi i së vërtetës është padrejtësi
Në fund të ajetit 72 të sures “En Nahl” Allahu thotë: “…A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë mirësitë e Allahut.” Në këtë ajet fjala “gënjeshtër” nënkupton besimet e kota, shirkun (shoqërim ortak Allahut) dhe mohimin e burimit të vërtetë të begative.
Në ajetin 83 të sures “En Nahl” thuhet:
{يَعۡرِفُونَ نِعۡمَتَ ٱللَّهِ ثُمَّ يُنكِرُونَهَا …}
“Ata i njohin begatitë e Allahut, por pastaj i mohojnë.”
Mesazhi i këtij ajeti është vazhdim i të njëjtit mesazh si në ajetin 72 të sures “En Nahl”, i cili është: Problemi nuk është vetëm mosnjohja, por është edhe mospranimi se mirësitë janë nga Allahu dhe mosfalënderimi i Allahut për mirësitë. Njeriu shpesh e di të vërtetën, por nuk e jeton atë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Mesazhet kryesore kryesore të ajetit 72 në suren “En Nahl” janë:
Jeto me mirënjohje për familjen dhe furnizimin
Mos i normalizo bekimet, por reflekto mbi to
Mos ia atribuo të mirat vetëm vetes apo rastësisë
Forco lidhjen me Allahun përmes njohjes së mirësive të Tij
Familja është një nga argumentet e mëdha të mëshirës së Allahut
Duke i bashkuar këto ajete, del një tablo shumë e qartë se:
Familja është dhuratë për qetësi dhe dashuri. Fëmijët janë bekim dhe përgjegjësi.. Furnizimi është nga Allahu, jo vetëm nga përpjekja jonë. Mirënjohja është çelësi për shtimin e begative. Mosmirënjohja padrejtësi dhe devijim.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ky ajet fisnik, sëbashku me ajetet e tjera që përmendëm, na edukojnë e na thonë: Ta shohim jetën me sy besimi, jo thjesht materializmi. Të kalojmë nga “kjo është normale” në “kjo është dhunti nga Allahu”. Të jetojmë me ndërgjegje, falënderim dhe përgjegjësi
Ky ajet na mëson se tri shtylla të jetës: bashkëshorti, pasardhësit dhe furnizimi, janë prova të qarta të mëshirës së Allahut. Ndërsa reagimi i drejtë ndaj tyre është falënderimidhe besimi, jo mohimi dhe harresa.
Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit!

