Fuqia e durimit dhe shpresa në jetën e njeriut

Jeta e njeriut është e mbushur me sprova, ndryshime, vështirësi dhe momente që kërkojnë forcë të brendshme. Askush nuk jeton pa përballur pengesa, humbje, lodhje shpirtërore apo sfida që duken më të mëdha se mundësitë tona.

Megjithatë, ajo që e dallon njeriun e suksesshëm nga ai që dorëzohet nuk është mungesa e vështirësive, por mënyra se si ai reagon ndaj tyre. Në këtë pikë, durimi dhe shpresa bëhen dy nga virtytet më të rëndësishme për jetën e njeriut. Ato nuk janë thjesht fjalë morale, por forca reale që ndikojnë në mendje, në zemër dhe në veprimet tona të përditshme.

Feja islame i ka dhënë një vend të lartë durimit. Në Kur’an Allahu thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Sure El-Bekare, ajeti 153).

 Ky ajet tregon se durimi nuk është vetëm qëndrim pasiv, por një mënyrë aktive për të kërkuar ndihmën e Allahut. Njeriu duron, vazhdon të përpiqet dhe nuk e humb lidhjen me Zotin sepse durimi është urë mes vështirësisë dhe lehtësimit.

Nga këndvështrimi psikologjik, durimi lidhet ngushtë me aftësinë për të kontrolluar emocionet dhe për të menaxhuar stresin. Studime të shumta në psikologjinë moderne tregojnë se njerëzit që dinë të presin, të përballojnë frustrimin dhe të mos reagojnë menjëherë me zemërim apo dëshpërim, kanë më shumë sukses në marrëdhënie, në punë dhe në shëndetin mendor.

Kur njeriu humbet durimin, ai shpesh merr vendime të nxituara që i sjellin pasoja më të mëdha. Ndërsa ai që mendon me qetësi dhe qëndron i palëkundur, gjen zgjidhje më të mençura.

Edhe shkenca e mjekësisë ka vërtetuar se stresi i vazhdueshëm dhe ankthi ndikojnë negativisht në trup e nejriut. Nivelet e larta të kortizolit, hormonit të stresit, mund të dobësojnë sistemin imunitar, të rrisin tensionin e gjakut dhe të ndikojnë në zemër. Ndërsa qetësia, shpresa dhe vetëkontrolli ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit fizik. Kjo tregon se mësimet shpirtërore nuk janë të ndara nga jeta reale, por janë në harmoni edhe me zbulimet shkencore.

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Sa e mrekullueshme është çështja e besimtarit! Çdo gjendje e tij është mirësi për të. Nëse e arrin gëzimi, falënderon dhe kjo është mirë për të. Nëse e godet vështirësia, duron dhe kjo është përsëri mirë për të.”

Pra, besimtari nuk është i lidhur vetëm me rrethanat. Ai di të jetojë me mençuri si në ditët e mira, ashtu edhe në ditët e vështira. Kjo tregon se njeriu në krijimin e tij e ka të vendosur pjekurinë shpirtërore dhe emocionale.

Nëse durimi e mban njeriun të fortë gjatë rrugës, shpresa i jep arsye për të vazhduar. Njeriu që humbet shpresën fillon të shohë vetëm errësirë, ndërsa ai që shpreson gjen dritë edhe në momentet më të vështira.

Në Kur’an thuhet: “Thuaj: “O robtë e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut!” (Sure Ez-Zumer, ajeti 53). Ky mesazh është një ilaç për zemrat e lodhura. Sado e rëndë të jetë gjendja, dera e mëshirës së Allahut mbetet e hapur.

Specialistët e shëndetit mendor theksojnë se njerëzit me mendim shpresëdhënës përballojnë më mirë depresionin, ankthin dhe dështimet. Kur njeriu beson se gjërat mund të përmirësohen, ai aktivizon energjinë për të vepruar. Pra ndjenja e shpresës nuk është iluzion, por motivim. Ajo i thotë njeriut se e nesërmja mund të jetë më e mirë nëse sot përpiqet.

Nxënësi ka nevojë për durim për të studiuar dhe për të mos u lodhur nga vështirësitë e mësimit. Prindi ka nevojë për durim në edukimin e fëmijëve. I sëmuri ka nevojë për durim në rrugën e shërimit.

Ai që kërkon punë ka nevojë për shpresë që të mos dorëzohet pas refuzimeve. Ai që ka gabuar ka nevojë për shpresë që të pendohet dhe të fillojë nga e para. Kështu, këto virtyte nuk i përkasin vetëm librave, por çdo shtëpie dhe çdo zemre.

Nga Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) transmetohet se ka thënë: “Durimi është për besimin si koka për trupin.”

Kjo thënie e thellë tregon se besimi pa durim dobësohet, ashtu si trupi pa kokë nuk mund të jetojë. Besimi i vërtetë provohet në momentet e vështira, kur njeriu zgjedh të qëndrojë drejt edhe pse sprovat e rrethojnë.

Shoqëria moderne shpesh e nxit njeriun drejt rezultateve të menjëhershme. Gjithçka kërkohet shpejt, sukses i shpejtë, pasuri e shpejtë, kënaqësi e menjëhershme. Por jeta reale funksionon ndryshe.

Gjërat me vlerë ndërtohen me kohë, mund dhe qëndrueshmëri. Një pemë nuk jep fryt brenda natës. Një karakter i fortë nuk formohet pa sprova. Një familje e shëndoshë nuk ndërtohet pa sakrificë. Prandaj durimi mbetet një virtyt i pazëvendësueshëm.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Feja islame, psikologjia moderne dhe vetë përvoja njerëzore bashkohen në një të vërtetë se njeriu që duron dhe shpreson nuk humbet kurrë. Edhe nëse rruga është e gjatë, ai ecën me siguri drejt suksesit, qetësisë dhe kënaqësisë së Allahut.