Ajeti dhe kuptimi i tij, ajeti 22 në suren “Ibrahim”

Në këtë ajet thuhet:

﴿ وَقَالَ الشَّيْطَانُ لَمَّا قُضِيَ الْأَمْرُ إِنَّ اللَّهَ وَعَدَكُمْ وَعْدَ الْحَقِّ وَوَعَدتُّكُمْ فَأَخْلَفْتُكُمْ ۖ وَمَا كَانَ لِيَ عَلَيْكُم مِّن سُلْطَانٍ إِلَّا أَن دَعَوْتُكُمْ فَاسْتَجَبْتُمْ لِي ۖ فَلَا تَلُومُونِي وَلُومُوا أَنفُسَكُم ۖ مَّا أَنَا بِمُصْرِخِكُمْ وَمَا أَنتُم بِمُصْرِخِيَّ ۖ إِنِّي كَفَرْتُ بِمَا أَشْرَكْتُمُونِ مِن قَبْلُ ۗ إِنَّ الظَّالِمِينَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ﴾

“Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, të padrejtët do të kenë një dënim të dhembshëm.”

Në këtë ajet të Kur’anit Allahu i Madhëruar na flet për bisedën mes shejtanit dhe pasuesve të tij në Ditën e Gjykimit. Në këtë bisedë mes tyre shejtani do t’u thotë pasuesve të tij:

Së pari: Allahu ju dha premtime të vërteta për Xhennetin, udhëzimin, shpërblimin.

Së dyti: Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova.

Së treti: Unë nuk kisha fuqi t’ju detyroja; thjesht ju thirra dhe ju më dëgjuat me dëshirën tuaj.

Së katërti: Mos më fajësoni mua, fajësoni veten.

Së pesti: Unë nuk jam shpëtimtari juaj dhe ju nuk jeni shpëtimtarët e mi.

Së gjashti: Unë mohoj që ju më bëtë ortak me Allahun, duke më ndjekur në vend të Tij.

Në fund: keqbërësit do të kenë dënim të dhembshëm.

Edhe ky ajet i begatë përmban mësime dhe mesazhe edukative. Prej mësimeve të tij janë:

Mësimi i parë: Shejtani nuk ka pushtet mbi njeriun

Ky ajet sqaron një të vërtetë shumë të rëndësishme se shejtani nuk detyron askënd të bëjë mëkat. Ai vetëm fryn, cyt, sugjeron, zbukuron dhe mashtron, ndërsa vendimi përfundimtar është i njeriut. Pra, përgjegjësia morale është te njeriu, jo te shejtani.

Në ajetin 42 të sures “El Hixhr”, Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ إِنَّ عِبَادِي لَيْسَ لَكَ عَلَيْهِمْ سُلْطَانٌ إِلَّا مَنِ اتَّبَعَكَ مِنَ الْغَاوِينَ﴾

“Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robtë e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.”

Ky ajet shpreh një parim shumë të rëndësishëm në besim dhe jetën shpirtërore se shejtani nuk ka fuqi reale mbi njerëzit e sinqertë dhe besimtarët e devotshëm. Ndikimi i tij kufizohet vetëm tek ata që vetë zgjedhin ta ndjekin atë dhe largohen nga rruga e drejtë. Ajeti na mëson se njeriu ka liri zgjedhjeje dhe përgjegjësi për veprimet e tij. E keqja nuk imponohet me detyrim, por pranohet me vullnet. Ata që janë të lidhur me Allahun, me besim dhe vetëdije, janë të mbrojtur shpirtërisht nga devijimi. Ndërsa ata që ndjekin dëshirat dhe neglizhojnë udhëzimin e Allahut, bëhen më të prekshëm ndaj ndikimit të shejtanit. Ajeti na fton të forcojmë lidhjen me Zotin dhe të jemi të vetëdijshëm se rruga e devijimit nuk është e imponuar, por është rezultat i zgjedhjeve tona.

Mësimi i dytë:  Faji i zgjedhjes është i njeriut

Sipas Islamit njeriu është zgjedhës në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër do të llogaritet në bazë të zgjedhjes së tij. Në Ditën e Gjykimit shejtani do të largohet apo si thuhet: do të “lajë duart” nga ndjekësit e tij. Ai do t’u thotë atyre: ‘Ju vetë më zgjodhët. Unë vetëm ju thirra, ju më ndoqët.’ Po ashtu do t’u thotë: ‘Unë vetëm ju tregova, ju e ndoqët vetë me dëshirën tuaj rrugën time.’

 Përshembull: Një student e di që duhet të mësojë, por thotë: “Edhe pak kohë, pastaj filloj.” Shejtani nuk e detyron. Ai vetëm i thotë në mendje: “Ke kohë… relaksohu pak.” Pastaj kur vjen provimi, është vonë. Pra, ti vetë e pranove shtyrjen, jo dikush tjetër ta imponoi. Ishte zgjedhja e studentit që e çoi në dështim.

Ose një person thotë: “Vetëm 5 minuta do qëndroj në telefon,” por kalojnë orë. Këtu nuk ka “fuqi të jashtme” që e detyroi këtë njeri të qëndrojë me orë në telefon, por është thjesht tundim dhe zgjedhje personale.

 Njeriu nuk mund të justifikohet në Ditën e Gjykimit duke fajësuar të tjerët për gabimet e tij. Njeriu është përgjegjës për zgjedhjet e tij. Ajeti na mëson se në Ditën e Gjykimit askush nuk do të mbajë barrën e tjetrit çdo njeri do të gjykohet për zgjedhjet e veta. Për këtë ka shumë ajete në Kur’anin e Shenjtë që thonë se çdo njeriu do japë llogari për veprat e veta.

Mësimi i tretë:  Mashtrimi vjen përmes dëshirave

Kur Kur’ani thotë që shejtani “thjesht thërret”, në realitet ai nuk flet me zë, por vepron përmes mendimeve, ndjenjave dhe justifikimeve të brendshme. Dallimi i këtyre sinjaleve është shumë i rëndësishëm. Shejtani nuk vjen me forcë, por me dëshira të ulëta, tundime, justifikime dhe zbukurim të mëkatit. Ai fiton vetëm kur njeriu ia hap atij derën.

Përshembull: Dikush hyn në mashtrim, korrupsion ose fitim të paligjshëm duke menduar se dhe të tjerët e bëjnë këtë dhe s’ka gjë. Atë person nuk e detyroi askush që të hynte në rrugëm e mashtrimit, por ishte dëshira e tij dhe në fund pasoja i mbetet vetëm atij.

Ose një person futet në një lidhje që e di se është e gabuar, por thotë: ‘Nuk është problem, do e kontrolloj.’ Kjo lidhje e gabuar fillon me kompromis të vogël dhe pastaj rritet gradualisht, derisa çon në probleme serioze. Shejtani nuk e shtyn me forcë njeriun që të bëjë veprime të gabuara apo mëkate, por ai vetëm zbukuron fillimin. Dhe njeriu me besim të dobët bie menjëherë në kurthin e shejtanit. Shumica e gabimeve dhe e të këqijave nuk na imponohen, por jemi ne që i pranojmë ato pak nga pak derisa zhytemi ne kënetën e tyre.

Mësimi i katërt: Shejtani i braktis ndjekësit e tij.

Kur’ani i Shenjtë thekson se shejtani do t’i braktisë ndjekësit e tij në Ditën e Kijametit dhe do të distancohet prej tyre, duke deklaruar se ai nuk ka pasur pushtet real mbi ta, përveçse i ka nxitur me vesvese (pëshpëritje të liga) dhe i ka joshur drejt mëkateve. Në ajetin 16 të sures “El Hashr” thuhet:

“}كَمَثَلِ الشَّيْطَانِ إِذْ قَالَ لِلْإِنسَانِ اكْفُرْ فَلَمَّا كَفَرَ قَالَ إِنِّي بَرِيءٌ مِّنكَ إِنِّي أَخَافُ اللَّهَ رَبَّ الْعَالَمِينَ{.

“Njësoj si djalli, i cili i thotë njeriut: “Mos beso!”. Por, kur ky bëhet mohues, djalli I thotë: “Unë nuk kam të bëj me ty! Në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve”!

Mësimi i pestë: Paralajmërim për ndjekjen e verbër

Ata që ndjekin të tjerët pa menduar, ata që ndjekin ide dhe ideologji të gabuara, do të pendohen në fund. Mos e lidh besimin dhe jetën me “udhëheqës” që të largojnë nga e vërteta.

 Përshembull:  Një person ndjek pa menduar çdo mendim të një influenceri. Nuk analizon, por vetëm kopjon. Në fund mund të kuptojë se ka gabuar, por atëherë është vonë. Njeriu duhet të jetë i vetëdijshëm dhe të përdorë arsyen në ndjekje e imitim.

Mësimi i gjashtë:  Realiteti i armiqësisë së shejtanit

Shejtani nuk është kurrë mik për njeriun. Ai cyt, mashtron, braktis, mohon dhe të lë vetëm me veprat e tua. Në shumë ajete të Kur’anit Allahu na paralajmëron dhe na thotë që të mos e konsiderojmë shejtanin mik dhe na urdhëron që të ruhemi prej tij. Në ajetin 6 të sures “El Fatir” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ إِنَّ الشَّيْطَانَ لَكُمْ عَدُوٌّ فَاتَّخِذُوهُ عَدُوًّا ۚ إِنَّمَا يَدْعُو حِزْبَهُ لِيَكُونُوا مِنْ أَصْحَابِ السَّعِيرِ﴾

“Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur.”

Ndërsa në ajetin 60 të sures “Jasin” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ أَلَمْ أَعْهَدْ إِلَيْكُمْ يَا بَنِي آدَمَ أَن لَّا تَعْبُدُوا الشَّيْطَانَ ۖ إِنَّهُ لَكُمْ عَدُوٌّ مُّبِينٌ﴾

“Vallë, a nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai është vërtet armik i hapët i juaji.”

Në këto dy ajete, dhe në ajete të tjera që flasin për shejtanin, ka mësim dhe paralajmërim për njerëzit që të jenë gjithmonë vigjilentë dhe të mos bien prê e mashtrimeve të armikut të tyre të përbetuar, shejtanit.

Ka shumë njerëz që mbartin mendime që të shtyjnë drejt neglizhencës ose vonesës së shtyrjes së bërjes së mirës. Ata thonë:  Nuk e bëj tani, kam kohë. S’është momenti i duhur. E filloj nesër këtë gjë.  Në shumicën e rasteve, kjo është thirrje për humbje kohe. Nëse një mendim të largon nga një e mirë pa arsye reale, është sinjal i rrezikshëm dhe është cytje nga shejtani që të plogështon e të bën të vakët për ta bërë atë të mirë.

Ka njerëz që e justifikojnë mëkatin duke thënë: S’është gjë e madhe. Të gjithë e bëjnë. Apo thonë Zoti është falës. Të gjitha këto mendime janë zbukurime të shejtanit për ta mbajtur njeriun të lidhur në fushën e gjynaheve. Nëse këto mendime i qetësojnë këta njerëz, ndërkohë që po bëjnë diçka që e dinë se s’është e drejtë, ky është një alarm i madh rreziku, sepse është një nga mashtrimet më të rrezikshme të shejtanit. Zëri që të largon nga shpresa dhe përmirësimi nuk vjen nga e mira. Çdo shtyrje e vazhdueshme e bërjes së mirës pa arsye reale, është sinjal rreziku.

Në fund ky ajet, pra ajeti 22 në suren “Ibrahim”, thotë: Vërtet, të padrejtët do të kenë një dënim të dhembshëm.

Ajeti thekson se padrejtësia nuk mbetet pa pasoja. Ajo çon në një dënim të dhembshëm. Thënia e ajetit është një paralajmërim i fortë që njeriu të mos i bëjë padrejtësi vetes, të mos dëmtojë të tjerët dhe të mos shkelë të drejtat, sepse drejtësia është themel i rendit të Krijuesit Fuqiplot. Një prej padrejtësive që njeriu i bën vetes së tij është ndjekja e shejtanit. Ajeti nxit për drejtësi, ndershmëri dhe respektim të drejtave të tjerëve. Është një thirrje për pendim dhe korrigjim, para se të vijë llogaria. Allahu është i Drejtë dhe nuk e lë zullumin pa ndëshkim. Prandaj, mos bëj padrejtësi, sepse ajo kthehet në denim, ndërsa drejtësia është rruga e shpëtimit.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në mbyllje themi se ajeti 22 në suren “Ibrahim” na mëson këto gjëra për jetën:

Shejtani nuk të lidh me zinxhirë

Ai të fton, dhe nuk të detyron

Shejtani nuk të urdhëron, ai të sugjeron

Ai ta zbukuron gabimin, të keqen dhe mëkatin

Ai ta shtyn vendimin në momentin e dobësisë

Ti je ai që ia atij hap derën ose ia mbyll

 Justifikimet nuk vlejnë në Ditën e Gjykimit

 Fitorja është te vetëdija para veprimit

 Vetëm Allahu është shpëtimi i vërtet

Ky ajet bëhet shumë më i kuptueshëm kur zbatohet në jetën e përditshme, sepse mesazhi i tij nuk është vetëm për Ditën e Gjykimit, por për mënyrën si njeriu bie në gabime çdo ditë.

Kush zgjedh të ndjekë shejtanin, e bën këtë me vullnetin e vet dhe do të mbajë përgjegjësi për pasojat, sepse shejtani nuk ka pushtet detyrues mbi askënd. Prandaj, mos e ndiqni atë, sepse humbja është zgjedhje e juaja dhe përgjegjësia bie mbi ju. Kushdo që e ndjek shejtanin do të jetë I poshtëruar si në këtë jetë ashtu edhe ne Jetën Tjetër,

Sa bukur na e sqaron ajeti 268 në sure “El Bekare” mosndjekjen e shejtanit dhe na thotë:

الشَّيْطَانُ يَعِدُكُمُ الْفَقْرَ وَيَأْمُرُكُم بِالْفَحْشَاءِ ۖ وَاللَّهُ يَعِدُكُم مَّغْفِرَةً مِّنْهُ وَفَضْلًا ۗ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ 

“Shejtani ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.