Ajeti dhe kuptimi i tij, ajeti 78 në suren “En Nahl”


Në këtë ajet Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَاللَّهُ أَخْرَجَكُم مِّن بُطُونِ أُمَّهَاتِكُمْ لَا تَعْلَمُونَ شَيْئًا وَجَعَلَ لَكُمُ السَّمْعَ وَالْأَبْصَارَ وَالْأَفْئِدَةَ ۙ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ﴾

“Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues.”

Ky ajet përmban një mesazh shumë të thellë për natyrën e njeriut, për dijen dhe për falënderimin ndaj Allahut.

Ajeti deklaron hapur se kur lind njeriu, ai nuk kupton asgjë prej sendeve që e rrethojnë. Gjithçka që ai arrin të kuptojë, ndodh vetëm pas lindjes me ndërmjetësinë e mjeteve që Allahu i ka dhënë njeriut. Pra, ky ajet na njeh me të vërtetën tonë se çfarë ishim dhe çfarë bëhemi.

Në fillim ajeti thotë: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë…”. Sipas kësaj thënieje të ajetit njeriu lind pa dije. Nuk di të flasë, të kuptojë, apo të dallojë.

Çdo dije që njeriu posedon nuk është meritë e pastër personale, por një dhuratë nga Allahu, Krijuesi Fuqiplot dhe i Gjithëditur. Kush thotë “unë di, unë jam i zgjuar”, duhet të kujtojë se dikur nuk dinte asgjë. Nëse njeriu është i vetëdijshëm se dija e tij është dhuratë nga Krijuesi, nuk goditet nga mendjemadhësia dhe arroganca. Mirëpo, fatkeqësisht, njeriu shumë shpejt e harron burimin e mirësive të tij.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrën e pastër (fitra)…”. Kjo thënie e Profetit Muhamed është përforcuese dhe sqaruese e ajetit: “Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë…”.  Profeti ynë i dashur na mëson se njeriu lind me një natyrë të pastër dhe të gatshme për të pranuar dijen dhe të vërtetën.

Sipas Islamit dija nuk është vetëm dhuratë, por është edhe sprovë, me të cilën njeriu sprovohet se: A do jetë i përulur dhe modest apo mendjemadh dhe arrogant. Prandaj, mos u bëj nga ata që dinë pak dhe mendojnë se dinë shumë. Në Islam dija është e shenjtë dhe Islami urdhëron për nxënien e dijes. Ajetet e para që iu shpallën Profetit Muhamed ishin ato që flisnin për leximin: “Lexo me emrin e Zotit tënd.”

Më pas ajeti përmend tre mjetet kryesore të arritjes së dijes dhe thotë: “…dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat…”

Sipas ajetit dëgjimi është mjeti i parë i të mësuarit. Ajo që tërheq vëmendjen është se në këtë ajet, ashtu sin ë ajetet të tjera të Kur’anit, vërejmë se dëgjimi përmendet para shikimit, megjithëse sytë kryejnë një punë shumë më të madhe se veshët. Mbase kjo ka ardhur kështu për faktin se pas lindjes, veshi e fillon punën e tij përpara syrit.

Dihet që syri gjatë kohës së shtatzënisë është në një errësirë të plotë. Si rezultat i forcës së rrezeve të dritës që bien mbi syrin pas lindjes, ai (syri) e ka të pamundur të fillojë funksionin e tij menjëherë për shkak të ndjeshmërisë së madhe. Prandaj, syri përshtatet të përballojë dritën në mënyrë graduale, derisa arrin në gjendjen e tij normale. Ne shikojmë se fëmija në ditët e para të lindjes i mban sytë të mbyllur, kurse për veshin mendohet se ka më shumë fuqi për të dëgjuar, pak ose shumë. Madje, edhe kur ishte në barkun e nënës, veshi është mësuar të dëgjojë rrahjet e zemrës së nënës!

 Përveç kësaj duhet shtuar se njeriu shikon me syrin e tij vetëm sendet që preken, në një kohë që veshi konsiderohet mjet për edukim e për mësim në të gjitha gjendjet. Nëpërmjet dëgjimit të fjalëve, njeriu arrin të njohë të gjitha të vërtetat në mënyrë të barabartë, qoftë kur ato janë prej sendeve që preken, qoftë kur janë jashtë sferës së tyre, kurse syri nuk e ka këtë fushë të gjerë. Është e vërtetë se njeriu ka mundësi të arrijë diturinë me anë të leximit, por jo të gjithë njerëzit dinë të lexojnë, kurse fjalët i dëgjojnë të gjithë njerëzit normalë. Kështu që edhe fëmija fillon të mësojë përmes dëgjimit. 

Dëgjimi është një prej mirësive të mëdha të Krijuesit për njeriun. Prandaj, njeriu duhet të bëjë kujdes se çfarë dëgjon. Duhet të dëgjojë ato që pëlqen Dhuruesi i dëgjimit dhe të braktisë dëgjimin e atyre që Dhuruesi i dëgjimit nuk i pëlqen, si: gënjeshtra, përgojimi, fjalë e kota, muzikën e ndaluar. Dëgjimi dhe të folurit janë të lidhura prandaj, ruaje veshin nga dëgjimi i  të keqijave, sepse ndikon në zemër

Ajeti përmend mjetin e dytë të arritjes së dijes dhe ai është “të shikuarit”. Kjo dhuratë e Allahut, të shikuarit, e lejon njeriun të vëzhgojë krijimin, të shikojë bukurinë e krijimit si dhe e çon atë drejt njohjes së Allahut, Krijuesit të gjithësisë.  Për këtë, shikimi duhet përdorur për të reflektuar, jo për mëkate.  Transmetohet nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Shikimi është një shigjetë nga shigjetat e shejtanit.”.  Një shikim i gabuar mund të ndezë një sprovë të madhe.  Kontrolli i syrit është mbrojtje e zemrës.

Mjeti i tretë i arritjes së dijes që përmend ky ajet është “zemra”, e cila është qendra e kuptimit, reflektimit dhe besimit. Ajo nuk është vetëm organ fizik, por zemra është qendra e besimit. Ajo ka nevojë për ushqim shpirtëror: lexim Kur’ani, dhikr dhe menditim. Zemra është fusha e betejës mes udhëzimit dhe devijimit.

Islami i kushton rëndësi të madhe zemrës dhe urdhëron që ajo të mbahet e pastër. Edhe shpëtimi në Jetën Tjetër varet nga pastërtia e zemrës, siç thotë Allahu i Madhëruar në suren “Esh Shuaraa”, ajetet 88-89: në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”

 Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Në trup ka një copë mishi; nëse ajo është e mirë, i gjithë trupi është i mirë; nëse ajo prishet, prishet i gjithë trupi, e ajo është zemra.”

Në këtë hadith Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na përcjell një mesazh shumë i thellë. Ai thekson se zemraështë qendra e gjithë jetës së njeriut. Nëse zemra është e pastër, e sinqertë dhe e mbushur me besim e devotshmëri, atëherë edhe veprat, fjalët dhe sjellja e njeriut do të jenë të drejta, të sinqerta dhe të mira. Por, nëse zemra prishet, me mëkate, hipokrizi, urrejtje apo lakmi, atëherë kjo prishje reflektohet në gjithë jetën dhe veprimet e tij.

Me këtë hadith Profeti ynë i dashur (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na meson që të kujdesemi për pastrimin e zemrës nga smira, mendjemadhësia, etj. Të forcojmë besimin dhe sinqeritetin, sepse çdo sjellje e jashtme është pasqyrë e gjendjes së brendshme. Zemra është “udhëheqësi” i njeriut. Nëse ajo është e drejtë, i gjithë njeriu është i drejtë dhe në Rrugë të Drejtë.

Në fund të këtij ajeti Allahu i Madhëruar  thotë: “…që të jeni falënderues.”. Falënderimi ka 3 nivele:

Falënderim me zemër: Të pranosh me gjithë zemër se gjithçka është nga Allahu.

Falënderim me gjuhë: Të thuash shpesh “Elhamdulilah”, Ty të falënderoj o Allah.

Falënderim me vepra: T’i përdorësh mirësitë e Allahut në rrugën e të mirës dhe të mirësisë.

 Nëse përdor sytë në haram, nuk je falënderues

 Nëse përdor veshët për keq, nuk je falënderues

 Nëse zemra nuk e njeh Allahun, nuk je falënderues

Profeti Muhamed ishte shembulli më i madh i falënderimit. Ai falej aq shumë sa i ënjteshin këmbët. Kur u pyet pse e bën këtë, ai tha: “A nuk duhet të jem rob falënderues?”

Ndërsa imam Aliu thotë: “Falënderimi i dhuntisë është të mos e përdorësh atë në mëkat.” Falënderimi nuk është vetëm fjalë. Ai është mënyrë jetese

Ky ajet, gjithashtu, është edhe paralajmërim sepse do të pyetemi për çdo mirësi që Allahu na ka dhënë: Si e përdore dëgjimin? Çfarë shikove me sytë? Çfarë mendove dhe besove me zemrën?

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nuk do të lëvizë robi Ditën e Gjykimit derisa të pyetet për trupin e tij si e përdori…”

Ndërsa imam Aliu thotë: “Allahu nuk i jep askujt një mirësi pa i kërkuar llogari për të.”

Padyshim pjesë e kësaj janë dëgjimi, shikimi dhe zemra, Çdo shqisë është amanet dhe çdo amanet ka llogari Prandaj, Mos u bëj mendjemadh, sepse dikur nuk dije asgjë; Dija është amanet, jo vetëm meritë; Kontrollo shqisat e tua; Pastro zemrën; Falëndero Allahun jo vetëm me fjalë, por me vepra.

Ky ajet na mëson se ne jemi krijesa të varura nga Allahu. Ai na nxori nga asgjëja. Çdo gjë që kemi është dhuratë prej Tij dhe qëndrimi ynë për këtyre dhuratave duhet të jetë falënderimi i sinqertë ndaj Dhënësit, Allahut Fuqiplot. Falënderimi i vërtetë është përdorimi i drejtë i mirësive të Allahut.

I dashur vëlla, e dashur motër!

Allahu të ka dhënë veshë që të dëgjosh të vërtetën; Të ka dhënë sy që të shohësh shenjat e Tij. Të ka dhënë zemër që ta njohësh Atë. Prandaj, mos i përdor këto mirësi kundër qëllimit për të cilin t’u dhanë.

Në ajetin 18 të sures “En Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَإِن تَعُدُّوا نِعْمَةَ اللَّهِ لَا تُحْصُوهَا ۗ إِنَّ اللَّهَ لَغَفُورٌ رَّحِيمٌ﴾

“Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i llogarisnit ato. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.”

Sipas, këtij ajeti mirësitë e Allahut janë të panumërta dhe të pakapshme për t’u numëruar, prandaj njeriu duhet të jetë mirënjohës dhe të mos harrojë se Ai është gjithmonë Falës dhe Mëshirëplotë.

O Allah, na bëj prej falënderuesve të mirësiive të Tua, prej atyre që punojnë me bindje ndaj Teje, dhe mos na bëj prej të shkujdesurve! O Allah, mos i bëj veshët tanë veçse në bindjen Tënde, as sytë tanë veçse në kënaqësinë Tënde, dhe zemrat tona veçse të lidhura me Ty!