Pozita e dëshmorëve në islam

Në ajetet 169- 171 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:

وَلاَ تَحْسَبَنَّ الَّذِينَ قُتِلُواْ فِي سَبِيلِ اللّهِ أَمْوَاتًا بَلْ أَحْيَاء عِندَ رَبِّهِمْ يُرْزَقُونَ ﴾. ﴿فَرِحِينَ بِمَا آتَاهُمُ اللّهُ مِن فَضْلِهِ وَيَسْتَبْشِرُونَ بِالَّذِينَ لَمْ يَلْحَقُواْ بِهِم مِّنْ خَلْفِهِمْ أَلاَّ خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلاَ هُمْ يَحْزَنُونَ﴾. ﴿يَسْتَبْشِرُونَ بِنِعْمَةٍ مِّنَ اللّهِ وَفَضْلٍ وَأَنَّ اللّهَ لاَ يُضِيعُ أَجْرَ الْمُؤْمِنِينَ﴾

“Mos i konsideroni të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë te Zoti i tyre dhe furnizohen.”

“Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga të mirat e Tij dhe gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas).”

“Ata gëzohen me dhuntitë dhe mirësinë e Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.”

Në Islam, martirizimi nuk është thjesht një vdekje në fushëbetejë, por një gradë e lartë e afërsisë me Allahun. Dëshmori nuk konsiderohet i vdekur si të tjerët. Ai kalon në një jetë të veçantë shpirtërore dhe nderohet me pozitë të lartë në Botën Tjetër.

Allahu i Madhëruar e ka përmendur qartë këtë realitet në Kur’anin e Shenjtw. Gjithashtu, edhe Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) edhe imamët e Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) e kanë sqaruar madhështinë gradës së dëshmorëve.

Sipas Islamit, dëshmorët janë të gjallë tek Allahu. Këtë e dëshmon ajeti 169 në suren “Ali Imran”, i cili thotë: “Mos i konsideroni të vdekur ata që janë vrarë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë te Zoti i tyre dhe furnizohen.”

Ky ajet është themelor në besimin islam për dëshmorët. Ai tregon qartë se ata nuk shuhen me vdekje, por vazhdojnë një jetë të veçantë dhe furnizohen nga Allahu në një mënyrë që ne nuk e kuptojmë.

Dëshmorët janë të gëzuar për shpërblimin e tyre. Këtë e dëshmon ajeti 170 në suren “Ali Imran”, i cili thotë: “Ata janë të gëzuar për atë që Allahu u ka dhënë nga mirësia e Tij…”. Dëshmorët nuk ndjejnë humbje, por gëzim të madh shpirtëror, sepse kanë arritur kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.

Dëshmorët jo vetëm që janë të gëzuar por: “…gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas).”

Nga kjo thënie e ajetit kuptojmë se dëshmorët gëzohen jo vetëm për shpërblimin e tyre, por edhe për vëllezërit e tyre që ende janë gjallë, duke i siguruar se ata që qëndrojnë në rrugën e Allahut nuk kanë arsye të kenë frikë për të ardhmen dhe as të pikëllohen për të kaluarën, sepse i pret siguria, mëshira dhe shpërblimi I Allahutt ë Madhëruar

Ata janë të janë të bindur se Allahu nuk ua humb shpërblimin, siç thotë ajeti 171 në suren “Ali Imran”: “Ata gëzohen me dhuntitë dhe mirësinë e Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.”, Pra, besimtarët gëzohen me begatitë dhe mëshirën e Allahut, duke qenë të sigurt se çdo vepër e mirë që bëjnë nuk humbet kurrë, sepse Allahu është i drejtë dhe i shpërblen patjetër ata që besojnë dhe veprojnë mirë.

Hadithet e Profetit dhe Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) për dëshmorët

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Dëshmori tek Allahu ka gjashtë veçori: i falen mëkatet që në pikën e parë të gjakut, sheh vendin e tij në Xhenet, mbrohet nga dënimi i varrit…”

Po ashtu ai ka thënë: “Mbi çdo të mirë ka një mirësi tjetër, përveç martirizimit në rrugën e Allahut.”

Kjo tregon se martirizimi është kulmi i besimit dhe nuk ka gradë më të lartë pas sinqeritetit të plotë ndaj Allahut.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Betohem në Allahun, vdekja në rrugën e Allahut është më e nderuar se jeta në poshtërim.”

Kjo fjalë tregon qartë filozofinë e Ehli Bejtit se nderi dhe dinjiteti i besimit janë mbi jetën materiale, dhe sakrifica për të vërtetën, për lirinë, për mbrojtjen e vendit është rruga e lartë.

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), shembulli më i madh i martirizimit në Islam. Me sakrificën e tij në Kerbela, e bëri të qartë se feja ruhet me gjak të pastër dhe e vërteta nuk mbrohet me heshtje përballë padrejtësisë.

Nga Kur’ani i Shenjtë dhe tradita islame kuptojmë se dëshmori nuk vdes në kuptimin e zhdukjes. Ai kalon në një jetë më të lartë. Është i nderuar tek Allahu dhe ndërmjetëson për të tjerët me lejen e Tij. Martirizimi është sakrificë për të vërtetën, mbrojtje e drejtësisë, dhe kulm i sinqeritetit ndaj Zotit.

Cilat janë detyrat ndaj dëshmorëve?

Siç e thamë edhe më lart, pozita e dëshmorëve në Islam është ndër më të lartat. Kur’ani i përshkruan si të gjallë dhe të begatuar, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ka quajtur dëshmorë njerëzit më të privilegjuar pas profetëve. Ndërsa imamët e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) e kanë jetuar këtë realitet me sakrificën më të madhe në histori, sepse tëgjithë imamët duke filluar nga imam Aliu e deri te imam Hasan Askeriu (Paqja qoftë mbi ta!) janë martirizuar ose me tehun e shpatës ose të helmuar nga dora mëkatare e barbare e dinastive emevite dhe abasite. Prandaj mesazhi për ne në martirizimin e tyre është i qartë: të jetojmë me dinjitet, të mbrojmë të vërtetën, të mbrojmë vendin dhe të jemi të gatshëm për sakrificë për hir të Allahut, qoftë me jetë, qoftë me veprat tona.

Ne kemi detyra morale, fetare dhe shoqërore ndaj dëshmorëve. Këto detyra nuk janë thjesht emocionale, por pjesë e respektit ndaj vlerës së sakrificës së tyre. Prej detyrave ndaj dëshmorëve janë:

E para: Lutja për ta 

Një nga detyrat e rëndësishme është të lutemi për ta dhe për familjet e tyre. Të kërkojmë mëshirë për ta nga Allahu. Të kërkojmë ngritjen e gradave të tyre në Xhennet dhe të mos i harrojmë në lutjet tona. Kur’ani na mëson të lutemi për besimtarët që kanë kaluar para nesh: “Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që na paraprinë në iman…”

E dyta: Ruajtja e kujtimit dhe vlerës së tyre

Detyrë e shoqërisë është: Të mos harrohet sakrifica e dëshmorëve. Të ruhet historia e tyre me respekt dhe drejtësi. Të përkujtohen si shembuj sakrifice dhe besimi. Harresa e dëshmorëve është dobësim i vetë ndërgjegjes së shoqërisë.

E treta: Mbrojtja e qëllimit për të cilin ranë

Dëshmorët zakonisht japin jetën për: drejtësi, vatan, besim, mbrojtje të të pafajshmëve, liri dhe dinjitet Prandaj, detyra jonë është: të mos e tradhtojmë atë ideal; të mos e shtrembërojmë kauzën e tyre dhe të vazhdojmë vlerat për të cilat ata sakrifikuan

E katërta: Kujdesi për familjet e dëshmorëve

Në etikën islame dhe njerëzore thuhet që të respektohen familjet e dëshmorëve. Të ndihmohen ekonomikisht dhe moralisht dhe të mos lihen në harresë apo neglizhencë. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofdhin mbi të dhe mbi familjen e tij!)) ka treguar kujdes të veçantë për familjet e martirëve dhe të të rënëve në rrugën e Allahut.

E pesta: Marrja mësim dhe frymëzim nga sakrifica e tyre

Dëshmorët nuk janë vetëm për t’u kujtuar, por për t’u marrë si shembull për guxim, për sinqeritet në besim fhe për qëndrueshmëri në të vërtetën. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vlera e njeriut matet me atë për të cilën ai sakrifikon.” Vlera e vërtetë e njeriut nuk matet me fjalët apo pretendimet e tij, por me atë që ai është i gatshëm të japë dhe të sakrifikojë për ideale të larta. Sa më e madhe dhe më e pastër të jetë sakrifica për të vërtetën, drejtësinë dhe besimin, aq më e lartë është vlera e tij.

E gjashta: Ruajtja e unitetit dhe mosshfrytëzimi i gjakut të dëshmorëve për përçarje

Një detyrë shumë e rëndësishme është të mos përdoret sakrifica e dëshmorëve për interesa personale apo politike. Të mos shkaktohet përçarje në shoqëri në emër të tyre dhe të ruhet uniteti dhe drejtësia.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Detyrat tona ndaj dëshmorëve përmblidhen në tre boshtet kryesore:

1- Lutje dhe respekt shpirtëror

2- Ruajtje e kujtimit dhe vlerës së tyre

3- Vazhdim i rrugës për të cilën ata sakrifikuan

Dëshmorët nuk kanë nevojë për ne në kuptimin material, por ne kemi nevojë për ta, për të mos harruar çfarë do të thotë besim, dinjitet dhe sakrificë.

Si përfundim, në Islam dëshmorët zënë një pozitë të lartë dhe të nderuar, sepse ata sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, për të vërtetën, drejtësinë dhe mbrojtjen e fees e të vendit. Ata nuk konsiderohen të vdekur, por të gjallë pranë Allahut, të mbuluar me mëshirë dhe të shpërblyer me begati të përjetshme. Pozita e tyre është një thirrje e fuqishme për besimtarët që të jetojnë me parime, të qëndrojnë të palëkundur përballë sfidave dhe të jenë të gatshëm të japin nga vetja për kauza të drejta. Kujtimi i dëshmorëve nuk është vetëm nderim për të kaluarën, por edhe frymëzim për të ndërtuar një të ardhme me besim, drejtësi dhe sakrificë në rrugën e Allahut.

Në ajetin 19 të sures “El Hadijd” Allahu I Madhëruar thotë:

{ وَالَّذِينَ آمَنُوا بِاللَّهِ وَرُسُلِهِ أُولَٰئِكَ هُمُ الصِّدِّيقُونَ ۖ وَالشُّهَدَاءُ عِندَ رَبِّهِمْ لَهُمْ أَجْرُهُمْ وَنُورُهُمْ ۖ…}

“Ata që besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij, pikërisht ata janë njerëzit e sinqertë dhe dëshmorët te Zoti i tyre shpërblimin dhe dritën e tyre.”

Allahu i shpërbleftë me të mirat e Tij dëshmorët! Qofshin të paharruar!