Feja është udhërrëfyesi që e ndihmon njeriun të njohë Krijuesin, të kuptojë qëllimin e jetës dhe të ndërtojë një jetë të mbushur me besim, moral dhe drejtësi. Por lind pyetja: Cili është thelbi i vërtetë i fesë? A qëndron ajo vetëm në adhurime dhe rite, apo në diçka më të thellë që lidhet me zemrën, dashurinë, devotshmërinë dhe marrëdhënien e njeriut me Allahun dhe me të tjerët? Këtyre pyetjeve do të përpiqemi t’u japim përgjigje nga Kur’ani i Shenjtë.
Në ajetin 5 të sures “El Bejjineh” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلَاةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ ۚ وَذَٰلِكَ دِينُ الْقَيِّمَةِ﴾
“E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.”
Ky ajet përmbledh thelbin e fesë islame në mënyrë shumë të qartë.
Eruditi dhe komentuesi i madh Sejid Muhamed Husejn Tabatabai (Allahu e mëshiroftë) në Tefsirin e tij “El Mijzan” e shpjegon këtë ajet si një përmbledhje thelbësore e të gjithë fesë së Allahut dhe si boshti i saj i vërtetë.
Sejid Tabatabai thekson se shprehja “që ta adhurojnë Allahun me sinqeritet (mukhlesijne)” nuk është thjesht një kusht moral, por është vetë esenca e fesë.
Ai sqaron se adhurimi i vërtetë nuk pranon në asnjë formë ortakëri (shirk). Fjala “Ikhlas” do të thotë që njeriu e drejton gjithë jetën dhe adhurimin vetëm për Krijuesi, Allahun e Madhëruar, pa e ndarë qëllimin me asgjë tjetër.
Eruditi Sejid Tabatabai e trajton ftermin “ed dijn”, fe, në mënyrë shumë më të thellë se kuptimi i zakonshëm “ligj fetar”. Ai nuk e sheh fenë thjesht si grumbull rregullash, por si strukturë ekzistence dhe orientim ontologjik të njeriut.
Sipas Sejid Tabatabait, fjala “ed dijn, fe” në Kur’an nuk nënkupton vetëm rituale, ligje juridike, urdhresa dhe ndalesa, por në thelb do të thotë: Gjendja e nënshtrimit dhe drejtimi i gjithë jetës së njeriut ndaj një realiteti absolut, Allahut. Pra Feja është mënyra si njeriu e kupton botën, mënyra si jeton dhe qëllimi i ekzistencës së tij
Sejid Tabatabai thekson një ide shumë të rëndësishme që shtë: Feja e vërtetë është në përputhje me “sistemin e krijimit” dhe jo kundër tij.
Kjo do të thotë se njeriu është krijuar me një prirje të brendshme drejt Zotit dhe Feja drejtë është kur jeta ecën sipas kësaj prirjeje natyrore (el fitratu). Prandaj ajeti thotë: “dinul kajjimeh”, që do të thotë: Feja që qëndron drejt, sepse është në harmoni me realitetin.
Tabatabai e ndan strukturën e fesë në dy boshte:
Boshti i parë: Lidhja me Allahun që arrihet nëpërmjet adhurimit të pastër dhe me sinqeritet për këtë namazi është shprehja praktike e kësaj lidhjeje.
Boshti i dytë: Lidhja me krijesat, me njeriun dhe shoqërinë që arrihet përmes zekatit, drejtësisë sociale dhe përgjegjësisë ndaj të tjerëve
Pra, Feja nuk është vetëm shpirtërore, por ekuilibër mes qiellit dhe tokës. Krijuesit dhe krijesës.
Sejid Tabatabai thotë se feja nuk është vetëm “të bësh veprime fetare” por është gjendje e brendshme e zemrës dhe e mendjes. Nëse zemra nuk është e lidhur me Krijuesin e saj, atëherë, namazi bëhet formë pa shpirt dhe zekati bëhet formalitet. Prandaj Kur’ani thotë: “të adhurojnë Allahun me sinqeritet”.
Feja e drejtë është përputhja mes të brendëshmes dhe të dukshmes. Kur brendësia, pra besimi i pastër, dhe e dukshmja, pra, veprat e drejta, namazi dhe zekati, bashkohen, njeriu bëhet “i drejtë, hanijf siç thotë ajeti”. Kjo do të thotë se bëhet i qëndrueshëm dhe i balancuar.
Feja(ed dijnu), sipas Sejid Tabatabait, është sistemi i jetës që e lidh njeriun me realitetin e krijimit të tij. Njeriu fetar e di nga ka ardhur, pse ka ardhur dhe ku do të shkojë.
Në këtë ajet, sipas Sejid Tabatanait, Kur’ani thotë se: Feja e vërtetë është kthimi i plotë i njeriut te Allahu me sinqeritet, duke pastruar besimin nga çdo idhujtari (shirk), dhe duke e shprehur këtë besim në jetën praktike përmes adhurimit (namazit) dhe drejtësisë sociale (zekatit). Pra, feja nuk është vetëm vepra rituale, por orientim i plotë ekzistencial drejt Krjuesit.
Fjalën “hunefau”, që përmendet në këtë ajet, Sejid Tabatabai e shpjegon si kthim nga çdo devijim, largim nga çdo formë idhujtarie, dhe, kthim në natyrshmërinë e pastër të njeriut (el fitratu). Sipas tij, feja e Ibrahimit nuk është një fe e re në kuptimin historik, por është forma origjinale e fesë së njeriut, e cila përputhet me krijimin e tij.
Sejid Tabatabai vëren se ajeti përmend tre elementë kryesorë:
I pari: Teuhidi dhe sinqeriteti në adhurim (thelbi i besimit)
I dyti: Namazi, lidhja vertikale me Allahun.
I treti: Zekati, drejtësia sociale dhe lidhja me njerëzit.
Ai thekson se këto nuk janë thjesht detyra të veçanta, por përfaqësojnë strukturën e plotë të jetës fetare: lidhja me Zotin nëpërmjet namazit dhe lidhja me shoqërinë nëpërmjet zekatit.
Sipas Sejid Tabatabai, fjalia në fund të ajetit “dhalike dijnul kajjimeh , Kjo është feja e drejtë” do të thotë se: Kjo fe qëndron e drejtë në natyrën e njeriut, nuk devijon dhe është në harmoni me realitetin e krijimit. Pra “feja e drejtë” nuk është vetëm një emër, por një sistem i qëndrueshëm që përputhet me realitetin e ekzistencës.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Feja është sinqeritet, jo vetëm formë. Allahu nuk kërkon vetëm veprime të jashtme, por zemër të pastër dhe qëllim të drejtë. Një vepër e vogël me sinqeritet vlen më shumë se shumë vepra pa të. Feja e vërtetë bashkon spiritualitetin dhe shoqërinë.
Lind pyetja: Si duhet të praktikohet sot ky ajet?
Praktikimi i këtij ajeti bëhet duke ndjekur disa rrugë:
E para: Duke pastruar qëllimin (nijetin) tonë çdo ditë. Para çdo vepre pyet veten: “Për kë po e bëj këtë?” Nëse është për Allahun, vazhdo. Nëse është për ego, lavdi apo njerëz, rregullo qëllimin.
E dyta: Ta forcojmë namazin si lidhje reale me Allahun. Ta falim me përqendrim, me kuptim të fjalëve dhe me ndikim në fjalë, në vepra dhe në sjellje. Pra, namazi ynë të na largojë nga e keqja, e shëmtuara dhe e ndyta.
E treta: Të mos e ndajmë fenë nga shoqëria. Zekati sot përfshin ndihmën ndaj të varfërve, solidaritetin, drejtësinë financiare dhe shoqërore dhe mosneglizhimin e nevojtarëve.
E katërta: Të jetojmë me “fenë e pastër”. Kjo do të thotë të jetojmë pa hipokrizi, pa shtirje fetare, pa përzierje të fesë me interesa personale dhe të jetojmë me besim të pastër, të sinqertë dhe të qëndrueshëm.
E pesta: Të bashkojmë adhurimin me karakterin. Ky ajet nuk pranon ndarje mes: njeriut që falet dhe njeriut që sillet keq. Feja e drejtë është kur adhurimi reflektohet në moral, drejtësi dhe sjellje të pastër.
Ky ajet na mëson se feja e vërtetë është sinqeritet në adhurim, besim i pastër në Allahun, namaz i drejtë dhe zemërgjerësi, solidaritet, dhembshuri dhe përgjegjësi ndaj njerëzve
Në përmbyllje të atyre që përmendëm mund të thuhet se thelbi i fesë nuk qëndron vetëm në rituale apo fjalë, por qëndron në lidhjen e sinqertë me Allahun, në pastërtinë e zemrës, në moralin e mirë dhe në shërbimin ndaj njerëzve.
Feja është dritë që e udhëzon njeriun drejt së vërtetës, drejtësisë, mëshirës dhe devotshmërisë. Sa më shumë që njeriu afrohet me Allahun përmes besimit, adhurimit dhe veprave të mira, aq më shumë ai e kupton kuptimin e vërtetë të fesë dhe lumturinë e kësaj bote dhe të Botës Tjetër.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
﴿إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِندَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ﴾
“Vërtet, më i nderuari ndër ju tek Allahu është ai që është më i devotshëm.”
(Sure “El Huxhurat, ajeti 13).
Ndërsa Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Feja është moral i mirë.” (“Biharul Enuar”, vëll. 68, f. 382)
Ndërsa imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “A nuk është feja tjetër veçse dashuri?” (Sejid Husejn El Buruxherdi, “Xhamiul Ehadithi Shi’a”, vëll. 26, f. 716.)
Nga këto thënie të Allahut, të Profetit dhe të imam Sadikut sqarohet se feja nuk e pranon dhunën, terrorin, vrasjen, uzurpimin, shkatërrimin, rracizmin, padrejtësinë, fyerjen, shkeljen e të drejtave, përçmimin, përdhosjen e dinjitetit. Kushdo që e akuzon fenë, ai është injorant i madh për të vërtetën e fesë.
Prandaj, sa herë që feja e bën njeriun më të sinqertë, më të drejtë, më të mëshirshëm dhe më të afërt me Allahun, atëherë ai ka kuptuar dhe jetuar thelbin e saj të vërtetë.
Në ajetin 30 të sures “Err Rrum” Allahu I Madhëruar thotë:
﴿ فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ حَنِيفًا ۚ فِطْرَتَ اللَّهِ الَّتِي فَطَرَ النَّاسَ عَلَيْهَا ۚ لَا تَبْدِيلَ لِخَلْقِ اللَّهِ ۚ ذَٰلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ وَلَٰكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لَا يَعْلَمُونَ﴾
“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”
O Zoti ynë! Na i forco zemrat tona në fenë Tënde! Na dhuro mëshirë dhe na fal e na mëshiro në Ditën kur do të dalim para Teje! Vërtet, Ti je Falës i Madh dhe Mëshirues!

