Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun që të jetojë në këtë botë si udhëtar dhe kalimtar, ndërsa vendqëndrimi i përhershëm i tij është Ahireti. Dynjaja është vendi i provës, i sprovave, i zgjedhjeve dhe i mbjelljes së veprave, kurse Ahireti është vendi ku njeriu do të korrë atë që ka mbjellë me duart e veta.
Sa shumë njerëz janë mashtruar nga bukuritë kalimtare të kësaj bote, duke harruar se çdo gjë që shohin do të zhduket, ndërsa ajo që është tek Allahu mbetet përgjithmonë. Allahu thotë në Kur’anin Famëlartë:
“Dijeni se jeta e kësaj bote është vetëm lojë, argëtim, stoli, mburrje mes jush dhe garim në pasuri e fëmijë. Ajo është si shembulli i shiut, prej të cilit bima i mahnit bujqit, pastaj thahet dhe e sheh të verdhë, pastaj bëhet copë-copë. Ndërsa në Ahiret ka dënim të ashpër dhe falje nga Allahu e kënaqësi. Jeta e kësaj bote nuk është tjetër veçse mashtrim kalimtar.” (Surja El-Hadid, ajeti 20)
Ky ajet e përshkruan dynjanë si diçka të përkohshme, që ndryshon shpejt, ashtu si lulja që çel dhe më pas thahet. Njeriu shpesh lidhet aq fort pas saj, sa harron varrin, Ditën e Gjykimit dhe takimin me Zotin e tij. Por besimtari i vërtetë e shikon dynjanë si një urë drejt Ahiretit dhe jo si vendbanim të përhershëm.
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë:
“Ji në këtë botë sikur të jesh i huaj ose një udhëtar kalimtar.”
Ky hadith e zgjon zemrën e besimtarit që të mos mashtrohet nga rehatia, pasuria dhe dëshirat e dynjasë. Udhëtari nuk ndërton pallate në rrugë, por mendon për destinacionin e tij. Po kështu edhe besimtari duhet të kujtojë se rruga e tij përfundon në Ahiret.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) ka thënë në “Bihar al-Anwar”: “Dynjaja është shtëpia e kalimit, ndërsa Ahireti është shtëpia e qëndrimit. Merrni nga vendi juaj i kalimit për vendin tuaj të qëndrimit.”
Sa fjalë madhështore që përmbledhin të gjithë kuptimin e jetës! Njeriu duhet të përfitojë nga ditët, rinia, shëndeti dhe pasuria për të grumbulluar vepra të mira para se të vijë dita kur pendimi nuk do të bëjë më dobi. Allahu thotë në Kur’anin Famëlartë:
“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe vetëm në Ditën e Kiametit do t’ju jepen plotësisht shpërblimet tuaja.” (Surja Ali Imran, ajeti 185)
Vdekja është e vërteta që askush nuk mund ta shmangë. Mbretërit, të pasurit, të fuqishmit dhe të varfrit, të gjithë do të largohen nga kjo botë. Njeriu hyn në dynja me duar bosh dhe largohet prej saj duke marrë vetëm veprat e tij. Në varr nuk e shoqëron pasuria, fama apo pushteti, por namazi, sinqeriteti, sadakaja dhe morali i mirë.
Imam Xhafer Sadiku (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Dynjaja është si uji i detit; sa më shumë pi prej tij i eturi, aq më shumë i shtohet etja derisa ta vrasë.”
Kjo është natyra e dynjasë. Dëshirat e saj nuk përfundojnë kurrë. Njeriu kërkon pasuri dhe nuk ngopet, kërkon pozitë dhe përsëri mbetet i pakënaqur. Ahireti është jeta e vërtetë dhe e përhershme. Aty nuk ka lodhje, padrejtësi apo vdekje për besimtarët. Allahu thotë në Kur’anin Famëlartë: “Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër veçse dëfrim dhe lojë, ndërsa jeta e Ahiretit është jeta e vërtetë, sikur ta dinin.” (Surja El-Ankebut, ajeti 64)
Kur njeriu e kupton këtë të vërtetë, ai fillon të jetojë ndryshe. Ai nuk e braktis dynjanë, por e përdor atë për të fituar Ahiretin. Islami nuk kërkon që njeriu të largohet nga jeta, por që zemra e tij të mos robërohet prej saj. Pasuria në dorë është mirësi, por pasuria në zemër mund të bëhet shkatërrim.
Allahu i Madhëruar na ka paralajmëruar: “O ju që besuat! Mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote dhe mos ju mashtrojë djalli për Allahun.” (Surja Lukman, ajeti 33)
Mashtrimi më i madh i dynjasë është ta bëjë njeriun të harrojë Ahiretin. Djalli i zbukuron mëkatet, krenarinë dhe lakminë derisa zemra të verbohet. Por zemra që kujton Allahun dhe vdekjen mbetet zgjuar.
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë:
“Kujtojeni shpesh shkatërruesen e kënaqësive (vdekjen).”
Kujtimi i vdekjes nuk e bën njeriun të dëshpëruar, por e bën më të vetëdijshëm. Ai fillon të falë namazin me përkushtim, të largohet nga padrejtësia dhe të përgatitet për takimin me Allahun. Sepse çdo ditë që kalon është një hap më afër Ahiretit.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të) thotë:“Sot është dita e punës dhe nuk ka llogari, ndërsa nesër është dita e llogarisë dhe nuk ka punë.”
Sa e madhe është kjo urtësi! Sot kemi mundësi të pendohemi, të falim, të japim sadaka dhe të ndryshojmë jetën tonë. Nesër, në Ditën e Gjykimit, do të mbetet vetëm llogaria.
Prandaj besimtari duhet ta ndërtojë jetën e tij mes frikës dhe shpresës; frikës nga humbja e Ahiretit dhe shpresës në mëshirën e Allahut. Dynjaja është e shkurtër, ndërsa Ahireti është i pafund. Lum ai që e përdor këtë jetë si rrugë drejt kënaqësisë së Allahut dhe jo si pengesë që e largon prej Tij.
Allahu na bëftë prej atyre që nuk mashtrohen nga bukuritë kalimtare të dynjasë, por që punojnë për jetën e përhershme të Ahiretit, nën dritën e Kur’anit dhe udhëzimit të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe Ehli Bejtit të tij të pastër.
MA. Isra Merja

