Në ajetet 6- 8 të sures “El Infitar” Allahu i Madhëruar thotë:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلۡإِنسَٰنُ مَا غَرَّكَ بِرَبِّكَ ٱلۡكَرِيمِ (6) ٱلَّذِي خَلَقَكَ فَسَوَّىٰكَ فَعَدَلَكَ (7) فِيٓ أَيِّ صُورَةٖ مَّا شَآءَ رَكَّبَكَ
“O njeri, ç’të mashtroi ty ndaj Zotit tënd bujar, i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi dhe, që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?!”
Sa reale janë këto ajete me realitetin e sotëm ku shohim shumë njerëz jetojnë larg Krijuesit të tyre përshkak të mashtrimeve të ndryshme. Kuptimi i fjalës “el gurur”, që përmendet në ajet, është çdo gjë që e mashtron dhe e gënjen njeriun për ta larguar nga Krijuesi i tij.
Këto ajete përmbajnë një thirrje të fuqishme për vetëdijesim, falënderim dhe kthim tek Allahu. Allahu i drejtohet njeriut me një pyetje që prek zemrën dhe ndërgjegjen duke i thënë: “O njeri, ç’të mashtroi ty ndaj Zotit tënd bujar, i Cili të krijoi, të përsosi dhe të harmonizoi, dhe të dha çfarëdo forme që deshi?”
Në këto ajete Allahu i Madhëruar ia kujton njeriut kush e krijoi, kush ia dha formën, kush e ndërtoi trupin dhe shpirtin me harmoni dhe kush i dha pamjen, aftësitë dhe karakteristikat që posedon.
Megjithatë, njeriu shpesh bëhet i pakujdesshëm ndaj Krijuesit, bie në mëkate, mendjemadhësi ose harresë. Prandaj Allahu e pyet: Çfarë të mashtroi? Çfarë të bëri të largohesh nga bindja dhe mirënjohja ndaj Zotit tënd?
Edhe këto ajete, si të gjitha ajetet e Kur’anit përmbajnë mesazhe dhe mësime që janë të vlefshme për të gjithë njerëzit, në çdo kohë dhe në çdo vend, sepse Allahu është Krijuesi i njerëzve në çdo kohë dhe në çdo vend.
Prej mesazhe dhe mësimeve të këtyre ajeteve janë:
Mësimi i parë: Mashtrimi më i madh është harresa e Allahut
Ajeti nuk thotë: “kush të mashtroi?” por thotë: “çfarë të mashtroi?”
Kjo përfshin: dynjanë, epshin, shejtanin, pasurinë, forcën, rininë, ose shpresën e rreme se njeriu mund të jetojë pa llogari.
Njeriu ndonjëherë e mashtron veten e vet me mendimin se “Allahu është Falës”, dhe vazhdon në mëkate pa pendim. Mirëpo, që Allahu ta falë njeriun, në Islam përmenden disa kushte dhe hapa të rëndësishëm. Vërtet, Allahu është shumë Falës dhe Mëshirues, por falja lidhet me sinqeritetin dhe kthimin e vërtetë tek Ai. Kushtet kryesore janë: Pranimi i gabimit dhe pendimi i sinqertë. Njeriu duhet ta pranojë mëkatin dhe të ndiejë keqardhje të vërtetë për atë që ka bërë. Pendimi vetëm me fjalë nuk mjafton pa pendim të zemrës.Largimi nga mëkati Duhet ta ndalojë mëkatin dhe të mos vazhdojë në të. Nuk ka kuptim të kërkojë falje ndërsa vazhdon me vetëdije në të njëjtin gabim. Vendimi për të mos u kthyer më në atë mëkat. Njeriu duhet të ketë vendosmëri të sinqertë që të mos e përsërisë mëkatin, edhe nëse më vonë dobësohet përsëri. Kërkimi i faljes nga Allahu (istigfari). Të kërkojë falje me lutje dhe përulësi, si:
“Estagfirullah ue etubu ilejh” (Kërkoj falje nga Allahu dhe pendohem tek Ai). Kthimi i të drejtave njerëzve, nëse u është bërë padrejtësi. Nëse mëkati lidhet me të drejtat e njerëzve, si padrejtësi, shpifje, vjedhje apo borxh — duhet të kërkojë hallallëk ose t’ua kthejë të drejtat. Pendimi para se të vijë vdekja ose Dita e Gjykimit Pendimi pranohet derisa njeriu është gjallë dhe dera e pendimit është e hapur.
Mësimi i dytë: Allahu e përshkruan Veten si “Bujar” para qortimit
Allahu mund të thoshte: “Ç’të mashtroi ndaj Zotit tënd të Fuqishëm apo Ndëshkues?” Por, Ai tha: “Zotit tënd bujar”. Kjo tregon: butësinë dhe mëshirën e Allahut, dhe se mosbindja ndaj Zotit kaq bujar është edhe më e rëndë. Kjo thënie prek zemrën e besimtarit, i cili gjithmonë thotë: Si mund të harrohet Ai që më dha gjithçka? Ai që më dha jetën dhe më pajisi me gjithçka që më nevojitet në këtë jetë, më ka dalluar nga krijesat e tjera dhe më ka lartësuar e fisnikëruar?!
Mësimi i tretë: Njeriu është krijuar me urtësi dhe harmoni
Ajeti 7, prej ajetevenë fjalë, thotë: “…i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi…”
Ajeti përmend tri etapa:
E para: Krijimi, ekzistenca nga asgjëja. Këtë e sqaron ajeti i parë në suren “Insan”, në ë cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a nuk ka kaluar një periudhë kohore, kur njeriu nuk ka qenë qenie e denjë për t’u përmendur?! Ky ajet na thotë se njeriu duhet të kujtojë origjinën dhe pafuqinë e tij, sepse ka qenë një kohë kur ai nuk ekzistonte fare. Prandaj, nuk duhet të bëhet mendjemadh, por të jetë mirënjohës ndaj Allahut për krijimin dhe begatitë që i ka dhënë.
E dyta: Përsosja e formës, që ka kuptimin e pajisjes me organet, gjymtyrët, mendjen, shqisat, sistemet e ndryshme të trupit. Në trupin e njeriut, zakonisht, përmenden 11 sisteme kryesore organesh, që janë: Sistemi skeletor (kockat dhe struktura mbështetëse); Sistemi muskulor (muskujt dhe lëvizja); Sistemi nervor (truri, palca kurrizore, nervat); Sistemi i qarkullimit të gjakut (zemra dhe enët e gjakut); Sistemi respirator (mushkëritë dhe frymëmarrja); Sistemi tretës (stomaku, zorrët, tretja e ushqimit); Sistemi urinar (veshkat dhe eliminimi i mbetjeve); Sistemi endokrin (hormonet dhe gjëndrat); Sistemi riprodhues (organet riprodhuese); Sistemi limfatik/imunitar (mbrojtja e trupit); Sistemi i lëkurës (tegumentar) (lëkura, flokët, thonjtë). Të gjitha këto sisteme punojnë dhe funksionojnë në harmoni, balacnë dhe përshtatje perfekte në trupin e njeriut.
E treta: Harmonizimi, i cili ka kuptimin e pranisë së balancës dhe përshtatjes perfekte mes pjesëve të trupit dhe shpirtit. Çdo pjesë e njeriut është shenjë e urtësisë së Allahut, Krijuesit të Ploftfuqishëm e të Gjithëditur.
Mësimi i katër: Forma dhe personaliteti janë zgjedhje të Allahut
Ajeti thotë: “dhe të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur”. Këtu përfshihet gjinia, pamja, zëri, aftësitë, karakteristikat, të cilat janë pjesë e urtësisë së Allahut. Kjo i mëson njeriut që të mos jetë mendjemadh për bukurinë, të mos përçmojë të tjerët dhe të jetë i kënaqur me caktimin e Krjuesit, Allahut Fuqiplot e të Urtë.
Mësimi i pestë: Trupi i njeriut është argument për ekzistencën e Allahut
Këto ajete ftojnë në meditim: Si funksionon zemra? Si sheh syri? Si mendon truri? Si bashkëpunojnë miliarda qeliza?
Në fund të meditimit del konkluzioni se kjo harmoni nuk është rastësi, por shenjë e Krijuesit të Plotfuqishëm të Urtë e të Gjithëdijshëm.
Mësimi i gjashtë: Njeriu duhet të jetë falënderues dhe i përulur
Kur njeriu kupton se nuk e krijoi vetveten, nuk e zgjodhi lindjen e tij, as formën e tij, atëherë largohet mendjemadhësia dhe në të lind përulësia, falënderimi dhe bindja ndaj Krijuesit, Allahutt ë Plotfuqishëm.
Këto ajete sikur i thonë njeriut: O njeri! Shiko sa shumë të ka dhënë Allahu: Të dha jetë, formë, mendje, zemër, sy, dëgjim, fuqi, ndjenja, e të tjera mirësi, atëherë pse largohesh prej Tij? Çfarë të mashtroi që të mos i bindesh, të mos i besosh dhe të mos e falënderosh?! Mos u mashtro nga kjo botë dhe mos u mashtro nga shpresat e rreme që të bëjnë të braktisësh adhurimin dhe pendimin. Ji i vetëdijshëm se ka një ditë llogarie të vërtetë.
Këto ishin gjashtë mësime prej mësimeve të shumta të këtyre ajeteve të begata.
Si t’i zbatojmë këto ajete në jetën tonë?
Siç e dimë Allahu e zbriti Kur’anin që të lexohet, të kuptohet dhe të zbatohet në jetë. Ai nuk e zbrit Kur’anin që të mbahet në shtëpi për bereqet, apo në makinë për mbrojtje. Kur’ani është Libri i jetës që do të thotë se ai është busulla më e mirë për jetën dhe udhëzuesi dhe udhërrëfyesi më mirë në jetë. Prandaj, është detyrë jo vetëm e myslimanëve, të cilët janë më parësorët për zbatimin e Kur’anit, por është detyrë e të gjithë njerëzve që ta zbatojnë Kur’anin ë jetën e tyre sepse Kur’ani është Libri i Krijuesitt ë mbarë njerëzinit.
Këto tre ajete në suren “El Infitar” duhet të zbatohen në këtë mënyrë:
Të meditojmë më shumë mbi krijimin tonë.
Të falënderojmë Allahun për trupin dhe shëndetin.
Të mos mashtrohemi nga dynjaja.
Të mos i përdorim mirësitë e Allahut në mëkate.
Të kemi turp nga mosbindja ndaj një Zoti kaq Bujar.
Të shtojmë adhurimin dhe përulësinë dhe të ëndrojmë larg arrogancës dhe mendjemadhësisë. Këto ajete zgjojnë ndërgjegjen e njeriut dhe e kthejnë zemrën nga Krijuesi i saj.
Në ajetin 33 të sures “Lukman” Allahu na Paralajmëron dhe na porosit duke thënë:
{…فَلَا تَغُرَّنَّكُمُ ٱلۡحَيَوٰةُ ٱلدُّنۡيَا وَلَا يَغُرَّنَّكُم بِٱللَّهِ ٱلۡغَرُورُ }
“…prandaj mos e lini jetën e kësaj bote t’ju mashtrojë dhe as djallin mos e lini t’ju mashtrojë për Allahun.”
Në përfundim, thirrja hyjnore: “O njeri, ç’të mashtroi ndaj Zotit tënd Bujar?” është një ftesë për vetëreflektim dhe zgjim shpirtëror. Ajo na kujton se begatitë, mëshira dhe durimi i Allahut nuk duhet të na largojnë prej Tij, por të na afrojnë më shumë me bindje, mirënjohje dhe devotshmëri. Lumturia e vërtetë gjendet tek kthimi i sinqertë drejt Allahut dhe tek përgatitja për takimin me Të.

