Në këto ajete Allahu i Madhëruar thotë:
قُلْ صَدَقَ اللَّهُ فَاتَّبِعُوا مِلَّةَ إِبْراهِيمَ حَنِيفاً وَما كانَ مِنَ الْمُشْرِكِينَ (95) إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبارَكاً وَهُدىً لِلْعالَمِينَ (96) فِيهِ آياتٌ بَيِّناتٌ مَقامُ إِبْراهِيمَ وَمَنْ دَخَلَهُ كانَ آمِناً وَلِلَّهِ عَلَى النَّاسِ حِجُّ الْبَيْتِ مَنِ اسْتَطاعَ إِلَيْهِ سَبِيلاً وَمَنْ كَفَرَ فَإِنَّ اللَّهَ غَنِيٌّ عَنِ الْعالَمِينَ (97)
95.Thuaj (o Muhamed!): “Allahu thotë të vërtetën, prandaj ndiqeni fenë e pastër të Ibrahimit, i cili nuk ishte idhujtar”.
96. Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.
97. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (e cila është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.”
Këto ajete përmbajnë mesazhe shumë të thella rreth teuhidit (njësimit të Allahut), fesë së pastër të Ibrahimit, shenjtërisë së Qabesë dhe obligimit të Haxhit. Ato e lidhin besimin e vërtetë me dorëzimin ndaj Allahut dhe me kthimin tek burimi i pastër i fesë hyjnore.
Më poshtë do të flasim rreth kuptimit, mësimeve dhe mesazheve të këtyre ajeteve të bekuara. E fillojmë bisedën tonë me ajetin 95, në të cilin thuhet: “Thuaj (o Muhamed!): ‘Allahu thotë të vërtetën, prandaj ndiqeni fenë e pastër të Ibrahimit, i cili nuk ishte idhujtar.’”
Ky ajet është përgjigje ndaj pretendimeve të atyre që shtrembëronin fenë dhe largoheshin nga rruga e vërtetë. Allahu e urdhëron Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që të shpallë se vetëm Allahu thotë të vërtetën absolute. Feja e drejtë është feja e Profetit Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!), dhe, Ibrahimi ishte besimtar i pastër dhe larg çdo idhujtarie.
Fraza e ajetit “fenë e pastër të Ibrahimit” nënkupton: adhurim vetëm për Allahun; sinqeritet; largim nga idhujtaria, nga hipokrizia dhe devijimi. Interpretohet nga Ehli Bejti si islami i pastër në thelb, i cili u plotësua me shpalljen e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në transmetimet e Ehli Bejtit, theksohet se Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) ishte imam i teuhidit dhe i largimit nga çdo formë idhujtarie, qoftë e hapur apo e fshehtë.
Ndjekja e tij nuk është vetëm rituale, por bindje e plotë ndaj Zotit, Një, të Vetëm, duke refuzuar çdo “idhull” (material, politik, egoist apo shoqëror.
Ky ajet na mëson se vërteta nuk matet me numrin e njerëzve që e ndjekin, as me forcën e propagandës apo me interesat e momentit. Në shumë raste, shumica mund të gabojë, ndërsa një pakicë mund të jetë në të drejtë.
E vërteta matet mepërputhjen me realitetin; ajo që është e vërtetë mbetet e tillë edhe kur njerëzit e mohojnë.
Matet me argumentin dhe me dijen, jo me emocione, paragjykime apo thashetheme.
Matet me drejtësinë dhe moralin, sepse e vërteta nuk bie ndesh me drejtësinë.
Matet me qëndrueshmërinë, sepse gënjeshtra ndryshon vazhdimisht, ndërsa e vërteta mbetet e njëjtë.
Matet me frytet e saj; e vërteta sjell qetësi, udhëzim dhe besueshmëri, ndërsa e kota, e pavërteta sjell hutim dhe shkatërrim.
Në pikëpamjen islame, kriteri më i lartë i së vërtetës është Allahu dhe shpallja e Tij. në ajetin 81 të sures “El Isra” Kur’ani thotë: “E vërteta erdhi, ndërsa e kota u zhduk. Vërtet, e kota është e destinuar të zhduket.”
Besimtari duhet ta pastrojë zemrën nga çdo “idhull”, qoftë egoja, pasuria, fama, apo varësia ndaj njerëzve.
Feja islame është vazhdim i fesë së Ibrahimit dhe jo një fe e shkëputur prej profetëve të mëparshëm.
Ky ajet na përcjell tre mesazhe edukative:
Mesazhi i parë: Besimtari duhet të jetë i drejtë dhe i pastër si Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!), i nënshtruar vetëm ndaj Allahut dhe adhurues i sinqertë i Tij.
Mesazhi dytë: Sinqeriteti është themeli i çdo vepre.
Mesazhi i tretë: Rruga e Allahut kërkon pastërti në besim dhe në qëllim.
Ajeti 96 prej ajetve në fjalë thotë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.”
Në tefsirin e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) fjala “Bekkë” është një nga emrat e Mekës dhe tregon vendin ku njerëzit mblidhen dhe ku lotojnë nga përulja dhe adhurimi.
Qabja është shtëpia e parë e vendosur për adhurim në tokë. Kjo tregon se adhurimi i Allahut është qëllimi i parë i njerëzimit. Ajo është vend i bekuar; dhe është qendër udhëzimi shpirtëror për gjithë botën. Qabja nuk është vetëm një ndërtesë, por qendra e unitetit të ummetit dhe simboli i Teuhidit. “E bekuar” do të thotë se aty zbret mëshira e Allahut në mënyrë të vazhdueshme.
Mësimet që përmban ky ajet janë:
Mësimi i parë: Qabeja nuk është thjesht një ndërtesë, por simbol i njësimit të Allahut, i unitetit të njerëzimit dhe i adhurimit të pastër.
Mësimi i dytë: Të gjithë myslimanët, pavarësisht racës apo gjuhës, medhhebit, sektit, drejtohen kah një Kibël e përbashkët.
Mësimi i tretë: Bekimi i vendeve të shenjta lidhet me bindjen dhe adhurimin ndaj Allahut.
Ashtu si ajeti 95 edhe ky ajet na përcjell mesazhe edukative.
Mesazhi i parë: Zemrat e besimtarëve duhet të jenë të lidhura me Allahun, jo vetëm me gurë e forma.
Mesazhi i dytë: Qabeja simbolizon bashkimin e umetit.
Mesazhi i tretë: Udhëzimi i vërtetë fillon me kthimin kah Allahu.
Kurse ajeti 97 prej ajeteve që po trajtojmë thotë: Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për haxh) e kësaj Shtëpie (është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.”
Fjalia e ajetit “Në të ka shenja të qarta”, tregon historinë e profetëve, praninë e gjurmëve të Ibrahimit, madhështinë shpirtërore të Qabesë dhe mrekullinë e ruajtjes së saj ndër shekuj.
Sipas Ehli Bejtit të Profetit Muhamed, “Mekami Ibrahim” është vendi ku Ibrahimi (Paqja qoftë mbi të!) qëndroi gjatë ndërtimit të Qabes. Është simbol i bindjes absolute dhe i sakrificës në rrugën e Allahut. Kuptimi shpirtëror i qëndrimit në vendin e Ibrahimit është që njeriu duhet të qëndrojë, në monoteizëm dhe në dorëzim të plotë ndaj Allahut.
Fjalia e ajetit: “Kush hyn në të është i sigurt” ka kuptimin se Qabeja është vend sigurie. Në të ndalohet padrejtësia; ndalohet gjakderdhja dhe njeriu duhet të gjejë paqe shpirtërore. Sipas Ehli Bejtit të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ai që hyn në Shtëpinë e Zotit me zemër të pastër, hyn në sigurinë e Allahut nga dënimi dhe devijimi. Imamët e Ehli Bejtit kanë theksuar se siguria e vërtetë është siguria e zemrës nga idhujtaria (shirku) dhe mëkati.
Ky ajet na mëson tre mësime:
Mësimi i parë: Feja synon sigurinë dhe paqen.
Mësimi i dytë: Besimtari duhet të jetë burim sigurie për të tjerët.
Mësimi i tretë: Vendet e shenjta duhet të respektohen me përulësi.
Ajeti flet edhe për Haxhin dhe thotë: “dhe vizita (për haxh) e kësaj Shtëpie (është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”. Nga thënia e ajetit: “…që ka mundësi ta përballojë rrugën…”, kuptohet se Haxhi është detyrë për atë që ka mundësi fizike, financiare dhe siguri në rrugë.
Në transmetimet e Ehli Bejtit thuhet se Haxhi nuk është vetëm udhëtim fizik, por rrugëtim shpirtëror drejt pastrimit nga egoja dhe idhujt e brendshëm. Haxhi është udhëtim drejt Allahut; është shkollë e barazisë; është pastrim shpirtëror dhe kujtim i Ditës së Gjykimit.
Haxhi është pranvera e shpirtrave dhe e zemrave. Është stina e gjelbërimit të jetës monoteiste në zemrën e çdo myslimani. Haxhi është manifestimi i ummetit islam dhe shkolla e asaj sjelljeje që ky ummet i madh duhet ta ndjekë për të arritur lumturinë e tij.
Haxhi ibrahimit është po ai haxh muhamedan, në të cilin lëvizja drejt njësimit të Allahut dhe unitetit zë vendin kryesor dhe shpirtin e të gjitha riteve. Haxhi është mësimi praktik, i gjallë dhe ndërtues, që na vizaton rrugën e jetës sonë në një formë praktike dhe të ndritur.
Jemi pikërisht në muajin e kryerjes së këtij adhurimi madhështor. Besimtarët nga e gjithë bota po shkojnë në Qabenë e Shenjtë.
Prej mesazheve të Haxhit janë:
Mesazhi i parë: Njeriu largohet nga krenaria dhe luksi.
Mesazhi i dytë: Të gjithë veshin të njëjtën ihram.
Mesazhi i tretë: Kujtohet se para Allahut njerëzit janë të barabartë.
Fraza e ajetit: “Kush mohon…” ka kuptimin se ky mohim nuk është vetëm mosbesim formal, por edhe refuzimi i urdhrit të Allahut pas njohjes së tij.
Në fund të ajetit 97 thuhet: “Allahu nuk ka nevojë për askënd”
Kjo pjesë është shumë e thellë dhe na mëson se Allahu nuk ka nevojë për adhrimin tonë dhe as nuk përfiton nga adhurimi ynë. Jemi ne që kemi nevojë për Allahun. Refuzimi i besimit dëmton vetëm vetë njeriun. Adhurimi është nder për njeriun. Mosbindja nuk e pakëson madhështinë e Allahut. Njeriu duhet të jetë mirënjohës që Allahu i ka hapur derën e adhurimit. Haxhi është për dobinë e njeriut, jo të Allahut.
Të dashur vëllezër dhe motra:
Këto ajete bashkohen në një ide qendrore se:
Feja e vërtetë është dorëzimi i sinqertë ndaj Allahut
Rruga e Ibrahimit (a.s) është rruga e teuhidit dhe pastërtisë.
Qabeja është qendra e unitetit të njerëzimit, e udhëzimit dhe e adhurimit të pastër.
Haxhi është udhëtim i kthimit tek Allahu.
Haxhi është shkolla e transformimit të individit dhe shoqërisë.
Siguria, paqja dhe përulësia janë pjesë e fesë.
Allahu është i Panevojshëm, ndërsa njeriu është ai që ka nevojë për Allahun, për mëshirën dhe udhëzimin e Tij.
Në ajetin 24 të sures “El Enfal” Allahu i Madhëruar na fton e na thotë:
﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَجِيبُوا لِلَّهِ وَلِلرَّسُولِ إِذَا دَعَاكُمْ لِمَا يُحْيِيكُمْ ۖ …﴾
“O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë…”
Jeta e vërtetë e njeriut nuk është vetëm jeta fizike, por jeta e zemrës, shpirtit dhe udhëzimit, e cila arrihet duke iu përgjigjur thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ky ajet na mëson se besimi, bindja ndaj Allahut dhe ndjekja e rrugës së Profetëve, të tëdërguarve dhe të dashurve të Allahut, janë burimi i jetës së vërtetë, i dinjitetit dhe i lumturisë së njeriut në këtë botë dhe në Botën Tjetër.

