Ritualet e Haxhit nuk janë vetëm veprime simbolike, por secili prej tyre bart kuptime të thella shpirtërore, morale, shoqërore dhe edukative. Në Kuran, në thëniet e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), Haxhi paraqitet si shkollë e pastrimit të shpirtit, e rilindjes shpirtërore dhe afrimit tek Allahu.
1- Ihrami ka kuptimin e hyrjes në gjendjen e pastërtisë dhe barazisë
Në ajetin 197 të sure “El Bekare” Allahut i Madhëruar thotë:
﴿ الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَّعْلُومَاتٌ ۚ فَمَن فَرَضَ فِيهِنَّ الْحَجَّ فَلَا رَفَثَ وَلَا فُسُوقَ وَلَا جِدَالَ فِي الْحَجِّ ۗ
“Haxhi është në muaj të caktuar; e kush vendos ta kryejë Haxhin, nuk ka marrëdhënie, as mëkate dhe as grindje gjatë Haxhit.”
Ihrami është hyrja në një gjendje të veçantë adhurimi. Kur njeriu njeriu vesh ihramin ai lë zbukurimet dhe krenarinë, heq dorë nga gjynahet dhe debatet, vishet njësoj si të gjithë, kujton qefinin dhe Ditën e Gjykimit, mëson disiplinën shpirtërore dhe ndalon shumë gjëra të lejuara për të ushtruar vetëkontrollin.
Është transmetuar nga imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kur të veshësh ihramin, pastroje zemrën nga çdo gjë që të largon nga Allahu.”
Ihrami edukon modestinë, barazinë ndërmjet njerëzve, largimin nga egoja dhe kujdesin ndaj gjuhës dhe sjelljes. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Haxhiu është mysafir i Allahut.” Pra, ihrami është hyrja në mikpritjen hyjnore.
2- Tavafi, ka kuptimin e rrotullimit rreth Qendrës Hyjnore
Në ajetin 29 të sures “El Haxh” Allahut Madhëruar thotë:
{لِیَطَّوَّفُوا بِالْبَیْتِ الْعَتِيقِ}
“Le të bëjnë tavaf rreth Shtëpisë së Lashtë.”
Tavafi tregon se Allahu është qendra e jetës së besimtarit, çdo lëvizje duhet të sillet rreth bindjes ndaj Tij. Tavafi tregon unitetin e ummetit islam rreth një Kibleje të vetme e të përbashkët.
Është transmetuar nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë “Tavafi rreth Qabesë është si namazi.” Kjo do të thotë se Tavafi rreth Qabesë është një adhurim i madh dhe i shenjtë, që kërkon përkushtim, pastërti, edukatë dhe prani të zemrës, ashtu si namazi.
Njeriu gjatë tavafit shkëputet nga egoizmi, ndjen përulësi, bashkohet me miliona besimtarë, kujton engjëjt që bëjnë tavaf rreth Arshit. Disa dijetarë kanë thënë: ‘Siç rrotullohen elektronet rreth bërthamës, zemra e besimtarit duhet të rrotullohet rreth Allahut.’
3- Arafati është dita e njohjes dhe pendimit
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famoëiljen e tij!) ka thënë: “Haxhi është Arafat.”. Kjo do të thotë se qëndrimi në Arafat është shtylla më e rëndësishme e Haxhit; pa të, Haxhi nuk pranohet. Ai është kulmi i adhurimit, pendimit, lutjes dhe afrimit tek Allahu. Arafati është vendi i njohjes së Allahut, i njohjes së vetvetes,i pendimit dhe i lutjes.
Dita e Arafatit është dita ku miliona njerëz qajnë për mëkatet, luten me sinqeritet dhe ndjejnë afërsinë e mëshirës së Allahut.
Është transmetuar nga imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) Duaja madhështore e Arafatit, ku ndër të tjrra në këtë Dua ai thotë: “Çfarë ka gjetur ai që të humbi Ty? Dhe çfarë ka humbur ai që të gjeti Ty?”
Kuptimi i kësaj lutjeje të imam Husejnit (Paqja qoftë mbi të!) është se kush e gjen Allahun, ka fituar gjithçka, edhe nëse humb botën; ndërsa kush largohet nga Allahu, ka humbur gjithçka, edhe nëse zotëron pasuritë e kësaj bote.
Arafati shkatërron mendjemadhësinë, zgjon zemrën dhe e mëson njeriun të kthehet tek Allahu para Ditës së Gjykimit. Arafati është një pamje e vogël e Mahsheritnë të cilin të gjithë janë të barabartë, pa dallime, në pritje të mëshirës së Allahut.
Dita e Arafatit është një prej ditëve në të cilat njeriu mund ta forcojë lidhjen e tij me Allahun e Madhëruar përmes lutjes dhe përgjërimit. Prandaj duhet ta njohim vlerën e vërtetë të kësaj dite madhështore.
4- Muzdelifja, nata e meditimit dhe përgatitjes
Në ajetin 198 të sures “El Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
فَإِذَا أَفَضْتُم مِّنْ عَرَفَاتٍ فَاذْكُرُواْ اللّهَ عِندَ الْمَشْعَرِ الْحَرَامِ
“Kur të largoheni nga Arafati, përmendeni Allahun te Mesh’arul Haram.”
Në Muzdelife, apo siç quhet ndryshe edhe Mesh’arul Haram, haxhinjtë kalojnë natën në tokë të hapur, larg luksit dhe rehatisë, duke kujtuar Allahun.
Qëndrimin në Muzdelife simbolizon qetësinë pas pendimit, meditimit dhe lutjes në Arafat, si dhe simbolizon mbledhjen e forcave për luftën kundër shejtanit.
Në Muzdelife mblidhen edhe guralecët për goditjen e shejtanit, që simbolizon përgatitjen për luftën kundër, egos, vesit dhe pasioneve.
5- Mina dhe gjuajtja e guralecëve ka kuptimin e luftës kundër shejtanit
Ky ritual lidhet me historinë e Profeti Ibrahim, kur shejtani u përpoq ta largonte nga bindja ndaj Allahut.
Gjuajtja e guralecëve simbolizon refuzimin e tundimeve, luftën ndaj egos dhe mosbindjen ndaj shejtanit.
Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur gjuan guralecët, largo prej vetes epshet dhe poshtërsitë.”
Mesazhi i këtij rituali është se shejtani nuk mposhtet me fjalë, por me vendosmëri, besimtari duhet ta luftojë të keqen çdo ditë.
6- Kurbani, sakrifica dhe dorëzimi ndaj Allahut
Në ajetin 37 të sures “El Haxh” Allahu i Madhëruar thotë:
{لَن يَنَالَ ٱللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَآؤُهَا وَلَٰكِن يَنَالُهُ ٱلتَّقۡوَىٰ مِنكُمۡۚ}
“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por arrin devotshmëria juaj.”
Kurbani lidhet me sakrificën e Profetit Ibrahim dhe Profetin Ismail (Paqja qoftë mbi ta!).
Kurbani mëson bindjen absolute ndaj Allahut, gatishmërinë për të sakrifikuar atë që e do më shumë, luftimin e lidhjes së tepërt me dynjanë.
Ehli Bejti kanë theksuar se kurbani i vërtetë është therja e egos dhe e pasioneve, jo vetëm therja e kafshës.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk afrohet robi tek Allahu me diçka më të dashur sesa bindja ndaj Tij.”
Të dashur vëllezër dhe motra!
Haxhi pastron zemrën, forcon lidhjen me Allahun, edukon durimin dhe disiplinën, krijon barazi ndërmjet njerëzve, e largon njeriun nga egoizmi, i kujton vdekjen dhe Ahiretin dhe mëson sakrificën dhe bindjen.
Haxhi i vërtetë mund të sjellë ndryshim në përmbajtjen e brendshme të çdo individi musliman. Ai mund të mbjellë në shpirtrat e tyre frymën e teuhidit (njësimit të Allahut), lidhjen me Allahun, mbështetjen tek Ai, si dhe frymën e mohimit të të gjitha idhujve të brendshëm dhe të jashtëm në ekzistencën njerëzore. Këta idhuj përfaqësohen nga epshet, dëshirat e ulëta dhe forcat tiranike dominuese.
Haxhi mund të forcojë ndjenjën e fuqisë, mbështetjes në vetvete, suksesit dhe sakrificës. Një transformim i tillë mund të bëjë nga çdo njeri një qenie që nuk njeh dështimin, nuk përkulet përballë kërcënimeve dhe nuk dobësohet përballë joshjes.
Po ashtu, haxhi i vërtetë mund të bëjë nga copëzat e shpërndara të trupit të ummetit islam një njësi të vetme, aktive dhe të fuqishme, duke bërë që këto pjesë të shpërndara të njihen me njëra-tjetrën dhe të shkëmbejnë biseda rreth shpresave dhe dhimbjeve, zhvillimeve dhe nevojave të ndërsjella, si dhe përvojave të fituara.
Sikur haxhi të vendosej brenda një programi që synon këto qëllime dhe rezultate, dhe për të cilin do të bashkërendonin përpjekjet, qeveritë, dijetarët dhe njerëzit me mendim e ndikim në botën islame, ai do t’i sillte ummetit islam një mirësi madhe e të begatë, që nuk mund të krahasohet me asnjë mirësi tjetër në botën islame.
Haxhi është pasqyrimi i ummetit islam dhe shkolla e asaj sjelljeje që ky ummet i madh duhet të ndjekë për të arritur lumturinë e tij. Brenda riteve të Haxhit mishërohen kuptimet e dashurisë, afërsisë dhe bashkëjetesës me vëllezërit, si dhe qëndrueshmëria dhe fortësia përballë armiqve
Këto ishin disa prej kuptimeve të ritualeve të Haxhit. Duhet që Haxhi të përjetohet çdo ditë në sjellje, në mendime, në qëndrime e në veprime.
Prandaj në hadithe thuhet: “Ai që kryen Haxhin me sinqeritet dhe largohet nga mëkatet, kthehet si ditën që e ka lindur nëna e tij.”

