Në ajetet 27-28 të sures “El Haxhxh” Allahu i Madhëruar thotë:
وَأَذِّن فِي ٱلنَّاسِ بِٱلۡحَجِّ يَأۡتُوكَ رِجَالٗا وَعَلَىٰ كُلِّ ضَامِرٖ يَأۡتِينَ مِن كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٖ (27) لِّيَشۡهَدُواْ مَنَٰفِعَ لَهُمۡ وَيَذۡكُرُواْ ٱسۡمَ ٱللَّهِ فِيٓ أَيَّامٖ مَّعۡلُومَٰتٍ عَلَىٰ مَا رَزَقَهُم مِّنۢ بَهِيمَةِ ٱلۡأَنۡعَٰمِۖ فَكُلُواْ مِنۡهَا وَأَطۡعِمُواْ ٱلۡبَآئِسَ ٱلۡفَقِيرَ
“Thirri njerëzit për haxh: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!”
Këto dy ajete të sures Haxh përmbledhin filozofinë, qëllimet dhe frytet e haxhit.
Si të gjithë ajetet e Kur’anit të Shenjtë edhe këto dy ajete përmbajnë mesazhe dhe mësime edukative.
Nga këto ajete kuptohet se Haxhi është thirrje e Allahut për gjithë njerëzimin Allahu e urdhëroi Profetin Ibrahim që t’i thërrasë njerëzit në haxh. Kjo tregon se Haxhi nuk është një adhurim lokal apo kombëtar, por është adhurim universal dhe jehona e tij vazhdon deri sot dhe prek zemrat e miliona njerëzve në çdo epokë. Zemrat e besimtarëve janë të lidhura me Qaben me një lidhje hyjnore. Kush shkon në haxh, në të vërtetë, ai i përgjigjet ftesës së Allahut.
Çfarë kuptimi ka thirrja për Haxh?
Thirrja për Haxh nuk nënkupton vetëm një udhëtim fizik drejt Mekës, por një ftesë universale nga Allahu për kthim tek Ai, për bashkim, për pastrim dhe për ringjallje të zemrës.
Thirrja për Haxh ëshë thirrje për kthim tek Allahu.Haxhi është si një zë hyjnor që i thotë njeriut: “Lëri pas lidhjet e dynjasë dhe eja tek Unë.”Prandaj haxhiu heq rrobat e zakonshme dhe vesh ihramin, sikur po largohet nga krenaria, pozita, pasuria dhe dallimet njerëzore. Të gjithë bëhen të barabartë para Allahut.
Thirrja për Haxh është thirrje për unitetin e njerëzimit.Në Haxh mblidhen njerëz nga çdo racë, gjuhë dhe komb. Të gjithë thonë të njëjtën përgjigje:“Lebbejke Allahumme lebbejk” “T’u përgjigja, o Allah, t’u përgjigja!”. Kjo tregon se njerëzimi ka një Zot, një drejtim dhe një qëllim të përbashkët. Haxhi e shuan ndjenjën e përçarjes dhe i kujton njeriut se vlera nuk është tek ngjyra apo kombi, por tek devotshmëria.
Thirrja për Haxh është thirrje për zgjim shpirtëror. Shumë njerëz jetojnë të zhytur në rutinë, mëkate ose harresë. Haxhi është një thirrje për t’u zgjuar që të reflektosh mbi jetën,të pendohesh,të pastrosh zemrën dhe të fillosh një jetë të re.Prandaj, në hadithe thuhet se haxhi i pranuar e kthen njeriun si ditën kur ka lindur, pa mëkate.
Thirrja për Haxh është thirrje për sakrificë dhe dorëzim. Çdo ritual i Haxhit lidhet me një histori sakrifice të Ibrahimit me bindjen e tij, të Haxherit me durimin e saj dhe të Ismailit me nënshtrimin ndaj urdhrit të Allahut. Pra, Haxhi i thërret njerëzit të jetojnë me besim, durim dhe bindje ndaj Zotit.
Thirrja për Haxh është thirrje universale, jo vetëm për muslimanët. Edhe pse Haxhin e kryejnë muslimanët, por mesazhi i tij është për gjithë njerëzimin. Mesazhi i tij ëështë për drejtësi, për barazi, për paqe, për adhurimin e Zotit të Vetëm dhe për largim nga egoja dhe padrejtësia dhe mëkatet.
Thirrja për Haxh është sikur Allahu po i fton të gjithë njerëzit të njohin origjinën dhe destinacionin e tyre.
Ajeti 27 na mëson sakrificën në rrugën e Allahut, ai përmend ecjen në këmbë, udhëtimin e gjatë dhe lodhjen. Gjithashtu, na mëson se rruga drejt Allahut kërkon mund, durim dhe sakrificë. Na mëson se vlera e Haxhit lidhet edhe me vështirësinë dhe me përkushtimin.
Ajetet na mësojnë barazinë e njerëzve para Allahut. Në haxh nuk ka dallim mes të pasurit dhe të varfrit, mes racave, gjuhëve dhe kombeve. Të gjithë veshin një rrobë të përbashkët, ihramin, dhe qëndrojnë para Allahut si robër të barabartë. Kjo është një shkollë e unitetit, e vëllazërisë islame dhe e thyerjes së mendjemadhësisë.
Ajetet na mësojnë se përmendja e Allahut është zemra e haxhit. Në ajetin 28 thuhet: “…dhe të përmendin Emrin e Allahut…” Çdo rit i haxhit duhet të jetë i mbushur me dhikr, vetëdije dhe sinqeritet. Qëllimi final është afrimi tek Allahu, jo turizmi apo fama.
Ajeti 28 na mëson kujdesin për të varfrit. Allahu urdhëron e thotë: “Hani nga ato dhe ushqeni nevojtarin e varfër!”
Kjo tregon se Islami e lidh adhurimin me solidaritetin shoqëror. Kurbani nuk është vetëm ritual, por mëshirë dhe ndihmë për njerëzit. Besimtari nuk mendon vetëm për veten, por edhe për të uriturin dhe nevojtarin. Haxhi nuk është vetëm lëvizje trupore, por transformim i njeriut dhe i umetit.
Ajetet na mësojnë se qëllimi i haxhit nuk është vetëm rituali, sepse Allahu thotë: “që të dëshmojnë dobitë e tyre…” Pra, haxhi ka dobi shpirtërore, morale, shoqërore, politike, ekonomike dhe edukative.
Dobitë shpirtërore të haxhit janë:
E para: Pastrimi nga mëkatet
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush bën haxh dhe nuk bën gjynahe e shthurje, kthehet si ditën që e ka lindur nëna.” Nga ky hadith kuptohet qarzë se Haxhi është rilindje shpirtërore.
E dyta: Forcimi i devotshmërisë
Haxhi e shkëput njeriun nga luksi dhe egoja, e afron me Allahun dhe i kujton Ahiretin dhe Ditën e Gjykimit. Ihrami i ngjan qefinit dhe tubimi i njerëzve ngjan me Ringjalljen.
Dobitë morale dhe edukative janë:
Haxhi e edukon njeriun me durim, disiplinë, vetëkontroll, moral të mirë dhe respekt ndaj të tjerëve. Në haxh njeriu mëson të mos debatojë, të mos ofendojë dhe të mos dëmtojë askënd.
Dobitë shoqërore dhe politike janë:
E para: Bashkimi i umetit islam
Në Haxh muslimanët nga e gjithë bota njihen me njëri-tjetrin, shkëmbejnë përvoja dhe ndjejnë forcën e umetit. Haxhi është kongresi më i madh vjetor i muslimanëve.
E dyta: Ndërgjegjësimi për gjendjen e umetit
Besimtarët në Haxh kuptojnë: hallet e muslimanëve, padrejtësitë dhe nevojën për bashkëpunim dhe unitet për t’i bërë ballë sfidave, problemeve, padrejtësive dhe vështirësive.
Dobitë ekonomike të Haxhit
Që nga koha e lashtë, haxhi ka qenë edhe shkëmbim mallrash, zhvillim tregtie dhe lidhje ekonomike mes vendeve islame. Islami kërkon që aspekti material të mos e mbulojë qëllimin shpirtëror të Haxhit
Dobitë intelektuale dhe kulturore të Haxhit
Në haxh dijetarët takohen, përhapen njohuritë dhe shkëmbehen ide dhe përvoja. Historikisht, haxhi ka qenë një nga rrugët më të mëdha të përhapjes së dijes islame.
Mesazh i madh i haxhit
Haxhi është udhëtim nga egoja tek Allahu, nga përçarja tek uniteti, nga mëkati tek pendimi dhe nga materializmi tek spiritualiteti. Haxhi i kujton njeriut se është rob i Allahut, se jeta është udhëtim dhe se kthimi final është tek Allahu. Haxhi nuk është vetëm udhëtim drejt Qabes, por është udhëtim nga vetja drejt Allahut.
Nuk është vetëm ecje në tokë; është ngritje e shpirtit drejt qiellit. Haxhi nuk është vetëm thirrje për disa njerëz, por është ftesa e Allahut për gjithë njerëzimin që të kthehet tek Ai.
Në ajetin 32 të sures “El Haxh” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ ذَٰلِكَ وَمَن يُعَظِّمْ شَعَائِرَ اللَّهِ فَإِنَّهَا مِن تَقْوَى الْقُلُوبِ﴾
“… e kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij…”
Nga ky ajet mësojmë se madhërimi dhe respektimi i shenjave të Allahut, si adhurimet, vendet e shenjta, simbolet fetare dhe çdo gjë që lidhet me fenë, është tregues i pastërtisë, devotshmërisë dhe përkushtimit të zemrës. Pa dyshim që Haxhi është prej shenjave të Allahut dhe për këtë duhet respektuar, duhet nderuar dhe duhet vepruar. Besimi i vërtetë nuk mbetet vetëm në fjalë, por shfaqet edhe në mënyrën se si njeriu i respekton dhe i nderon gjërat që Allahu i ka bërë të shenjta.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Haxhi është pastrim (gjynahesh) mes tij dhe një haxhi para tij…”
Haxhi është rilindje për besimtarin. Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Ai njeri që e kryen haxhin të plotë dhe të saktë, pastrohet prej mëkateve dhe kthehet si atë ditë që e ka lindur e ëma”.

