Si ta mbrojmë zemrën nga mëkati?

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja e bekimet qofshin mbi Profetin Muhamed dhe mbi familjen e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Zemra është qendra e besimit, e moralit dhe e veprave të njeriut. Nëse zemra është e pastër, edhe veprat bëhen të mira. Dhe, nëse zemra prishet, prishet i gjithë njeriu.

      Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Në trupin e njeriut gjendet një copë mishi, nëse ajo është e shëndoshë, i gjithë trupi i është i shëndoshë. Nëse ajo do të prishet, do të prishet i gjithë trupi. Ajo është zemra.”   (Sahihul Buhari, nr. 52; Sahihu Muslim, nr. 1599.)

Prandaj, një nga detyrat më të rëndësishme të besimtarit është mbrojtja e zemrës nga mëkati. Por, si ta mbrojmë zemrën nga mëkati? Për këtë ka disa vepra të cilat janë:

1- Të jemi të vetëdijshëm për rrezikun e mëkatit

Në ajetin 14 të sures “El Mutaffijn” Allahu i Madhëruar thotë: 

﴿ كَلَّا ۖ بَلْ ۜ رَانَ عَلَىٰ قُلُوبِهِم مَّا كَانُوا يَكْسِبُونَ﴾

“Jo, por atë që kanë vepruar ua ka mbuluar zemrat.”

Sipas këtij ajeti të begatë mëkati e mbulon zemrën dhe pengon dritën e të hyjë në të. Mëkatet nuk janë vetëm shkelje të urdhrave të Allahut. Ato lënë gjurmë në zemër. Fillimisht janë vetëm një pikë e zezë, pastaj një tjetër, një tjetër… derisa zemra humbet ndjeshmërinë ndaj së vërtetës.

Imam Muhamed El Bakir (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nuk ka asnjë rob besimtar që bën një mëkat pa u shfaqur në zemrën e tij një pikë e zezë.” (“El-Kafij”, vëll. 2, f. 271.

Kur njeriu e kupton këtë rrezik, bëhet më i kujdesshëm ndaj mëkatit.

2- Të ushqejmë frikën dhe ndërgjegjen ndaj Allahut

Mbrojtja më e fortë e zemrës është devotshmëria (tekvaja).

Në ajetin 201 të sures “El-A’raf” Allahut i Madhëruar thotë: 

﴿ إِنَّ الَّذِينَ اتَّقَوْا إِذَا مَسَّهُمْ طَائِفٌ مِّنَ الشَّيْطَانِ تَذَكَّرُوا فَإِذَا هُم مُّبْصِرُونَ﴾

“Vërtet, ata që janë të devotshëm, kur i prek një vesvese nga shejtani, kujtohen dhe menjëherë shohin qartë.”

Devotshmëria është ndjenja se Allahu na sheh në çdo moment kudo që të jemi.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Devotshmëria (tekvaja) është ilaçi i zemrave.” (“Nehxhul-Belaga”, Hutbja 198.) Kur zemra mbushet me devotshmëri, ajo e refuzon mëkatin para se ai të hyjë në të.

3- Të ruajmë shikimin

Shumë mëkate fillojnë nga syri. Në ajetin 30 dhe në fillim të ajeti 31 të sures “El-Ahzab” Allahut i Madhëruar thotë:

﴿ قُل لِّلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ وَيَحْفَظُوا فُرُوجَهُمْ ۚ ذَٰلِكَ أَزْكَىٰ لَهُمْ ۗ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا يَصْنَعُونَ﴾ ﴿ وَقُل لِّلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ …﴾

“Thuaju besimtarëve të ulin shikimet e tyre dhe të ruajnë dëlirësinë e tyre. “Dhe thuaju besimtareve që t’i ulin shikimet e tyre (nga ajo që nuk u lejohet të shikojnë)…”

Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shikimi është një shigjetë e helmuar prej shigjetave të Iblisit.” (“Biharul-Enuar”, vëll. 101, f. 38.

Shikimi i ndaluar fut në zemër dëshira të këqija dhe e largon njeriun nga përkujtimi i Allahut.

4- Të ruajmë gjuhën

Sa zemra janë shkatërruar nga gjuha! Në ajetin 18 të sures “Kaf” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ مَّا يَلْفِظُ مِن قَوْلٍ إِلَّا لَدَيْهِ رَقِيبٌ عَتِيدٌ﴾

“Nuk nxjerr njeriu asnjë fjalë pa pasur pranë një mbikëqyrës të gatshëm.”

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ajo që i fut më shumë njerëzit në zjarr janë gjuha dhe organi intim.” (Biharul-Enuar”, vëll. 68, f. 307.

Përgojimi, shpifja, fyerja dhe gënjeshtra e errësojnë zemrën.

5- Të shoqërohemi me njerëz të mirë

Shoqëria ndikon drejtpërdrejt në zemër. Në ajetin 119 të sures “Et-Teube” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَكُونُوا مَعَ الصَّادِقِينَ﴾

“O ju që besuat! Kini jini të devotshëm ndaj Allahut dhe jini me të sinqertët (të vërtetët).”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqërimi me njerëzit e mirë e gjallëron zemrën.” (“Gurarul-Hikem”).

Njeriu merr ngjyrën e shoqërisë së tij. Prandaj duhet të zgjedhim miq që na afrojnë te Allahu.

6- Të bëjmë sa shumë dhikër (përkujtim të Allahut)

Kur zemra është bosh nga dhikri, ajo bëhet vend për shejtanin.

Në ajetin 28 të sures “Err-Rra’d” Allahu i Madhëruar thotë: 

﴿…أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ﴾

“Vërtet, me përkujtimin e Allahut qetësohen zemrat.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dhikri është drita e zemrave.” (“Gurarul-Hikem.”

Nga dhikret më të mira janë: SubhanAllah, Elhamdulilah, La ilahe il-la Allah, Allahu Ekber dhe Salavati për Profetin Muhamed dhe për familjen e Profetit Muhamed.

7- Pendimi i shpejtë pas mëkatit

Askush nuk është i pagabueshëm. Por besimtari nuk këmbëngul në mëkat.

Në ajetin 222 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:  

﴿إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَيُحِبُّ الْمُتَطَهِّرِينَ﴾

“Allahu i do ata që pendohen dhe ataqë pastrohen.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Çudia më e madhe është për atë që humbet shpresën e shpëtimit, ndërkohë që dera e pendimit është e hapur.” (“Nehxhul-Belaga”, Urtësia 87. Pendimi i menjëhershëm e pastron zemrën para se njolla e mëkatit të rrënjoset.

8- Të kemi lidhje të vazhdueshme me Kur’anin

Kur’ani është shërim për zemrën. Në ajetin 82 të sures “El-Isra”Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ …﴾

 “Ne shpallim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.”

Nga ky ajet kuptojmë se Kur’ani është ilaçi i zemrës dhe burimi i mëshirës së Allahut. Kur’ani e shëron njeriun nga dyshimet, devijimet, mëkatet dhe shqetësimet shpirtërore, ndërsa besimtarëve u sjell udhëzim, qetësi, forcë dhe afërsi me Allahun.

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ky Kuran është besëlidhja e Allahut me krijesat e Tij.” (“El-Kafij”, vëll. 2, f. 609.) Leximi i përditshëm i Kur’anit e mbron zemrën nga devijimi.

Këto ishin tetë prej veprave të shumta që e mbrojnë zemrën nga mëkatet.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Zemra është amaneti më i çmuar që Allahu na ka dhënë. Mëkatet e sëmurin atë, ndërsa bindja ndaj Allahut e gjallëron. Mbrojtja e zemrës nga mëkati është një përpjekje e vazhdueshme që kërkon besim të fortë, vetëdije ndaj Allahut, përmendje të shpeshtë të Tij, shoqëri të mirë dhe largim nga shkaqet që na çojnë drejt gabimit. Zemra është thesari më i çmuar i njeriut. Nëse ajo pastrohet dhe ruhet, pastrohet e gjithë jeta e tij. Prandaj, le t’i drejtohemi vazhdimisht Allahut me lutjen që zemrat tona t’i mbajë të palëkundura në të vërtetën, sepse shpëtimi ynë në këtë botë dhe në Botën Tjetër varet nga pastërtia dhe gjallëria e zemrës sonë.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush e gjallëron zemrën e tij me këshillë, e vdes atë me asketizëm ndaj dynjasë, e forcon me bindje të sigurt dhe e ndriçon me urtësi, Allahu do t’ia lehtësojë rrugën e shpëtimit.”

Prandaj, le t’i mbrojmë zemrat tona nga mëkati duke njohur rrezikun e mëkatit, duke forcuar devotshmërinë, duke ruatur shikimin dhe gjuhën, duke zgjedhur shoqëri të mirë, duke përmendur sa më shumë Allahun, duke u penduar menjëherë dhe duke jetuar me Kur’anin.

Le t’i lutemi Allahut e të themi: “O Allah, bëji zemrat tona të pastra nga mëkatet, të ndriçuara me dritën e besimit dhe me përkujtimin Tënd! Bëji të qëndrueshme në rrugën e Muhamedit dhe familjes së Muhamedit! O Allah, na bëj prej atyre që të takojnë Ty me zemër të pastër!”