Ngjarja e Gadir Khumit (غدير خم) nuk përmendet me emër në Kur’an, por shumë komentues klasikë dhe bashkëkohorë kanë lidhur disa ajete me këtë ngjarje.
Çfarë është Gadir Humi?
Gadijr Khumi ishte një vend midis Mekës dhe Medinës ku, pas Haxhit të Lamtumirës, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij! ndaloi karvanin dhe mbajti një fjalim para mijëra sahabëve. Në atë rast tha:
“Men kuntu mevlahu fe Alijun meulahu.” “Kujt i jam unë mevlà (udhëheqës,), Aliu është udhëheqës i tij.”
Këtë hadith e transmetojnë shumë dijetarë të hadithit, ndër ta Ahmed ibn Hanbel, Et-Tirmidhi, En Nasa’i, Ibn Maxhah dhe të tjerë.
Në ajetin 67 të sures “El Maide” Allahu i Madhëruar thotë:
}يَا أَيُّهَا الرَّسُولُ بَلِّغْ مَا أُنْزِلَ إِلَيْكَ مِنْ رَبِّكَ وَإِنْ لَمْ تَفْعَلْ فَمَا بَلَّغْتَ رِسَالَتَهُ وَاللهُ يَعْصِمُكَ مِنَ النَّاسِ إِنَّ اللهَ لَا يَهْدِي الْقَوْمَ الْكَافِرِينَ{
“O i Dërguar! Kumto atë që të është shpallur nga Zoti yt. Nëse nuk e bën, atëherë nuk e ke përcjellë mesazhin e Tij. Allahu do të të mbrojë prej njerëzve. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon popullin mohues.”
Komentuesit shi’itë thonë se ky ajet ka zbritur për udhëheqësinë e Prijësit të besimtarëve, imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!).
Po ashtu, disa transmetime në komentimet sunite, përmendin transmetime që e lidhin ajetin me Aliun. Megjithatë shumica e komentuesve sunitë e interpretojnë ajetin si urdhër për Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që të shpallë të gjithë mesazhin pa frikë.
Ka transmetuar El-Uahidiju me zinxhir nga Ebi Sa‘id El-Khudrij, i cili ka thënë: “Ky ajet ka zbritur në ditën e Gadijr Khumit (fill pas Haxhit të Lamtumirës) për Ali ibn Ebi Talibin.”
Sujutij dhe Sheukanij kanë transmetuar nga Ibn Mes’udi, i cili ka thënë: “Lexonim në kohën e të Dërguarit të Allahut: “O ti, i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd” që Aliu është udhëheqësi i besimtarëve.(Esbabu’n-Nuzul, 115.)
Kjo është vërtetuar nga metoda të shumta të transmetuesve të besueshëm, që kanë transmetuar nga një numër i madh sahabësh (shokësh). Prej tyre: Abdullah ibn Abbasi, Ebu Said El-Khudriju, El-Bera ibn ‘Azib, Zejd ibn Erkami, Selman Farisiju, Ebu Dherr El-Gifarij, Ammar ibn Jasiri, Mikdad ibnu’l-Esuedi dhe Ebu Hurejreja. (Shih Menhexh fi’l-Intimai’l-Medhhebij i Prof. Saib Abdu’l-Hamijd, 148, Merkezu’l-Gadijr, Kum, botimi 5.)
Në Gadijr Khum (vendi që ndodhet mes Mekës dhe Medines) Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mi të dhe mbi familjen e tij!) mori dorën e Aliut dhe e ngriti atë deri sa njerëzit panë të bardhën e pëllëmbës dhe tha: “Për atë që kam qenë udhëheqës i tij edhe Aliu është udhëheqësi i tij. O Allah i Plotpushtetshëm, duaje atë që që e do Aliun dhe bëhu armik i atij që armiqëson Aliun. Përkrahe atë që përkrah Aliun dhe poshtërje atë që e poshtëron Aliun.”
Pastaj ata të dy nuk u ndanë derisa zbriti ajeti:
}الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الإِسْلاَمَ دِينًا{
“…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin si fe…” (Sure “Maide”, ajeti 3.) I Dërguari i Allahut tha: “Allahu është më i Madhi ndaj përsosjes së fesë, plotësimit të begative dhe kënaqësisë së Tij me mesazhin tim dhe udhëheqjen e Aliut.”
Sipas dijetarëve shiitë, ky ajet zbriti pas fjalimit të Gadijr Kummit dhe lidhet me shpalljen e caktimit të imam Aliut udhëheqës të muslimanëve pas Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Ndërsa shumica e dijetarëve sunitë, bazuar në transmetime nga Omer ibn Khattabi, thonë se ky ajet zbriti ditën e Arafatit gjatë Haxhit të Lamtumirës. Megjithatë ekzistojnë transmetime të tjera historike që e lidhin këtë ajet me Gadijr Khumin. Nga literaturat e Ehli Sunetit që flasin për Gadijri Khumin janë: “Menakibu’l-Khavarizmij”, f. 80. “Maktelu’l-Imami’l-Hysejn” po i tiji, 47. “Terxhemetu’l-Imami Alij” i Ibn Asakirit, 2: 75/577-580. “Tarijkhu Bagdad”, 8: 290. “Tarijkhu’l-Ja’kubij”, 2: 43. “Shevahidu’t-Tenzijl”, 157/210-215. “El-Menakib i Ibnu’l-Megazilit”, 19. “Tedhkiretu’l-Khauass” i Ibnu’l-Xheuzijit, 29. “Feraidu’s-Simtejn”, 1: 315. “Ed-Durru’l-Menthur” i Sujutijut, 2: 259. “El-Itkan” po i Sujutijut, 1: 75.), e të tjerë.
Në ajetin 55 të sures “Maide” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ إِنَّمَا وَلِيُّكُمُ اللَّهُ وَرَسُولُهُ وَالَّذِينَ آمَنُوا الَّذِينَ يُقِيمُونَ الصَّلَاةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَهُمْ رَاكِعُونَ﴾
“Miku juaj është vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zekatin duke qenë në ruku.”
Shumë tefsire të hershme përmendin se ky ajet lidhet me një ngjarje kur Ali ibn Abi Talib i dha një lypësi unazën e tij ndërsa ishte në ruku. Këtë e përmendin, ndër të tjerë, El-Tabari, El-Uahidij dhe Ez Zamakhsharij.
Dijetarët shi’itë e konsiderojnë këtë ajet si dëshmi të veçantë për vilajetin e Aliut, ndërsa shumë dijetarë sunitë e shohin si lavdërim të virtytit të tij, pa nënkuptuar domosdoshmërisht emërim politik.
Shumica e dijetarëve sunitë E pranojnë ngjarjen e Gadijrit. E pranojnë hadithin “Men kuntu meulahu fe Alijun meulahu.”, por e konsiderojnë atë një shpallje të dashurisë, nderimit dhe pozitës së lartë të Aliut dhe nuk e konsiderojnë si emërim të qartë për udhëheqës pas Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Ndërsa dijetarët shiitë e shohin si shpallje të imamatit dhe vilajetit të Aliut pas Profetit Muhamed. Ata i lidhin ajetet: 67, 3 dhe 55 të sures “El Maide” drejtpërdrejt me Gadijr Khumin.
Shumë dijetarë të Ehli Sunetit që nuk pranojnë interpretimin shi’it, e pranojnë se Gadijr Khumi ishte një nga ngjarjet më të mëdha të jetës së Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe se fjala e tij për Aliun nuk ishte një deklaratë e zakonshme.
Prandaj, pavarësisht dallimeve në interpretim, si te tradita sunite ashtu edhe te ajo shiite, Gadijr Khumi mbetet një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme në historinë islame, e lidhur ngushtë me figurën e Ali ibn Abi Talib dhe me çështjen e udhëheqjes së umetit pas Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Nëse myslimanët në përgjithësi do ta përqendronin vëmendjen e tyre te çështja e Ditës së Gadirit, ata do të zbulonin shumë domethënie dhe mësime të rëndësishme në këtë ngjarje, të cilat do të sillnin dobi të mëdha për umetin islam.
Gadijr Khumi mund të jetë një ditë reflektimi mbi unitetin, dashurinë për Ehli Bejtin dhe përkushtimin ndaj së vërtetës, duke i afruar muslimanët më shumë me moralin dhe shembullin e Profetit Muhamed dhe të Imam Aliut.
Gadijri na kujton se: Dashuria për Allahun lidhet me dashurinë për të Dërguarin e Tij. Dashuria për të Dërguarin lidhet me dashurinë për familjen e tij të bekuar. Udhëheqja shpirtërore duhet të ndërtohet mbi dijen, drejtësinë, devotshmërinë dhe sakrificën. Përçarjet nuk duhet të na bëjnë të harrojmë virtytet e mëdha të Ehli Bejtit.
Gadijri nuk është vetëm një ngjarje historike; ai është një thirrje që zemrat e besimtarëve të lidhen me drejtësinë e Aliut, urtësinë e Aliut, trimërinë e Aliut dhe dashurinë e Aliut për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Kush e do Allahun dhe Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), le të mos e harrojë familjen e tij të bekuar.
Gadijr Khumi është një ngjarje që ka lënë gjurmë të thella në zemrat e muslimanëve ndër shekuj dhe na fton të reflektojmë mbi besnikërinë, dashurinë për Ehli Bejtin dhe përgjegjësinë për të ruajtur amanetin e fesë.
Allahu na i mbushtë zemrat tona me dritë, urtësi dhe bereqet! Allahu na bëftë prej atyre që e duan të Dërguarin e Allahut, Profetin Muhamed, familjen e tij të bekuar, shokët e tij të zgjedhur dhe që ecin në rrugën e drejtësisë e të mirësisë!
O Allah, na bashko në dashurinë Tënde, në dashurinë e të Dërguarit Tënd dhe në dashurinë e robve të Tu të mirë!

