Në ajetin 130 të sures “Ta Ha” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ قَبْلَ طُلُوعِ الشَّمْسِ وَقَبْلَ غُرُوبِهَا وَمِنْ آنَاءِ اللَّيْلِ فَسَبِّحْ وَأَطْرَافَ النَّهَارِ لَعَلَّكَ تَرْضَى ﴾
“…dhe lavdëroje me falënderim Zotin tënd para lindjes së Diellit dhe para perëndimit të tij! Lavdëroje Atë edhe në orët e natës, edhe në skajet e ditës, që të mund të kënaqesh.”
Ky ajet bën thirrje që besimtari duhet ta mbajë zemrën e tij të lidhur vazhdimisht me Allahun përmes dhikrit, tesbihut dhe falënderimit, në mëngjes e në mbrëmje, ditën e natën. Në përmendjen e Allahut gjenden qetësia e shpirtit, kënaqësia e zemrës dhe lumturia e vërtetë. Kush e përmend Allahun në çdo kohë, gjen qetësi, kënaqësi dhe afërsi me Zotin e tij.
Kuptimi i dhikrit në terminologjinë islame është përmendja që robi i bën Zotit të tij duke e lavdëruar Atë, apo duke folur për Qenien e Tij, për cilësitë e Tij, për veprat dhe mirësitë e Tij, apo duke e adhuruar Atë, duke lexuar Librin e Tij, duke iu lutur dhe duke kërkuar prej Tij.
E vërteta e dhikrit:
Dhikri, në thelbin e tij, është që njeriu të çlirohet nga pakujdesia dhe harresa, dhe të drejtohet me zemrën dhe shpirtin e tij kah Krijuesi, Allahu i Plotfuqishëm.
Llojet e dhikrit (përmendjes së Allahut):
Dhikri ndahet në dy lloje kryesore:
I pari: Dhikri me gjuhë.
I dyti: Dhikri me zemër dhe me shpirt.
Dhikri me gjuhë është që njeriu ta përmendë Allahun e Madhëruar me gjuhën e tij dhe ta lavdërojë Atë me emrat dhe cilësitë e Tij.
Ndërsa dhikri me zemër është që njeriu të shkëputet nga kjo botë dhe nga gjithçka që gjendet në të, duke iu drejtuar Allahut me zemër e me qenien e tij, duke medituar mbi emrat dhe cilësitë e Allahut, mbi mrekullitë e fuqisë së Tij dhe veprat e Tij. Këto dy lloje janë ndër format më të larta të dhikrit.
Dijetarët kanë përmendur edhe ndarje të tjera të dhikrit, sepse çdo gjymtyrë e njeriut ka një dhikër që i përshtatet asaj.
Dhikri i gjuhës është lavdërimi i Allahut, lutja dhe leximi i Kur’anit.
Dhikri i zemrës është meditimi mbi Qenien e Allahut, cilësitë e Tij dhe mrekullitë e fuqisë së Tij; meditimi mbi urdhrat dhe ndalesat e Tij; si dhe soditja e sekreteve dhe mrekullive të krijesave të Tij.
Dhikri me frikë dhe shpresë është që njeriu të kujtojë dënimin e Allahut dhe t’i frikësohet atij në çdo çast, ndërsa njëkohësisht të shpresojë dhe të dëshirojë mëshirën e Tij në çdo kohë.
Dhikri i gjymtyrëve është adhurimi i Allahut me trup, si namazi, agjërimi, zekati dhe xhihadi në udhën e Allahut.
Dhikri i duarve është shpenzimi në rrugën e Allahut për të varfrit dhe nevojtarët, plotësimi i nevojave të tyre dhe sjellja e gëzimit e rehatisë te besimtarët.
Dhikri i syve është derdhja e lotëve nga frika dhe përkushtimi ndaj Allahut.
Përveç këtyre, dijetarët kanë përmendur edhe lloje të tjera të dhikrit, secila prej të cilave e afron robin më pranë Allahut të Madhëruar.
Përmendja e Allahut (Dhikri) është një nga adhurimet më të lehta për gjuhën, por njëkohësisht ndër veprat më të mëdha dhe të rënda tek Allahu. Përmendja e Allahut është ushqimi i shpirtit, drita e zemrës dhe çelësi i qetësisë së brendshme.
1- Duhet ta përmendim Allahun sepse vetë Allahu na urdhëron ta përmendim Atë
Në ajetet 41-42 të sures “El Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًا وَسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلًا﴾
“O ju që besuat! Përmendeni Allahun me përmendje të shumtë dhe madhërojeni Atë në mëngjes e në mbrëmje.”
Ky ajet nuk na urdhëron thjesht ta përmendim Allahun, por ta përmendim shumë. Besimtari duhet ta ketë Allahun në zemrën, gjuhën dhe veprat e tij.
2- Duhet ta përmendim Allahun sepse përmendja e Allahut sjell qetësi në zemër.
Një nga nevojat më të mëdha të njeriut është qetësia shpirtërore. Njerëzit kërkojnë qetësi në pasuri, famë, pozitë dhe kënaqësi materiale, por Allahu na tregon burimin e vërtetë të saj:
Në ajetin 28 të sures “Err Rra’d” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ﴾
“Vërtet, vetëm me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”
Sa më larg Allahut të jetë zemra, aq më shumë shtohen shqetësimet, frika dhe pasiguria. Kurse zemra që e kujton Allahun, edhe në vështirësi gjen qetësi dhe siguri.
3– Duhet ta përmendim Allahun sepse përmendja e Allahut është qëllimi i adhurimeve
Allahu i tha Profetit Musa (Paqja qoftë mbi të!):
﴿وَأَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي﴾
“Fal namazin për të Më përmendur Mua.” (Sure “Taha”, ajeti 14
Një nga qëllimet kryesore të namazit, agjërimit dhe adhurimeve të tjera është që zemra e njeriut të mbetet e lidhur me Allahun.
4- Duhet ta përmendim Allahun sepse Përmendja e Tij na mbron nga shejtani
Kur njeriu e harron Allahun, shejtani fiton ndikim mbi të. Në ajetin 36 të sures “Ez Zukhruf” Allahu thotë:
﴿وَمَنْ يَعْشُ عَنْ ذِكْرِ الرَّحْمَنِ نُقَيِّضْ لَهُ شَيْطَانًا فَهُوَ لَهُ قَرِينٌ﴾
“Kush largohet nga përmendja e të Gjithëmëshirshmit, Ne ia caktojmë një shejtan që bëhet shoqërues i tij.”
Dhikri është si një mburojë që e ruan zemrën nga vesveset dhe mashtrimet e shejtanit.
5- Duhet ta përmendim Allahun sepse Allahu e përmend përmendësin e Tij
A ka nder më të madh për njeriun që Allahu ta përmendë atë? Në ajetin 152 të sures “El Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ﴾
“Më përmendni Mua që Unë t’ju përmend ju.”
Kur robi e përmend Allahun në tokë, Allahu e përmend atë me mëshirë dhe nderim.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “A t’ju tregoj për veprën më të mirë, më të pastër tek Zoti juaj, që ju ngre më shumë në shkallë dhe është më e mirë për ju sesa shpenzimi i arit dhe argjendit?”
Ata thanë: ‘Po.’
Ai tha: “Përmendja e Allahut.” (“Sunen Et-Tirmidhij”, nr. 3377; “Musned Ahmed”, vëll. 6, fq. 447.)
Në një hadith tjetër ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Zotin e tij dhe atij që nuk e përmend është si shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” (“Sahihul-Bukhari”, kreu i lutjeve.) Kjo tregon se dhikri është jeta e zemrës.
Ka shumë hadithe nga Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) që flasin për përmendjen e Allahut.
– Sipas Ehli Bejtit, Dhikri është adhurimi më i madh.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Përmendja e Allahut është pastrimi dhe ndriçimi i zemrave.” (Burimi: Ghurar al-Hikam, hadithi nr. 4867.)
Nga ky hadith kuptojmë se zemra e njeriut pastrohet nga pluhuri i mëkateve, i pakujdesisë dhe i lidhjeve të kësaj bote përmes përmendjes së Allahut. Dhikri e ndriçon shpirtin me dritën e besimit, i sjell qetësi zemrës dhe e afron robin me Krijuesin e tij. Pra, Dhikri është ilaçi i zemrës, që e pastron nga errësira dhe e mbush me dritën e Allahut.
– Sipas Ehli Bejtit Dhikri është ushqimi i shpirtit
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Përmendja e Allahut është ilaçi i sëmundjeve të shpirtit.” Burimi: Ghurar al-Hikam, hadithi nr. 4864.
– Sipas Ehli Bejtit Dhikri largon ngurtësinë e zemrës
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ka gjë që Allahu ta ketë bërë obligim përveçse i ka caktuar një kufi, ndërsa përmendjes së Allahut nuk i ka caktuar kufi.”
Pastaj lexoi: ﴿اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًا﴾, “Përmendeni Allahun me përmendje të shumtë.” (Burimi: “El-Kafij”, vëll. 2, Libri i Dhikrit.)
– Sipas Ehli Bejtit Dhikri është shenjë e dashurisë ndaj Allahut
Imam Bakiri (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ka asgjë më të dashur për Allahun sesa robi besimtar që e përmend shpesh Atë.” Burimi: “El-Kafij”, vëll. 2, kreu i Dhikrit.
Si ta përmendim Allahun?
Përmendja e Allahut realizohet duke thënë: Subhanallah, Elhamdulilah, La ilahe il-lallah, Allahu Ekber. Ajo realizohet duke lexuar Kur’anin, duke dërguar salavate për Profetin dhe familjen e tij, Ehli Bejtin, duke falur namazin, duke iu bindur Allahut dhe duke iu larguar mëkateve
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Përmendja e Allahut nuk është vetëm të thuash Subhanallah, Elhamdulilah dhe Allahu Ekber; përmendja e Allahut është që kur të përballesh me atë që Allahu e ka bërë hallall apo haram, t’i bindesh urdhrit të Tij.” Burimi: Al-Kafi, vëll. 2, fq. 80.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Njeriu nuk mund të jetojë pa ushqim për trupin, por edhe zemra nuk mund të jetojë pa ushqimin e saj. Ushqimi i zemrës është përmendja e Allahut (Dhikri). Me dhikër zemra qetësohet. Me dhikër largohen shejtanët. Me dhikër pastrohet shpirti. Me dhikër fitohet afërsia me Allahun. Me dhikër robi bëhet i përmendur tek Allahu.
Prandaj le ta mbajmë gjuhën tonë të lagur me përmendjen e Allahut dhe zemrat tona të gjalla me dashurinë për Të.
Lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë prej atyre për të cilët thotë:
﴿الَّذِينَ يَذْكُرُونَ اللَّهَ قِيَامًا وَقُعُودًا وَعَلَى جُنُوبِهِمْ﴾
“Ata që e përmendin Allahun në këmbë, ulur dhe të shtrirë.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 191.)
O Allah, na bëj prej atyre që të përmendin shumë, të falënderojnë sinqerisht dhe të adhurojnë me përkushtim. Amin.

