Kjo është një pyetje që e ka shoqëruar njeriun në çdo kohë. Çdo besimtar dëshiron të dijë se cilat janë veprat, cilësitë dhe sjelljet që e afrojnë më shumë tek Krijuesi i tij. Kur’ani dhe hadithet e Profetit e të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) na tregojnë qartë rrugët e afrimit me Allahun e Madhëruar. Ato rrugë janë:
E para: Njohja e Allahut
Rruga parë i afrimit me Allahun është njohja e Tij.
Në ajetin 19 të sures “Muhamd “Allahu i Madhëruar thotë:
{فَٱعۡلَمۡ أَنَّهُۥ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا ٱللَّهُ}
“Dije se nuk ka zot tjetër përveç Allahut.”
Sa më shumë që njeriu e njeh Allahun, madhështinë, mëshirën dhe urtësinë e Tij, aq më shumë e do Atë dhe afrohet pranë Tij.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Fillimi i fesë është njohja e Allahut.” (“Nehxhul-Belaga”, Hutbe 1)
Prandaj, meditimi mbi krijimin, leximi i Kur’anit dhe studimi i argumenteve të ekzistencës së Allahut janë ndër rrugët më të rëndësishme të afrimit tek Ai.
Nëse e njeh Allahun me njohjen e vërtetë, atëherë e ke arritur frytin e teuhidit (njëshmërisë së Zotit). Themeli i epërsisë dhe i dallimit mes njerëzve, si dhe i gradës së tyre tek Allahu, qëndron në njohjen e Allahut dhe në dashurinë për Të. Vlera e vërtetë e njeriut nuk matet me pasuri, pozitë apo dije të zakonshme, por me shkallën e njohjes së Allahut, të emrave dhe cilësive të Tij, dhe me dashurinë që ka për Të. Sa më e thellë të jetë kjo njohje, aq më e lartë është grada e njeriut pranë Allahut.
E dyta: Devotshmëria (et tekuaa)
Një nga gjërat që e afron më shumë njeriun me Allahun ështëdevotshmëria (et tekva). Në ajetin 13 të sures “El-Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّ أَكۡرَمَكُمۡ عِندَ ٱللَّهِ أَتۡقَىٰكُمۡ
“Vërtet më i nderuari prej jush tek Allahu është më i devotshmi.”
Devotshmëria (et tekva) ka kuptimin që të jesh i kujdesshëm ndaj Allahut në çdo veprim, të largohesh nga harami dhe të kryesh detyrimet fetare.
Imam Xha’fer Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu nuk pranon asnjë vepër pa devotshmëri.” (“El-Kafij”, vëll. 2)
Në ajetin 27 të sures “El-Maide” Allahu i Mdhëruar thotë:
}إِنَّمَا يَتَقَبَّلُ اللَّهُ مِنَ الْمُتَّقِينَ{
“Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve…”
Njeriu mund të kryejë shumë adhurime, por pa tekva ato nuk kanë vlerën e plotë para Allahut.
E treta: Kryerja e detyrimeve fetare
Shumë njerëz përqendrohen tek veprat vullnetare, por harrojnë detyrimet.
Në një hadith kudsij Allahu thotë: “Robi Im nuk afrohet tek Unë me diçka më të dashur për Mua sesa ajo që ia kam bërë obligim.” (“El-Kafij”, vëll. 2, Kitabul-Iman uel-Kufr)
Namazi, agjërimi, zekati, haxhi dhe obligimet e tjera janë rruga më e sigurt e afrimit tek Allahu. Prandaj, para se të mendojmë për adhurime shtesë, duhet të përmirësojmë namazin, të respektojmë hallallin dhe haramin dhe të kryejmë detyrimet tona.
E katërta: Namazi
Namazi është shtylla e fesë dhe lidhja më e drejtpërdrejtë me Allahun.
Në ajetin 14 të sures “Ta Ha” Allahu i Madhëruar thotë:
{وَأَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي}
“Fal namazin për të më kujtuar Mua.”
Dhen në ajetin 45 të sures “El-Ankebut” Allahu thotë:
}إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ{
“Vërtet namazi ndalon nga veprat e shëmtuara dhe të këqija.”
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Namazi është shtylla e fesë.” (Biharul-Enuar)
Kur namazi falet me përqendrim dhe sinqeritet, ai bëhet një shkallë e afrimit me Allahun.
E pesta: Përkujtimi i Allahut (Dhikri)
Një zemër që e kujton Allahun është gjithmonë pranë Tij.
Në ajetin 152 të sures “El Bekare” Allahu thotë:
﴿فَاذْكُرُونِي أَذْكُرْكُمْ ﴾
“Më kujtoni Mua, që t’ju kujtoj ju.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dhikri është drita e zemrave.” (Gurerul-Hikem)
Përkujtimi i Allahut nuk kufizohet vetëm në tesbih, por përfshin kujtimin e Tij në çdo situatë të jetës.
E gjashta: Dashuria për Profetin dhe Ehli Bejtin
Një nga rrugët më të mëdha të afrimit tek Allahu është dashuria për Profetin dhe familjen e tij. Në ajetin 31 të sures Ali Imran”Allahu i Madhëruar thotë:
{إِن كُنتُمۡ تُحِبُّونَ ٱللَّهَ فَٱتَّبِعُونِي يُحۡبِبۡكُمُ ٱللَّهُ}
“Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, Allahu do t’ju dojë.”
Po ashtu në ajetin 23 të sures “Esh Shura” Allahu i Madhëruar thotë:
قُل لَّا أَسْأَلُكُمْ عَلَيْهِ أَجْرًا إِلَّا الْمَوَدَّةَ فِي الْقُرْبَىٰ
“Thuaj: Nuk kërkoj prej jush shpërblim tjetër përveç dashurisë ndaj të afërmve.”
Ky quhet Ajeti i Dashurisë, të cilin e vërtetojnë shumica e librave të komentimeve e shumë nga burimet e haditheve dhe të historisë, se ka zbritur për të afërmit e Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): Aliun, Fatimenë, Hasanin, Hysejnin dhe pasardhësit e tyre të pastër.
Dashuria e vërtetë për Profetin dhe Ehli Bejtin nuk është vetëm me fjalë, por me ndjekjen e moralit dhe rrugës së tyre.
E shtata: Shërbimi ndaj njerëzve
Një mënyrë shumë e dashur tek Allahu për t’u afruar tek Ai është ndihma ndaj njerëzve. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë “Krijesat janë familja e Allahut, dhe më i dashuri tek Allahu është ai që u sjell më shumë dobi krijesave të Tij.” (Biharul-Enuar)
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Plotësimi i nevojës së një besimtari është më e dashur tek Allahu se sa shumë adhurime vullnetare.” (El-Kafij)
Prandaj, ndihma ndaj të varfërve, jetimëve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë është një rrugë e madhe drejt kënaqësisë së Allahut dhe afërsisë me Të.
E teta: Sinqeriteti
Vlera e çdo vepre varet nga sinqeriteti. Në ajetin 5 të sures “El-Bejjine” Allahu i Madhëruar thotë:
}وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ{
“Ata nuk u urdhëruan për tjetër veçse ta adhurojnë Allahun me sinqeritet të plotë.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Pak vepër me sinqeritet është më e mirë se shumë vepra pa sinqeritet.” (Gurerul-Hikem)
Një vepër e vogël e bërë vetëm për Allahun mund të ketë vlerë më të madhe se një vepër e madhe e bërë për sy e faqe.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ajo që na afron më shumë me Allahun nuk janë vetëm fjalët e shumta e as veprat që bëhen për sy të njerëzve, por ajo që na afron më shumë me Allahun është një zemër e pastër, njohja e Krijuesit, dashuria për Të, sinqeriteti në adhurim dhe shërbimi ndaj krijesave të Tij. Sa më shumë ta njohim Allahun, aq më shumë e duam; sa më shumë e duam, aq më shumë e përmendim; dhe sa më shumë e përmendim, aq më afër ndiejmë praninë e Tij. Prandaj, rruga më e shkurtër drejt afërsisë me Allahun është që zemra të mbushet me dashuri, gjuha me dhikër dhe jeta me vepra të mira. Atëherë robi nuk ecën më drejt Allahut vetëm me hapat e tij, por e tërheq vetë mëshira e Allahut drejt afërsisë së Tij.”
Sa bukur ka thënë imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!): “Afërsia me Allahun nuk arrihet me prejardhje, por me bindje dhe vepra të mira.” (Gurerul-Hikem)
Lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë prej atyre që e njohin Atë, e kujtojnë Atë, e adhurojnë me sinqeritet dhe afrohen çdo ditë më shumë pranë Tij me vepra të mira!

