Në një botë ku njeriu përballet çdo ditë me zgjedhje, sfida dhe pasiguri, lind nevoja për një udhërrëfyes të sigurt që ta drejtojë drejt së vërtetës dhe lumturisë. Ashtu si çdo sistem ka rregullat dhe programin e tij të funksionimit, edhe jeta e njeriut ka nevojë për një program të përsosur që ta udhëheqë në çdo hap. Ky program është Kur’ani, fjala e Allahut, e zbritur për të ndriçuar mendjen, për të pastruar zemrën dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë e të moralshme.
Kur’ani nuk është thjesht një libër që lexohet për bereqet apo vetëm në raste të veçanta fetare. Ai është një plan i plotë jetese, që përfshin marrëdhënien e njeriut me Krijuesin, me familjen, me shoqërinë dhe me vetveten.
Në faqet e tij gjenden mësime që i japin kuptim jetës, forcojnë karakterin dhe i tregojnë njeriut rrugën e suksesit në këtë botë dhe në botën tjetër. Prandaj, sa më shumë që njeriu e njeh dhe e zbaton Kur’anin, aq më shumë ai gjen qetësi, urtësi dhe drejtim në jetën e tij.
————— – ————–
Programi i jetës
Feja Islame përfshin programin më të plotë për jetën njerëzore dhe përmban gjithçka që e udhëheq njeriun drejt lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër. Themelet dhe ligjet e kësaj feje janë njohur përmes Kur’anit i Shenjtë dhe Sunetit të bekuar. Kur’ani i Shenjtë është burimi i parë dhe kroi prej të cilit rrjedhin këto mësime.
Ligjet islame, të cilat përmbajnë një varg njohurish besimore, parimesh morale dhe rregullash praktike, i gjejnë burimet e tyre autentike në ajetet e Kur’anit të Shenjtë.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ هَذَا الْقُرْآنَ يِهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ﴾
“Vërtet, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e drejta dhe më e mira.”[1]
Po ashtu thotë:
﴿وَنَزَّلْنَا عَلَيْكَ الْكِتَابَ تِبْيَانًا لِّكُلِّ شَيْءٍ وَهُدًى وَرَحْمَةً وَبُشْرَى لِلْمُسْلِمِين﴾
“Dhe Ne ta zbritëm ty Librin si sqarim për çdo gjë, udhëzim, mëshirë dhe përgëzim për muslimanët.”[2]
Nëse meditojmë me kujdes mbi pikat e mëposhtme, do të kuptojmë se si Kur’ani i Shenjtë përfshin programet dhe udhëzimet jetësore që janë të domosdoshme për njeriun.
1- Lumturia është synimi i njeriut
Çdo njeri në këtë jetë synon të arrijë lumturinë. Mirëpo, njerëzit ndryshojnë në përcaktimin e saj dhe në mënyrën se si mendojnë se mund të arrihet. Disa e shohin lumturinë te pasuria, të tjerë te prestigji dhe posti, ndërsa disa të tjerë te fama, e kështu me radhë. Por lumturia e vërtetë është ajo e Ditës së Ringjalljes, në Xhennet.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَالْآخِرَةُ خَيْرٌ وَأَبْقَى﴾
“Ndërsa Bota Tjetër është më e mirë dhe më e qëndrueshme.”[3]
2- Domosdoshmëria e ligjeve dhe rregullave
Njeriu duhet të ketë një qëllim të caktuar në veprimet e tij individuale dhe shoqërore. Për të arritur këtë qëllim, veprat e tij duhet të mbështeten në ligje dhe norma të veçanta, të vendosura nga feja ose nga sisteme të tjera.
Vetë Kur’ani i Shenjtë e mbështet këtë parim, kur thotë:
﴿وَلِكُلٍّ وِجْهَةٌ هُوَ مُوَلِّيهَا فَاسْتَبِقُواْ الْخَيْرَاتِ﴾
“Secili ka drejtimin e vet kah i cili kthehet, prandaj garoni në vepra të mira.”[4]
3- Domosdoshmëria e përputhjes së ligjeve me natyrën njerëzore (el fitratu)
Ligjet, rregullat dhe normat duhet të jenë në përputhje me natyrën e pastër njerëzore (el fitratu), dhe jo të burojnë nga emocionet apo nxitjet individuale ose shoqërore. Ky është ligji i tërë gjithësisë. Lumturia dhe përsosmëria e saj arrihen duke ndjekur atë natyrë me të cilën Allahu e ka krijuar.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿رَبُّنَا الَّذِي أَعْطَى كُلَّ شَيْءٍ خَلْقَهُ ثُمَّ هَدَى﴾
“Zoti ynë është Ai që i dha çdo gjëje formën e saj dhe pastaj e udhëzoi.”[5]
Dhe:
﴿الَّذِي خَلَقَ فَسَوَّى*وَالَّذِي قَدَّرَ فَهَدَى﴾
“Ai që krijoi dhe përsosi, dhe Ai që caktoi masën dhe udhëzoi.”[6]
Dhe:
﴿وَنَفْسٍ وَمَا سَوَّاهَا * فَأَلْهَمَهَا فُجُورَهَا وَتَقْوَاهَا *قَدْ أَفْلَحَ مَن زَكَّاهَا * وَقَدْ خَابَ مَن دَسَّاهَا﴾
“Pasha shpirtin dhe Atë që e formësoi atë, dhe ia frymëzoi atij të keqen dhe devotshmërinë e tij. Ka shpëtuar ai që e pastroi atë, dhe ka dështuar ai që e ndyti atë.”[7]
Dhe:
﴿ فَأَقِمْ وَجْهَكَ لِلدِّينِ حَنِيفًا فِطْرَةَ اللَّهِ الَّتِي فَطَرَ النَّاسَ عَلَيْهَا لَا تَبْدِيلَ لِخَلْقِ اللَّهِ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ﴾
“Prandaj drejtoje fytyrën tënde me përkushtim të plotë kah feja e drejtë, sipas natyrës (el fitratu) së Allahut, me të cilën Ai i krijoi njerëzit. Nuk ka ndryshim në krijimin e Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”[8]
Dhe:
﴿إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللّهِ الإِسْلاَمُ﴾
“Vërtet, feja tek Allahu është Islami.”[9]
Dhe:
﴿وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الإِسْلاَمِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ…﴾
“Kush kërkon fe tjetër përveç Islamit, nuk do t’i pranohet …”[10]
Pas sqarimit të këtyre parathënieve, theksojmë se Kur’ani i Shenjtë ka vendosur programin e jetës për njeriun.
Ai e ka bërë njohjen e Allahut themelin e këtij programi dhe besimin në Njëshmërinë e Tij (Teuhidin) parimin e parë të fesë.
Përmes njohjes së Allahut, Kur’ani e udhëzon njeriun drejt besimit në Ringjalljen
dhe Ditën e Gjykimit, në të cilën punëmiri do të shpërblehet për të mirën e tij, ndërsa keqbërësi do të ndëshkohet për të keqen e tij. Këtë e ka bërë parimin e dytë.
Pastaj, përmes besimit në Ahiret, e udhëzon drejt njohjes së Profetit, sepse shpërblimi dhe ndëshkimi për veprat nuk mund të kuptohen pa njohur bindjen dhe mosbindjen, të mirën dhe të keqen. Kjo njohje nuk mund të arrihet përveçse nëpërmjet shpalljes hyjnore (el uahju) dhe profetësisë. Këtë e ka bërë parimin e tretë.
Kur’ani i Shenjtë i konsideron këto parime, besimin në Teuhid, në Profetësi (nga e cila rrjedh Imamati) dhe Ahiret (nga i cili rrjedh drejtësia e Allahut), si themelet e fesë islame.
Pas kësaj, Kur’ani ka sqaruar parimet e moralit të pëlqyer dhe virtytet e larta që përputhen me këto tri parime, të cilat duhet t’i zotërojë çdo besimtar.
Më pas ka ligjëruar rregullat dhe normat praktike që garantojnë lumturinë e vërtetë të njeriut dhe zhvillojnë tek ai moralin e mirë.
Kurani i Shenjtë përmban burimet themelore të tri bazave kryesore të Islamit:
1- Parimet e besimit (akides), të cilat janë themelet e fesë: Teuhidi (Njëshmëria e Allahut), Profetësia (Nubueti) dhe Ringjallja (Meadi).
2- Morali (Ahlaku).
3- Dispozitat fetare dhe ligjet praktike, themelet e të cilave i ka sqaruar Kur’ani i Shenjtë. Ndërsa shpjegimin e hollësive të tyre ia ka lënë Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe familjes së tij të pastër (Ehli Bejtit, paqja qoftë mbi ta). Shpjegimin e Ehli Bejtit Profeti e ka konsideruar në të njëjtin nivel me shpjegimin e tij, siç dëshmohet nga Hadithi i Thekalejnit, transmetimi i të cilit është i njohur dhe i përcjellë gjerësisht si te sunnitët ashtu edhe te shiitët.
[1] Sure “El-Isra”, ajeti 9.
[2] Sure “En-Nahl”, ajeti 89.
[3] Sure “El-A‘la”, ajeti 17.
[4] Sure “El-Bekare”, ajeti 148.
[5] Sure “Taha”, ajeti 50.
[6] Sure “El-A‘la”, ajetet 2-3.
[7] Sure “Esh-Shems”, ajetet 7-10.
[8] Sure “Err-Rum”, ajeti 30.
[9] Sure “Ali Imran”, ajeti 19.
[10] Sure “Ali Imran”, ajeti 85.

