Si të ruajmë unitetin?

Në ajetin 103 të sures “Ali Imran” thuhet:

﴿وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّهِ جَمِيعًا وَلَا تَفَرَّقُوا…﴾

“Dhe kapuni të gjithë pas litarit të Allahut dhe mos u përçani….”

Prej detyra të muslimanëve, suni dhe shia, është uniteti, bashkimi, vëllazëria, solidariteti dhe bashkëpunimi mes tyre me devotshëmri e harmoni. Të gjitha këto janë edhe porosi të Kur’anit dhe të profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Të gjithë muslimanët i bashkon besimi në Allahun e Vetëm e të Pashoq, besimi në profecinë e profetit Muhamed, vula e profetëve, besimi në Kur’anin e Shenjtë, Libri i fundit i ardhur nga Allahu i Madhëruar. Ata i bashkojnë adhurimet si namazi, agjërimi, haxhi, zeqati, etj. Me një fjalë, ata i bashkon feja e pastër islame, e cila është fe mbarëbotërore dhe me të cilën Allahu i Plotfuqishëm përbylli fetë e Tij.

Uniteti islam është kështjella e fortifikuar për të cilën Allahu i Madhëruar na flet në Kur’anin e Shenjtë. Uniteti dhe vëllazëria duhet të jenë ura lidhëse mes muslimanëve. Uniteti është themeli i vëllazërisë mes muslimanëve, të cilën i Dërguari i Allahut e bëri në Medinën e Ndritur mes Ensarëve (përkrahësve medinas) dhe Muhaxhirëve (emigruesve nga Meka). Uniteti dhe vëllazëria kanë qenë orientimi strategjik i Profetit tonë të dashur (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), që prej ditës së parë që emigroi në Medine.

Uniteti është një nga shtyllat më të rëndësishme të forcës së ummetit islam. Kur besimtarët janë të bashkuar, ata janë të forte. Kur përçahen, dobësohen dhe humbin fuqinë dhe dinjitetin e tyre. Prandaj, Kur’ani dhe hadithet kanë vendosur theks të veçantë mbi ruajtjen e unitetit dhe shmangien e përçarjes.

Allahu na urdhëron për unitet. Në ajetin 103 të sures “Ali Imran” thuhet:

﴿وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّهِ جَمِيعًا وَلَا تَفَرَّقُوا…﴾

“Dhe kapuni të gjithë pas litarit të Allahut dhe mos u përçani….”

Ky ajet është ndër bazat kryesore të unitetit islam. “Litari i Allahut” është feja e Tij, Kur’ani, udhëzimi i Allahut dhe rruga e drejtë.

Allahu nuk thotë vetëm “kapuni pas litarit të Allahut”, por shton: “të gjithë”, duke treguar se shpëtimi nuk qëndron vetëm në besimin individual, por edhe në ruajtjen e bashkimit të komunitetit.

Përçarja sjell dobësi

Për këtë në ajetin 46 të sures “El-Enfal” Allahu thotë:

﴿…وَلَا تَنَازَعُوا فَتَفْشَلُوا وَتَذْهَبَ رِيحُكُمْ ۖ…﴾

“...Mos u grindni mes vete, se do të dobësoheni dhe do t’ju humbasë forca…”

Ky është një ligj i Allahut që vlen në çdo kohë. Kur familjet grinden, humbin qetësinë. Kur xhematet grinden, humbin ndikimin. Kur ummeti përçahet, humbet forcën dhe dinjitetin. Armiku nuk ka nevojë të na mundë nga jashtë nëse ne e shkatërrojmë veten nga brenda.

Allahu na thotë se besimtarët janë vëllezër

Në ajetin 10 të sures “El-Huxhurat” Allahu thotë:

﴿ إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ فَأَصْلِحُوا بَيْنَ أَخَوَيْكُمْ ۚ …﴾

“Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër; prandaj pajtoni vëllezërit tuaj.”

Kur’ani nuk thotë se besimtarët janë si vëllezër, por se ata janë vëllezër. Ashtu si vëllai nuk e braktis vëllanë e tij për një gabim apo mosmarrëveshje, edhe besimtari duhet të ruajë lidhjen me vëllain e tij në fe. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa, pjesët e së cilës e mbështesin njëra-tjetrën.” Më pas Profeti ndërthurte gishtat e duarve për ta ilustruar këtë lidhje.

Një tullë e vetme mund të thyhet lehtë, por kur tullat bashkohen, krijojnë një ndërtesë të fortë. Po kështu, një besimtar i vetëm është i dobët, por kur bashkohet me vëllezërit e tij, bëhet pjesë e një force të madhe.

Mes besimtarëve duhet të mbizotërojë dashuria dhe mëshira

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë ndaj njëri-tjetrit është si një trup i vetëm; kur një pjesë e tij sëmuret, i gjithë trupi ndien dhimbje.”

Besimtari nuk mund të jetë indiferent ndaj vuajtjes, vështirësive dhe problemeve të vëllait të tij. Uniteti nuk është vetëm slogan. Ai është ndjeshmëri, solidaritet dhe përkujdesje reciproke.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Qëndroni së bashku dhe shmangni përçarjen.”

Ai gjithashtu paralajmëron e thotë: “Mos u bëni nga ata që ndahen dhe përçahen.”

Historia tregon se Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) shpesh sakrifikoi interesat personale për të ruajtur unitetin e umetit dhe për të mos lejuar që Islami të dobësohej nga konfliktet e brendshme.

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Bëhuni zbukurim për ne dhe mos u bëni turp për ne.”

Një nga mënyrat më të rëndësishme për të qenë zbukurim për Ehli Bejtin është të sillemi me moral të mirë ndaj të gjithë muslimanëve. Sharja, përçmimi, ofendimi dhe nxitja e urrejtjes nuk ndërtojnë unitet; ato krijojnë armiqësi.

Si ta ruajmë unitetin në praktikë?

Unitetin duhet ta ruajmë jo vetëm me fjalë, por me sjellje të përditshme. Në praktikë, kjo do të thotë të respektojmë njëri-tjetrin, të dëgjojmë mendimet e ndryshme pa u grindur, të shmangim përçarjet dhe thashethemet, si edhe të bashkëpunojmë për të mirën e përbashkët. Kur lindin mosmarrëveshje, duhet të flasim me qetësi, të kërkojmë zgjidhje dhe të mos lejojmë që krenaria apo interesat personale të na ndajnë.

Unitetin në praktikë duhet ta ruajmë:

– Duke treguar respekt, mirëkuptim dhe bashkëpunim.

Duke shmangur fjalët që përçajnë.

– Duke i zgjidhur mosmarrëveshjet me dialog dhe të vendosim të mirën e përbashkët mbi interesat personale.

– Duke folur me të tjerët me fjalë të mira, siç thotë Allahu në suren “El-Bekare” ajeti 86: “Thuajuni njerëzve fjalë të mira.” Një fjalë e mirë hap zemrën, qetëson shpirtin dhe forcon miqësinë.

– Duke falur gabimet e të tjerëve. Në ajetin 22 të sures “En-Nur” Allahu i Madhëruar thotë: “le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq!.”

– Të bazohemi tek ato çështjje që na bashkojnë, sepse çështjet që i bashkojnë muslimanët janë më të shumta sesa ato që i ndajnë.

– Të bëjmë dua për njëri-tjetrin, sepse kur lutemi për vëllezërit tanë, zemrat afrohen.

– Të mos transmetojmë çdo fjalë që dëgjojmë

Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mjafton si gënjeshtër për njeriun që të përcjellë gjithçka që dëgjon.”

Në ajetin 6 të sures “El-Huxhurat” Allahu I Madhëruar na urdhëron e na thotë:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِن جَاءَكُمْ فَاسِقٌ بِنَبَإٍ فَتَبَيَّنُوا أَن تُصِيبُوا قَوْمًا بِجَهَالَةٍ فَتُصْبِحُوا عَلَىٰ مَا فَعَلْتُمْ نَادِمِينَ﴾

“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

Uniteti nuk do të thotë që të gjithë të kemi të njëjtin mendim në çdo çështje. Uniteti do të thotë që, pavarësisht dallimeve, të ruajmë respektin, dashurinë dhe vëllazërinë.

Le të kujtojmë fjalën e Allahut: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër.”

Po ashtu, le të kujtojmë edhe fjalën e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Muslimani është vëlla i muslimanit; nuk i bën padrejtësi dhe nuk e braktis atë.”

Uniteti forcohet kur secili prej nesh kontribuon me sjellje të mirë, tolerancë dhe gatishmëri për të ndihmuar të tjerët.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në këtë muaj të Shenjtë të Muharremit ka ndodhur masakra e dhimbshme e Kerbelasë, në të cilën u martirizuar nipi i Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), imam Husejnin së bashku me fëmijët dhe shokët e tij besnikë (Paqja qoftë mbi ata!)

Kerbelaja na kujton sakrificën, drejtësinë dhe qëndrimin kundër padrejtësisë. Kerbelaja nuk duhet të na përçajë, por duhet të na afrojë e të na bashkojë. Ajo na mëson të jemi të bashkuar në vlera si: drejtësia, besimi, morali i mirë, respekti dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit.

Kerbelaja duhet të jetë boshti i unitetit, sepse personazhi kryesor i ksaj tragjedie ishte nipi i Profetit Muhamed, i cili ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin.” Kujtimi i Kerbelasë duhet të na bashkojë rreth së vërtetës, drejtësisë dhe sakrificës, dhe jo të krijojë ndarje e përçarje.

Lusim Allahun që të bashkojë zemrat tona, të largojë urrejtjen dhe përçarjen nga mesi ynë, të na bëjë prej atyre që punojnë për unitetin e ummetit dhe të na ringjallë nën flamurin e Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit të tij të pastër!