Virtytet e besimtarit

“Me të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtojini vëllezërit tuaj dhe kini frikë Allahun, që të mëshiroheni.”(Sure El-Huxhurat, ajeti 10)

Besimi është dhurata më e madhe që Allahu i Madhëruar i ka falur njeriut. Ai nuk është vetëm një deklarim me gjuhë apo një ndjenjë e fshehur në zemër, por një mënyrë jetese që pasqyrohet në çdo fjalë, veprim dhe sjellje. Një besimtar i vërtetë njihet jo vetëm nga adhurimet që kryen, por edhe nga morali, drejtësia, durimi, sinqeriteti dhe mënyra se si sillet me njerëzit.

Pikërisht këto cilësi përbëjnë virtytet e besimtarit, të cilat Islami i konsideron si gurët themelorë të një shoqërie të shëndoshë dhe të drejtë. Kur’ani Famëlartë dhe mësimet e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) si dhe të Ehli Bejtit (a.s) i kushtojnë rëndësi të jashtëzakonshme edukimit moral, duke na mësuar se besimi i njeriut plotësohet vetëm atëherë kur ai zbukurohet me virtyte të larta.

Allahu i Madhëruar përshkruan në mënyrë të mrekullueshme tiparet e besimtarëve të suksesshëm në fillim të Sures El-Mu’minun, ku thotë: “Me të vërtetë kanë shpëtuar besimtarët. Ata që janë të përulur në namazin e tyre, që largohen nga fjalët e kota, që japin zekatin, që ruajnë nderin e tyre…”

Në këto ajete Allahu na tregon se besimtari nuk dallohet vetëm për lidhjen e tij me Krijuesin, por edhe për sjelljen e tij të përditshme. Përulësia në adhurim, largimi nga kotësitë, ndihma ndaj të tjerëve dhe ruajtja e moralit janë shenja të një zemre të mbushur me iman.

Themeli i të gjitha virtyteve është sinqeriteti. Çdo vepër humbet vlerën e saj nëse nuk bëhet për hir të Allahut. Besimtari nuk kërkon lavdërimin e njerëzve, nuk vepron për interes apo famë, por synon vetëm kënaqësinë e Krijuesit të tij. Allahu thotë në Kur’an: “Ata nuk u urdhëruan për tjetër veçse ta adhurojnë Allahun me sinqeritet të plotë.” (Sure El-Bejjine, ajeti 5).

Imam Aliu (a.s) ka thënë: “Vlera e çdo vepre matet me sinqeritetin e saj.” (Bihar al-Anwar, vëll. 67). Kjo do të thotë se edhe një vepër e vogël, nëse bëhet me zemër të pastër, ka peshë të madhe tek Allahu, ndërsa një vepër e madhe pa sinqeritet nuk sjell shpërblimin e dëshiruar.

Një tjetër virtyt i domosdoshëm është durimi. Jeta e njeriut është e mbushur me sprova, vështirësi dhe sfida, por besimtari nuk e humbet shpresën dhe nuk dorëzohet. Ai e di se çdo sprovë është një mundësi për t’u afruar më shumë me Allahun. Prandaj Kur’ani thotë: “Vërtet, Allahu është me durimtarët.” (Sure El-Bekare,ajeti 153).

Imam Sadiku (a.s) e përshkruan rëndësinë e durimit me fjalët: “Durimi ndaj besimit është si koka ndaj trupit; ashtu si trupi nuk mund të jetojë pa kokë, edhe besimi nuk mund të qëndrojë pa durim.” (Bihar al-Anwar, vëll. 82). Besimtari nuk e mat suksesin sipas rehatisë që gjen në këtë botë, por sipas mënyrës se si qëndron i palëkundur në bindjen e tij ndaj Allahut.

Ndershmëria dhe besnikëria janë ndër cilësitë që e dallojnë besimtarin nga të tjerët. Ai nuk mashtron, nuk tradhton amanetin dhe nuk cenon të drejtat e askujt. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Ai që nuk është i besueshëm, nuk ka besim të plotë.” (Bihar al-Anwar, vëll. 72).

Përulësia është një stoli e çmuar e besimtarit. Sa më shumë që njeriu e njeh madhështinë e Allahut, aq më shumë largohet nga mendjemadhësia. Ai nuk mburret me pasurinë, dijen apo pozitën e tij, sepse e di se gjithçka është dhuratë nga Allahu.

Kur’ani na këshillon: “Mos ec në tokë me mendjemadhësi.” (Sure El-Isra, ajeti 37). Imam Aliu (a.s) ka thënë: “Fryti i dijes është përulësia.” (Bihar al-Anwar, vëll. 75). Përulësia nuk e ul vlerën e njeriut; përkundrazi, ajo e lartëson atë në sytë e Allahut dhe të njerëzve.

Një zemër besimtare është gjithashtu e mbushur me mëshirë dhe butësi. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ishte shembulli më i përkryer i mëshirës. Allahu thotë për të: “Ne të dërguam vetëm si mëshirë për botët.” (Sure El-Enbija, ajeti 107).

Vetë Profeti ka thënë: “Mëshironi ata që janë në tokë, që t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.” (Bihar al-Anwar, vëll. 74). Besimtari nuk e ushqen zemrën me urrejtje, por përpiqet të falë, të kuptojë dhe të ndihmojë të tjerët. Ai e di se mëshira është një prej cilësive më të dashura tek Allahu.

Falja është një tjetër virtyt i lartë që zbukuron karakterin e besimtarit. Njerëzit gabojnë, por besimtari nuk nxiton të hakmerret. Ai kujton se edhe vetë ka nevojë për faljen e Allahut.

Për këtë arsye Kur’ani thotë: “Le të falin dhe të tolerojnë. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë?” (Sure En-Nur,ajeti :22).

Imam Aliu (a.s) ka thënë: “Falja është kurora e fisnikërisë.” (Bihar al-Anwar, vëll. 74). Falja nuk është shenjë dobësie, por dëshmi e forcës së karakterit dhe e madhështisë së shpirtit.

Një besimtar nuk jeton vetëm për veten. Ai kujdeset për të varfrit, jetimët dhe çdo njeri në nevojë. Kur’ani i lavdëron ata që japin nga pasuria e tyre vetëm për hir të Allahut: “Ata u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve vetëm për hir të Allahut.” (Sure El-Insan, ajeti 8–9).

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Njeriu më i mirë është ai që u sjell më shumë dobi njerëzve.” (Bihar al-Anwar, vëll. 74). Bamirësia nuk kufizohet vetëm në dhënien e pasurisë; edhe një fjalë e mirë, një buzëqeshje apo një ndihmë e vogël janë forma të sadakasë.

Besimtari ruan me kujdes edhe gjuhën e tij. Ai nuk përgojon, nuk shpif, nuk fyen dhe nuk përhap fjalë që dëmtojnë të tjerët. Kur’ani ndalon qartë përgojimin duke thënë: “Mos përgojoni njëri-tjetrin.” (Sure El-Huxhurat, ajeti 12).

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Shpëtimi i njeriut është në ruajtjen e gjuhës së tij.” (Bihar al-Anwar, vëll. 68). Një fjalë mund të shërojë një zemër, por mund edhe ta plagosë atë për gjithë jetën. Për këtë arsye, besimtari mendon para se të flasë dhe zgjedh gjithmonë fjalën që sjell paqe dhe mirësi.

Moralin e mirë Islami e konsideron si një nga treguesit më të rëndësishëm të besimit. Allahu e lavdëron Profetin duke thënë: “Ti je vërtet me moral madhështor.” (Sure El-Kalem, ajeti 4). Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Më i dashuri prej jush tek unë është ai që ka moralin më të mirë.” (Bihar al-Anwar, vëll. 68). Sjellja e mirë, respekti ndaj prindërve, fqinjëve, të moshuarve dhe të rinjve janë pasqyrë e besimit të vërtetë.

Një vend të veçantë në jetën e besimtarit zë dashuria për Allahun, Profetin dhe Ehli Bejtin (a.s). Kjo dashuri nuk mbetet vetëm në zemër, por shfaqet duke ndjekur shembullin e tyre, duke zbatuar mësimet e tyre dhe duke e mbrojtur të vërtetën. Allahu thotë: “Thuaj: Nuk kërkoj prej jush shpërblim tjetër, përveç dashurisë ndaj të afërmve të mi.” (Sure Esh-Shura, ajeti 23).

Kur zemra mbushet me këtë dashuri, ajo bëhet më e pastër, më e durueshme dhe më e gatshme për të bërë mirë.

Besimtari i vërtetë është ai që përpiqet çdo ditë të afrohet më shumë me Allahun duke zbukuruar karakterin e tij sipas shembullit të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe Ehli Bejtit (a.s). Vetëm atëherë besimi bëhet dritë për zemrën, udhëzim për jetën dhe shkak për lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Lusim Allahun e Madhëruar që të na zbukurojë me virtytet e besimtarëve, të na forcojë në iman dhe të na bëjë prej atyre që do të fitojnë kënaqësinë dhe mëshirën e Tij.