Si të ruhet morali në kohën moderne?

Morali është një nga shtyllat më të rëndësishme të fesë islame. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk erdhi vetëm për të mësuar njerëzit si të falen apo të agjërojnë, por për të ndërtuar njeriun me moral.

Sot jetojmë në një kohë ku teknologjia është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, por në shumë raste morali është dobësuar. Sot njeriu përballet çdo ditë me sprova të reja: interneti, rrjetet sociale, materializmi, shthurja morale, gënjeshtra, përgojimi dhe humbja e turpit.

Kështu që lind pyetja është: Si mund ta ruajmë moralin në një kohë të tillë?

Kur’ani i Shenjtë, Profeti ynë i dashur dhe Ehli Bejti i pastër e i bekuar na japin disa rrugë të qarta për këtë çështje, të cila janë:

1- Forcimi i lidhjes me Allahun

Kur zemra lidhet me Allahun, morali ruhet.

Në ajetin 45 të sures “El-Ankebut” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿إِنَّ الصَّلَاةَ تَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ ۗ﴾

“Vërtet namazi të largon nga shthurja dhe nga çdo e keqe.”

Namazi nuk është vetëm disa lëvizje, por edukim i përditshëm. Namazi është lidhja më fortë e njeriut me Allahun.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Frika ndaj Allahut është çelësi i çdo drejtësie.” (Nehxhul Belaga”, Urtësia 230.

Sa më shumë ta kujtojmë Allahun, aq më pak do të biem në mëkat. Sa më e fortë të jetë lidhja me Allahun aq më shumë ruhet morali.

2- Kontrolli i syrit dhe i zemrës

Sprova më e madhe vjen përmes syve. Për këtë, në ajetin 30 të sures “En-Nur” Kur’ani i urdhëron besimtarët dhe thotë:

﴿ قُل لِّلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ وَيَحْفَظُوا فُرُوجَهُمْ ۚ ذَٰلِكَ أَزْكَىٰ لَهُمْ ۗ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا يَصْنَعُونَ﴾

“Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata.”

Po ashtu në ajetin 31 të sures “En-Nur” Kur’ani u drejtohet grave besimtare dhe thotë:

﴿ وَقُل لِّلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ وَيَحْفَظْنَ فُرُوجَهُنَّ…﴾

“Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)…”

Imam Xha’fer Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shikimi është një prej shigjetave të helmuara të Iblisit.” (“El-Kafij”, vëll. 5, f. 559.)

Sot telefoni mund të jetë mjet për dije ose derë drejt mëkatit. Çdo besimtar duhet ta pyesë veten: A më afron kjo që po shoh tek Allahu apo më largon?

3- Zgjedhja e shoqërisë së mirë

Shoku ndikon më shumë sesa mendojmë. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familje e tij!) ka thënë: “Njeriu është në fenë e mikut të tij; prandaj secili le të shikojë kë zgjedh për mik.” (“Biharul Enuar”, vëll. 71, f. 192.)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqërimi me njerëzit e mirë të shtyn drejt mirësisë.” (“Gurerul Hikem.”)

Edhe shoqëria virtuale është shoqëri. Njerëzit që ndjekim në internet ndikojnë në zemrën tonë. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm gjithmonë.

4- Edukimi i gjuhës

Shumë mëkate sot kryhen me gjuhë ose me tastierë. Mirëpo duhet të dimëm se çdo fjalë shënohet, siç thuhet në ajetin 18 të sures “Kaf”:

﴿مَّا يَلْفِظُ مِن قَوْلٍ إِلَّا لَدَيْهِ رَقِيبٌ عَتِيدٌ﴾

 “Njeriu nuk nxjerr asnjë fjalë pa qenë pranë tij një mbikëqyrës i gatshëm.”

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimtari hesht shumë dhe flet pak.” “El-Kafij”, vëll. 2.

Sot kjo vlen edhe për komentet në internet. Mos shkruaj atë që nuk do ta thuash para Allahut Ditën e Gjykimit.

5- Ndjenja e turpit

Një nga gjërat që po humbet sot është ndjenja e turpit.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familje e tij!) ka thënë: “Turpi është pjesë e besimit.” (“El-Kafi”, vëll. 2.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që nuk ka turp, nuk ka fe.” (“Gurerul Hikem”.)

Sot shumë gjëra që dikur konsideroheshin të turpshme janë bërë normale. Por besimtari nuk matet me standardet e shoqërisë. Ai matet me standardin e Allahut.Vlera e tij matet sipas kritereve që ka vendosur Allahu, si devotshmëria, sinqeriteti, drejtësia, besnikëria dhe morali.

6- Kujtimi i Ditës së Gjykimit

Kur njeriu kujton se për çdo gjë do të japë llogari, ai bëhet më i kujdesshëm. Sepse në atë Ditë gjithçka, fjalë e vepër, do të dalë haptasi dhe do të llogaritet.

Në ajetet 7 dhe 8 të sures “Ez-Zelzeletu” Kur’ani thotë:

{فَمَن يَعۡمَلۡ مِثۡقَالَ ذَرَّةٍ خَيۡرٗا يَرَهُۥ (7) وَمَن يَعۡمَلۡ مِثۡقَالَ ذَرَّةٖ شَرّٗا يَرَهُ}ۥ (8)

“Kush bën sa pesha e një grimce të mirë, do ta shohë atë; dhe kush bën sa pesha e një grimce të keqe, do ta shohë atë.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Llogaritni veten para se të llogariteni.” (“Biharul Envar”, vëll. 70.)

Çdo mbrëmje le ta pyesim veten: Çfarë bëra sot? Kë lëndova? A jam më afër Allahut se dje?

7- Profeti Muhamed modeli më i mirë i moralit

S’ka dyshim se shembulli më i mirë dhe më I lartë në moral është Profeti ynë i dashur, Proeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familje e tij!) për të cilin Allahu i Madhëruar ka thënë:

{وَ اِنَّكَ لَعَلٰى خُلُقٍ عَظِیْمٍ}

“se ti je me virtyte madhore.”

Po ashtu në ajetin 21 të sures “El-Ahzab” Allahu I Madhëruar thotë:

﴿ لَّقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِّمَن كَانَ يَرْجُو اللَّهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّهَ كَثِيرًا﴾

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.”

8- Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), modeli i moralit

Imam Husejni nuk luftoi vetëm kundër padrejtësisë. Ai mbrojti moralin e Islamit.

Ai tha: “Unë dola vetëm për të reformuar umetin e gjyshit tim. Dua të urdhëroj të mirën dhe të ndaloj nga e keqja.” “Biharul Enuar”, vëll. 44, f. 329.

Sot të jesh husejnian nuk do të thotë vetëm të qash për Kerbelenë. Të jesh husejnian do të thotë: të jesh i ndershëm, të mos gënjesh, të mos tradhtosh, të ruash pastërtinë dhe të mbrosh të vërtetën.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në përfundim themi se morali nuk ruhet vetëm me dëshira. Ai ruhet me: lidhje me Allahun, me namaz, me Kur’an, me kujdesin ndaj syrit, me zgjedhje të shoqërisë dhe me kontroll të gjuhës, me ndjenjën e turpit, me kujtim të Jetës Tjetër dhe me ndjekjen e Profetit dhe Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) që janë shembulli më i mirë i moralit..

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familje e tij!) ka thënë: “Njeriu më i dashur tek Allahu është ai me moralin më të mirë.” (“Biharul Enuar”, vëll. 68, f. 385.)

Le të lutemi që Allahu t’i zbukurojë zemrat tona me moralin e Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit, të na japë forcë të qëndrojmë të pastër në këtë kohë sprovash dhe të na bëjë prej atyre që e takojnë Atë me zemër të shëndoshë!

O Allah, na zbukuro me moralin më të mirë, na largo nga veset e këqija dhe na bëj ndjekës të sinqertë të Muhamedit dhe Familjes së tij të Pastër!