Kur’ani Famëlartë është dhurata më e madhe që Allahu i Madhëruar ia ka bërë njerëzimit. Ai nuk është thjesht një libër që lexohet, por është fjala e përjetshme e Krijuesit, burimi i dritës, i urtësisë dhe i udhëzimit për çdo njeri që kërkon të njohë të vërtetën. Në faqet e tij gjenden përgjigjet për pyetjet më të mëdha të jetës, udhëzimet për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe parimet që e çojnë njeriun drejt lumturisë së kësaj bote dhe shpëtimit në botën tjetër.
Që prej çastit të zbritjes së tij e deri në Ditën e Gjykimit, Kur’ani mbetet mrekullia e përhershme e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), një mrekulli që nuk zbehet me kalimin e kohës, por vazhdon të ndriçojë zemrat dhe mendjet e miliona besimtarëve në çdo epokë.
Madhështia e Kur’anit nuk qëndron vetëm në bukurinë e gjuhës së tij apo në mrekullinë e shprehjes së tij, por mbi të gjitha në ndikimin e thellë që ai ushtron mbi jetën e njeriut. Ai e edukon shpirtin, e pastron zemrën, e zgjon ndërgjegjen dhe e drejton njeriun drejt moralit më të lartë.
Çdo ajet i tij është një burim dijeje, çdo urdhër i tij është një udhëzim drejt mirësisë dhe çdo ndalim i tij është mbrojtje nga e keqja. Prandaj, Kur’ani nuk është një libër që i përket vetëm një periudhe historike apo një populli të caktuar, por është një mesazh universal, i zbritur për të gjithë njerëzit, pa dallim kohe apo vendi. Ai mbetet kriteri që dallon të vërtetën nga e pavërteta dhe drita që i prin njerëzimit në rrugën e drejtë.
—————– – ——————
Kur’anit i mjafton si madhështi dhe lavdi fakti se ai është Fjala e Allahut të Madhëruar, dhe mrekullia e Profetit të Tij fisnik. Mjafton si pozitë e lartë dhe krenari që ajetet e tij janë ato që garantojnë udhëzimin e njerëzimit në të gjitha çështjet dhe etapat e jetës së tyre, në të gjitha brezat dhe kohët. Ato janë garantuesi i arritjes së synimit më të lartë dhe lumturisë më të madhe në këtë botë dhe në botën tjetër.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Me të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e drejta dhe më e mira, dhe u jep lajmin e mirë besimtarëve që bëjnë vepra të mira se për ta ka shpërblim të madh.”[1]
Dhe:
“Elif, Lam, Ra. Ky është një Libër që Ne ta kemi zbritur ty, që t’i nxjerrësh njerëzit nga errësirat në dritë, me lejen e Zotit të tyre, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Falënderuarit.”[2]
Dhe:
“Ky (Kur’ani) është një sqarim për njerëzit, udhëzim dhe këshillë për të devotshmit.”[3]
Këto ajete tregojnë qartë se Kur’ani është udhëzuesi më i drejtë për njerëzimin, drita që i nxjerr njerëzit nga errësira e injorancës, devijimit dhe padrejtësisë, sqaruesi i së vërtetës, këshillë dhe mësim për ata që kërkojnë devotshmëri dhe afrim te Allahu.
- Kur’ani në fjalët e Ehli Bejtit (itretit)
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Vlera e Fjalës së Allahut mbi çdo fjalë tjetër është si vlera e Allahut mbi krijesat e Tij.”[4]
Po, është më mirë që njeriu të ndalet para se të hyjë në këtë fushë dhe t’ua lërë shpjegimin e vlerës së Kur’anit atyre që janë të barabartë me Kur’anin, domethënë Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!). Ata janë njerëzit që e njohin më së miri pozitën e tij dhe që tregojnë më qartë madhështinë e vlerës së tij. Ata janë shoqëruesit e Kur’anit në virtyt dhe bashkëudhëzuesit e tij në drejtimin e njerëzve. Ndërsa gjyshi i tyre i madh, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), është ai që iu shpall Kur’ani, udhëzoi drejt dispozitave të tij dhe përhapi mësimet e tij.
Ai ka thënë: “Po ju lë mes jush dy amanete të rënda (thekalejn): Librin e Allahut dhe Itretin tim, Ehli Bejtin tim. Këta të dy nuk do të ndahen kurrë nga njëri-tjetri derisa të vijnë tek unë pranë Havdit (Burimit në Ditën e Gjykimit).”[5] Prandaj, Ehli Bejti janë udhërrëfyesit drejt Kur’anit dhe njohësit më të mirë të vlerës së tij.
Për këtë arsye, është detyrë që të mjaftohemi me fjalët e tyre dhe të ndriçohemi me udhëzimet e tyre. Ata kanë transmetuar shumë hadithe mbi vlerën e Kur’anit, të cilat dijetari i madh Shejkh El-Mexhlisij i ka mbledhur në vëllimin e 89-të të veprës “Biharul-Envar”. Prej tyre po përmendim këtë hadith:
Harith El-Hemdani transmeton: ‘Hyra në xhami dhe pashë njerëz që ishin zhytur në biseda e diskutime. Pastaj shkova te imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) dhe i thashë: ‘A nuk po i sheh njerëzit që po merren me biseda të ndryshme në xhami?’
Ai tha: ‘A e kanë bërë vërtet këtë?’
I thashë: ‘Po.’ Atëherë ai (imam Aliu) tha: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) duke thënë: “Do të vijnë sprova dhe trazira.”
Unë e pyeta: ‘Cila është rruga e shpëtimit prej tyre?’
Ai më tha: “Libri i Allahut. Në të gjendet lajmi i atyre që kanë qenë para jush, lajmi i asaj që do të vijë pas jush dhe gjykimi për atë që ndodh mes jush. Ai është fjalë vendimtare dhe jo lojë apo shaka. Kush e braktis atë nga mendjemadhësia, Allahu do ta shkatërrojë. Kush kërkon udhëzim në diçka tjetër përveç tij, Allahu do ta lërë në humbje. Ai është litari i fortë i Allahut. Ai është përkujtimi i urtë. Ai është rruga e drejtë. Është ai me të cilin nuk devijojnë dëshirat. Gjuhët nuk ngatërrohen në të. Dijetarët nuk ngopen kurrë prej tij. Nuk vjetrohet nga përsëritja e shpeshtë. Mrekullitë e tij nuk marrin fund. Kur xhinët e dëgjuan, nuk mundën të heshtnin dhe thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kur’an të mrekullueshëm.”[6] Kush flet sipas tij, thotë të vërtetën. Kush gjykon sipas tij, gjykon me drejtësi. Kush vepron sipas tij, shpërblehet. Dhe kush thërret drejt tij, udhëzohet në rrugën e drejtë.”[7]
Ky hadith e paraqet Kur’anin si burimin e shpëtimit në kohë sprovash, litarin e fortë të Allahut, rrugën e drejtë, dhe udhëzuesin e përhershëm që nuk humbet kurrë freskinë, vlerën dhe mrekullinë e tij.
- Copëza dhe kuptime nga hadithi
Në këtë hadith gjenden kuptime dhe domethënie të thella, ndaj është e dobishme të ndalemi te disa prej tyre.
Fjala e Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Në të (Kur’an) gjendet lajmi i atyre që kanë qenë para jush dhe lajmi i asaj që do të vijë pas jush.” Kjo fjali mund të kuptohet në disa mënyra:
E para: Mund të jetë një tregues për lajmet e botës tjetër, si bota e Berzakhut, llogaria, gjykimi dhe shpërblimi apo ndëshkimi për veprat. Ky kuptim duket të jetë më i afërti. Këtë e mbështet edhe fjala e Ali ibn Ebi Talib në një prej hutbeve të tij: “Në të gjendet lajmi i atyre që kanë qenë para jush, gjykimi për çështjet mes jush dhe lajmi i kthimit tuaj (në Botën Tjetër).”
E dyta: Mund të jetë një tregues për ngjarjet e fshehta dhe të padukshme për të cilat Kur’ani ka njoftuar dhe që do të ndodhin në brezat e ardhshëm.
E treta: Mund të nënkuptojë se ngjarjet që u ndodhën popujve të mëparshëm do të përsëriten edhe në këtë ummet. Në këtë kuptim është i ngjashëm me fjalën e Allahut të Madhëruar:
“Ju do të kaloni patjetër nga një gjendje në tjetrën.”[8]
Sa i përket fjalës së Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij): “Kush e braktis atë (Kur’anin) nga mendjemadhësia dhe tirania, Allahu do ta shkatërrojë.”, kjo mund të përmbajë një garanci hyjnore për ruajtjen e Kur’anit nga manipulimet e tiranëve, në mënyrë që ata të mos mund ta zhdukin leximin e tij, zbatimin e tij dhe as ta largojnë atë nga duart e njerëzve, siç ndodhi me librat hyjnorë të mëparshëm. Prandaj, kjo është një aludim për ruajtjen e Kur’anit nga shtrembërimi.
Po kështu, ky është edhe kuptimi i fjalës së hadithit: “Nuk e devijojnë atë pasionet dhe dëshirat.” Pra, pasionet nuk mund ta ndryshojnë Kur’anin nga ajo që është në të vërtetë, edhe pse ato kanë shtrembëruar kuptimet e tij në mendjet e disa njerëzve.
Hadithi gjithashtu tregon se, sikur bijtë e këtij ummeti t’i ktheheshin Kur’anit në mosmarrëveshjet e tyre dhe në çështjet e ndërlikuara të besimit dhe veprimit, ai do t’ua sqaronte rrugën e drejtë. Ata do ta gjenin atë si gjykatësin e drejtë dhe si kriterin që ndan të vërtetën nga e pavërteta.
Sikur ummeti t’i zbatonte kufijtë dhe dispozitat e Kur’anit, dhe t’i ndiqte udhëzimet e tij, do ta njihte të vërtetën dhe bartësit e saj. Do ta njihte, gjithashtu, pozitën e lartë të Familjes së Pastër të Profetit (Ehli Bejtit), të cilët Profeti i bëri shoqërues të pandashëm të Librit të Allahut dhe trashëgimtarë të udhëheqjes së ummetit pas tij.
Sikur ummeti të ndriçohej me dritën e njohurive kur’anore, do të ishte i sigurt nga dënimi i vazhdueshëm, nuk do të binte në verbëri shpirtërore, nuk do ta mbulonin netët e devijimit, nuk do të shpërfillej asnjë detyrë e Allahut dhe asnjë hap nuk do të largohej nga rruga e drejtë.
Por ummeti zgjodhi të kthehet prapa, të ndjekë dëshirat dhe pasionet, dhe të rreshtohet nën flamurin e së pavërtetës, derisa çështja arriti në atë pikë sa disa muslimanë filluan t’i shpallnin jobesimtarë muslimanët e tjerë, të kërkonin afrim tek Allahu përmes vrasjes së tyre, cenimit të nderit të tyre dhe lejimit të pasurisë së tyre.
Dhe çfarë prove mund të jetë më e madhe për neglizhimin e Kur’anit nga ummeti sesa kjo përçarje dhe shpërndarje e madhe që shohim sot?!
[1] Sure “El-Isra”, ajeti 9.
[2] Sure “Ibrahim, ajeti 1.
[3] Sure “Ali Imran”, ajeti 138.
[4] “Biharul-Enuar”, vëll. 19, f. 6; Sahihu Et-Tirmidhij me komentimin e Ibn Arabiut, vëll. 11, f. 47, në kapitujt e virtyteve të Kur’anit.
[5] E ka transmetuar Tirmidhiu, vëll. 13, f. 200–201.
[6] Sure “El-Xhinn”, ajeti 1
[7] “Biharul Enuar”, vëll. 89, f. 24.
[8] Sure “El-Inshikak”, ajeti 19.

