Si të kemi bereqet në jetë?

Në ajetin 97 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë

مَنۡ عَمِلَ صَٰلِحࣰا مِّن ذَكَرٍ أَوۡ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤۡمِنࣱ فَلَنُحۡيِيَنَّهُۥ حَيَوٰةࣰ طَيِّبَةࣰۖ وَلَنَجۡزِيَنَّهُمۡ أَجۡرَهُم بِأَحۡسَنِ مَا كَانُواْ يَعۡمَلُونَ

“Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij patjetër një jetë të mirë e të këndshme dhe do t’i shpërblejmë ata sipas më të mirës së veprave që kanë bërë.”

Një nga dëshirat më të mëdha të njeriut është të ketë një jetë të këndëshme dhe të mbushur me bereqet. Shumë njerëz kanë pasuri, por nuk kanë qetësi. Të tjerë kanë pak pasuri, por jetojnë të lumtur dhe të kënaqur. Kjo sepse bereqeti nuk matet me sasinë, por me bekimin që Allahu vendos në atë që posedojmë.

Bereqeti ka kuptimin e shtimit të mirësisë, dobisë dhe vazhdimësisë së saj, edhe nëse ajo është e vogël.

Ka shumë faktorë dhe shkaqe që ndikojnë pozitivisht në arritjen e bereqetit, nëse njeriu i merr parasysh, kujdeset për to dhe i zbaton drejt. Ndër këta faktorë dhe shkaqe që sjellin bereqet në jetë janë të shumta, por do të përmendim dymbëdhjetë prej tyre:

1- Besimi dhe devotshmëria

Në ajetin 96 të sures “El-A’raf” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ الْقُرَىٰ آمَنُوا وَاتَّقَوْا لَفَتَحْنَا عَلَيْهِم بَرَكَاتٍ مِّنَ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ…﴾

“Sikur banorët e vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur nga të këqijat, Ne do t’ua kishim hapur atyre dyert e bereqeteve nga qielli dhe nga toka…”

Ky ajet tregon se bereqeti nuk është vetëm rezultat i punës, por edhe i besimit dhe devotshmërisë.

Ndërsa në ajetet 2-3 të sures “Et-Talak” Allahu thotë:

﴿وَمَن يَتَّقِ ٱللَّهَ يَجۡعَل لَّهُۥ مَخۡرَجٗا (2) وَيَرۡزُقۡهُ مِنۡ حَيۡثُ لَا يَحۡتَسِبُۚ…﴾

“Kush është i devotshëm ndaj Allahut, Ai i hap atij rrugëdalje dhe e furnizon nga nuk e pret.”

Shpesh njeriu mendon se furnizimi vjen vetëm nga llogaritjet e tij, ndërsa Allahu premton se për njeriun e devotshëm hap dyer që ai nuk i imagjinon.

2- Istigfari (kërkimi i faljes)

Profeti Nuh (Paqja qoftë mbi të!) i tha popullit të tij:

﴿قُلۡتُ ٱسۡتَغۡفِرُواْ رَبَّكُمۡ إِنَّهُۥ كَانَ غَفَّارٗا (10) يُرۡسِلِ ٱلسَّمَآءَ عَلَيۡكُم مِّدۡرَارٗا (11) وَيُمۡدِدۡكُم بِأَمۡوَٰلٖ وَبَنِينَ وَيَجۡعَل لَّكُمۡ جَنَّٰتٖ وَيَجۡعَل لَّكُمۡ أَنۡهَٰرٗا ﴾

“U thashë: Kërkoni falje nga Zoti juaj, sepse Ai është Falës i madh. Ai do t’ju dërgojë shi të bollshëm, do t’ju shtojë pasuri e fëmijë dhe do t’ju japë kopshte e lumenj.”

Istigfari nuk sjell vetëm falje të gjynaheve, por edhe bereqet në jetesë, familje dhe pasuri.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahutqofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e shton kërkimin e faljes (istigfarin), Allahu do t’i japë dalje nga çdo brengë, rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe do ta furnizojë nga nuk e pret.”

3- Falënderimi shton bereqetin

Në ajetin 7 të sures “Ibrahim” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿…لَئِن شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ ۖ…﴾

“Nëse falënderoni, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë.”

Shumë njerëz ankohen për atë që nuk kanë dhe harrojnë atë që Allahu u ka dhënë. Dikush ankohet se nuk ka shumë para, por harron se ka shëndet, familje, fëmijë, një strehë, ushqim, miq, besim, mendje, mundësi për të punuar. Ankesa e tepërt na bën të shohim mungesën. Kurse mirënjohja na hap sytë për bereqetin.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Falënderimi është zbukurimi i pasurisë.” (Burimi: Gurarul-Hikam”, hadithi nr. 5518.)

Në një hadith tjetër imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka tënë: “Lidheni bereqetin me falënderim.” (Burimi: “Gurarul-Hikem”, hadithi nr. 5034.)

4- Sadakaja nuk e pakëson pasurinë

Shumë njerëz mendojnë se duke dhënë nga pasuria e tyre humbin, ndërsa Islami na mëson të kundërtën. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahutqofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Sadakaja nuk e pakëson pasurinë.”

Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Pasuria ruhet me zekat dhe sadaka.” (Burimi: “El-Kafij”, vëll. 3, f. 498.)

Sipas fesë së pastër islame sadakaja largon fatkeqësitë dhe sjell bereqet.

5. Mirësjellja ndaj prindërve dhe mbajtja e lidhjeve familjare

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahutqofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush dëshiron t’i zgjatet jeta dhe t’i shtohet furnizimi, le t’i mbajë lidhjet familjare.”

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mbajtja e lidhjeve farefisnore i përmirëson moralet, e pastron veprën, e shton pasurinë dhe e zgjat jetën.” (Burimi: “El-Kafij”, vëll. 2, f. 150.)

6- Fitimi me hallall

 Pra fitimi i furnizimit në mënyrë të lejuar dhe jo me haram.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahutqofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Adhurimi ka shtatëdhjetë pjesë; më e mira prej tyre është kërkimi i furnizimit hallall.” (Burimi: Biharul-Enuar, vëll. 103, f. 9.)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Pak hallall është më i mirë se shumë haram.” (Burimi: “Gurarul-Hikam”, hadithi nr. 10027.)

Pasuria e fituar në mënyrë të ndaluar mund të jetë e madhe, por ajo nuk ka bereqet. Në një proverb arab thuhet: Atëq ë e sjell era ikën me erën. E tillë është edhe pasuria e fituar me haram.

7- Mbështetja tek Allahu

﴿وَمَن يَتَوَكَّلۡ عَلَى ٱللَّهِ فَهُوَ حَسۡبُهُۥٓۚ﴾

Në ajetin 3 të sures “Et-Talak” Allahu i Madhëruar thotë: “Kush mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton.”

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahutqofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Sikur të mbështeteshit tek Allahu ashtu siç duhet, Ai do t’ju furnizonte ashtu si furnizon zogjtë: dalin në mëngjes të uritur dhe kthehen në mbrëmje të ngopur.”

8- Leximi i Kur’anit

Përkushtimi ndaj leximit të Kur’anit të Shenjtë dhe meditimit mbi kuptimet e tij, sjellin bereqet në jetë.  Duhet treguar kujdes që leximi i Kur’anit të vazhdojë gjatë gjithë vitit dhe të mos kufizohet vetëm në muajin e bekuar të Ramazanit, siç veprojnë disa njerëz. Kjo ka një ndikim të dukshëm në fitimin e bereqetit në rizk (furnizim) dhe në të gjitha fushat e jetës.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Në shtëpinë ku lexohet Kur’ani dhe përmendet Allahu, shtohet bereqeti.” (Burimi: El-Kafi, vëll. 2, f. 610.)

9- Fillimi i çdo pune me “Bismilah”

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahutqofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Çdo punë me rëndësi që nuk fillon me ‘Bismilah’, është e mangët.” (Burimi: “Biharul-Enuar”, vëll. 73, f. 305.)

Thënia “Bismilah” sjell ndihmën dhe bereqetin e Allahut në çdo punë.

10- Sinqeriteti dhe amaneti

Përkushtimi ndaj sinqeritetit dhe ndershmërisë në shitblerje, duke i bërë të ditura të metat që mund të ketë malli; sepse sinqeriteti sjell bereqet dhe shton rizkun. Po kështu, duhet ruajtur sinqeriteti ndërmjet ortakëve, sepse besnikëria, sinqeriteti, amaneti dhe çiltërsia mes tyre sjellin bereqet në tregtinë dhe punën e tyre, ua shtojnë rizkun dhe bëhen shkak që mbi ta të rrjedhë mirësi e bollshme.

11- Largimi nga shthurja dhe imoraliteti

Largimi nga shthurja dhe imoraliteti është i domosdoshëm. Kjo ndikon në arritjen e bereqetit në rizk dhe në mbarë jetën e njeriut.

Dijetarët kanë thënë: Ndër pasojat e mëkatit janë mungesa e suksesit dhe e ndihmës së Allahut, fshehja e së vërtetës, prishja e zemrës, zbehja e përmendjes së mirë, humbja e kohës, largimi i njerëzve, ndjenja e largësisë dhe e vetmisë në marrëdhënien me Zotin, mungesa e drejtësisë në veprime, shpërqendrimi i mendjes, pengimi i pranimit të lutjes, ngurtësimi i zemrës, zhdukja e bereqetit në rizk dhe në jetëgjatësi, mbulimi me poshtërim dhe ngushtimi i kraharorit.

12- Vepra e mirë

Në ajetin 97 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë

مَنۡ عَمِلَ صَٰلِحࣰا مِّن ذَكَرٍ أَوۡ أُنثَىٰ وَهُوَ مُؤۡمِنࣱ فَلَنُحۡيِيَنَّهُۥ حَيَوٰةࣰ طَيِّبَةࣰۖ وَلَنَجۡزِيَنَّهُمۡ أَجۡرَهُم بِأَحۡسَنِ مَا كَانُواْ يَعۡمَلُونَ

“Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij patjetër një jetë të mirë e të këndshme dhe do t’i shpërblejmë ata sipas më të mirës së veprave që kanë bërë.”

Mesazhi i këtij ajeti është i qartë se jeta e mirë nuk vjen vetëm nga ajo që njeriu zotëron, por nga mënyra se si ai beson dhe vepron. Besimi i sinqertë dhe vepra e mirë sjellin qetësi në zemër, bereqet në rizk dhe mirësi në jetë. Njeriu mund të ketë pak, por me bereqet të jetojë i qetë e i kënaqur; dhe mund të ketë shumë, por pa bereqet të mos gjejë kurrë prehje. Prandaj, rruga drejt jetës së mirë është besimi, vepra e mirë dhe kënaqësia me atë që Allahu ka dhënë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Bereqeti nuk fitohet vetëm me mundim material. Ai është dhuratë hyjnore që Allahu ua jep robëve të Tij.

Nëse duam bereqet në jetë, le të kujdesemi për këto dymbëdhjetë çelësa: 1- Devotshmëria; 2- Istigfari; 3- Falënderimi; 4- Sadakaja; 5- Mirësjellja ndaj prindërve dhe mbajtja e lidhjeve familjare; 6- Furnizimi hallall; 7- Mbështetja te Allahu; 8- Leximi I Kur’anit; 9-Fillimi i çdo pune me emrin e Allahut; 10- Sinqeriteti dhe amaneti; 11- Largimi nga shthurja dhe imoraliteti; 12- Vepra e mirë.

Le ta mbyllim temën për sotë me fjalën e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), icily ka thënë: “Kush përmirëson marrëdhënien me Allahun, Allahu do të përmirësojë marrëdhëniet e tij me njerëzit. Dhe kush përmirëson çështjen e Ahiretit (Jetës Tjetër) të tij, Allahu do t’ia përmirësojë çështjet e kësaj bote.” (Burimi: “Nehxhul-Belaga”, Urtësia 89.)

Allahu na bëftë prej atyre që jetojnë me bereqet në pasuri, në familje, në kohë, në shëndet dhe në vepra të mira!

O Allah! Na jep furnizim hallall, të gjerë e me bereqet, na ruaj nga harami, na bëj prej falënderuesve dhe zbrite bereqetin Tënd mbi jetën, familjet dhe veprat tona!