Në ajetet 155-157 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَلَنَبْلُوَنَّكُم بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنفُسِ وَالثَّمَرَاتِ ۗ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ ٱلَّذِينَ إِذَآ أَصَٰبَتۡهُم مُّصِيبَةٞ قَالُوٓاْ إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّآ إِلَيۡهِ رَٰجِعُونَ (156) أُوْلَٰٓئِكَ عَلَيۡهِمۡ صَلَوَٰتٞ مِّن رَّبِّهِمۡ وَرَحۡمَةٞۖ وَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُهۡتَدُونَ﴾
“Ne do t’ju sprovojmë me diçka nga frika, uria, pakësimi i pasurisë, i jetëve dhe i të korrave. Dhe përgëzoji durimtarët. të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti I tyre; ata janë në rrugën e drejtë!”
Në jetën e kësaj bote, çdo njeri përballet me sprova, si: sëmundje, humbje, vështirësi ekonomike, padrejtësi, ndarje nga njerëzit e dashur, pengesa në rrugën e qëllimeve dhe beteja të brendshme shpirtërore.
Sipas Kurani, sprova nuk është vetëm fatkeqësi. Ajo është çdo gjendje me të cilën Allahu e nxjerr në pah, e provon dhe e edukon njeriun. Kurani përdor disa fjalë me nuanca të ndryshme: ibtilā’ (ابتلاء) – vënie në provë; fitne (فتنة) – sprovë që zbulon, trondit ose tundon; imtihān (امتحان) – provim; belā’ (بلاء) – provë e rëndë, por jo domosdoshmërisht dënim.
Pra, në kuptimin më të thellë: sprova është vendi ku zbulohet e vërteta e zemrës. Jo sepse Allahu “nuk e di” ç’ka në njeriun, por sepse ajo që është e fshehur bëhet vepër, qëndrim dhe dëshmi. Sprova sipas Kuranit është çdo gjendje në të cilën njeriu vihet përballë pyetjes: “Çfarë do të bësh me besimin, zemrën dhe amanetin që të është dhënë në kohë sprove?”
Në ajetin 2 të sures “El-Ankebut” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿أَحَسِبَ النَّاسُ أَن يُتْرَكُوا أَن يَقُولُوا آمَنَّا وَهُمْ لَا يُفْتَنُونَ﴾ وَلَقَدْ فَتَنَّا الَّذِينَ مِن قَبْلِهِمْ فَلَيَعْلَمَنَّ اللَّهُ الَّذِينَ صَدَقُوا وَلَيَعْلَمَنَّ الْكَاذِبِينَ﴾
“Vallë, mendojnë njerëzit se do të lihen të thonë: ‘Ne besojmë’, e të mos sprovohen? Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.”
Sprova këtu nuk ka kuptimin se Allahu nuk e di përfundimin e njeriut, përkundrazi Allahu i Lartësuari dhe i Madhëruari, e di atë që është, atë që ka qenë, atë që do të jetë, madje edhe atë që nuk do të jetë. Por Allahu i Madhëruari e sprovon njeriun që të shfaqen veprat për të cilat njeriu meriton shpërblimin ose dënimin. Madje, që të plotësohet argumenti ndaj njeriut, në mënyrë që shpërblimi apo ndëshkimi të jenë mbi një bazë të drejtë dhe me arsye të qartë.
Ky ajet tregon se besimi i vërtetë nuk matet vetëm me fjalë, por me qëndrimin e njeriut kur përballet me vështirësi.
Në përgjigje të pyetjes përse Allahu i sprovon njerëzit themi:
Së pari: Allahu i sprovon njerëzit për të dalluar të vërtetën e besimit
Një nga urtësitë e sprovave është që të shfaqet niveli i vërtetë i besimit të njeriut.
Në ajetin 155 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَلَنَبْلُوَنَّكُم بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنفُسِ وَالثَّمَرَاتِ ۗ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ﴾
“Ne do t’ju sprovojmë me diçka nga frika, uria, pakësimi i pasurisë, i jetëve dhe i të korrave. Dhe përgëzoji durimtarët.”
Edhe profetët dhe njerëzit më të afërt me Allahun janë sprovuar.
Imam Ali ibn Ebi Talibi (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sprovat janë si zjarri për arin; ato e pastrojnë besimtarin nga papastërtitë.” (“Biharul-Enuar”, vëll. 67)
Sprova nuk e shkatërron njeriun, por shfaq se çfarë ka brenda zemrës së tij.
Së dyti: Sprovat janë shkak për pastrimin e mëkateve
Njeriu gjatë jetës mund të bëjë gabime dhe të largohet nga rruga e Allahut. Një nga mëshirat e Allahut është se disa sprova bëhen shkak që ai të pastrohet.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi tëdhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kur besimtarin e godet një lodhje, sëmundje, pikëllim, dëm apo shqetësim, madje edhe një gjemb që e shpon, Allahu i fshin me të disa nga mëkatet e tij.” (Biharul-Enuar, vëll. 64)
Pra, një dhimbje që njeriu e përballon me durim mund të bëhet shkak për falje dhe afrim me Allahun. Por kjo nuk do të thotë që njeriu të mos kërkojë zgjidhje. Islami na mëson të luftojmë vështirësinë, por me zemër të lidhur me Allahun.
Së treti: Sprovat e ngrenë gradën e besimtarit
Ndonjëherë sprova nuk vjen për shkak të mëkatit, por për shkak se Allahu dëshiron ta ngrejë pozitën e robit të Tij. Në historinë e njerëzimit, më të sprovuarit kanë qenë njerëzit më të afërt me Allahun.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi tëdhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më të sprovuarit janë profetët, pastaj ata që janë më afër tyre, pastaj ata që janë më afër tyre.” (Biharul-Enuar, vëll. 64)
Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) është shembulli më i madh i durimit në sprova. Ai humbi familjen, shokët dhe u përball me padrejtësinë më të madhe në tragjedinë e Kerbelasë, por nuk u largua nga bindja ndaj Allahut. Ai na mësoi se madhështia e njeriut nuk matet me mungesën e problemeve, por me qëndrimin e tij përballë tyre.
Së katërti: Sprovat e zgjojnë zemrën nga pakujdesia
Shpesh njeriu kur ka shëndet, pasuri dhe rehati harron Krijuesin. Por kur përballet me vështirësi, zemra e tij kthehet te Allahu.
Në ajetin 12 të sures “Junus” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَإِذَا مَسَّ الْإِنسَانَ الضُّرُّ دَعَانَا لِجَنبِهِ أَوْ قَاعِدًا أَوْ قَائِمًا﴾
“Kur njeriun e prek ndonjë e keqe, ai Na lutet shtrirë, ulur ose në këmbë…”
Sprova e kujton njeriun se ai nuk është i pavarur, por ka nevojë për Allahun në çdo çast.
Si të triumfojmë ndaj sprovave në këtë kohë?
Sprovan ë këtë kohë janë të shumta dhe nuk janë vetëm uria, lufta apo humbjet e ndryshme në pasuri e në njerëz. Prej sprovave të kohës së sotme janë: hutimi, gafleti (shpërqëndrimi), frika, dëshpërimi, pasuria, egoja, fama, epshi, padrejtësia, informacioni pa fund, gënjeshtra e zbukuruar si e vërtetë, dhe përçarja mes njerëzve.Triumfi ndaj sprovave në këtë kohë do të thotë të mos lejosh që sprova të ta marrë zemrën, besimin dhe drejtimin.
Kurani na jep rrugë shumë të qarta për të triumfuar ndaj sprovave në çdo kohë. Ato janë:
Epara: Durimi dhe namazi Në ajetin 45 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَاسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلَاةِ﴾
“Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz…”
Durimi do të thotë të mos e humbësh drejtimin kur goditesh nga sprova.
E dyta: Devotshmëria: Kjo do të thotë të jemi gjithmonë të vetëdijshëm për Allahun. “Kush është i devotshëm ndaj Allahut, Ai i jep atij një rrugëdalje.” (Sure “Et-Talak”, ajeti 2)
E treta: Përmendja e vazhdueshme e Allahut.Në ajetin 28 të sures “Err-Rra’d” Allahu i Madhëruar thotë: “Me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”
Në një kohë zhurme, shpërqëndrimi e gafleti, dhikri është kthimi i zemrës te Krijuesi i saj.
E katërta: Mosdorëzim ndaj dëshpërimit. Kjo do të thotë që kurrë mos e humbim shpresën, siç thotë ajeti 53 në suren “Ez-Zumer”: “Mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut.”
E pesta: Dallim mes së vërtetës dhe të paërtetës. Në ajetin 6 të sures “El-Huxhurat” Allahu na thotë: “Nëse ju vjen një njeri i pabesueshëm me një lajm, verifikojeni.” Ky ajet sot është jashtëzakonisht actual përshka të përhapjes së shumë lajmeve të rreme nëpër rrjetët sociale.
E gjashta: Shoqëri e mirë. Në ajetin 28 të sures “El-Kehf” Kur’ani na porosi dhe na thotë: “Qëndro me ata që e thërrasin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje…”. Sepse ka sprova që njeriu nuk i kapërcen vetëm.
E shtata: Me kthim të vazhdueshëm tek Allahu. Edhe kur rrëzohesh, mos e quaj rrëzimin fund. Pendimi është rikthim në rrugë.
Përveç këtyre shtatë rrugëve Kur’ani na jep çelësin më të madh që është ajeti 200 në suren “AliImran”, i cili thotë: “O ju që keni besuar! Bëni durim, garoni në durim, qëndroni të palëkundur dhe kijeni frikë Allahun, që të triumfoni.”
Sa bukur e ka ndërtuar ky ajet rrugën e triumfit ndaj sprovave: durim → qëndrueshmëri → vigjilencë → devotshmëri → triumf.
Imam Hysejni na mëson diçka edhe më të thellë: mund të humbasësh rehati, pasuri, pozitë, madje edhe jetën, dhe prapë të jesh triumfues, nëse nuk ia dorëzon të vërtetën batilit.
Pra, në këtë kohë triumfojmë ndaj sprovave duke ruajtur lidhjen me Allahun, kthjelltësinë e mendjes, pastërtinë e zemrës, shoqërinë e njerëzve të mirë dhe besnikërinë ndaj së vërtetës, sidomos kur gënjeshtra bëhet e modës.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Sprovat janë pjesë e ligjit të Allahut në këtë botë. Ato nuk janë gjithmonë shenjë zemërimi, por shpesh janë shenjë kujdesi dhe edukimi hyjnor.
P ërmes sprovave Allahu pastron zemrat tona, forcon besimin tonë, na afron me Veten, na përgatit për shpërblimin e përhershëm.
Prandaj kur sprovohemi, të mos themi: “Pse Allahu më bëri këtë?”, por të pyesim veten: “Çfarë dëshiron Allahu të më mësojë përmes kësaj?”
Le të kujtojmë fjalën e Allahut:
﴿وَعَسَىٰ أَن تَكْرَهُوا شَيْئًا وَهُوَ خَيْرٌ لَّكُمْ﴾
“Ndoshta ju urreni diçka, por ajo është e mirë për ju.” (Sure “El-Bekare”, ajeti 216)
Po ashtu të kujtomë thënien e Allahut në ajetet 155-157 të sures “El-Bekare” ku thotë:
﴿وَلَنَبْلُوَنَّكُم بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنفُسِ وَالثَّمَرَاتِ ۗ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ ٱلَّذِينَ إِذَآ أَصَٰبَتۡهُم مُّصِيبَةٞ قَالُوٓاْ إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّآ إِلَيۡهِ رَٰجِعُونَ (156) أُوْلَٰٓئِكَ عَلَيۡهِمۡ صَلَوَٰتٞ مِّن رَّبِّهِمۡ وَرَحۡمَةٞۖ وَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُهۡتَدُونَ﴾
“Ne do t’ju sprovojmë me diçka nga frika, uria, pakësimi i pasurisë, i jetëve dhe i të korrave. Dhe përgëzoji durimtarët. të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti I tyre; ata janë në rrugën e drejtë!
Allahu na bëftë prej atyre që në sprova tregojnë durim, besim dhe mbështetje të plotë tek Allahu!

