Si ta kontrollojmë zemërimin?

Në ajetin 37 të sures “Esh-Shura” Allahu Madhërar thotë:

وَالَّذِينَ يَجْتَنِبُونَ كَبَائِرَ الْإِثْمِ وَالْفَوَاحِشَ وَإِذَا مَا غَضِبُوا هُمْ يَغْفِرُونَ

“Dhe ata që largohen nga mëkatet e mëdha dhe veprat e shëmtuara, e kur zemërohen, ata falin.”

Ky ajet paraqet tri cilësi të besimtarëve të vërtetë:

– Largimi nga mëkatet e mëdha. Besimtarët ruhen nga veprat që e zemërojnë Allahun dhe e njollosin shpirtin.

– Shmangia e imoralitetit. Besimtaret nuk bien në sjellje që cenojnë moralin dhe nderin. 

– Falin kur zemërohen. Besimtarët nuk e lënë zemërimin t’i shtyjë drejt hakmarrjes apo padrejtësisë; përkundrazi, e kapërcejnë atë me falje.

            Madhështia e besimtarit qëndron në faktin se zemërimi nuk e sundon atë. Ai e kontrollon veten dhe, kur ka mundësi të hakmerret, zgjedh faljen për hir të Allahut.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Zemërimi është një nga emocionet më të fuqishme që Allahu e ka vendosur në natyrën e njeriut. Në vetvete nuk është gjithmonë i keq, sepse ka raste kur zemërimi për hir të Allahut dhe kundër padrejtësisë është i lavdëruar. Mirëpo, kur njeriu humbet kontrollin mbi zemërimin, ai bëhet shkak për mëkate, përçarje, padrejtësi dhe pendim.

Sa familje janë shkatërruar nga një moment zemërimi? Sa miqësi janë prishur? Sa fjalë të rënda janë thënë që nuk mund të kthehen më?

Prandaj, Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe kontrollit të zemërimit.

Kur’ani i lavdëron ata që e përmbajnë zemërimin

Në ajetin 134 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:

{ٱلَّذِينَ يُنفِقُونَ فِي ٱلسَّرَّآءِ وَٱلضَّرَّآءِ وَٱلۡكَٰظِمِينَ ٱلۡغَيۡظَ وَٱلۡعَافِينَ عَنِ ٱلنَّاسِۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلۡمُحۡسِنِينَ}

“Ata që shpenzojnë në mirësi në begati dhe vështirësi, ata që e përmbajnë zemërimin dhe i falin njerëzit. Allahu i do bamirësit.”

Në këtë ajet Allahu nuk thotë se besimtari nuk zemërohet. Ai thotë se besimtari e kontrollon zemërimin e tij.

            Njeriu i fortë nuk është ai që nuk zemërohet kurrë, por ai që nuk lejon zemërimin ta sundojë. Sipas Kuranit, fitorja më e madhe nuk është mposhtja e tjetrit, por mposhtja e zemërimit të vet. Në kulturën islame, forca e vërtetë nuk është forca fizike, por forca e shpirtit.

Profeti Muhamed na paralajmëron e na thotë: “Njeriu i fortë nuk është ai që mund të mposhtë të tjerët në mundje, por ai që e kontrollon veten kur zemërohet.”

            Në një hadith tjetëri Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj se kush është më i forti ndër ju? Ai që e zotëron veten e tij kur zemërohet.” (“Nethr Ed-Durer”, vëll.1, f. 183)

Nga e ka burimin zemërimi?

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në hadithet profetike.

            I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Zemërimi është nga shejtani, ndërsa shejtani është krijuar nga zjarri.”

            I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi Familjen e tij) ka thënë: “Zemërimi është një prush i ndezur prej shejtanit.” (Burimi: “Biharul-Enuar, vëll. 73, f. 265, hadithi nr. 15.)

Kur njeriu zemërohet, fytyra i skuqet, zemra i rreh fort dhe humbet qetësinë. Në ato momente ai mund të thotë gjëra që më pas i vjen turp t’i kujtojë.

            Zemërimi hap derën e shumë mëkateve. Për këtë imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Zemërimi është çelësi i çdo të keqeje.”

            Shumë mëkate fillojnë me një zemërim të pakontrolluar, siç janë: fyerjet, përgojimi, shpifja, prishja e lidhjeve familjare, dhuna, padrejtësia deri edhe vrasja. Një moment zemërimi mund të shkatërrojë atë që është ndërtuar për vite me radhë. Prandaj besimtari duhet të jetë vigjilent kur ndjen se zemërimi po fillon të rritet në zemrën e tij.

            Duke parë dëmet e shumta të zemërimit lind pyetja: Si ta kontrollojmë zemërimin?

Islami na jep disa udhëzime për kontrollin e zemërimit, të cilët janë:

Së pari: Të kujtojmë Allahun

Kur zemërimi na pushton, shejtani përpiqet të na shtyjë drejt gabimeve. Prandaj në ajetin 200 të sures El-A’raf” Kur’ani thotë:

{وَإِمَّا يَنزَغَنَّكَ مِنَ ٱلشَّيۡطَٰنِ نَزۡغٞ فَٱسۡتَعِذۡ بِٱللَّهِۚ …}

“E nëse shejtani të ngacmon me ndonjë nxitje, kërko mbrojtje te Allahu…”

            Kjo do të thotë se në çastet e zemërimit duhet menjëherë të kujtojmë Allahun dhe të kërkojmë strehim tek Ai, sepse zemërimi është një armë e shejtanit

            Kur zemërohemi, duhet të themi: “Eudhu billahi mine-sh-shejtani-rraxhim.”, Kërkoj mbrojteje tek Allahu prej djallit të mallkuar.

            Kujtimi i Allahut e qetëson zemrën dhe e dobëson ndikimin e shejtanit. Kur zemra trazohet nga vesveset, zemërimi, krenaria apo dëshpërimi, besimtari nuk debaton me shejtanin, por strehohet te Allahu. Mbrojtja e vërtetë nuk gjendet te forca jonë, por te Zoti. Çdo vesves mposhtet jo duke e ndjekur, por duke kërkuar strehim te Allahu. Ai është Mbrojtësi më i Mirë. Kur shejtani troket në derën e zemrës, mos ia hap, por thuaj: ‘Eudhu billahi mine’sh-shejtani’r-raxhim’, dhe hyr nën hijen e Mëshirës së Allahut. Aty shuhen të gjitha vesveset. Ngacmimi i shejtanit nuk luftohet me forcën e egos, por me strehimin dhe mbështetjen tek Allahu.

Së dyti: Të heshtim

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka këshilluar që njeriu i zemëruar të mos flasë menjëherë. Shumica e fjalëve që pendoheni se i keni thënë janë ato të dala në çastet e zemërimit. Prandaj, para se të flisni, prisni disa minuta.

Së treti: Të ndryshojmë gjendjen fizike

            Në transmetime thuhet se nëse jeni në këmbë, uluni. Nëse jeni ulur, shtrihuni. Kjo e ul tensionin dhe e largon reagimin e menjëhershëm.

Së katërti: Të marrim abdes

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka rekomanduar abdesin gjatë zemërimit. Uji e freskon trupin dhe e qetëson shpirtin.

Së pesti:  Të kujtojmë pasojat e zemërimit

            Para se të veprojmë, të pyesim veten: A do të jem i kënaqur me këtë fjalë apo veprim pas një ore, pas një dite apo para Allahut në Ditën e Gjykimit? Ky reflektim shpesh e ndalon njeriun nga gabimi.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Kur’ani nuk mjaftohet vetëm me kontrollin e zemërimit, por na fton edhe në falje, siç thotë ajeti 134 në suren “Ali Imran”: “…ata që e përmbajnë zemërimin dhe i falin njerëzit…”

            Niveli më i lartë kontrollit të zemërimit nuk është vetëm të mos hakmerresh, por të falësh. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Mjeti më i mirë i fitores është falja.”

Njeriu që fal nuk është i dobët. Përkundrazi, ai ka fituar mbi egon e vet.

Ehli Bejti i Profetit janë shemmbuj të kontrollit të zemërimit.

            Imam Musa El-Kadhim (Paqja qoftë mbi të!) ishte aq i njohur për përmbajtjen e zemërimit sa mori nofkën “El-Kadhimu”, që do të thotë: “Ai që e shtyp zemërimin.”

            Kur dikush e fyente apo e lëndonte, ai nuk hakmerrej me të keqe, por përgjigjej me mirësi. Kjo vepër e këtij imami të madhe ishte zbatimi praktik i ajetit 34 në suren “Fusilet”: “Largoje të keqen me atë që është më e mira.”

Ky është morali i Ehli Bejtit: ta shuash zjarrin e zemërimit me ujin e durimit dhe të faljes.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Zemërimi është një provë e përditshme. Çdo njeri zemërohet, por jo çdo njeri arrin ta kontrollojë zemërimin.

            Kur’ani, Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti (Paqja e bekimet e Allahut qofsin mbi ta!) na mësojnë se besimtari e përmban zemërimin; kujton Allahun kur zemërohet; nuk nxiton të flasë e të veprojë; fal njerëzit; dhe e konsideron kontrollin e vetes si një fitore të madhe.

            Lusim Allahun e Madhëruar që të na bëjë prej atyre që e kontrollojnë zemërimin e tyre, që falin njerëzit dhe që fitojnë kënaqësinë e Tij.