Uniteti islam në mendimin e Imam dëshmor Sejid Ali Khameneit përbën një domosdoshmëri strategjike dhe një themel për dinjitetin dhe fuqinë e Umetit Islam. Ai e sheh unitetin si një strategji për ndërtimin e “Umetit të vetëm Islam”, si dhe për tejkalimin e dallimeve medhhebore me qëllim përballimin e sfidave të jashtme. Sipas tij, uniteti nuk nënkupton shkrirjen e medhhebeve në një medhheb të vetëm, por afrimin, bashkëpunimin, përqendrimin te pikat e përbashkëta dhe largimin nga tekfiri (shpallja e tjetrit jobesimtar).
Projekti unifikues në mendimin e Imam Khameneit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) mbështetet në disa shtylla kryesore:
E para: Afrimi mes medhhebeve: Ai thekson domosdoshmërinë e respektimit të veçorive të çdo medhhebi dhe ndalimin e fyerjes së simboleve fetare, duke konsideruar se dallimet juridike e fetare nuk duhet të jenë shkak për përçarje dhe konflikt.
E dyta: Përballja me projektet përçarëse:
Ai e konsideron “shiizmin britanik” dhe “sunnizmin amerikan” (islamin ekstremist dhe tekfirist) si mjete kolonialiste për goditjen e Umetit Islam dhe paralajmëron vazhdimisht kundër rënies në kurthin e fitnes sektare.
E treta: Formimi i “Umetit të Madh Islam”: Ai bën thirrje për solidaritet politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet vendeve dhe popujve myslimanë, me qëllim përballimin e hegjemonisë globale, rikthimin e të drejtave të tyre dhe mbështetjen e çështjes palestineze si një kauzë e përbashkët që bashkon myslimanët.
E katërta: Dimensionet praktike: Ai ka mbështetur dhe nxitur themelimin e institucioneve që promovojnë unitetin islam, si dhe ringjalljen e aktiviteteve dhe rasteve të përbashkëta, si Java e Unitetit Islam, për të forcuar lidhjet e vëllazërisë dhe bashkëpunimit mes myslimanëve.
“Vërtet, besimtarët janë vëllezër.” (Sure “Huchurat”, ajsti10)
Si vijon janë thëniet e imamit dëshmor Sejid Ali Khamenei (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth unitetit islam dhe vëllazërisë islame. Ai na thënë:
- Kuptimi i unitetit ndërmjet popujve muslimanë është që çështjet e botës islame të ecin me të njëjtin ritëm dhe drejtim, duke e ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke mos i përdorur aftësitë dhe potencialet e tyre kundër njëri-tjetrit.
- Çështja jonë kryesore në botën islame është uniteti islam. Nëse arrijmë të zmbrapsim kurthet e armiqve dhe të dështojmë planet e tyre që synojnë përhapjen e frymës së përçarjes mes nesh, atëherë do të mund të zgjidhim shumë nga problemet e pazgjidhura që na rëndojnë.
- Nëse përpiqemi dhe sakrifikojmë për lartësimin, madhështinë dhe nderin e Islamit dhe të Kur’anit, atëherë kjo është e papajtueshme me përçarjen dhe konfliktet ndërmjet muslimanëve.
- Kushdo që beson në këtë Kur’an, në këtë fe dhe në këtë kibël, është besimtar; dhe të gjithë këta janë vëllezër, ashtu siç na ka mësuar Islami.
- Qëllimi i unitetit është bashkëpunimi ndërmjet grupeve dhe medhhebeve islame, dhe jo përballja apo armiqësia mes tyre.
- Muslimanët sot kanë më shumë nevojë se kurrë për vëllazëri, dhe slogani kuranor: “Besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtoni vëllezërit tuaj” (El-Huxhurat, 10) është më aktual dhe më i rëndësishëm se në çdo kohë tjetër.
- Sikur muslimanët të ishin të bashkuar, Palestina nuk do të përballej me atë që po përjeton sot; as Bosnja, Kashmiri, Taxhikistani dhe muslimanët në Evropë nuk do të jetonin në vështirësitë që po përjetojnë, e as muslimanët në Amerikë nuk do të përballeshin me gjithë këtë padrejtësi. Shkaku kryesor i kësaj gjendjeje është përçarja dhe mosmarrëveshjet që ekzistojnë mes nesh.
- Nëse shihni ndonjë rast përçarjeje apo konflikti në ndonjë pjesë të umetit islam, mos hezitoni të punoni për pajtimin dhe shërimin e tij, sepse shpërblimi i këtij veprimi është shumë më i madh se ai i namazit dhe agjërimit.
- Ky është një rast për të shfaqur vëllazërinë e vërtetë në të gjitha nivelet dhe për t’u përballur me të gjitha fitnet dhe sprovat.
- Muslimanët duhet të kenë besim në aftësitë dhe potencialet e tyre, të përpiqen t’u japin siguri popujve të tjerë islamë, t’u kushtojnë rëndësi dispozitave dhe vlerave islame, të realizojnë unitetin e fjalës dhe të mos frikësohen nga arroganca dhe presionet e fuqive hegjemone.
- Përçarja mes medhhebeve dhe grupeve islame i sjell dëm Islamit, prandaj nuk duhet të lejojmë që ajo të ndodhë.
- Ne nuk e shohim unitetin dhe solidaritetin islam si një formalitet apo slogan të zbrazët; ai është një domosdoshmëri e vërtetë dhe sot kemi nevojë urgjente për të.
- Vëllezërit e mi të dashur, simboli i fuqisë qëndron në unitet dhe solidaritet. Kudo që të jeni, mbështetuni tek Allahu dhe forconi lidhjet tuaja me vëllezërit tuaj në fe.
- Pa dyshim, sikur të mos ishte mbështetja e botës islame për myslimanët e Bosnjës, ata do të ishin zhdukur dhe sot nuk do të kishin më asnjë prani në Evropë.
- Jam i bindur se nëse flamuri i Islamit fillon të valojë me forcë, umeti islam do të zgjohet pa dyshim. Ne nuk deshëm që përmes këtij revolucioni të ngremë flamurin e shiizmit për të nxitur përçarje, por deshëm të ngremë flamurin e Islamit, sepse Islami është gjithçka.
- Nëse arrijmë unitetin mes nesh, do të përfitojmë disa rezultate të shpejta. Së pari, umeti islam do të ndiejë më shumë dinjitet, krenari dhe fuqi. Së dyti, kjo do të kufizojë deri diku planet dashakeqe që fuqitë e mëdha hartojnë për rajone të ndryshme të botës islame.
- Vëllezërit myslimanë, qoftë në Iran, Irak, Pakistan, Palestinë apo në çdo vend tjetër, dhe pa marrë parasysh cilit medhheb i përkasin, e dinë shumë mirë se ne, ashtu si të gjithë dijetarët e vërtetë të Islamit, besojmë se “njollosja e duarve me gjakun e myslimanëve” është një nga mëkatet që nuk falen lehtë dhe që konsiderohet ndër më të mëdhatë.
- Vëllazëria e popullit iranian me popujt e tjerë myslimanë është një vëllazëri e vërtetë dhe reale. Dallimet medhhebore kanë vendin e tyre; shiiti mbetet shiit dhe suniti mbetet sunit. Midis Ehli Sunetit dhe shiitëve ekzistojnë dallime mendore dhe medhhebore, por të gjithë janë vëllezër nën flamurin e “La ilahe il-lAllah, Muhammedun Resulullah” (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut). Prandaj, ata duhet të qëndrojnë së bashku përballë armiqve të Islamit dhe armiqve të umetit islam.
- Mesazhi më i madh politik që sjell Islami është uniteti. Uniteti i myslimanëve do të thotë që umeti islam të qëndrojë përballë armiqve të Islamit dhe të shpallë distancimin e tij nga jobesimtarët dhe idhujtarët.
- Myslimanët mund ta realizojnë unitetin më mirë dhe më lehtë nën flamurin e Profetit Fisnik Muhamed (s.a.a.s.). Kjo është një nga veçoritë që e dallon këtë personalitet të madh, sepse ai është burim dashurie dhe mëshire në botën islame.
- Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet sot bota islame është përçarja dhe copëzimi. Prania e bekuar e Profetit të Islamit (s.a.a.s.) mund të jetë boshti i ndjenjave dhe bindjeve të të gjithë myslimanëve. Ne, si myslimanë, nuk kemi një shembull tjetër që gëzon kaq shumë qartësi dhe pajtim të përgjithshëm; ai është boshti i besimit të të gjithë myslimanëve dhe themeli më i mirë për unitetin.
- Uniteti islam është shpresa jonë, por kjo shpresë duhet të bëhet realitet. Asnjë shpresë nuk mund të realizohet pa përpjekje, punë dhe këmbëngulje.
- Dashuria dhe respekti për Profetin Fisnik Muhamed ibn Abdullah (s.a.a.s.) përbëjnë një pikë të përbashkët pajtimi dhe uniteti në botën islame. Kjo është një çështje që duhet theksuar vazhdimisht, dhe ata që kanë përgjegjësi në këtë drejtim duhet të bashkohen mbi këtë bazë dhe t’ua tërheqin vëmendjen myslimanëve ndaj këtij boshti të rëndësishëm të unitetit.
- Ne e kemi shtrirë dorën e vëllazërisë ndaj të gjithë popujve islamë, si dhe ndaj të gjithë mendimtarëve dhe udhëheqësve politikë të botës islame. Prej tyre kërkojmë që të ndërmarrin hapa për mbështetjen dhe forcimin e këtyre lidhjeve dhe të kësaj vëllazërie.
- Ajo që ngjall zemërimin dhe pakënaqësinë e Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive arrogante të botës ndaj sistemit të Republikës Islamike është përpjekja e saj për të realizuar unitetin mes popujve myslimanë, për të nxitur bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes vendeve islame, si dhe për të forcuar pozitën e popujve myslimanë përmes Umetit të madh Islam.
- Cilat janë arsyet që justifikojnë përballjen dhe konfliktin mes medhhebeve islame? Është e natyrshme që të ketë dallime në mendime dhe shije edhe brenda të njëjtit medhheb, madje të ekzistojnë shkolla dhe prirje të ndryshme. Atëherë, çfarë i shtyn njerëzit të bëhen armiq të njëri-tjetrit? Kur kemi kaq shumë pika të përbashkëta për të realizuar unitetin dhe veprimin e përbashkët, dhe kur përballemi me një armik të vetëm, pse të luftojmë mes vete?
- Shiitët nuk ushqejnë armiqësi ndaj askujt. Ajo që e dallon një shiit është dashuria e tij për njerëzit dhe dhembshuria ndaj të gjithë njerëzimit, kudo që ndodhen, e veçanërisht ndaj myslimanëve.

