Çfarë ndodh kur largohemi nga Allahu?

Në ajetin 16 të sures “Kaf”Allahu i Madhëruar thotë:

وَنَحْنُ أَقْرَبُ إِلَيْهِ مِنْ حَبْلِ الْوَرِيدِ

“Ne jemi më afër tij se damari i qafës.”

Dhe në ajetin 4 të sures “El-Hadijd” Allahu i Madhëruar thotë:

وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنْتُمْ

“Dhe Ai është me ju, kudo që të ndodheni.”

            Këto ajete na mësojnë se Allahu nuk është larg njeriut. Ai është i Ditur për çdo mendim, çdo ndjenjë, çdo dhimbje dhe çdo të fshehtë të zemrës. Afërsia e Allahut nuk është afërsi trupore, por afërsi me dijen, fuqinë, mëshirën dhe përkujdesjen e Tij. Prandaj, besimtari nuk është kurrë i vetëm. Në gëzim duhet të jetë falënderues, në vështirësi i durueshëm, në mëkat i turpëruar dhe në lutje plot shpresë. Kudo që të jemi, jemi nën dijen dhe kujdesin e Allahut.

            Por, është për të ardhur keq se shumica e njerëzve largohen nga Krijuesi i tyre për shkaqe të ndryshme. Një nga pyetjet më të rëndësishme që duhet t’ia bëjë njeriu vetes është: Çfarë ndodh kur ai largohet nga Allahu?

            Shumë njerëz mendojnë se largimi nga Allahu do të thotë vetëm mosfalja e namazit ose mosagjërimi. Mirëpo, Kur’ani na mëson se largimi nga Allahu është largim nga burimi i jetës, qetësisë, dritës dhe lumturisë.

            Ashtu si peshku nuk mund të jetojë jashtë ujit, edhe zemra e njeriut nuk mund të jetojë pa Allahun.

Në temën e sotme do të paraqesim 10 pasoja që vijnë kur njeriu largohet nga Allahu. Ato janë:

E para: Kur njeriu largohet nga Allahut, ai do të ketë jetë të vështirë dhe do të ringjallet i verbër

Në ajetin 124 të sures “Ta Ha” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَمَنْ أَعْرَضَ عَن ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنكًا وَنَحْشُرُهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ أَعْمَىٰ﴾

“Kush largohet nga përkujtimi Im, do të ketë jetë të vështirë dhe Ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër.”

            Ky ajet nuk flet vetëm për varfërinë materiale. Ka njerëz me pasuri të madhe, por që jetojnë me ankth, depresion, frikë dhe zbrazëti shpirtërore. Kjo sepse, zemra është krijuar për ta njohur Allahun fhe për të qenë e lidhur me të .

            Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Përkujtimi i Allahut është jeta e zemrave.” (Biharul Enuar, vëll. 74)

            Kur zemra ndahet nga Allahu, ajo fillon të vdesë, edhe pse trupi është ende gjallë.

E dyta: Kur njeriu largohet nga Allahu ateherë shejtani bëhet shoku i njeriut

Në ajetin 36 të sures “Ez-Zuhruf” Kur’ani thotë:

﴿ وَمَن يَعْشُ عَن ذِكْرِ الرَّحْمَٰنِ نُقَيِّضْ لَهُ شَيْطَانًا فَهُوَ لَهُ قَرِينٌ﴾

“Kush largohet nga përkujtimi i Mëshiruesit, Ne ia caktojmë një shejtan dhe ai bëhet shok i tij.”

            Në këtë jetë njeriu nuk mbetet kurrë pa udhëheqës. Nëse nuk e udhëheq Allahu, atë do ta ًًudhëheqin epshet, shejtani, propaganda, moda dhe njerëzit.Prandaj shohim shumë njerëz që ndryshojnë bindjet sipas modës së kohës.

E treta: Kur njeriu largohet nga Allahu humbet drita e udhëzimit

Në ajetin 122 të sures “El-En’am,” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿أَوَ مَن كَانَ مَيۡتٗا فَأَحۡيَيۡنَٰهُ وَجَعَلۡنَا لَهُۥ نُورٗا يَمۡشِي بِهِۦ فِي ٱلنَّاسِ كَمَن مَّثَلُهُۥ فِي ٱلظُّلُمَٰتِ لَيۡسَ بِخَارِجٖ مِّنۡهَاۚ…﴾

“A është ai që ishte i vdekur dhe Ne e ngjallëm, duke i dhënë dritë me të cilën ecën ndër njerëz, si ai që është në errësirë dhe nuk del dot prej saj…?”

            Besimi është dritë. Kur largohemi nga Allahu, nuk humb vetëm feja por humbet aftësia për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta, hallallin nga harami, mikun nga armiku.

E katërta:  Kur njeriu largohet nga Allahu atij i ngurtësohet zemra

Në ajetin 74 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë: 

﴿ ثُمَّ قَسَتْ قُلُوبُكُم مِّن بَعْدِ ذَٰلِكَ فَهِيَ كَالْحِجَارَةِ أَوْ أَشَدُّ قَسْوَةً ۚ…﴾

“Pastaj zemrat tuaja u bënë të forta  guri, madje edhe më të forta.”

            Njeriu mund të preket dhe qan për një film, por nuk preket nga Kur’ani e as nuk qanë. Mund të preket nga muzika, por jo nga fjalët e Allahut. Kjo është shenjë e ngurtësimit të zemrës.

            Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Nuk ka dënim më të madh sesa ngurtësimi i zemrës.” (Biharul Enuar, vëll. 70)

E pesta:  Kur njeriu largohet nga Allahu mëkatet shtohen

Në ajetin 14 sures “El-Mutaffifin”, Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ كَلَّا ۖ بَلْ ۜ رَانَ عَلَىٰ قُلُوبِهِم مَّا كَانُوا يَكْسِبُونَ﴾

“Jo! Por zemrat e tyre i mbuloi ndryshku për shkak të asaj që fitonin.”

            Çdo mëkat lë një pikë të zezë në zemër. Nëse njeriu nuk pendohet, ajo pikë bëhet perde mes tij dhe Allahut.

            Imam Bakiri (Paqja qoftë mbi të!) ka thlnëë: “Kur robi bën mëkat, në zemrën e tij shfaqet një pikë e zezë. Nëse pendohet, ajo fshihet. Nëse vazhdon (bën mëkat), ajo zmadhohet derisa ta mbulojë zemrën.” (Biharul Enuar, vëll. 73)

6- Kur njeriu largohet nga Allahu, ai harron vetveten

Në ajetin 19 të sure “El-Hashr” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَلَا تَكُونُوا كَالَّذِينَ نَسُوا اللَّهَ فَأَنسَاهُمْ أَنفُسَهُمْ ۚ …﴾

“Mos u bëni si ata që e harruan Allahun dhe Ai i bëri të harrojnë vetveten…”

            Sot shumë njerëz e njohin botën, por nuk njohin vetveten. Dinë çdo gjë për telefonin e tyre, por nuk dinë pse janë krijuar. Njeriu që harron Allahun, humbet identitetin.

E shtata: Kur njeriu largohet nga Allahu humbet bereqeti

Në ajetin 96 të sures “El-A’raf” Allahu i Madhëruar thotë:  

﴿ وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ الْقُرَىٰ آمَنُوا وَاتَّقَوْا لَفَتَحْنَا عَلَيْهِم بَرَكَاتٍ مِّنَ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ…﴾

“Dhe sikur banorët e qyteteve të kishin besuar dhe të kishin devotshmëri, Ne do t’u hapnim bereqetet e qiellit dhe të tokës…”

            Bereqeti nuk është vetëm paraja. Bereqet është shëndeti, familja, koha, fëmijët, qetësia. Ka njerëz me pak pasuri dhe jetojnë të lumtur. Ka të tjerë që kanë me miliona, por nuk janë të qetë.

E teta: Kur njeriu largohet nga Allahu lutjet nuk i pranohen

            Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mosbindja ndaj Allahut pengon pranimin e lutjes.” (Uesailu Esh-Shiah, Libri i Duasë)

            Nganjëherë njeriu pyet: Pse Allahu nuk ma pranon lutjen? Mirëpo, më parë ai duhet të pyesë: A e kam hapur unë derën e mëkateve? Nëse ia ke hapur derën mëkateve, nuk ka lutje të pranuar.

E nënta: Kur njeriu largohet nga Allahu humbet ëmbëlsinë e adhurimit

            Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sa shumë njerëz privohen nga namazi i natës për shkak të mëkateve që bëjnë.”

            Kur zemra errësohet, adhurimi bëhet barrë. Kur zemra pastrohet, adhurimi bëhet kënaqësi.

E dhjeta: Kur njeriu largohet nga Allahu fundi i tij mund të jetë i rrezikshëm

Në aajetin 10 të sures “Err-Rrum” Kur’ani na paralajmëron e na thotë:

﴿ثُمَّ كَانَ عَٰقِبَةَ ٱلَّذِينَ أَسَٰٓـُٔواْ ٱلسُّوٓأَىٰٓ أَن كَذَّبُواْ بِـَٔايَٰتِ ٱللَّهِ…﴾

“Pastaj fundi i atyre që bënë keq ishte më i keqi, sepse i përgënjeshtruan argumentet e Allahut.”

            Askush nuk është i garantuar deri në frymën e fundit. Prandaj, Imamët e Ehli Bejtit gjithmonë i luteshin Allahut për përfundim të mirë. Edhe ne duhet të lutemi që të kemi një përfundim të mirë në këtë jetë dhe të ndahemi prej saj me besim e devotshmëri.

Këto ishin dhjetë prej pasojave që sjell largimi nga Allahu.

Këtu shtrojmë pyetjen: Si të kthehet njeriu tek Allahu?

            Lajmi më i bukur për këtë është se dera e Allahut nuk mbyllet. Në ajetin 53 të sures “Ez-Zumer” Allahu i Madhëruar thotë: 

﴿قُلۡ يَٰعِبَادِيَ ٱلَّذِينَ أَسۡرَفُواْ عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمۡ لَا تَقۡنَطُواْ مِن رَّحۡمَةِ ٱللَّهِۚ إِنَّ ٱللَّهَ يَغۡفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِيعًاۚ …﴾

“Thuaj: O robtë e Mi që e keni tepruar ndaj vetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Allahu i fal të gjitha mëkatet…”

            Rruga e kthimit është Pendimi i sinqertë (Teube); Namazi me përqendrim; Leximi i përditshëm i Kur’anit; Përmendja e Allahut; Shoqëria me njerëzit e mirë; Largimi nga mëkatet edhe nga ato që duken të vogla.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i dashuri tek Allahu është ai që pendohet.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Problemi më i madh i njeriut nuk është varfëria, sëmundja apo sprovat. Problemi më i madh është largimi nga Allahu.

            Kur largohemi nga Allahu zemra ngushtohet, shpirti errësohet, shejtani afrohet, bereqeti largohet, lutjet pengohen, jeta humbet kuptimin.

Por kur kthehemi tek Allahu, gjithçka fillon të ndryshojë.

Le ta mbyllim me fjalën e Allahut në suren “Err-Rra’d “ ajeti 28 ku thuhet:

﴿ … ۗ أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ﴾

“…Vërtet, me përkujtimin e Allahut qetësohen zemrat.”

            Ky ajet na mëson që gjithmonë të jemi me Allahun sepse Ai është me ne kudo që të jemi. Kur jemi me Allahun, jemi të qetë shpirtërisht.

            Allahu na bëftë prej atyre që nuk largohen kurrë nga Allahu dhe nga përkujtimi i Tij! Allahu na dhuroftë zemra të gjalla e të ndritura me besim dhe na bëftë prej pasuesve të sinqertë të Kur’anit, Profetit Muhamedit dhe Ehli Bejtit të tij (Paqja qoftë mbi ta!)!