Në ajetin 27 të sures “Ali Imran” thuhet:
﴿…وَتَرْزُقُ مَنْ تَشَاءُ بِغَيْرِ حِسَابٍ﴾
“Ti furnizon kë të duash pa llogari.”
Nga ky ajet fisnik mësohet se Allahu i jep furnizim kujt të dëshirojë, me urtësinë dhe mëshirën e Tij, në mënyrë të pakufishme dhe përtej llogarive njerëzore. Askush nuk mund ta pengojë dhuntinë e Tij dhe çdo mirësi buron prej Tij.
Një nga çështjet që e shqetëson më shumë njeriun në jetën e kësaj bote është rizku: furnizimi, pasuria, ushqimi, puna, shëndeti, mundësitë dhe çdo mirësi që Allahu ia dhuron robit të Tij. Shpesh njeriu shqetësohet për të ardhmen, frikësohet nga varfëria dhe harron se pas këtij universi qëndron një Zot i Gjithëfuqishëm, i Cili ka garantuar furnizimin e krijesave të Tij.
Kur’ani na mëson se rizku nuk është vetëm rezultat i përpjekjeve tona, por mbi të gjitha është dhuratë dhe mëshirë nga Allahu.
Fjala “rizk” (furnizim) është përmendur në Kur’anin Famëlartë në 123 vende.
Çfarë thotë Kur’ani për rizkun?
1- Kur’ani thotë se Allahu është Furnizuesi i Vetëm.
Në ajetin 58 të sures “Edh-Dharijat” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ اللَّهَ هُوَ الرَّزَّاقُ ذُو الْقُوَّةِ الْمَتِينُ﴾
“Me të vërtetë, Allahu është Furnizuesi i madh, Zotëruesi i fuqisë së fortë.”
Ky ajet na mëson se burimi i vërtetë i çdo furnizimi është Allahu. Njeriu mund të ketë një punë, një biznes apo një pasuri, por ai duhet të kuptojë se aftësia për të punuar, mundësitë, shëndeti dhe suksesi vijnë nga Allahu.
Në ajetin 6 të sures “Hud” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَمَا مِن دَابَّةٍ فِي الْأَرْضِ إِلَّا عَلَى اللَّهِ رِزْقُهَا﴾
“Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që të mos e ketë furnizimin e saj tek Allahu.”
Edhe ky ajet na mëson se rizku i gjallesave është te Allahu. Nëse Allahu kujdeset për çdo krijesë, si mund të mendojë njeriu se Ai do ta harrojë atë?
2- Kur’ani thotë mos u frikësoni nga varfëria, sepse Allahu garanton rizkun
Një nga mashtrimet e shejtanit është frika e tepërt nga varfëria. Në ajetin 268 të sures “El-Bekrae Allahu i Madhëruar thotë:
﴿الشَّيْطَانُ يَعِدُكُمُ الْفَقْرَ وَيَأْمُرُكُم بِالْفَحْشَاءِ ۖ وَاللَّهُ يَعِدُكُم مَّغْفِرَةً مِّنْهُ وَفَضْلًا﴾
“Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për vepra të këqija, ndërsa Allahu ju premton falje dhe mirësi nga ana e Tij.”
Shumë njerëz bien në mëkate për shkak të frikës së rizkut: gënjejnë, mashtrojnë, marrin hakun e të tjerëve ose largohen nga rruga e Allahut. Por njeriu besimtar I devotshëm e di se një furnizim i fituar me haram nuk sjell bereqet.
3- Kur’ani thotë se rizku vjen me përpjekje, jo me pasivitet
Kur’ani nuk e mëson njeriun të jetë dembel. Përkundrazi, njeriu duhet të punojë dhe të përpiqet. Në ajetin 15 të sures “El-Mulk”Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فَامْشُوا فِي مَنَاكِبِهَا وَكُلُوا مِن رِّزْقِهِ﴾
“Ecni nëpër pjesët e saj dhe hani nga furnizimi i Tij.”
Ky ajet fisnik tregon se njeriu duhet të lëvizë, të kërkojë dhe të punojë. Gjithashtu, në ajetin 39 të sures “En-Nexhm” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَأَن لَّيْسَ لِلْإِنسَانِ إِلَّا مَا سَعَى﴾
“Dhe se njeriu nuk do të ketë tjetër veç asaj për të cilën është përpjekur.”
Pra, besimi në Allahun nuk do të thotë të braktisësh shkaqet. Besimtari punon, por zemrën e lidh me Allahun.
4- Kur’ani thotë se devotshmëria është një shkak i madh i rizkut
Një nga ajetet më të fuqishme për rizkun janë ajetet 2 dhe 3 në suren “Et-Talak” në të cilët Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَمَن يَتَّقِ اللَّهَ يَجْعَل لَّهُ مَخْرَجًا وَيَرْزُقْهُ مِنْ حَيْثُ لَا يَحْتَسِبُ﴾
“Kush është i devotshëm ndaj Allahut, Ai do t’i japë rrugëdalje dhe do ta furnizojë prej nga nuk e pret.”
Këto ajete na mësojnë se devotshëmria ndaj Allahut hap dyer që njeriu nuk i imagjinon. Ndonjëherë njeriu mendon se zgjidhja është vetëm në një vend të caktuar, por Allahu mund t’i sjellë rrugëdaljen nga një drejtim që ai nuk e ka menduar.
5- Kur’ani thotë se falënderimi sjell shtim të rizkut
Një nga ligjet e Allahut është se falënderimi sjell shtim të mirësive.
Në ajetin 7 të sures “Ibrahim” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿لَئِن شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ﴾
“Nëse falënderoni, do t’jua shtoj edhe më shumë.”
Shumë njerëz shohin vetëm atë që u mungon dhe harrojnë ato që kanë. Por Kur’ani na mëson se zemra falënderuese është zemër që sjell shtimin e rizkut.
6- Kur’ani thotë se Allahu mund ta zgjerojë ose ta ngushtojë rizkun sipas urtësisë së Tij
Në ajetin 26 të sures “Err-Rra’d” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿اللَّهُ يَبْسُطُ الرِّزْقَ لِمَن يَشَاءُ وَيَقْدِرُ﴾
“Allahu ia zgjeron furnizimin kujt të dojë dhe ia kufizon kujt të dojë.”
Ndonjëherë njeriu mendon se pasuria është shenjë e kënaqësisë së Allahut dhe varfëria është shenjë e braktisjes. Por Kur’ani na mëson se pasuria dhe varfëria janë sprova.
Në ajetin 20 të sures “El-Isra” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿كُلًّا نُّمِدُّ هَٰؤُلَاءِ وَهَٰؤُلَاءِ مِنْ عَطَاءِ رَبِّكَ﴾
“Të gjithëve këtyre dhe atyre u japim nga dhuntia e Zotit tënd.”
Allahu u jep nga mirësitë dhe e Tij të gjithë njerëzve, si atyre që kërkojnë këtë botë, ashtu edhe atyre që synojnë Botën Tjetër. Dhënia e Tij është e gjerë dhe nuk kufizohet vetëm te një grup. Çdo e mirë që njeriu zotëron vjen nga Allahu, por vlera e saj përcaktohet nga mënyra se si njeriu e përdor dhe nga qëllimi që ndjek.
7- Kur’ani thotë se rizku më i madh është afërsia me Allahun
Shpesh njerëzit mendojnë se rizku është vetëm paraja, shtëpia apo pasuria. Por Kur’ani na mëson se mirësitë më të mëdha janë mirësitë shpirtërore, si: besimi, udhëzimi, qetësia e zemrës, familja e mirë, shëndeti, dashuria dhe mëshira.
Në ajetin 11 të sures “Et-Tegabun” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَمَن يُؤْمِن بِاللَّهِ يَهْدِ قَلْبَهُ﴾
“Kush beson Allahun, Ai ia udhëzon zemrën.”
Një zemër e udhëzuar është një nga rizqet më të mëdha.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Çdo gjë prej së cilës njeriu përfiton në mënyrë të ndaluar (haram), nëpërmjet tregtisë me alkool, me drogë, me vjedhje, mashtrime, etj., nuk konsiderohet rizk (furnizim) nga Allahu i Lartësuar, sepse Allahu e ka mohuar lidhjen e mëkatit me Veten e Tij. në ajetin 28 të sures “El-A’raf”Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ …قُلْ إِنَّ اللَّهَ لَا يَأْمُرُ بِالْفَحْشَاءِ ۖ أَتَقُولُونَ عَلَى اللَّهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ﴾
“…Thuaj: Me të vërtetë, Allahu nuk urdhëron për vepra të turpshme. A thoni për Allahun atë që nuk e dini?”
Ndërsa në ajetin 90 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يَنْهَى عَنْ الْفَحْشاءِ وَالْمُنْكَرِ﴾
“Ai ndalon nga veprat e turpshme dhe nga e keqja.”
Prandaj, nuk është e mundur që fitimi i pasurisë me haram t’i atribuohet Allahut të Lartësuar, sepse Ai e ka mohuar që prej Tij është ligjëruar ndonjë vepër e shëmtuar.
Allahu është shumë më i Lartë se të ndalojë një gjë e pastaj ta urdhërojë atë, ose ta ndalojë atë e pastaj ta kufizojë furnizimin e njeriut vetëm në të.
Njeriu duhet të ndjekë rrugët më të mira dhe më të pastra për fitimin e furnizimit dhe të mbështetet tek Allahu i Madhëruar, i Cili e ka udhëzuar dhe ndihmuar që të ndjekë këtë rrugë më të drejtë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur’ani na mëson se: Allahu është Furnizuesi i vetëm. Rizku ynë është në dorën e Tij. Ne duhet të punojmë dhe të përpiqemi. Devotshmëria sjell rrugëdalje dhe furnizim. Falënderimi shton mirësitë. Mos ta shesim besimin tonë për shkak të frikës nga varfëria.
Le të kujtojmë gjithmonë fjalën e Allahut në ajetin 22 të sures “Edh-Dharijat” që thotë:
﴿وَفِي السَّمَاءِ رِزْقُكُمْ وَمَا تُوعَدُونَ﴾
“Në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju është premtuar.”
Allahu na bëftë prej atyre që kërkojnë rizkun hallall, që falënderojnë për mirësitë e Tij dhe që kanë zemra të lidhura me Furnizuesin, jo vetëm me furnizimin!

