Çfarë është drejtësia në Islam?

Në ajetin 25 të “El-Hadijd” Allahu i Madhëruar thotë:

لَقَدْ أَرْسَلْنَا رُسُلَنَا بِالْبَيِّنَاتِ وَأَنْزَلْنَا مَعَهُمُ الْكِتَابَ وَالْمِيزَانَ لِيَقُومَ النَّاسُ بِالْقِسْطِ 

“Ne i dërguam të dërguarit Tanë me dëshmi të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librin dhe peshoren, në mënyrë që njerëzit të veprojnë me drejtësi.”

            Sa domethënës ky ajet fisnik. Ai na mëson seqëllimi i dërgimit të profetëve dhe i shpalljes së Librave të Shenjtë është udhëzimi i njerëzve drejt së vërtetës dhe vendosja e drejtësisë në shoqëri. Ky është qëllimi kryesor i fesë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Drejtësia është një prej cilësive të Allahut të Lartësuar. Për shkak të rëndësisë së saj, dijetarët i kanë kushtuar studime të veçanta, më shumë se parimeve të tjera të besimit, me përjashtim të “Teuhidit”, pra njëshmërisë së Allahut. Imamët e pastër të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) e konsideronin rëndësinë e drejtësisë të barabartë me atë të Teuhidit. Këto dy parime janë ndër shtyllat më të ndjeshme të Islamit. Arsyeja është se çdo mangësi në besimin te drejtësia çon edhe në mangësi në besimin te Teuhidi. Allahu nuk i bën padrejtësi askujt dhe dëshiron që edhe robtë e Tij të jenë të drejtë në çdo aspekt të jetës.

Kuptimi i drejtësisë

Fjala “drejtësi” është përdorur në dy kuptime:

Kuptimi i parë: Drejtësia me kuptimin e vendosjes së gjërave në vendin e tyre

            Është transmetuar nga Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Drejtësia i vendos gjërat në vendet e tyre.”

            Çdo gjë në këtë univers, si edhe çdo ligj që Allahu i Lartësuar ka shpallur për udhëzimin e njerëzve, është vendosur në vendin e përshtatshëm. Për këtë dëshmon sistemi i përkryer dhe i mahnitshëm që sundon në të gjitha anët e universit, i cili ka habitur mendjet dhe ka lënë të mahnitur arsyet njerëzore.

            Për këtë dëshmojnë gjithashtu ligjet e përsosura të Allahut, të cilat, po të zbatoheshin nga njerëzit, do t’i çonin ata në kulmin e përsosmërisë dhe të lumturisë.

            Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Me drejtësi qëndrojnë qiejt dhe toka.”

            Një shembull për këtë kuptim është: Nëse i hedh ujë një trëndafili, e ke vendosur ujin në vendin e duhur. Por, nëse e derdh ujin kot, e ke derdhur atë në një vend të papërshtatshëm, dhe kjo është në kundërshtim me drejtësinë.

Kuptimi i dytë: Drejtësia me kuptimin e dhënies së të drejtës secilit që i takon

            Ne besojmë se çdo krijesë në këtë univers ka të drejtat e veta. Askush nuk ka të drejtë t’ia marrë këto të drejta ose ta pengojë që t’i fitojë ato. I drejti është ai që ia jep të drejtën atij që i takon. E kundërta e tij është i padrejti, i cili e pengon tjetrin të arrijë të drejtën e vet ose ia merr atë.

            Allahu i Lartësuar është i Drejtë dhe i Pastër nga çdo padrejtësi. Ai nuk i vendos gjërat jashtë vendeve të tyre dhe as nuk ua merr robëve të Tij të drejtat. Allahu është shumë më i Lartë se një gjë e tillë. Në ajetin 46 të sures “Fusilet” thuhet:

﴿ مَّنْ عَمِلَ صَالِحًا فَلِنَفْسِهِ ۖ وَمَنْ أَسَاءَ فَعَلَيْهَا ۗ وَمَا رَبُّكَ بِظَلَّامٍ لِّلْعَبِيدِ﴾

“Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush bën keq, e bën në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robëve të Tij.”

            Ai, i Plotfuqishmi dhe i Madhërishmi, i shpërblen të bindurit dhe ka të drejtë t’i ndëshkojë keqbërësit. Ai nuk i ngarkon njerëzit me atë që nuk mund ta përballojnë dhe nuk i dënon më shumë sesa e meritojnë.

            Ai e ka krijuar krijimin me drejtësi dhe brenda sistemit më të mirë e më të përsosur. Ai nuk kryen asgjë të shëmtuar dhe prej Tij nuk buron veçse e mira. E gjithë kjo bëhet në përputhje me urtësinë dhe me sistemin më të përsosur.

Pra, drejtësia do të thotë t’i japësh secilit të drejtën që i takon; të mos shtypësh askënd; të mos favorizosh njerëzit për shkak të pasurisë, fisit apo pushtetit; të gjykosh sipas së vërtetës.

            Kushdo që e lexon Kur’anin, me arsyetim e meditim, do të gjejë se Allahu urdhëron drejtësinë.

Në ajetin 90 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْإِحْسَانِ وَإِيتَاءِ ذِي الْقُرْبَىٰ وَيَنْهَىٰ عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنكَرِ وَالْبَغْيِ ۚ…﴾

“Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë, bamirësinë dhe dhënien ndaj të afërmve, ndërsa ndalon nga imoraliteti, e keqja dhe padrejtësia…”

Ky ajet është konsideruar nga dijetarët si një nga ajetet më gjithëpërfshirëse të Kur’anit.

            Ajo që tërheq vëmendjen në këtë ajet është se Allahu fillon me drejtësinë, sepse pa drejtësi nuk mund të ndërtohet familja, shoqëria apo shteti.

Islami thotë që të bëjmë drejtësi edhe ndaj atyre që nuk i pëlqejmë

Në ajetin 8 të sures “El-Maide” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُونُواْ قَوَّٰمِينَ لِلَّهِ شُهَدَآءَ بِٱلۡقِسۡطِۖ وَلَا يَجۡرِمَنَّكُمۡ شَنَـَٔانُ قَوۡمٍ عَلَىٰٓ أَلَّا تَعۡدِلُواْۚ ٱعۡدِلُواْ هُوَ أَقۡرَبُ لِلتَّقۡوَىٰۖ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَۚ إِنَّ ٱللَّهَ خَبِيرُۢ بِمَا تَعۡمَلُونَ﴾

 “O ju që keni besuar! Jini të palëkundur për Allahun dhe dëshmoni me drejtësi. Mos lejoni që urrejtja ndaj një populli t’ju shtyjë të mos jeni të drejtë. Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë.”

            Ky është një standard shumë i lartë. Njeriu zakonisht është i drejtë me miqtë e tij, por Islami kërkon drejtësi edhe ndaj kundërshtarëve. Nëse dikush na ka bërë padrejtësi, ne nuk kemi të drejtë t’i përgjigjemi me padrejtësi.

Islami thotë të jemi të drejtë qoftë edhe kundër vetvetes

Në ajetin 135 të sures “En-Nisa”Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ بِالْقِسْطِ شُهَدَاءَ لِلَّهِ وَلَوْ عَلَىٰ أَنفُسِكُمْ أَوِ الْوَالِدَيْنِ وَالْأَقْرَبِينَ ۚ …﴾

“O ju që keni besuar! Jini të vendosur në drejtësi, dëshmitarë për Allahun, edhe nëse kjo është kundër vetes suaj, prindërve ose të afërmve.”

            Ky është një nga ajetet më madhështore mbi drejtësinë. Kur’ani nuk na kërkon vetëm të jemi të drejtë ndaj të tjerëve, por të jemi të drejtë edhe kur drejtësia bie në kundërshtim me interesat tona personale. Besimtari nuk e ndryshon të vërtetën për interes.

Islami na urdhëron të bëjmë drejtësi në familje

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka urdhëruar drejtësinë edhe mes fëmijëve. Një prind nuk duhet ta dojë njërin fëmijë dhe ta lërë pas dore tjetrin. Një burrë duhet të jetë i drejtë ndaj bashkëshortes. Edhe fëmijët duhet të jenë të drejtë ndaj prindërve.

Islami na urdhëron të bëjmë drejtësi në tregti

Në ajetin 181 të sures “Esh-Shuaraa” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿أَوۡفُواْ ٱلۡكَيۡلَ وَلَا تَكُونُواْ مِنَ ٱلۡمُخۡسِرِينَ﴾

“Bëjeni drejt matjen dhe mos u bëni nga ata që hanë (në matje).”

            Mashtrimi në tregti është padrejtësi. Fitimi nuk duhet të vijë duke dëmtuar njerëzit.

Islami na urdhëron të bëjmë drejtësi në gjykim

Nq ajetin 58 të sures “En-Nisa”Allahu i Madhëruar thotë:

 ﴿…وَإِذَا حَكَمْتُم بَيْنَ النَّاسِ أَن تَحْكُمُوا بِالْعَدْلِ… ﴾

“Kur të gjykoni mes njerëzve, gjykoni me drejtësi.”

            Prandaj gjykatësi, udhëheqësi, mësuesi, prindi dhe çdo njeri që merr vendime duhet të jetë i drejtë.

            Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i dashuri i njerëzve tek Allahu në Ditën e Kiametit dhe më i afërti me Të është udhëheqësi i drejtë.”

            Gjithashtu, ka thënë: “Kini kujdes nga padrejtësia, sepse padrejtësia do të jetë errësirë në Ditën e Kiametit.”

            Padrejtësia nuk zhduket. Ajo kthehet tek njeriu që bën padrejtësi, në këtë botë ose në Botën Tjetër.

            Askush nuk është bërë simbol i drejtësisë në historinë islame si imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!). Ai ka thënë: “Drejtësia i vendos gjërat në vendin e tyre.” (“Nehxhul Belaga”)

            Në një thënie tjetër imam Aliu ka thënë: “Mbretëria mund të vazhdojë me mosbesim, por nuk vazhdon me padrejtësi.” Pra, padrejtësia shkatërron çdo shoqëri.

            Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:“Kush i bën padrejtësi njerëzve, Allahu do ta vendosë atë nën padrejtësinë e dikujt tjetër.” Pra, njeriu korr atë që mbjell. Nëse mbjell padrejtësi, do të korrë padrejtësi.

Disa forma të padrejtësisë

            Padrejtësia nuk është vetëm të marrësh pasurinë e dikujt. Ajo mund të jetë: përgojimi; shpifja; lëndimi; mosmbajtja e premtimeve; mashtrimi; ryshfeti; favorizimi; diskriminimi; mosdhënia e pagës së punëtorit; ofendimi i bashkëshortit ose bashkëshortes; padrejtësia ndaj jetimëve; dëmtimi i fqinjit. Madje edhe të jesh i padrejtë ndaj vetes duke bërë mëkate është një formë padrejtësie.

Si ta praktikojmë drejtësinë?

            Të jemi të sinqertë; Të mos gjykojmë me emocione; Të dëgjojmë të dyja palët; Të mos favorizojmë askënd padrejtësisht; Të kërkojmë falje kur gabojmë; Të kujtojmë se Allahu sheh çdo veprim.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Drejtësia është themeli i Islamit. Ajo është rruga e profetëve, e Imamëve dhe e njerëzve të devotshëm. Nëse drejtësia mbizotëron në familje, familja bëhet e lumtur. Nëse drejtësia mbizotëron në treg, ekonomia lulëzon. Nëse drejtësia mbizotëron në shoqëri, njerëzit jetojnë të qetë.

            O Allah! Na zbukuro me drejtësinë, largoje padrejtësinë nga zemrat tona dhe na bëj pasues të Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit të tij (Paqja qoftë mbi ta!), të cilët ishin shembujt më të lartë të drejtësisë!

Qofshim prej atyre që e duan drejtësinë, flasin me drejtësi dhe veprojnë me drejtësi!