I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Zemra është quajtur kështu për shkak të ndryshueshmërisë së saj. Shembulli i zemrës është si shembulli i një pende në shkretëtirë, e kapur në rrënjën e një peme, të cilën era e rrotullon herë nga njëra anë e herë nga tjetra.” (“Kenzul-Ummal”, hadithi 1210.)
Nga ky hadith mësojmë se zemra e njeriut ndryshon shpejt. Herë forcohet në besim, herë dobësohet; herë qetësohet, herë trazohet; herë anon nga e mira dhe herë ndikohet nga frika, dëshirat apo sprovat.
Prandaj, njeriu nuk duhet ta lërë zemrën pa kujdes, por ta forcojë vazhdimisht me përmendjen e Allahut, lutje, dije, vepra të mira dhe shoqëri të mirë. Ashtu si era e rrotullon pendën, edhe rrethanat e jetës mund ta lëkundin zemrën; lidhja me Allahun është ajo që i jep qëndrueshmëri.
Një nga begatitë më të mëdha që njeriu mund të ketë nuk është pasuria, fama apo pushteti, por zemra e qetë. Sot shumë njerëz jetojnë mes luksit, por nuk kanë qetësi. Kanë gjithçka përveç paqes së brendshme.
Pyetja është: Cilat janë sekretet zemrës së qetë?
Kur’ani i Shenjtë, Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti i Profetit Muhamed (Paqja qoftë mbi ta!) na japin përgjigje shumë të qarta për këtë pyetje. Ata na mësojnë se për zemrën e qetë ka disa sekrete:
Sekreti i parë: Përkujtimi i Allahut, burimi i parë i qetësisë
Në ajetin 28 të sures “Err-Rra’d” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿الَّذِينَ آمَنُوا وَتَطْمَئِنُّ قُلُوبُهُمْ بِذِكْرِ اللَّهِ ۗ أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ﴾
“Ata që besojnë dhe zemrat e tyre qetësohen me përkujtimin e Allahut. Vërtet, vetëm me përkujtimin e Allahut qetësohen zemrat.”
Ky ajet nuk thotë se zemra qetësohet me pasuri apo me pozitë. Ai thotë se zemra ëetësohet: “Vetëm me përkujtimin e Allahut.”
Dhikri nuk është vetëm të thuash “Subhanallah” apo “Elhamdulilah”, apo “La ilahe il’lall’llah”. Por, Dhikri ka kuptimin të jetosh me Allahun; ta kujtosh Atë në gëzim dhe në vështirësi; ta ndjesh praninë e Tij në çdo moment. Kur zemra lidhet me Allahun, Krijuesin e saj, ajo nuk tronditet nga ndryshimet e kësaj bote. Ajo zemër është e qetë gjithmonë.
Sekreti i dytë: Besimi i fortë largon frikën
Në ajetin 38 të sures “El-Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فَمَن تَبِعَ هُدَايَ فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ﴾
“Kush ndjek udhëzimin Tim, nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të pikëllohet.”
Shumica e shqetësimeve lindin sepse njeriu mendon se gjithçka është në dorën e njerëzve. Ky është një mendim i gabuar. Besimtari i vërtetë e di se çdo gjë është në dorën e Allahut dhe se Allahu është më i Dituri për gjendjen e njeriut dhe Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka. Kur kjo bindje hyn në zemër, ajo mbushet me siguri.
Sekreti i tretë: Mbështetja tek Allahu
Në ajetin 3 të sures “Et-Talak” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَمَن يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ﴾
“Kush mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton.”
Mbështetja tek Allahu (et-tevekkul” nuk do të thotë të mos punosh e të mos përpiqesh. Por do të thotë: të bësh detyrën tënde duke lëvizur dhe duke u përpjekur pastaj rezultatin ta lësh në dorën e Allahut, të Gjithëditurit. Pra, të thuash: Çështjen time ia delegoj Allahut. Ai është dhënësi i rrugëdaljes dhe i mbarësisë.
Sa shumë njerëz humbin qetësinë sepse duan të kontrollojnë gjithçka. Besimtari i vërtetë kontrollon vetëm atë që është përgjegjësia e tij. Pjesën tjetër ia lë Allahut.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë në “Nehxhul Belaga”: “Ai që mbështetet tek Allahu nuk mposhtet kurrë.”
Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Çuditem me atë që frikësohet dhe nuk kërkon strehim tek fjala e Allahut: ‘Na mjafton Allahu dhe Ai është Mbrojtësi dhe Mbështetësi më i mirë.’”
Kur besimtari përsërit këtë me zemër, frika fillon të largohet.
Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Baza e fuqisë së zemrës është mbështetja tek Allahu.” (Gurerul-Hikem, hadithi 3082.)
Sekreti i katërt: Kënaqësia me caktimin e Allahut
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Lumturia e birit të Ademit është kënaqësia me atë që Allahu ka caktuar për të.”
Njeriu që gjithmonë ankohet dhe thotë: Pse unë? Pse kjo? Pse ai ka më shumë? Duke menduar kështu, ai nuk do të gjejë kurrë qetësi. Ndërsa ai njeri që thotë: Zoti im di më mirë, jeton me zemër të qetë.
Sekreti i pestë: Mospikëllimi
Shumica e pikëllimeve tona burojnë nga lidhja e tepërt me dynjanë. Sa më shumë lidhemi me Allahun, aq më pak na trondit humbja e kësaj bote.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos u pikëllo për atë që të ka humbur nga kjo botë.”
Sekreti i gjashtë: Largimi nga mëkatet
Mëkati është një njollë që rëndon zemrën. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mëkati e prish qetësinë e brendshme ashtu siç e prish ujin e kthjellët një gur i hedhur në të.” Pa dyshim që pendimi dhe istigfari e pastrojnë zemrën dhe e qetësojnë atë. Të themi “Estaghfirullah”, pendohem te Allahu, të paktën 70 herë në ditë.
Kur’ani na thotë se mëkatet janë mbulesë që e errësojnë zemrën. Në ajetin 14 të sures “El-Mutaffifijn” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿كَلَّا بَلْ رَانَ عَلَى قُلُوبِهِم مَّا كَانُوا يَكْسِبُونَ﴾
“Jo! Përkundrazi, zemrat e tyre janë mbuluar nga ajo që kanë fituar (me mëkate).”
Sekreti i tetë: Namazi, qetësuesi i zemrës
Transmetohet se Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i thoshte Bilalit: “O Bilal! Na qetëso me namaz.”
Për Profetin, namazi nuk ishte barrë, ai Ishte qetësi për zemrën dhe takim me Allahun. Në sexhde njeriu është më afër Zotit të tij. Prandaj sa herë zemra rëndohet, duhet të shtojmë namazin dhe sexhdet.
Sekreti i nëntë: Dashuria për Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi të!)
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim është si anija e Nuhut; kush hipën në të shpëton.”
Njeriu që ecën në rrugën e Ehli Bejtit, e cila është rruga e Profetit Muhamed, ai fiton: besim, durim, moral dhe qetësi. Mjafton të shohim imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!) në Ditën e Ashurasë. Edhe në momentet më të vështira zemra e tij ishte e mbushur me qetësi, sepse ishte plotësisht e lidhur me Allahun. Të tillë kanë qenë të gjithë imamët e pastër të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!)
Sekreti i dhjetë: Falja e tjetrit dhe largimi I urrejtjes nga zemra
Urrejtja dhe zilia janë zjarr që e djegin paqen e brendshme. Në ajetin 10 të sures “Hashr” Kur’ani na mëson lutjen: “…mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë urrejtje ndaj besimtarëve!”
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mos i ndërprisni marrëdhëniet mes jush, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos e urreni njëri-tjetrin, mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër mes jush. Nuk i lejohet një myslimani ta braktisë vëllain e tij më shumë se tre ditë.” (Burimi: Et-Tergijb ue Et-Terhijb, 3 / 454 / 1.)
Si ta qetësojmë zemrën?
Çdo ditë të lexojmë disa ajete nga Kur’ani; të bëjmë dhikër; të kërkojmë falje (istigfar); të falim namazin me përqendrim; të lexojmë lutje, veçanërisht Duanë Kumejl, duatë në librin “Sahife Sexhadije” dhe në në librin “Mefatihul Xhinan”; të largohrmi nga mëkatet; t’i duam njerëzit dhe t’i falim ata dhe të mbështetemi tek Allahu në çdo çështje.
Kjo është receta hyjnore për qetësinë e zemrës.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Në përfundim themi se zemra e qetë nuk është ajo që nuk përballet me sprova, por është ajo që, edhe në mes të sprovave, nuk e humb lidhjen me Allahun. Ajo qetësohet me përmendjen e Tij, forcohet me durim, pastrohet me falje dhe mbështetet me bindje të plotë tek Ai.
Le ta ruajmë zemrën nga urrejtja, zilia, frika dhe dëshpërimi; le ta ushqejmë me lutje, mirësi, falënderim dhe dashuri për njerëzit. Sepse sa më pranë Allahut të jetë zemra, aq më pak e tronditin furtunat e kësaj bote.
Allahu na dhëntë zemra të pastra, gjuhë që e përmendin Atë, shpirtra të kënaqur me caktimin e Tij dhe besim që nuk lëkundet në çaste vështirësie! Na bëftë prej atyre për të cilët thuhet: “Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”!
Zemra e qetë është një gjendje paqeje shpirtërore, shëndet i mirë për trupin dhe ilaçi më i fuqishëm përballë sfidave të jetës. Ajo sjell ekuilibër emocional, qartësi mendore dhe harmonizim të jetës së përditshme. Zemra e qetë është jetë për trupin.
Lusim Allahun e Madhëruar që t’i mbushë zemrat tona me iman, me përkujtimin e Tij, me dashurinë për Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Ehli Bejtin (Paqja qoftë mbi ta!), dhe të na bëjë prej atyre që e takojnë Atë me zemër të pastër dhe të qetë!
Dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

