Në ajetin 21 të sures “Err-Rrum” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَمِنْ آيَاتِهِ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَاجًا لِّتَسْكُنُوا إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَاتٍ لِّقَوْمٍ يَتَفَكَّرُونَ﴾
“Dhe një nga shenjat e Tij është se krijoi për ju bashkëshorte nga lloji juaj, që të gjeni qetësi tek ato, dhe vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë.”
Ky ajet na tregon se familja ndërtohet mbi tre shtylla, të cilat janë: qetësia, dashuria dhe mëshira.
Familja sipas Islamit është institucioni më i shenjtë që Allahu ka vendosur mbi tokë. Ajo është vendi ku rriten brezat, mësohet besimi, morali dhe dashuria. Familja është themeli i shoqërisë, vendi ku njeriu mëson dashurinë, respektin, përgjegjësinë dhe sakrificën.
Familja duhet të jetë një strehë sigurie dhe mirëkuptimi. Por, ka raste që familja përballet me probleme që e dobësojnë atë, dhe, në raste të caktuara, mund ta çojnë drejt shkatërrimit. Kur familja është e fortë, edhe shoqëria është e fortë. Kur familja prishet, prishet edhe shoqëria.
Sot do të flasim rreth temës: Çfarë e shkatërron familjen? Dhe do të përmendim disa faktorë që çojnë në shkatërrimin e familjes. Ato faktorë janë:
I pari: Largimi i familjes nga Allahu
Shkaku më i madh i shkatërrimit të familjes është largimi nga feja. Kur namazi, Kur’ani dhe përmendja e Allahut largohen nga shtëpia, atëherë zemrat e pjestarëve të familjes mbushen me zbrazëti.
Në ajetin 124 të sure “TaHa” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَمَنْ أَعْرَضَ عَن ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنكًا …ٰ﴾
“Kush largohet nga përkujtimi Im, do të ketë jetë të vështirë…”
Një shtëpi ku nuk falet namazi dhe nuk përmendet Allahu, gradualisht humbet bereqetin dhe qetësinë.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shtëpia në të cilën lexohet Kur’ani shtohet në mirësi dhe pakësohen shejtanët.” (“Biharul Enuar”, vëll. 89)
I dyti: Mungesa e respektit dhe e moralit në familje
Shumë familje nuk shkatërrohen për shkak të varfërisë, por për shkak të mungesës së respektit në të. Fjalët fyese, poshtërimi dhe arroganca që gjenden në një familje shkatërrojnë zemrat e pjestarëve të saj.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me familjen e tij, dhe unë jam më i miri me familjen time.” (“Biharul Enuar”, vëll. 16, f. 220)
Ndërsa imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që sillet mirë me familjen e tij, Allahu ia shton jetën.” (“El-Kafij”, vëll. 2)
I treti: Zemërimi i pakontrolluar në familje
Zemërimi i pakontrolluar ndikon negativisht në marrëdhëniet familjare. Ai sjell fjalë lënduese, konflikte, frikë dhe largim emocional mes anëtarëve të familjes. Kur përsëritet vazhdimisht, zemërimi dobëson besimin, respektin dhe dashurinë në shtëpi. Prandaj, është e rëndësishme të mësojmë ta kontrollojmë zemërimin, të flasim me qetësi dhe t’i zgjidhim mosmarrëveshjet me durim e mirëkuptim. Sa familje janë shkatërruar nga një moment zemërimi! Një fjalë e thënë në zemërim mund të lërë plagë për vite.
Në ajetin 134 të sures “Ali Imran” Allahu i lavdëron besimtarët dhe thotë:
﴿ وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ ۗ وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ﴾
“…ata që e frenojnë zemërimin dhe falin njerëzit. Allahu i do bamirësit.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Zemërimi është një lloj çmendurie.” (“Nehxhul Belaga”, Urtësitë)
Prandaj, para se të flasim në zemërim, duhet të heshtim.
I katërti: Padrejtësia dhe mungesa e drejtësisë në familje
Kur në familje mungon drejtësia, lind urrejtja. Kur një prind favorizon një fëmijë ndaj tjetrit, ose kur një bashkëshort i bën padrejtësi tjetrit, fillojnë konfliktet.
Në ajetin 90 të sures “En-Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ …﴾
“Vërtet Allahu urdhëron drejtësinë.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Drejtësia është themeli mbi të cilin qëndron bota.”
I pesti: Përgojimi, dyshimi dhe mungesa e besimit
Shejtani e shkatërron familjen duke futur dyshime. Ndërkohë që Allahu në ajetin 12 të sures “El-Huxhurat” na urdhëron e na thotë: thotë:
﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيرًا مِّنَ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ… ﴾
“O ju që keni besuar! Shmanguni shumë prej dyshimeve, sepse disa dyshime janë mëkat.”
Përgojimi, dyshimi dhe mungesa e besimit e dëmtojnë rëndë familjen. Përgojimi krijon keqkuptime dhe përçarje, ndërsa dyshimi i vazhdueshëm sjell pasiguri, tension dhe konflikte. Kur mungon besimi, dobësohen afërsia, respekti dhe komunikimi mes anëtarëve të familjes. Prandaj, një familje e shëndoshë duhet të ndërtohet mbi sinqeritetin, komunikimin e hapur, respektin dhe mirëbesimin.
I gjashti: Mediat dhe rrjetet sociale
Sot shumë familje jetojnë nën një çati, por secili jeton me telefonin e tij. Nuk ka më dialog, nuk ka më dëgjim, nuk ka më kohë për njëri-tjetrin. Përdorimi i tepruar i mediave dhe rrjeteve sociale mund të ndikojë negativisht në familje, sepse zvogëlon komunikimin e drejtpërdrejtë, dobëson afërsinë dhe krijon largësi emocionale mes anëtarëve të saj. Krahasimet me jetën e të tjerëve, përmbajtjet e papërshtatshme dhe mungesa e kontrollit mund të sjellin pakënaqësi, dyshime dhe konflikte. Prandaj, është e rëndësishme që teknologjia të përdoret me masë, përgjegjësi dhe pa zëvendësuar kohën dhe kujdesin ndaj familjes.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe secili do të pyetet për kopenë e tij.” (Sahihu “Bukharij”, vëll. 7, kreu I martesës). Kështu që, Prindërit janë përgjegjës për edukimin e fëmijëve dhe për atmosferën e shtëpisë.
I shtati: Mungesa e faljes dhe e tolerimit në familje
Asnjë familje nuk është pa gabime. Por familjet që zgjasin janë ato që dinë të falin. Mungesa e faljes brenda familjes krijon ftohtësi, hidhërim dhe largësi mes anëtarëve të saj. Kur gabimet mbahen mend vazhdimisht dhe zemërimi ushqehet, dobësohen dashuria, besimi dhe komunikimi. Falja nuk e justifikon gabimin, por ndihmon në shërimin e plagëve dhe në rikthimin e paqes. Prandaj, falja, pendimi dhe mirëkuptimi janë të domosdoshme për një familje të bashkuar dhe të shëndetshme.
Në ajetin 22 të sures “EN-Nur” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿…وَلْيَعْفُوا وَلْيَصْفَحُوا ۗ أَلَا تُحِبُّونَ أَن يَغْفِرَ اللَّهُ لَكُمْ… ﴾
“Le të falin dhe të tolerojnë. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë?”
Ky ajet na mëson se falja dhe toleranca janë vlera të mëdha në marrëdhëniet tona. Ashtu siç dëshirojmë faljen dhe mëshirën e Allahut, edhe ne duhet t’i falim të tjerët dhe të mos ushqejmë urrejtje. Falja pastron zemrën, forcon lidhjet familjare dhe sjell paqe e mirëkuptim.
I nënti: Përdorimi i alkoolit dhe i lëndeve narkotike në familje
Përdorimi i alkoolit dhe i lëndëve narkotike sjell pasoja të rënda për familjen. Ai dëmton shëndetin, dobëson përgjegjësinë, shkakton konflikte, vështirësi ekonomike dhe humbje të besimit. Varësia ndak alkoolit dhe lëndëve narkotike mund të krijojë frikë, pasiguri dhe largësi mes anëtarëve të familjes, duke rrezikuar seriozisht unitetin e saj. Prandaj, parandalimi i përdorimit të alkoolit dhe i lëndëve narkotike, mbështetja dhe kërkimi i ndihmës profesionale janë të rëndësishme për mbrojtjen e familjes.
I Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Alkooli është nëna e të këqijave dhe e mëkateve të mëdha”. (“Kenzul Ummal”, Hadithi 13181.)
I Dhjeti: Presioni ekonomik
Presioni ekonomik mund të shkaktojë stres, debate, pasiguri dhe largim emocional brenda familjes. Vështirësitë financiare shpesh dobësojnë komunikimin dhe krijojnë fajësime mes bashkëshortëve. Ky presion duhet përballuar me durim, bashkëpunim, planifikim të kujdesshëm të shpenzimeve dhe komunikim të hapur. Kur familjarët mbështesin njëri-tjetrin dhe i zgjidhin problemet së bashku, vështirësitë ekonomike mund të përballohen pa e dëmtuar unitetin e familjes.
I njëmbëdhjeti: Divorci
“I Dërguari i AllahutProfeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: Gjëja e lejuar më e urryer tek Allahu është divorci.”
Ky hadith tregon se divorci, edhe pse është i lejuar në raste të nevojshme, ai nuk duhet të merret si vendim i nxituar. Divorci sjell ndryshime të mëdha në jetën familjare dhe mund të shkaktojë dhimbje, pasiguri dhe largim emocional, sidomos te fëmijët. Ai mund të dobësojë ndjenjën e stabilitetit dhe të ndikojë në marrëdhëniet mes anëtarëve të familjes. Prandaj, para këtij vendimi duhet kërkuar dialogu, këshillimi dhe pajtimi, kur kjo është e mundur dhe e sigurt. Kur divorci bëhet i pashmangshëm, ai duhet të menaxhohet me respekt, drejtësi dhe kujdes të veçantë për mirëqenien e fëmijëve.
Këto janë njëmbëdhjetë faktorë prej faktorëve që ndikojnë në shkatërrimin e familjes.
Të dashur vëllezër dhe motra!!
Në përfundim themi se familja nuk shkatërrohet vetëm nga një problem i vetëm, por nga grumbullimi i zemërimit, mungesës së besimit, përgojimit, varësive, presionit ekonomik, mungesës së faljes dhe komunikimit të dobët.
Për ta mbrojtur familjen nevojiten dashuri, durim, sinqeritet, përgjegjësi dhe respekt i ndërsjellë. Kur anëtarët e familjes mësojnë të falin, të këshillohen dhe të mbështesin njëri-tjetrin, shumë vështirësi mund të kapërcehen. Ta fillojmë ditën me namaz; Të lexojmë Kur’an në shtëpi; Të flasim me butësi me njëri-tjetrin; Të falim gabimet e njëri-tjetrit në famile; Të kalojmë kohë së bashku; T’i edukojmë fëmijët me dashuri dhe me shembull personal; Ta vendosim Allahun në qendër të jetës familjare. Udhëzimet e Tij të jenë busulla e familjes; të marrim si shembull në jetën tonë Profetin Muhamed dhe familjen e tij të pastër.
Le të përpiqemi ta ruajmë familjen si një amanet të çmuar, duke e ndërtuar mbi besim, mëshirë dhe mirëkuptim. Ajo shkatërrohet nga fjalët e këqija, nga neglizhenca, nga egoizmi dhe nga largimi prej Allahut. Po ashtu, ajo ndërtohet çdo ditë me dashuri, respekt, durim dhe besim.
Le të kujtojmë fjalën e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Shtëpia ku ka dashuri është vendi më i mirë për të jetuar.”
Lusim Allahun e Madhëruar që t’i mbushë shtëpitë tona me iman, dashuri, mëshirë dhe bereqet; të na ruajë familjet nga përçarja dhe të na bëjë prej atyre që ndërtojnë familje të forta sipas mësimeve të Kur’anit dhe të Profetit Muhamed, dhe Ehli Bejtit!

