Në Kur’an ekziston një sure e plotë me emrin “En-Nisa” (Gratë). Nuk ekziston një sure përballë saj me emrin “Er-Rixhal” (Burrat). Mund të duket sikur është thjesht një emërtim, por emrat e sureve të Kur’anit nuk janë tituj të vendosur pa qëllim. Atëherë, pse Kur’ani zgjodhi që gratë të mbajnë emrin e një sureje të plotë?
Ndoshta sepse gruaja ka qenë ndër ata që i janë nënshtruar më së shumti padrejtësisë gjatë historisë së njerëzimit. Prandaj Kur’ani e vendosi çështjen e saj në zemër të shpalljes, e jo në skajet e saj.
Kur’ani nuk u mjaftua vetëm duke i dhënë asaj të drejta, por u përball me vetë rrënjën e këndvështrimit që e lejonte cenimin e ekzistencës së saj. Madje, e bëri skenën e vrasjes së vajzës së porsalindur një krim për të cilin do të pyetet në Ditën e Gjykimit:
“Dhe kur vajzës së varrosur për së gjalli t’i bëhet pyetja: ‘Për çfarë mëkati u vra?’” (Sure Et-Tekvir, ajetet 8–9)
Kur’ani nuk e pyeti fillimisht vrasësin, por pyeti vajzën e vrarë. Sikur Kur’ani të donte t’ia kthente gruas një zë që i ishte marrë dhe t’i thoshte njerëzimit: Ajo që nuk mundi të mbrohej vetë, do të ketë një ditë kur e gjithë bota do të pyetet për krimin që u krye ndaj saj.
Pastaj Kur’ani paraqiti modele grash që nuk ngjajnë aspak me imazhin dytësor që historia shpesh u ka dhënë grave: Merjemen, të cilën Allahu e zgjodhi dhe e pastroi, duke e bërë shembull të besimit dhe pastërtisë; Asijen, e cila besoi në shtëpinë e Faraonit dhe u bë shembull i gruas që nuk i nënshtrohet tiranisë; Mbretëreshën e Sebe-së, e cila kishte arsye, vendimmarrje dhe vizion dhe u bë shembull i gruas që di të mendojë dhe të marrë vendime; si dhe nënën e Musait, siguria e së cilës e mposhti frikën për fëmijën e saj, duke u bërë shembull i nënës tek e cila mëshira shndërrohet në forcë dhe sakrificë.
Këto nuk ishin gra në skajet e tregimeve për burrat, por modele njerëzore më vete. Sikur Kur’ani të mos e çlironte gruan vetëm nga padrejtësia, por të çlironte edhe imazhin e saj nga reduktimi dhe nënvlerësimi.
Por çfarë dëshiron Allahu që gruaja të jetë në shoqëri?
Këtu arrijmë te një kuptim që e shoh më të thellë se të gjitha rolet e tjera: mëshira.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) duke folur për mëshirën e Allahut, ka thënë: “Kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën, krijoi njëqind mëshira… prej tyre vendosi një mëshirë në tokë; me të nëna tregohet e dhembshur ndaj fëmijës së saj…”
Pse Profeti përdori figurën e nënës kur dëshironte të na afronte me kuptimin e mëshirës në tokë? Sepse gruaja, në natyrën e saj, e pret njeriun në gjendjen e tij më të dobët.
Ajo e mbart, kujdeset për të, qëndron zgjuar për të, duron dobësinë e tij dhe i jep siguri para se ai të mësojë kuptimin e sigurisë. Ajo nuk i jep vetëm jetën, por merr pjesë në formimin e njeriut që do ta jetojë atë jetë.
Fëmija nuk e mëson mëshirën fillimisht si një koncept; ai e përjeton atë. E mëson nga dora që e ledhaton, nga zemra që shqetësohet për të dhe nga gruaja që duron dobësinë e tij përpara se ai të jetë në gjendje të mbajë veten.
Prandaj mëshira e gruas nuk është thjesht një emocion i veçantë i saj, as vetëm një cilësi e bukur që i shtohet figurës së saj. Ajo është një energji që i shtrin gjurmët e saj në të gjithë shoqërinë.
Gruaja që edukon një fëmijë të mëshirshëm, në të vërtetë mund të jetë duke mbjellë mëshirë te një njeri që më vonë do të mbajë dije, pasuri, pushtet apo përgjegjësi.
Pa mëshirë, dija shndërrohet në mjet shkatërrimi, pasuria në lakmi, pushteti në tirani, ligji në ashpërsi dhe forca në dhunë.
Por gruaja është shtypur nga dy burime
- I pari: Kur u keqkuptua përgjegjësia e burrit ndaj gruas.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Burrat janë përgjegjës për gratë, për shkak se Allahu i ka dalluar disa prej tyre mbi disa të tjerë dhe për shkak të pasurisë së tyre që shpenzojnë.” (Sure “En-Nisa”, ajeti 34)
El-Kauamijetu, në thelbin e saj, është përgjegjësi, jo pushtet; përkujdesje, jo epërsi; mbrojtje, jo kontroll; detyrë, jo privilegj. Por kur u shkëput nga këto kuptime, tek disa njerëz ajo u shndërrua nga përgjegjësi në pushtet, nga përkujdesje në kontroll dhe nga detyrë në privilegj.
Kështu, burri filloi ta përdorte përgjegjësinë e tij për t’u ngritur mbi gruan, në vend që të përmbushte përgjegjësinë ndaj saj.
Po të kuptohej kavvamijeti në kontekstin e tij të drejtë, kuptimi i tij do të vendosej në vendin e duhur për atë që e ka marrë këtë përgjegjësi.
Burri që u bë “kauaam” dikur ishte një fëmijë për të cilin u kujdes një grua. Ajo e rriti, e mbajti, qëndroi zgjuar për të dhe e rrethoi me mëshirën e saj derisa ai u bë i aftë të mbajë përgjegjësi.
Prandaj, përgjegjësia që buron nga gjiri i mëshirës nuk mund të qëndrojë e drejtë nëse shkëputet prej mëshirës. Sepse forca, kur shkëputet nga mëshira, shndërrohet në arrogancë; dhe përgjegjësia e burrit, kur shkëputet nga mëshira, shndërrohet në padrejtësi.
- Burimi i dytë i padrejtësisë
Burimi i dytë i padrejtësisë ndaj gruas u shfaq kur sistemi i korrupsionit dhe prishjes morale e kapi gruan nga ana e kundërt.
Forcat që dëshirojnë të shkatërrojnë shoqëritë e kuptuan se gruaja është porta e familjes, ndërsa familja është vendi i parë ku formohet njeriu. Prandaj ndryshimi i imazhit të gruas mund të ndryshojë edhe imazhin e brezave. Përballja me të nuk u bë më përmes shtypjes, por përmes joshjes.
Gruaja u shndërrua në mall tregu, u reduktua në trup, ndërsa vlera e saj u lidh me famën, pasurinë dhe pamjen e jashtme. U krijuan modele që të bëheshin “influencuese” dhe shembuj për t’u ndjekur, jo sepse ishin më të diturat, më të thellat apo më të lartat në moral, por sepse ishin më të aftat për të tërhequr sytë.
Dhe kur modelet më të ulëta bëhen më me ndikim sesa modelet më të larta, shoqëria ka humbur busullën e saj.
Kështu, gruaja u shtyp dy herë:
një herë kur përgjegjësia e burrit u shndërrua në epërsi, dhe një herë kur “çlirimi” i saj u shndërrua në komercializim dhe objektifikim.
Midis përgjegjësisë së keqkuptuar që ia mohoi njerëzoren dhe tregut që po ashtu ia mohoi njerëzoren, e vërteta humbi.
- E vërteta që solli Kur’ani
E vërteta me të cilën filloi Kur’ani është se gruaja është një qenie njerëzore e nderuar, zotëruese e arsyes dhe vullnetit, si dhe bartëse e një mëshire për të cilën ka nevojë e gjithë shoqëria.
Nuk mund të ketë një shoqëri të shëndoshë pa një grua që e njeh vlerën e mëshirës që Allahu ka vendosur tek ajo.
Gruaja nuk formon vetëm një fëmijë; ajo formon njeriun që më vonë do të formojë shoqërinë.
Prandaj, ndoshta “En-Nisa – Gratë” është një sure në Kur’an. Sepse çështja e gruas, në fund të fundit, nuk është vetëm çështje e grave.
Është çështje e mëshirës me të cilën fillon njeriu, me të cilën drejtohet familja dhe me të cilën ndërtohet shoqëria.

