Ndërtimi i mendjes

Çdo kush mund të pyesë: Si ta pastrojmë njeriun nga brenda? Por pyetja më e madhe këtu është: Si ta ndërtojmë mendjen që ta mbrojë njeriun nga shfrytëzimi, mashtrimi ose humbja e busullës së tij?

Nuk mjafton që njeriu të ketë moral të mirë. Ai mund të jetë i sinqertë, besnik dhe zemërmirë, por përsëri mund të jetë i manipulueshëm nëse nuk zotëron një mendje të vetëdijshme, e cila e lexon realitetin, dallon të vërtetën nga iluzioni dhe kupton ndryshimin mes asaj që i thuhet dhe asaj për të cilën duhet të mendojë vetë.

Prandaj, ndërtimi i njeriut nuk plotësohet vetëm me pastrimin dhe përmirësimin e shpirtit; ai ka nevojë edhe për një mendje që sheh, mendon dhe dallon.

Për këtë arsye, Kurani e ka nxitur mendjen, ashtu siç ka nxitur edhe zemrën:

﴿أَفَلَا تَعْقِلُونَ﴾

“A nuk arsyetoni?”

﴿أَفَلَا تَتَفَكَّرُونَ﴾

“A nuk mendoni?”

“A nuk meditojnë thellë mbi Kur’anin?”

Pra, nuk mjafton vetën të dëshirosh të mirën, por duhet të zotërosh vetëdijen që të dallosh të vërtetën nga e pavërteta dhe rrugën e drejtë nga humbja.

Kur’ani nuk u mjaftua vetëm me thirrjen për të menduar, por vendosi edhe një metodë për funksionimin e mendjes. Për sa i përket verifikimit të lajmeve, Allahu i Madhërusr në ajetin 6 të sures “El-Huxhurat” thotë:

“O ju që keni besuar! Nëse një i pabindur ju sjell ndonjë lajm, verifikojeni atë, që të mos i bëni dëm ndonjë populli pa e ditur dhe pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”

Shprehja “verifikojeni” (فَتَبَيَّنُوا) nuk është thjesht një rregull për përcjelljen e lajmeve, por një parim për ndërtimin e vetëdijes. Mos e konsidero lajmin të vërtetë para se ta shqyrtosh dhe mos e shndërro përshtypjen në gjykim pa u siguruar më parë.

Kurse në ajetin 36 të sures “El-Isra” Allahu i Madhëruar thotë:

“Mos ndiq atë për të cilën nuk ke dijeni. Me të vërtetë, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjitha këto do të merren në përgjegjësi.”

Njeriu është përgjegjës për atë që dëgjon, për atë që sheh dhe për bindjet që ndërton mbi bazën e tyre. Vetëdija është një amanet dhe mendja nuk është një depo ku duhet të futet çdo gjë që kalon përpara saj.

Nga këtu duket se Kur’ani, kur e ka ftuar njeriun në arsyetim, mendim, meditim dhe verifikim, ka ndërtuar tek ai të kundërtën e indoktrinimit. Sepse indoktrinimi kërkon një mendje që vetëm pranon, ndërsa vetëdija kërkon një mendje që pyet, shqyrton dhe dallon.

Ndoshta këtë e kuptoi herët edhe kolonializmi. Kontrolli mbi tokën nuk ishte i mjaftueshëm; duhej afruar edhe me mendjen e njerëzve. Prandaj mori rëndësi kontrolli mbi arsimin dhe programet mësimore.

Arsimi që e shndërron dijen në mësim përmendësh dhe e mbush kujtesën pa e trajnuar atë për pyetje, analizë dhe kritikë, mund të prodhojë një të arsimuar, por nuk prodhon domosdoshmërisht një njeri të lirë në mendim.

Sot mjetet kanë ndryshuar, por beteja për vetëdijen nuk ka përfunduar. Tashmë kontrolli nuk kërkon gjithmonë imponimin e një ideje me forcë; ndonjëherë mjafton që ajo të bëhet e zakonshme dhe familjare.

Një ide që i përsëritet vazhdimisht njeriut në formën e një lajmi, fotografie, videoje ose fjalimi, mund të kalojë nga refuzimi në familjaritet dhe nga familjariteti në pranim, derisa të bëhet pjesë e mënyrës së tij të të parit të jetës.

Dhe këtu qëndron rreziku i asaj që bëhet e zakonshme. Ajo që shohim shpesh nuk bëhet domosdoshmërisht e vërtetë, por shpeshtësia me të cilën e shohim mund të bëjë që të mos e vëmë më në dyshim.

Prandaj, beteja e njeriut sot nuk është vetëm të dijë, por të dijë se si të mendojë për atë që di; të pyesë para se të besojë, të verifikojë para se të gjykojë dhe të shqyrtojë para se ta përqafojë një ide.

Ndërtimi i njeriut nuk plotësohet vetëm me pastrimin e shpirtit dhe as vetëm me grumbullimin e shumë informacioneve. Ai plotësohet përmes bashkimit të një shpirti të pastruar, një mendjeje të vetëdijshme dhe një mprehtësie shpirtërore që dallon të vërtetën.

Sepse njeriu që nuk e zotëron mendjen e vet mund të ketë qëllim të mirë, por mund të udhëhiqet drejt një vendi ku nuk ka dashur të shkojë kurrë.