Në ajetin 107 të sures “El-Enbija” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ﴾
“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty veçse si mëshirë për botët.”
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Tema jonë është: “Profeti Muhamed – simboli i unitetit të muslimanëve.”
Kur flasim për Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjn e tij!), nuk flasim vetëm për një personalitet të madh të historisë. Flasim për njeriun të cilin Allahu e dërgoi si mëshirë për botët, si udhëzues për njerëzimin dhe si bashkues të zemrave.
Profeti Muhamed lindi në një shoqëri të përçarë nga fiset, interesat, hakmarrjet dhe konfliktet. Por ai arriti atë që dukej e pamundur. Arriti të bashkonte njerëzit rreth besimit në një Zot, rreth moralit, drejtësisë dhe vëllazërisë.
Kur’ani, mrekullia e përjetshme e Profetit Muhamed, na urdhëron të jemi të bashkuar
Në ajetin 103 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّهِ جَمِيعًا وَلَا تَفَرَّقُوا ۚ ﴾
“Dhe kapuni të gjithë fort pas litarit të Allahut dhe mos u përçani.”
Ky ajet është një themel i madh për unitetin islam. Allahu nuk thotë vetëm “mos u përçani”, por fillimisht thotë: “Kapuni të gjithë pas litarit të Allahut.”
Pra, uniteti nuk do të thotë që të gjithë myslimanët duhet të mendojnë njësoj për çdo çështje. Uniteti do të thotë që, pavarësisht dallimeve, të kemi një Zot, një Kur’an, një Profet dhe një drejtim të përbashkët drejt Allahut.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjn e tij!) është një nga pikat më të mëdha të bashkimit të myslimanëve.
2. Profeti Muhamed bashkoi njerëzit që ishin armiq
Për këtë në ajetin 103 të surtes “Ali Imran” Allahu thotë:
﴿…وَاذْكُرُوا نِعْمَتَ اللَّهِ عَلَيْكُمْ إِذْ كُنتُمْ أَعْدَاءً فَأَلَّفَ بَيْنَ قُلُوبِكُمْ فَأَصْبَحْتُم بِنِعْمَتِهِ إِخْوَانًا…﴾
“…Kujtoni begatinë e Allahut ndaj jush kur ishit armiq dhe Ai i bashkoi zemrat tuaja, kështu që, me mirësinë e Tij, u bëtë vëllezër…”
Ky është një përshkrim i mrekullueshëm i misionit të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjn e tij!). Ai nuk i bashkoi njerëzit duke fshirë identitetet e tyre, por duke i ngritur mbi identitetet fisnore, materiale dhe egoiste drejt një identiteti më të lartë: “Ne jemi robër të Allahut dhe ndjekës të Muhamedit.”
Prandaj, meqenëse Profeti ynë i dashur arriti të bashkonte njerëz që kishin qenë armiq, atëherë ne, ymeti i tij, duhet të pyesim veten: A po e vazhdojmë ne këtë mision të Profetit apo po ndërtojmë mure mes njëri-tjetrit?
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), duke folur për Profetin Muhamed dhe për misionin e tij, thekson rolin e tij në bashkimin e njerëzve. Në librin “Nehxhul-Belaga”, Imam Aliu e përshkruan gjendjen e njerëzve para Islamit dhe ardhjen e Profetit Muhamed, i cili i nxori nga përçarja dhe i bashkoi rreth së vërtetës duke thënë: “Allahu e dërgoi atë (profetin Muhamed) kur njerëzit ishin në humbje e në çoroditje, të zhytur në përçarje e në shkatërrim, të magjepsur me unin dhe lakminë… Profeti porositi shumë dhe udhëhoqi rrugën duke i ftuar me urtësi e këshillë të mirë.”
Profeti Muhamed na mësoi se muslimanët janë një trup i vetëm. Për këtë ai ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë e tyre ndaj njëri-tjetrit është si një trup: kur një pjesë e tij sëmuret, i gjithë trupi reagon me pagjumësi dhe temperaturë.”
Ky hadith na mëson se besimtari nuk duhet të jetë indiferent ndaj vuajtjes së vëllait të tij. Nëse një musliman vuan, ne nuk duhet të themi: “Nuk është problemi im. Nuk është puna ime” Nëse një komunitet musliman ka nevojë për ndihmë, nuk duhet të themi: “Ata janë të tjerë.”
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjn e tij!) na mëson ta shohim umetin si një trup të vetëm.
Në traditën e Ehli Bejtit, e cila është tradia e Profetit Muhamed, gjejmë një mësim shumë të rëndësishëm, që thotë: Besimtari nuk duhet të bëhet shkak për poshtërimin, përçarjen apo dëmtimin e vëllait të tij. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kohën e sotme.
Sot një fjalë në internet, një koment, një akuzë apo një sharje mund të përhapet në mijëra njerëz brenda pak minutash. Prandaj duhet të pyesim veten para se të flasim: A do të ishte i kënaqur Profeti Muhamed me këtë fjalë? Nëse përgjigjja është jo, atëherë heshtja është më e mirë.
Uniteti islam nuk nënkupton që njeriu duhet të braktisë besimet dhe parimet e veta. Unitet do të thotë të dimë si të bashkëjetojmë me respekt, si të diskutojmë pa fyerje dhe si të bashkëpunojmë në gjërat që na bashkojnë.
Në ajetin 10 të sures “El-Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ فَأَصْلِحُوا بَيْنَ أَخَوَيْكُمْ ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ﴾
“Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër; prandaj pajtojini dy vëllezërit tuaj dhe kijeni frikë Allahun, që të mëshiroheni.”
Pra, Kur’ani e quan marrëdhënien ndërmjet besimtarëve vëllazëri. Dhe vëllazëri nuk do të thotë vetëm të themi “jemi vëllezër”, por ajo duhet të shfaqet në sjelljen tonë.
Dashuria për Profetin Muhamed duhet të na bashkojë
Në ajetin 31 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ ۗ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ﴾
“Thuaju (o Muhamed): Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”.
Dashuria për Profetin Muhamed nuk është vetëm të përmendim emrin e tij. Dashuria e vërtetë është ta ndjekim sunnetin dhe moralin e tij në çdo fushë të jetës tonë sepse Profeti Muhamed ishte i mëshirshëm. Profeti Muhamed ishte falës. Profeti Muhamed ishte i drejtë. Profeti Muhamed respektonte njerëzit. Profeti Muhamed pajtonte zemrat.
Prandaj, nëse duam të jemi vërtet ndjekës të tij, duhet të bëhemi edhe ne shkak bashkimi dhe jo shkak përçarjeje. Nuk mund tw themi se e duam sinqerisht Profetin Muhamed dhe njëkohësisht të ushqejmë urrejtje, përçarje dhe armiqësi mes myslimanëve.
Çfarë të bëjmë ne sot?
Sot kemi nevojë ta kthejmë unitetin nga një slogan në një sjellje konkrete. Të mos e përçmojmë muslimanin tjetër për shkak të dallimeve, apo medhhebeve, apo tarikateve. Të mos e bëjmë gjuhën tonë armë kundër vëllait mysliman. Të mos përhapim thashetheme dhe akuza. Të bashkëpunojmë në mirësi, në edukim, në ndihmën ndaj të varfërve dhe në mbrojtjen e familjes dhe moralit. Dhe mbi të gjitha, të edukojmë fëmijët tanë me dashurinë për Allahun, Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjn e tij!) dhe Ehli Bejtin e tij (Paqja qoftë mbi ta!), duke u mësuar njëkohësisht respektin dhe vëllazërinë me të gjithë myslimanët.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjn e tij!) është simbol i unitetit sepse ai i mësoi njerëzimit se besimi duhet t’i bashkojë zemrat, jo t’i ndajë ato. Ai e shndërroi armiqësinë në vëllazëri. Ai e zëvendësoi hakmarrjen me falje. Ai e zëvendësoi padrejtësinë me drejtësi. Dhe ai i mësoi ymetit se fuqia e tij qëndron në bashkimin rreth Allahut.
Le të pyesim vetat tona: Nëse Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjn e tij!) do të ishte sot mes nesh, a do të shihte në zemrat tona unitetin që ai ndërtoi?
Le të përpiqemi që përgjigjja të jetë: Po. Le të bashkohemi rreth Kur’anit.
Le të bashkohemi rreth dashurisë për Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjn e tij!). Le të respektojmë Ehli Bejtin e tij të pastër (Paqja qoftë mbi ta!). Le të ruajmë vëllazërinë islame. Dhe le të kujtojmë gjithmonë fjalën e Allahut: “Mos u përçani.”
Lindja e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen!) simbolizon lindjen e një jete të denjë, lindjen e një sistemi të drejtë, lindjen e vlerave shpirtërore dhe të kuptimeve të larta. Dhe kjo, është mrekullia më e madhe e të Dërguarit të Allahut sepse ai, brenda një kohe të shkurtër, arriti të ndërtonte themelet e qëndrueshme të një qytetërimi të ri. Një qytetërim që e mbështet arsyen si themel të dijes, pa i lënë pas dore nevojat e shpirtit. Një qytetërim që e lartëson njeriun pa e hyjnizuar atë, sepse për njeriun është nder dhe krenari e mjaftueshme që të jetë rob i Allahut të Madhëruar.
O Allah, na i bashko zemrat tona në të vërtetën! O Allah, na bëj ndjekës të sinqertë të Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit të tij! O Allah, largoje urrejtjen dhe përçarjen nga zemrat e myslimanëve dhe na bashko në dashuri, mëshirë, drejtësi dhe devotshmëri! O Allah! Bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit!

