Në ajetin 4 të sures “El-Kalem” Allahu i Madhëruar thotë:
}وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ{
“Dhe vërtet, ti je me një moral madhështor.”
Ky ajet i drejtohet Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me një lavdërim të drejtpërdrejtë për karakterin e tij të lartë, për durimin, mëshirën, drejtësinë, butësinë, ndershmërinë dhe sjelljen e tij fisnike.
Nga ky ajet fisnik mësojmë se madhështia e njeriut nuk qëndron vetëm te fjalët apo pozita e tij, por sidomos te morali dhe mënyra se si sillet me të tjerët.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur flasim për Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), ne nuk flasim vetëm për një figurë të historisë. Nuk flasim vetëm për një njeri që jetoi para më shumë se katërmbëdhjetë shekujsh. Ne flasim për një shembull të gjallë të karakterit njerëzor.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “Dhe vërtet, ti je me një moral madhështor.” Pra, një prej mrekullive më të mëdha të Profetit ishte pikërisht karakteri i tij i pastër e i lartë. Ndoshta sot, më shumë se në shumë kohë të tjera, kemi nevojë të kthehemi te cilësitë e Profetit tonë të dashur, sepse jetojmë në një kohë ku njerëzit komunikojnë shumë, por shpesh kuptohen pak. Kemi shumë informacion, por jo gjithmonë urtësi. Kemi shumë fjalë, por jo gjithmonë besnikëri. Kemi shumë zemërim, shumë ndarje, shumë paragjykim e bullizim për njëri-tjetrin.
Në temën e sotme do të kujtojmë disa prej cilësive më të mëdha të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të cilat janë:
E para: Mëshira
Allahu i Madhëruar thotë: “Ne të dërguam ty vetëm si mëshirë për botët.” (Sure “El-Enbija”, ajeti 107)
Profeti ishte Profeti i mëshirës. Ishte mëshirë për të varfrit. Mëshirë për jetimin. Mëshirë për fëmijën. Mëshirë për të moshuarin. Mëshirë për të dobëtin. Madje edhe ndaj atij që e kishte lënduar. Sot kemi shumë nevojë për këtë cilësi. Sepse është bërë shumë e lehtë ta gjykosh e bullizosh dikë. Është shumë e lehtë ta ofendosh dikë në rrjetet sociale. Është shumë e lehtë të thuash një fjalë të rëndë dhe pastaj të vazhdosh ditën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por një fjalë mund të hyjë në zemrën e njeriut dhe të qëndrojë aty për vite.
Prandaj besimtari duhet të pyesë veten: A sjell unë mëshirë aty ku shkoj? Në familjen time, a jam burim qetësie apo burim frike? Me fëmijët e mi, a kam vetëm urdhra, apo kam edhe butësi? Me njerëzit që gabojnë, a kërkoj vetëm t’i dënoj, apo përpiqem edhe t’i kuptoj? Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na mësoi se forca e besimtarit nuk shfaqet vetëm në atë që mund të bëjë, por edhe në mëshirën që është i aftë të tregojë.
E dyta: Besnikëria dhe ndershmëria
Para se të merrte shpalljen, njerëzit e Mekës e njihnin Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me emrin: “El-Emijn”, i Besueshmi. Edhe njerëzit që më vonë u bënë kundërshtarë të tij e dinin se Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk gënjente.
Kjo është një cilësi për të cilën kemi jashtëzakonisht shumë nevojë sot, sepse shoqëria nuk mbahet vetëm me ligje. Shoqëria mbahet me besim ndërmjet njerëzve. Kur burri nuk i beson gruas, kur gruaja nuk i beson burrit, kur miku nuk i beson mikut, kur tregtari nuk i beson tregtarit, kur njerëzit nuk i besojnë fjalës së njëri-tjetrit, atëherë prishet themeli i shoqërisë.
Besimtari duhet të jetë njeri për të cilin të tjerët thonë: ‘Nëse ai e dha fjalën, fjala e tij ka peshë.’ Nuk është devotshmëria vetëm se sa herë falemi. Devotshmëria është të mos mashtrosh, të mos gënjesh, të mos tradhtosh amanitin, të mos marrësh atë që nuk të takon, të mos përdorësh fenë për interes personal.
Nëse duam ta ndjekim Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), duhet të bëhemi njerëz të besueshëm.
E treta: Durimi
Jeta e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk ishte jetë pa vuajtje. Ai humbi njerëz të dashur. U përndoq. U ofendua. U shpif për të. U detyrua të largohej nga vendlindja. Ai i pa shokët e tij të vuajnë. Por vuajtja nuk e ktheu në njeri të hidhur. Kjo është madhështia e tij. Sot njerëzit shpesh humbin durimin për një fjalë, për një koment, për një mosmarrëveshje të vogël.
Durimi nuk do të thotë dobësi. Durimi është aftësia për të mos lejuar që zemërimi të marrë komandën e shpirtit tënd.
Prandaj, para se t’i përgjigjemi një njeriu me inat, le të kujtojmë Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ndonjëherë heshtja është më e fortë se përgjigjja. Ndonjëherë të largohesh nga një grindje është fitore. Ndonjëherë të durosh një minutë të shpëton nga një pendim që zgjat vite.
E katërta: Falja e tjetrit
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kishte fuqi të falte. Dhe kjo është më e madhe se të kesh fuqi për t’u hakmarrë. Kur njeriu është i dobët, mund të thotë: “Të fala.” Por prova e vërtetë është kur ke mundësi të hakmerresh dhe zgjedh të mos e mbushësh zemrën me urrejtje.
Ne sot kemi shumë nevojë për këtë. Ka familje ku dy vëllezër nuk flasin prej vitesh. Ka njerëz që nuk e vizitojnë njëri-tjetrin për shkak të një fjale të thënë para dhjetë vjetësh. Ka njerëz që çdo natë shkojnë në gjumë duke mbajtur në zemër një listë të gjatë me emra të njerëzve që urrejnë.
Por zemra nuk është krijuar për të qenë burg i urrejtjes. Të falësh nuk do të thotë të thuash se padrejtësia ishte e drejtë. Të falësh do të thotë: ‘Nuk do ta lejoj atë që më ke bërë ti të më shkatërrojë mua nga brenda.’ Ky është një mësim profetik.
E pesta: Drejtësia
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishte i drejtë edhe kur drejtësia ishte e vështirë. Këtu është prova e vërtetë e drejtësisë. Në një hadith thuhet se Profeti ka thënë: “Edhe sikur Fatimeja bija e Muhamedit të vidhte, do t’ia prisje asaj dorën.” Kjo ishte drejtësia e Profetit Muhamed.
Është e lehtë të kërkosh drejtësi kur je viktimë. Por a kërkojmë drejtësi edhe kur gabimi është bërë nga njeriu ynë? A jemi të drejtë kur bëhet fjalë për familjen tonë? Për mikun tonë? Për grupin tonë? Për njerëzit tanë?
Kur’ani na mëson të jemi të drejtë edhe kur kjo bie kundër interesit tonë. Ky është një mesazh shumë i madh për kohën tonë. Sepse sot njerëzit shpesh nuk pyesin: ‘Kush ka të drejtë?’ Por pyesin: ‘Kush është njeriu im, afërmi im, miku im?’
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na mëson të kundërtën. E vërteta është e vërtetë edhe kur nuk na pëlqen. Padrejtësia është padrejtësi edhe kur e bën dikush që e duam.
E gjashta: Përulësia
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishte i Dërguari i Allahut, por nuk jetonte si mbret. Ai ulej me njerëzit e thjeshtë. Dëgjonte të varfrin. I kushtonte vëmendje fëmijës. Nuk e ndërtonte madhështinë e tij duke i bërë të tjerët të ndiheshin të vegjël. Sa shumë kemi nevojë për këtë sot!
Sot egoja është bërë një sëmundje e madhe. Njeriu kërkon të duket. Kërkon të lavdërohet. Kërkon të ketë gjithmonë fjalën e fundit. Edhe në çështje të fesë, ndonjëherë njeriu harron Allahun dhe fillon të mbrojë vetëm egon e vet.
Sa më afër Allahut të jetë njeriu, aq më shumë zvogëlohet “uni” i tij. Pema që ka më shumë fruta, i ul më shumë degët. Kështu duhet të jetë edhe besimtari.
Dija duhet ta bëjë mbartësin e saj më të përulur. Adhurimi duhet ta bëjë njeriun më të butë. Pozita duhet ta bëjë njeriun më të përgjegjshëm dhe jo arrogant.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ne shpesh themi: E duam Profetin Muhamed(Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Sigurisht që zemra e besimtarit të sinqertë e do atë. Por dashuria për Profetin nuk duhet të jetë vetëm emocion. Dashuria duhet të jetë edhe ngjashmëri në karakter, në moral dhe në sjellje.
Nëse duam mëshirën e Profetit Muhamed, duhet të tregojmë mëshirë. Nëse duam ndershmërinë e tij, duhet të jemi të ndershëm. Nëse duam durimin e tij, duhet të mësojmë të përmbahemi. Nëse duam faljen e tij për njerëzit, duhet të falim të tjerët. Nëse duam drejtësinë e tij, duhet të jemi të drejtë. Nëse duam përulësinë e tij, duhet ta luftojmë egon tonë.
Ndoshta kjo është një nga mënyrat më të bukura për ta nderuar Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në kohën tonë. Ta bëjmë karakterin e tij të dukshëm në jetën tonë, që fëmija ynë ta njohë mëshirën e Profetit Muhamed duke parë mëshirën tone, fqinji ynë ta kuptojë Islamin duke parë sjelljen tonë, ai që punon me ne të thotë: ‘Ky njeri nuk më mashtron.’; ai që ka gabuar ndaj nesh të habitet me aftësinë tonë për të falur.
Bota sot nuk ka nevojë vetëm të dëgjojë emrin e Muhamedit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Bota ka nevojë të shohë cilësitë e Profetit Muhamed në sjelljen e atyre që thonë se e duan atë.
Allahu na bëftë prej atyre që nuk e duan Profetin Muhamed vetëm me fjalë, por e ndjekin me zemër, me moral dhe me vepra! Na dhëntë nga mëshira e tij, nga durimi i tij, nga besnikëria e tij, nga drejtësia e tij dhe nga përulësia e tij! Allahu e mbushtë zemrën tonë me dashuri për të Dërguarin e Tij dhe për familjen e tij të pastër!
Allahumme salli ala Muhammedin ue ala ali Muhammed.
O Allah! Bekoje Muhamendin dhe familjen e Muhamedit!

