Në ajetin 21 të sures “El-Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë:
}لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ{
“Me të vërtetë, në të Dërguarin e Allahut keni një shembull të shkëlqyer…”
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur flasim për Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nuk flasim vetëm për një figurë historike të kaluar. Flasim për njeriun të cilin Allahu i Madhëruar e zgjodhi për të përcjellë shpalljen, për të udhëzuar njerëzimin dhe për të qenë shembulli më i përsosur i jetës islame.
Prandaj, dashuria për Profetin Muhamed nuk duhet të mbetet vetëm një ndjenjë në zemër. Ajo duhet të shndërrohet në detyrë, bindje, respekt, ndjekje, sjellje dhe moral.
Sot do të ndalemi në disa prej detyrave kryesore që kemi ndaj të Dërguarit të Allahut, Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
E para: Ta njohim dhe ta duam Profetin Muhamed
Detyra e parë është ta njohim Profetin Muhamed. Është e natyrshme se nuk mund të duhet dikush që nuk njihet. Prandaj, duhet që myslimanët të mësojnë për jetën e tij, moralin e tij, sakrificat e tij, sjelljen e tij me familjen, me fëmijët, me të varfrit, me jetimët dhe me shoqërinë.
Në ajeti 6 të sures “El-Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë::
النَّبِيُّ أَوْلَىٰ بِالْمُؤْمِنِينَ مِنْ أَنْفُسِهِمْ
“Profeti është më i afërt me besimtarët sesa ata me vetveten.”
Kjo tregon pozitën e jashtëzakonshme të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në një transmetim nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) theksohet se dashuria për të Dërguarin e Allahut është prej shenjave të besimit.
Dashuria e vërtetë nuk është vetëm të themi: “E dua Profetin.” Dashuria e vërtetë është të pyesim veten: A e dua moralin e Profetit? A e ndjek sjelljen e tij? A i zbatoj urdhrat e tij? A e respektoj atë që ai e ka dashur?
E dyta: Ta respektojmë dhe ta madhërojmë Profetin Muhamed
Një tjetër detyrë është respekti për personalitetin e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Në ajetin 1 dhe 2 e parë (1) të sures “El-Huxhurat” Allahu I Madhëruar thotë:
}يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُقَدِّمُوا بَيْنَ يَدَيِ اللَّهِ وَرَسُولِهِ …لَا تَرْفَعُوا أَصْوَاتَكُمْ فَوْقَ صَوْتِ النَّبِيِّ{
“O ju që keni besuar! Mos dilni përpara Allahut dhe të Dërguarit të Tij… Mos i ngrini zërat tuaj mbi zërin e Profetit…”
Në këto ajete mësojmë se Kur’ani kërkon prej nesh që të mos e ngrenë zërin mbi zërin e Profetit dhe duhet të ruajmë gjuhën, fjalët dhe sjelljen tonë kur flasim për të. Respekti për Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) duhet të jetë pjesë e kulturës sonë familjare dhe shoqërore. Nuk duhet të themi: Ka thënë Muhamedi, port ë themi: Ka thënë Profeti Muhamed, apo ka thënë I Dërguari I Allahut. Edhe Allahu në Kur’an kur I drejtohet Profetit I thotë: O Profet. O I Dërguar. Dhe nuk gjendet në asnjë ajet që Allahu t’I jetë drejtuar me thënëien: O Muhamed.
E treta: T’i bindemi Profetit Muhamed
Dashuria pa bindje është e mangët. Në ajetin 80 të sures “En-Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:
}مَنْ يُطِعِ الرَّسُولَ فَقَدْ أَطَاعَ اللَّهَ{
“Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut.”
Ky ajet na mëson se bindja ndaj Profetit nuk është diçka dytësore. Ajo është pjesë e bindjes ndaj Allahut.
Në ajetin 7 të sures “El-Hashr” Allahu i Madhëruar thotë:
وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُوا
“Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, ndërsa nga ajo që ju ndalon, largohuni.”
Prandaj myslimani duhet të pyesë: Çfarë dëshiron Profeti nga unë? Ai dëshironte namazin, drejtësinë, mëshirën, ndershmërinë, ruajtjen e gjuhës, respektin ndaj prindërve, kujdesin ndaj të varfërve dhe unitetin e myslimanëve.
E katërta: Ta ndjekim moralin dhe Sunetin e tij
Një prej detyrave më të mëdha është ndjekja e Sunetit të pastër të Profetit Muhamed Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në ajetin 21 të sures “El-Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë:
{لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ…}
“Në të Dërguarin e Allahut keni shembullin më të mirë…”
Profeti Muhamed nuk ishte vetëm mësues i fjalëve, por ishte mishërim i mësimeve të Kur’anit. Kur dikush e pyeti Aishen për moralin e Profetit, ajo u përgjigj se morali i tij ishte i tëri Kur’an. Ky është një mësim shumë i madh.
Nëse duam ta ndjekim Profetin Muhamed, duhet ta mishërojmë Kur’anin në sjelljen tonë. Kur të mësojmë për mëshirën e Profetit, le të bëhemi më të mëshirshëm. Kur të njihemi me faljen e tij ndaj njerëzve, le të mësojmë të falim të tjerët. Kur mësojmë drejtësinë e tij, le të jemi të drejtë edhe me atë që nuk na pëlqen.
E pesta: Të dërgojmë salavate për Profetin dhe Familjen e tij të pastër
Një detyrë tjetër e myslimanëve ndaj Profetit është dërgimi salavatit për Profetin Muhamed dhe familjen e tij. në ajetin 56 të sures “El-Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë:
إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ ۚ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا صَلُّوا عَلَيْهِ وَسَلِّمُوا تَسْلِيمًا
“Vërtet, Allahu dhe engjëjt e Tij dërgojnë bekime mbi Profetin. O ju që keni besuar, dërgoni bekime mbi të dhe përshëndeteni me përshëndetje të plota.”
Transmetohet nga i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Shtojini sa më shumë salavatet për mua sepse salavatet që më dërgoni mua janë dritë në varr, dritë në Sirat dhe dritë në Xhennet.”
Prandaj gjuha e besimtarit duhet të jetë e lidhur me salavatet:
اللهم صل على محمد وآل محمد
“O Allah! Bekoje Muhamedin dhe Familjen e Muhamedit!”
Në përfundim, detyrat tona ndaj Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk kufizohen vetëm në dashurinë që shprehim me fjalë, por dëshmohen në mënyrën se si jetojmë dhe sillemi. Ta duam Profetin Muhamed do të thotë ta njohim jetën dhe mësimet e tij, ta respektojmë, ta përmendim me salavate dhe, mbi të gjitha, të përpiqemi të ndjekim shembullin e tij në mëshirë, drejtësi, durim, ndershmëri dhe sjellje të mirë me njerëzit.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na la një shembull të lartë morali dhe një rrugë që e afron njeriun me Zotin dhe me të mirën. Prandaj, nderimi më i madh që mund t’i bëjmë Profetit është që mësimet e tij të mos mbeten vetëm në fjalët tona, por të pasqyrohen në veprat, karakterin dhe jetën tonë të përditshme.
Allahu na bëftë prej atyre që e duan sinqerisht Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), që ndjekin udhën e tij dhe që e dëshmojnë këtë dashuri me vepra të mira!

